Veliu le ta bëjë luftën në Kollarë dhe Zajaz

2006-03-01 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

--------------------------------------------------------------------------------
Veliu le ta bëjë luftën në Kollarë dhe Zajaz


Veliu ka paralajmëruar për rrezikun që i kanoset Maqedonisë nëse nuk zgjidh çështjen e ish ushtarëve të UÇK-së, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës, por disa ish-komandantë i kanë kundërshtuar këto deklarata.


QASHIF BAKIU

Shkup, 21 shkurt - Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (SHVL), Fazli Veliu, ka paralajmëruar se nëse nuk zgjidhet çështja e ish-ushtarëve të UÇK-së deri në zgjedhjet parlamentare, Maqedonia rrezikon të “kthehet në gjendjen e pazgjidhur të vitit 2001”.
“Prandaj unë dhe anëtarësia e SHVL-së vendosëm t’u drejtohemi edhe një herë institucioneve që ta zgjidhin seriozisht këtë çështje”, tha Veliu, për televizionet lokale “ERA” Shkup dhe “ART” Tetovë. Deputeti i BDI-së thotë se nëse kryeministri Buçkovski është i mençur, do ta zgjidhë këtë çështje para zgjedhjeve parlamentare.
Ndërkohë që deputeti Veliu shpalos qëndrime të këtilla nëpër media, kreu i SHVL-së për rajonin e Kumanovës dhe Likovës, Selajdin Shahini, thotë se nuk janë të njoftuar për këtë dhe se “Veliu vepron kokë më vete”. “Pyes Veliun ku i ka pasur djemtë e tij, derisa djemtë tanë vriteshin në Karadak dhe Sharr. Nëse dëshiron luftë, le ta bëjë në Zajazin e tij”, thotë për “Lajm”
Shahini, baba i dëshmorit më të ri të UÇK-së, Abdylmexhid Shahinit.
Deklaratën e Veliut e kanë kundërshtuar edhe ish-komandantët e UÇK-së.
“Aktualisht jam në vendlindjen e UÇK-së, Tanushë, ku gjendja është e mjerueshme, për të cilën fajtor është Veliu dhe BDI. Nëse flet për luftë, Fazliu këtë mund ta bëjë me Kollarën dhe Zajazin, ku pas luftës investoi mbi tre milionë euro. Ai zonat e luftës i ka lënë të mjera”, tha për “Lajm” ish- komandanti i UÇK-së, Xhezair Shaqiri-Hoxha. Ai ka akuzuar kreun e lartë të BDI-së se është fajtor kryesor për mosrealizimin e qëllimeve të UÇK-së.
Ish-komandanti i UÇK-së, Daut Rexhepi-Leka, ka kundërshtuar deklarimet e këtilla të deputetit Veliu. “Nuk dua të paragjykoj, por me siguri Fazli Veliu këtë deklaratë e ka dhënë në gjendje të dehur. Nuk ia vlen të komentohen deklaratat e tij”, tha për “Lajm” Daut Rexhepi-Leka, ish- komandanti i batalionit të UÇK-së në brigadën “Mujdin Aliu”, që ka vepruar në rajonin e Tetovës./ 24 02 2006/F.F.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.