STATUSI I KOSOVËS DHE REZOLUTA 1244

2005-04-29 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

REXHEP AHMETI (sociolog, jurist)

STATUSI I KOSOVËS DHE REZOLUTA 1244

Politikajtë e Kosovës janë të përcaktuar t’ i humbin të gjitha betejat politike derisa lejojnë ta lënë Kosovën të mbërthyer me Rezolutën 1244.

A janë të interesuar politikajtë e Kosovës ta lexojnë realisht, siç shkruan Rezolutën 1244?

Ngjarjet politike (dukuritë politike) të përtashme dhe procesi politik i çdo ditshëm sikur po e vërtetojnë një naivitet të shumicës së politikajve tanë.
Ata, krejt rrallë i lexojnë dokumentet kryesore juridike ku përcaktohen proceset dhe koha jonë.
Edhe kur i lexojnë, nuk i lexojnë siç shkruan objektivisht, por i lexojnë ashtu si ua ka ënda atyre.
Rrallë ke sot politikanë shqiptarë në institucione që e thonë të vërtetën për Rezolutën 1244.
Dhe kjo e vërtetë e thjeshtë është:
Se rezoluta 1244 e prejudikon statusin e ardhshëm të Kosovës. Në nenin11. e) të saj shkruan shqip: (mund ta gjeni edhe anglisht): “Të ndihmohet një proces politik me qëllim të përcaktimit të statusit të ardhshëm të Kosovës, duke marrë parasysh marrëveshjet e Rambujesë (S/1999/648) ” dhe në anglisht:
”Facilitating a political process designed to determine Kosovo’s future status, taking into account the Rambou illet accords (S/1999/648) ”

Ndaj UNMIK-u nuk ka se si të veprojë ndryshe, pos sipas Rezolutës 1244, pra, që ta jetësoj ate dhe ta bëjë realitet “sovranitetin e RFJ-së mbi Kosovën”, siç rigaranton e ripohon, në mbi 12 herë direkt e indirekt kjo Rezolutë, brenda 21 neneve dhe dy shtojcave (anekseve) të saj.

UNMIK-u duke ditur vullnetin e popullit të Kosovës (shumicës së tij) për Pavarësi është i detyruar që domosdo rezolutën 1244 ta realizojë INDIREKT dhe shumë herë, fshehtë.
Kjo ka dalë në shesh, sidomos me Marrëveshjen e ish- Kryeadministratorit, Hekerup me Beogradin (shiko dokumentin). Këtë e tregon edhe politika e UNMIK-ut lidhur me "standardin" e bisedimit me Beogradin (dialogun e imponuar), "decentralizimin", politika e UNMIK-ut ndaj minoriteteve në Kosovë, çështja e krijuar e Mitrovicës, proceset e montuara politike ndaj UÇK-së (në Kosovë, Serbi e Hagë).

Për ata shqiptarë që lexojnë siç është shkruar në 1244 nuk janë çudi këto politika të UNMIK-ut lidhur me fenomenet e përmendura...
Pastaj edhe qëndrimi i UNMIK-ut ndaj UÇK-së është i ngjashëm si i Serbisë.
Në Rezolutën 1244 lufta është quajtur konflikt dhe është edhe termi terrorizëm (për te, indirekt).
Pra, pasi Serbia e ka sovraniteti de jure mbi Kosovën (me 1244) ajo edhe shfrytëzon këtë për t´i dënuar shqiptarët pse janë ngritur në "konflikt terrorist" kundër rendit dhe shtetit juridik të RFJ-së.
Kryesisht, Haga shërbehet me akuzat dhe "argumentet" që i ka bërë një organ gjegjës i këtij "shteti juridik: Ministria e Drejtësisë e Serbisë; (Kosovës kjo Ministri ende nuk i është lejuar nga UNMIK-u, e as që do t´i lejohet sa të jetë në fuqi 1244-tërshi ).
Akuzat e Serbisë, ndaj UÇK-së , kryesisht, Haga i ka përkthyer vetëm anglisht!

Një si këshillë e vogël:
Politikajë dhe Udhëheqës të Kosovës:
mos më besoni mua, po shikoni kufizimin (robërinë) tonë de jure e de facto, lexoni edhe nenin 11.e) Rezolutës1244 (famëkeqe, tashmë për Kosovën), të prejudikueses së Statutit të ardhshëm të Kosovës, mohueses së ardhmërisë sonë: ku do ta gjeni të shkruar shkurt e shqip të kundërtën e vullnetit politik, shtetror e kombëtar të qytetarëve shumicë të cilët, ju vet, thoni se i përfaqësoni!

Është, pra, shumë e qartë se Statusi i Kosovës sipas masës legjitime dhe të ligjshme të vullnetit të popullit të Kosovës-është krejtë i kundërt me Rezolutën 1244.
Janë dy antipode. Antipodi 1244 e mohon zgjidhjen e ardhshme të drejtë të çështjes së Kosovës.
Siç thotë populli-dy atllarë nuk lidhen në një mullar!

Pra, për të filluar mbarë zgjidhja e Statusit të Kosovës është e domosdoshme të shfuqizohet Rezoluta 1244 e K.S. të OKB-së.

Këtu rrugë të mesme nuk ka.

Si mund të jesh edhe për 1244 edhe për Pavarësinë e Kosovës, kur ajo qartë prejudikon ndryshe Statusin e Kosovës?!

Vërtetë dokumentet themelore politiko-juridike po mbetkan shumë pas kohe, po u ngrënkan (nga disa ) edhe kur janë bërë rrezikshmërisht shumë bajate!
Po mbetkan në fuqi edhe kur e pengojnë popullin të jetoj me dinjitet në vend të vet dhe po u bëkan digë kundër ardhmërisë së një kolektiviteti naiv.
A mos qenka Rzoluta 1244 më e rëndësishme se populli i Kosovës?!

Tepër larg i ka shkuar kungulli mbi ujë Rezolutës 1244!

Rexhep Ahmeti ( sociolog, jurist)

Trepçë, 7 prill 2005

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.