Për kë pavarësia

2006-02-15 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Për kë pavarësia

Njeriu i Kosovës moti ka humbur, nëse e ka pasur ndonjëherë, virtytin dhe vlerën njerëzore të të jetuarit, e domethënies së jetës së përditshme, që në fund rezulton me tërësi. Ky virtyt e këto vlera janë zhdukur në një proces që quhet lakmi. Lakmi për pushtet, jo vetëm politik dhe vendimmarrës.

Në këtë kohë ku çdo qytetar është viktimë; në këtë kohë ku çdo institucion kombëtar/vendor por edhe ndërkombëtar është me përplot virusa të korrupsionit; në këtë kohë që është vështirë të mbetesh normal; në këtë kohë ku për jetën dhe cilësinë e jetës vendoset aty-për-aty, më të njofshum, nga njerëz që nuk kanë “haber” me asgjë e i quajmë ekspertë; në këtë kohë ku arsimimi më shumë shkatërron sesa ndërton; në këtë kohë kur shëndetësia më parë të sëmur sesa shëndosh; në këtë kohë kur gazetaria zbatohet nga njerëz që nuk e dinë dallimin mes gazetarisë dhe politikës; në këtë kohë kur ekonomia e Kosovës zhvillohet me hapa të kërmillit; në këtë kohë kur shërbimet jetësore, si: uji, ngrohja, rryma, etj., i paguajmë me shuma të hollash jashtë çdo normaliteti mendor të të jetuarit, vetëm sa për të mbuluar shpenzimet private të drejtuesve të atyre organizatave; në këtë kohë me një SHPK ku shpesh, sipas sjelljeve, më shumë lihet përshtypje se pjesëtarët e saj janë njerëz “me allti në shokë” sesa policë - mbrojtës dhe ruajtës të rendit; etj. etj., pra në këto rrethana flitet për pavarësinë e Kosovës.

Por, dy gjëra që duhet të sqarohen janë: çka nënkupton pavarësia në këtë kuadër dhe prej kujt kjo pavarësi, si dhe a është kjo llojë pavarësie në kuadër të demokracisë?

E para: nëse shikojmë situatën e përgjithshme në Kosovë, pavarësimi i vendit në këto rrethana është asgjë më shumë sesa “hara-kiri” për ne, qytetarët e Kosovës. Në këtë kuadër, pavarësia e Kosovës do të thotë legjitimim, zyrtarizim dhe më pas kalimi në normalitet i gjithë kësaj situate në Kosovë siç është përshkruar më lartë. Nuk dëshiroj të parashikoj trazira, por kësaj më parë i thonë “pavarësi private” sesa pavarësi për Kosovën dhe qytetarët e saj. Unë, si qytetar i Kosovës, kam frikë nga kjo pavarësi. E, këtë nuk mund ta fshehi, e lëre më t’i gëzohem. Desha ose nuk desha, kjo me automatizëm më bënë një lloj zëdhënësi i më se 90 për qind të qytetarëve të Kosovës, zë i tyre për ndihmë.

E dyta: pavarësia e tillë nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë, për më teër, pavarësia në këto rrethana është kundër çdo parimi demokratik, sidomos atij Amerikan. Pavarësimi i Kosovës në këtë kuadër ka potenciale të prodhoj Sadam Hyseina e tiranë të llojit të ndryshëm, që shprehjen demokraci ja bashkangjesin mbiemrit.

Cfarë do të ndodhë me ne pas pavarësimit të Kosovës? Askush nuk ka përgjigje në këtë.

Por, kanë thënë: bëhet mirë.

Skënder Limani

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.