Një ditë e vetme për dëshmorët dhe një ditë për Heroizmin sh

2005-05-27 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Mehmet Bislimi

Një ditë e vetme për dëshmorët dhe një ditë për Heroizmin shqiptar


Gjëra të çuditshme po ndodhin në këtë nënqiellin shqiptar. Dita e Dëshmorit, - 5
Maji, - edhe këtë vit nuk u bë dita e të gjithë dëshmorëve të kombit. Kjo, jo për

fajin e atyre që vepruan, luftuan dhe ranë për liri e bashkim kombëtar, por për
fajin e bashkëkombësve të tyre të gjallë, të cilët sikur janë mësuar me ndarjen dhe
copëtimin e atdheut të tyre, Shqipërisë, prandaj po duan t'i ndajnë edhe Ata që me
rënien dhe gjakun e tyre na dhanë jetë dhe na e hapën rrugën e lirisë dhe të
bashkimit kombëtar. Ajo, që ndër shekuj njihej dhe quhej nga të huajt Albani (pa
hyrë më thellë, kur vendi ynë quhej Iliri dhe shtrihej deri në Istri), ndërsa nga
populli i saj Arbëri dhe më vonë Shqipëri, u "kafshua" pa mëshirë gjatë shekujve nga
ardhacakët sllavë, që u dyndën në Ballkan dhe u bënë fqinjët tanë shovinistë.
Zaptimi, spastrimi dhe sllavizimi i tokave të Shqipërisë mori përmasat e një procesi
të pandalshëm. Në prag të luftës serbo-turke të viteve 1876-1888 Shqipëria shtrihej
në një sipërfaqe prej rreth 100 mijë km². Populli shqiptar, i udhëhequr nga
Lidhja Shqiptare e Prizrenit, u përpoq me ç'pati, duke derdhur lumenj gjaku, të
pengonte pushtimin dhe zaptimin e tokave të Shqipërisë nga fqinjët shovinistë, të
cilët gëzonin përkrahjen e Fuqive të Mëdha të kohës dhe bekimin e Stambollit. Jo më
pak gjak u derdh gjatë kryengritjeve të vitit 1910-1912. Rezultat i kësaj qëndrese
dhe i këtyre flijimeve ishte Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Mirëpo, edhe pas
këtij veprimi të lartë kombëtar, historik e politik, fqinjët shovinistë, me ndihmën
e miqëve të tyre të mëdhenj, mbajtën të pushtuar dhe të copëtuar midis tyre më shumë
se gjysmën e Shqipërisë. Lufta dhe përpjeket për çlirimin e këtyre krahinave të
Shqipërisë vazhduan me vetëmohim. Mendimi, fjala, veprimtaria dhe demonstratat, në
periudha të ndryshme edhe kryengritjet e armatosura, çuan në krijimin e famëmadhes,
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pastaj të UÇPMB-së dhe të Ushtrisë
Çlirimtare Kombëtare. Sot ekziston edhe AKSH-ja, e cila ka shpallur programin e saj
kombëtar dhe politik për Bashkimin e Shqipërisë. Edhe kjo Ushtri ka dëshmorët e saj.
Si përfundim: I gjithë mendimi shqiptar, e gjithë fjala shqiptare, të gjitha
vuajtjet nëpër kazamatet e pushtuesve, e gjithë veprimtaria, dhe në fund (edhe sot)
të gjitha kryengritjet dhe luftërat çlirimtare, i gjithë gjaku i derdhur dhe të
gjithë të rënët kishin një ideal dhe një synim kombëtar e historik: Çlirimin dhe
bashkimin e tokave të Shqipërisë. Të gjithë brezat atdhetarë dhe liridashës u
përpoqën, vepruan, qëndruan, luftuan dhe ranë në Altarin e Atdheut me emrin e
Shqipërisë në zemër dhe në gojë. Urdhëroni dhe lexojeni (është i shkruar shqip!)
BETIMIN e UÇK-së dhe të luftëtarëve të saj. Është shkruar e zezë në të bardhë: Unë,
ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin
e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë besnik, luftëtar i denjë
i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i diciplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa
kursyer as jetën time, të luftoj për t'i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut.
Nëse e shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpëra të luftës dhe nëse
tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im". BETOHEM!
Të gjithë brezat e atdhetarëve u betuan, vepruan, luftan dhe ranë nën hijen e
Flamurit shqiptar, Flamurit të Shqipërisë, të asaj Shqipërie që burrat e dheut e
thirrën (dhe vazhdojnë ta thërrasin) NËNË... Lufta e fundit Çlirimtare u ndërpre
(pa përfunduar misionin e saj historik dhe kombëtar) me angazhimin dhe ndërhyrjen
e NATO-s, veçmas të ShBA-së. Drejtuesit e shtetit shqiptar dhe të Luftës
Çlirimtare i besuan fjalës dhe zotimit të Bashkësisë Ndërkombëtare. Në këtë
çështje më rëndë peshoi fjala e ShBA-së. Shqiptarët besuan se zgjidhja
përfundimtare e çështjes së tyre do të arrihet me mjete politike dhe demokratike.
Gjashtë vjet pas Luftës Çlirimtare, Kosova-hallka kryesore e çështjes shqiptare -
vazhdon të qëndrojë midis kudhrës dhe çekanit! Ende nuk po duket në horizont
kurorëzimi i Luftës Çlirimtare. Shqiptarët nën "Maqedoni" kanë njohur njëfarë
progresi, por larg asaj që synonin ata dhe i gjithë kombi, kurse në Luginën e
Preshevës nuk është bërë asgjë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve. Madje,
ka tendenca negative. Shpërnegulja nga trojet e tyre ka marrë përmasa shqetësuese.
Medvexha shqiptare, pothuaj se nuk ekziston më... Njësoj shqiptarët nën Malin e
Zi, keq e më keq ata nën Greqi (Çamëria). Megjithatë, shteti shqiptar dhe
shqiptarët vazhdojnë të shpresojnë se kësaj radhe bota nuk ua ka me hile...

E bëra këtë hyrje të gjatë për të ngritur një çështje, për mua e rëndësishme për
kombin tonë. Më lartë u tha në mënyrë të përmbledhur historia jonë tragjike e
spastrimeve dhe e sllavizimeve të tokave të Shqipërisë, historia e pushtimit dhe
e përvetsimit të tokave tona, si dhe ajo e përpjekjeve, e sakrificave dhe e
luftërave për çlirimin e tyre. E thamë dhe u përpoqëm ta dëshmojmë një të vërtetë
që dokumentohet si një dhe e vetme: Luftën për bashkimin e Shqipërisë nën
Flamurin e vetëm, atë të Shqipërisë. Më lartë u tha se në këto përpjekje dhe
luftëra me armiq të shumtë shekullorë kanë rënë dhe po bien heroikisht bijtë dhe
bijat më të mira të kombit. Çështja është se këta dëshmorë, që ranë për lirinë
dhe bashkimin e kombit, ne të gjallët po i ndajmë dhe "përçajmë" (ky fenomen i
çuditshëm po ndodhë veçmas pas Luftës së fundit Çlirimtare). Dita e parë e
Dëshmorit, për herë të parë për kombin shqiptar, u caktua - 5 Maji. Kjo Ditë në
Kosovë dhe në Luginën e Preshevës nuk repektohet, kurse shqiptarët nën
"Maqedoni", Ditë të Dëshmorëve kanë vendosur ta kenë ditën kombëtare, 5 Majin.
Ata nuk e bënë gabimin e Kosovës dhe të Luginës së Preshevës, nuk i ndanë Ata që
luftuan dhe ranë për bashkimin kombëtar. U lumtë!

Në Kosovën e çudirave pothuajse çdo komunë ka caktuar ditën e vetë të dëshmorëve!
Për të qenë "çudia" dhe "mëkati" edhe më i madh, për caktimin e këtyre ditëve, që
mund të jenë gjithëçka, por jo të dëshmorëve, kanë ndikuar e ndonjëherë edhe kanë
vendosur vet bashkëluftëtarët e dëshmorëve, të cilët kishin bërë të njëjtin
BETIM! Në këtë çështje janë përzierë dhe kanë ndikuar (aty-këtu) edhe familjet e
dëshmorëve! E ngrita këtë çështje me qëllim që të tërheq vëmendjen e atyre të
gjallëve që nuk respektojnë Idealin dhe Betimin e të rënëve për Liri. Nëse kombin
dhe Shqipërinë i copëtoi e i ndau dhe po i mbanë FORCA dhe DHUNA, pse duhet t'i
copëtojmë dhe ndajmë dëshmorët, që ranë për Bashkimin e Shqipërisë. Për këtë
askush nuk po na detyron... Prandaj, t'i BASHKOJMË ata që mundemi, - DËSHMORËT, -
dhe të përpiqemi e të luftojmë pa rreshtur edhe për bashkimin e të gjallëve, -
kombit tonë...

Rënia e Komandantit Legjendar, Adem Jasharit, të shpallet DITË E HEROIZMIT SHQIPTAR!

Njëra prej figurave më emblematike të heroizmit shqiptar është ajo e
Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit. Lufta dhe rënia e Tij dhe e
familjesë së Tij të gjerë përbënë shembull unik në Historinë e Shqipërisë
dhe më gjerë. Me luftën dhe qëndresën e Tij të armatosur për çlirimin e
tokave të pushtuara të Shqipërisë, Adem Jashari, shkroi faqen më të
lavdishme të Heroizmit shqiptar. Familja Jashari atë ditë i tregoi botës se
për çlirimin e krahinës më të madhe shqiptare, Kosovës, janë të gatshëm të
luftojnë dhe të vdesin burra, gra, fëmijë e pleq. Lufta dhe Heroizmi i tyre
udhëhoqi Ushtrinë Çlirimtare, çdo luftëtarë të saj dhe mbarë kombin në
Luftën Çlirimtare kundër pushtuesve.

Lufta e Drejtë dhe Çlirimtare e Komandantit Legjendar, e Familjes dhe e Ushtrisë
së Tij, - UÇK, - hodhi themele të sigurta për ngritjen dhe zgjidhjen e çështjes
shqiptare. Beteja e Tij legjendare, ajo e 5 dhe 6 marsit e shndërroi atë në
legjendë, në simbol dhe Hero Legjendar. Mendimi dhe propozimi ynë është që 6
Marsin, kombi (shteti) shqiptar ta shpallë Ditë të Heroizmit Shqiptar. Në këtë
ditë do të kujtohej dhe nderohej Komandanti Legjendar, Familja dhe
bashkëluftëtarët e Tij të rënë për Liri e bashkim kombëtar dhe dëshmorët e
heronjtë e të gjitha kohërave dhe luftërave çlirimtare. Kjo Ditë do të forconte
edhe vetëdijen, krenarinë dhe atdhedashurinë e brezave që vijnë...
Xhevat Bislimi-Viti

Mehmet Bislimi-Prekaz

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.