VEPRIMTARIA / NGA MEKULI PRES
MEKULIpress
Reagim ndaj shkrimit të Naser Aliut, të titulluar: Rugovizmi nuk është gandizëm
E GJITHË VEPRIMTARIA E RUGOVËS M’U TRANSFORMUA NË NJË AKT PATRIOTIK!
Shkruan: Ibrahim Kelmendi
I nderuari z. Naser Aliu,
Fillimisht më lejoni të Ju shpreh ngushëllime për vdekjen e Presidentit Rugova. I ngushëlloj edhe gjithë të tjerët e kësaj liste të faqes “www.alb-shkenca.org” - që ndjehen të pikëlluar. Sa për shkrimin Tuaj të titulluar “Rugovizmi nuk është gandizëm”, do të thosha se është interesant, i mbështetur kryesisht në një sajesë të fantazisë Tuaj tepër origjinale. Konstatimi Juaj i vënë në titull qëndron.
Gjatë këtyre ditëve kam lexuar e dëgjuar madhërime nga më të ndryshmet, ndonjëherë të tepruara, që tingëllonin të shpifura, por edhe kundërshtuese. Mendime si Tuajat, përpjekja që të identifikoni filozofinë politike të të ndjerit Rugova me besimin e Jezu Krishtit/ Hasreti Isasë, nuk kisha lexuar e dëgjuar deri tani. Edhe pse nuk Ju njoh, më habitët për njohuritë dhe përkushtimin Tuaj ndaj besimit kristian, pavarësisht se mbani emrin e mbiemrin mysliman! E pranoj se nuk duhet t’i kem njohuritë Tuaja për besimin kristian, por për aq sa e njoh, marr guximin të ju shkruaj, se identifikimi që i keni bërë z. Rugova me Krishtin/Isën çalon, për të mos thënë: është banal.
Kam përshtypjen se Ju nuk e njihni veprimtarinë politike të Ibrahim Rugovës, ose nuk dëshironi ta njihni në këtë atmosferë pikëllimi.
Edhe pse nuk është momenti që të polemizoj me Ju, megjithatë nuk po përmbahem, sepse nuk ndjehem pjesëtar i ndonjë sekti, e as i sektit imagjinar që duket i improvizuar nga ana Juaj, të cilin sekt do ta quaja “rugovizëm”.
Sa për informim, z. Rugova është marrë me veprimtari politike që në rininë e hershme, të paktën që kur ishte student në Prishtinë. Atëherë ai ishte aktivist i dalluar i Lidhjes se Rinisë Socialiste në Fakultetin Filozofik dhe u bë edhe anëtar i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ). Meqë ishte komunist i angazhuar, i qe besuar redaktimi i Organit “Bota e re”. Më vonë, me urdhër të Komitetit Krahinor të LKJ-së, ai u fut në Institutin Albanologjik në Prishtinë, paçka se nuk i plotësonte kriteret që përmbante Rregullorja e Institutit. Aty ai formoi Organizatën e LKJ-së, edhe pse e kundërshtuan bashkëpunëtorët shkencor të Institutit. Duke qenë themelues i Organizatës se LKJ-së në Institut, Rugova u imponua edhe si Sekretar i Partisë në këtë Organizatë. Në këtë funksion mbeti deri sa u shpërbë LKJ-ja. Themelimi i kësaj Organizate të LKJ-së në Institut kishte për detyrë kontrollimin dhe disiplinimin e bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit. Në gjysmën e dytë të vitit 1981 Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Kosovës/ LKS (degë e LKJ-së), e emëroi z. Rugova Kryetar të një Komisioni për luftimin ideopolitik të “nacionalizmit e irredentizmit” shqiptar.
Me urdhër të Komitetit Krahinor të LKS, Ibrahim Rugova u emërua Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Kjo ndodhi pas Kongresit të Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, në të cilin Rexhep Qosja, Hasan Mekuli e Azem Shkreli (delegacion i Lidhjes se Shkrimtarëve të Kosovës) dolën hapur kundër politikës serbomadhe në Kosovë. Në fakt shkrimtarët e Kosovës donin Anton Pashkun për kryetar të Lidhjes, por Komiteti Krahinor nuk ua miratoi, meqë Anton Pashku nuk ishte anëtar i LKJ-së dhe stigmatizohej si “antikomunist”. Që kur Ibrahim Rugova u bë Kryetar i Lidhjes (ndoshta në vitin 1986), deri në vitin 1999, kjo Lidhja e Shkrimtarëve pushoi veprimtarinë e saj, nuk u mblodh ndonjëherë. Në emër të saj flisnin vetëm Kryetari Rugova dhe Sekretari Milazim Krasniqi, por ndonjë veprimtari të mirëfilltë, si deri atëherë, nuk bëri. Ndoshta kishin të drejtë disa anëtarë të Lidhjes që Rugovën e vlerësonin si “kryetar të përdhunshëm” (praktikë kjo e njohur e LKJ-së: emërim të kryetarëve të përdhunshëm në organizata që nuk respektonin vijën e Partisë...).
Nacionalistja e kamufluar serbe Ranate Flotau
Në qershor të vitit 1989, nacionalistja e kamufluar serbe Ranate Flotau (me gjasë vajzë e një çetniku serb të emigruar në Gjermani), bëri intervistë me Ibrahim Rugovën me rastin e mitingut famëkeq në Fushë-Kosovë që i dedikohej 600-vjetorit të Betejës se Kosovës. Këtë intervistë e botoi revista gjermane “Der Spiegel”, e njohur si revistë antiamerikane. Kështu startoi afirmimi ndërkombëtar i Rugovës (përmbajtja e intervistës nuk kishte ndonjë karakter intelektual e “kristian”, gjithsesi as patriotik...).
Nismën për themelim të LDK-së (dhjetor 1989) e ndërmori shkrimtari e gazetari Jusuf Buxhovi. Për angazhimin e tij subversiv le të flasin ata që dinë (sa për cilësi prej krijuesi letrar ia heq kapelën, siç praktikohet të thuhet). Kurse për informim më të kompletuar rreth themelimit dhe veprimtarisë disavjeçare të LDK-së, ju sugjeroj të lexoni librin e bashkëthemeluesit të dytë të LDK-së, shkrimtarit e publicistit Mehmet Kraja. Libri mban titullin “Vite të humbura”. Vetë titulli i librit tregon se vitet e para të LDK-së kanë qenë të humbura. Nëse nuk gabohem, libri është shkruar e botuar në vitin 1994. Z. Mehmet Kraja në ato vite ishte funksionar në “ambasadën” e Republikës se Kosovës në Tiranë.
Pasusi i parë i Statutit të LDK-së së sapoformuar përmbante një gënjeshtër të rëndë historike (perifrazim i lirë: “Shqiptarët në Jugosllavi kanë shprehur vullnetin e lirë të tyre të lirë pas Luftës se Dytë Botërore për të jetuar në Jugosllavi...”). Sipas njoftimit në librin “Vite të humbura”, këtë Statut e kishte sjellë në gjuhën serbishte Jusuf Buxhovi dhe i njëjti e kishte përkthyer në gjuhën shqipe. Në libër përshkruhet edhe mënyra se si ishte emëruar Ibrahim Rugova kryetar i LDK-së (nuk ishte zgjedhur). LDK-ja nuk u regjistrua në Prishtinë, sipas ligjeve e kushtetutave përkatëse të Kosovës, Serbisë e Jugosllavisë, por qe regjistruar në Beograd. Atë regjistrim LDK-ja nuk e ka abroguar asnjëherë, dhe tek në vitin 2000 është detyruar të regjistrohet në Kosovë! Për mendim timin, tani për tani të paargumentuar, themelimi i LDK-së ndodhi në momentin kur Lidhja Komuniste e Kosovës, Lidhja Socialiste e Popullit Punues të Kosovës, Lidhja e Rinisë Socialiste të Kosovës, Lidhja e Grave Socialiste të Kosovës etj., po rebelonin kundër sundimit serbomadh të Beogradit. Meqë Beogradi nuk po i sundonte e kontrollonte si deri atëherë këto subjekte të Kosovës, atëherë dikush shpiku formimin e LDK-së për të kontrolluar e shuar rebelimin aktiv të shqiptarëve në Kosovë dhe ata që mbajnë mend, pothuajse e gjithë popullsia aktive e Kosovës protestonte rrugëve të Prishtinës në dhjetorin e acartë të vitit 1989 kundër politikës serbomadhe të Beogradit...
Brenda pak muajsh anëtarësimi në LDK në fillim të vitit 1990 kaloi shifrën prej 800 mijë anëtarëve (Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë LDK-ja mori vetëm rreth 294 mijë vota!). Ndodhte ky fenomen euforik, sepse shqiptarët e Kosovës mendonin se duke u anëtarësuar të gjithë në këtë Lidhje, do rezistonin në mënyrë të organizuar politikën serbomadhe. Por analizimi i zhvillimeve politike pasuese do të dëshmonte se brenda një kohe të shkurtër rebelimi popullor u shndërrua vetëm në “protesta të rrepta” të disa liderucëve, të cilët veten e quanin “alternativë kosovare”...
Funksionimi i brendshëm i LDK-së ishte një hiç. Tek pas shumë vitesh LDK-ja mbajti Kuvendin e parë në lokalet e medresesë së Prishtinës (ndoshta në 1995), kundër çdo rregulli statutar. Ibrahim Rugova nuk mund ta shtynte më tej mbajtjen e atij Kuvendi, sepse anëtarësia e pakënaqur po i ikte nga LDK-ja dhe po fillonin organizimet tjetërfare (edhe klandestine). Kam pasur mundësi ta shoh incizimin video të atij Kuvendi dhe më rezultoi se Ibrahim Rugova nuk pati asnjë angazhim e paraqitje kristiane në atë Kuvend, por autoritare, që i ngjante vetëm një sekretari të rreptë të LKJ-së. Ai paraqet listën me emra të anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë se LDK-së. Tentativën e të ndjerit Halil Alidemaj për të kundërshtuar atë listë, z. Rugova e pengon brutalisht duke mbyllur Kuvendin pa asnjë diskutim rreth mënyrës së zgjedhjeve ose rreth listës së tij. Vërtet, si i formulonte listat z. Rugova? Ai nuk kishte mbajtur ndonjë mbledhje me strukturat drejtuese të LDK-së që të njihte njerëzit dhe pastaj të bënte përzgjedhjen për lista. Ia bënin shefat e bodigardet e “kabinetit”! Në bazë të cilit kriter? Apo ndoshta listat hartoheshin diku tjetër?
Megjithatë, edhe ai Këshill dhe ajo Kryesi nuk mbajti asnjëherë mbledhje, deri në Kuvendin e Dytë! Anëtarësia e LDK-së ushtronte veprimtari si të ishte një si lëvizje e gjerë popullore, kurse vetë LDK-ja si subjekt, ishte shndërruar vetëm në “funksionim” të z. Rugova. Derisa anëtarët e shumtë të LDK-së, sidomos të rinjtë, përndiqeshin nga policia për veprimtari të tyre patriotike, arsimore e humanitare, z. Rugova dhe “kabineti” i tij i ngushtë mbrohej nga policia serbe: Qindra dëshmitarëve duhet t’u ketë rastisur të shihnin kalimin e kufirit në Bllacë (se si policia serbe ia hapte kufirin z. Rugova). Dhe përse të mos shtrohej pyetja, prej nga gjithë ai mirëtrajtim e përkujdesje e policisë serbe për udhëheqësin (z. Rugova) që angazhohej e që “drejtonte” popullin për të pavarësuar Kosovën?
Rugova dhe ithtarët e tij fanatikë në Prishtinë bënin sehir
Ju, zotëri Naser Aliu, tani me gjasë i transformuar në sektin “kristian” Rugova, paçi jetëgjatësi për të mësuar, se si disa herë gjatë këtyre viteve Ibrahim Rugova ka kaluar netët në rezidencë presidenciale të Dedinjës në Beograd, si mysafir i familjes Millosheviq. Këto (dez)informata i kam nga njerëz seriozë të Kosovës, të cilët i kanë dëgjuar nga njerëzit e “kabinetit” të Rugovës dhe nga survejuesit e tij?!
Në vitin 1997 gjendja po eskalonte drejt konfliktit të armatosur. Bashkësia ndërkombëtare po detyrohej t’ia drejtonte prozhektorët Kosovës. Që ajo të pengohej për të mos e parë gjendjen reale, Rugova organizon “zgjedhje të lira e demokratike” (nën pushtim brutal serb), kur Drenica e Dukagjini po gjakoseshin nga junta e Millosheviqit. Mbase është keqinterpretim i ngjarjeve. Kandidat i vetëm për president të Republikës së Kosovës: Ibrahim Rugova!
Në Mars të vitit 1998 fillon kryengritja e armatosur popullore. Shkak i shpërthimit të kësaj kryengritjeje ishte Familja Jasharaj në Prekaz të Drenicës! Rugova dhe ithtarët e tij fanatikë në Prishtinë bënin sehir, për të mos thënë se bënin qejf, sikur në Drenicë e Dukagjin nuk kishte shpërthyer kryengritja popullore dhe atje nuk po ndodhnin masakra. Edhe në këto situata, z. Rugova, gjithsesi jo në bazë të moralit kristian, apelonte që të vinin FBI-ja amerikane (Polica Federale Amerikane) dhe Interpoli, për të hetuar kryengritësit e armatosur, që po mbronin ekzistencën fizike të tyre dhe të familjeve të tyre, të cilët z. Rugova i etiketonte si “pjesëtarë të UDB-së”...
Zhvillimi i ngjarjeve eskaloi në ato përmasa, sa z. Rugova humbi pushtetin shpirtëror (diktatorial) mbi qytetarët e Kosovës. Përfaqësuesit ndërkombëtarë (C. Hill, Volfgang Petriç, Ishinger etj.) po përpiqeshin të riorganizonin liderucët e Prishtinës, por hasnin në sabotimet e z. Rugova. Detyrimisht përfaqësuesit ndërkombëtarë u detyruan të pranonin faktorizimin e UÇK-së...
Në kohën kur Kosovës po i ndodhte eksodi biblik i shqiptarëve nga Kosova, z. Rugova në “rezidencën e tij presidenciale” e mbronte junta e Millosheviqit...
Bashkësia ndërkombëtare imponoi Konferencën e Rambujesë. Meqë më ka rastisur të jem pranë mureve të Kështjellës së Rambujesë, kam mundur të vëzhgoj për së afërmi pijanecllëkun e z. Rugova, që kishte marrë formën e një mumie...
Ndodhi fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi juntën e Millosheviqit!
Çuditërisht nacionalistja serbe (kështu përflitej në qarqet gazetareske gjermane në Hamburg), Renate Flotau, gazetarja e revistës gjermane “Der Spiegel”, u gjend në “arrestin shtëpiak” të Ibrahim Rugovës dhe aty “bashkëvuajti” këtë “arrest” disa ditë. Doli dhe publikoi në “Der Spiegel” ditarin e saj. Mesazhi i ditarit të saj ishte përçarja e NATO-s, por, fatmirësisht, në pushtet nuk ishte më Kancelari Helmut Kol, tek i cili Millosheviqi dhe Rugova po shpresonin se do bllokonte bombardimin e NATO-s...
Ndodhi takimi i z. Rugova me Millosheviqin në Beograd. Nuk dimë nëse z. Rugova shkoi vullnetarisht apo përdhunisht. Rugova nuk iu rrëfye popullit (se mos i është rrëfyer ndonjëherë)! Takimi u transmetua nëpërmjet televizionit shtetëror serb. Ambasadori i Francës në Këshill të NATO-s menjëherë kërkoi ndërprerjen e bombardimit, me arsyetim se Millosheviqi dhe Rugova po gjenin zgjidhje politike për Kosovën. I famshmi Gjenerali amerikan, i merituari në përjetësi për shqiptarët, z. Clark, kundërshtoi ambasadorin francez...
Shefit të “kabinetit” të Rugovës iu mundësua të lëvizë lirshëm për të jetësuar urdhrin e Millosheviqit, që në Kosovë të formohej “Qeveri kalimtare”. Flitet se shefi i “kabinetit” të Rugovës takoi fillimisht të ndjerin dhe të madhin Fehmi Agani. Ushtroi presion mbi te që të pranonte të bëhej kryeministër i kësaj “qeverie”. I lavdishmi Agani nuk pranoi. Refuzimin e pagoi me jetë! Pastaj shefi i “kabinetit” të Rugovës udhëtoi për në Maqedoni nëpër flakët e bombave të NATO-s, por i mbrojtur nga junta e Millosheviqit. Ai, në emër të “presidentit” Rugova, takoi atje disa liderë e liderucë të Kosovës, ndërkohë të arratisur, për t’i përvetësuar që të bëhen anëtarë të asaj “qeverie”...
Fatmirësisht ndodhi dështimi i formimit të asaj “qeverie”, gjegjësisht dështoi truku i Millosheviqit kundër bombardimit të NATO-s. Duhej gjetur një truk tjetër për të bindur Gjeneralin Clark, se nuk e kishte bërë Rugova apelin duke qenë i detyruar ta bënte. Millosheviqi i telefonoi Ministrit të jashtëm të Italisë që të dërgonte aeroplan për Rugovën, i bindur se Rugova edhe nga Roma do kërkonte ndërprerjen e bombardimit të NATO-s. Me të arritur në Romë z. Rugova përsëriti thirrjen për ndërprerje të bombardimit, por kjo thirrje u izolua në përmasa të mundshme. Intervenojnë gjermanët dhe ky intervenim ngjau në kidnapim (të Rugovës). Gjermanët e vendosen Rugovën në Bon, duke ia ndaluar komunikimin me media. Z. Rugova gati sa nuk u çmend. Vazhdimisht kërkonte lirimin e tij nga ky lloj “arrestimi shtëpiak” që ia imponuan gjermanët...
Në mbarim të bombardimit, pasi Millosheviqi nënshkroi kapitullimin, gjermanët e “lirojnë” z. Rugova. Ai me përkujdesje dhe financim të sektit “kristian” San Egjidio, pushoi për disa muaj diku në Itali dhe iu kthye Kosovës i rreshkur nga dielli i vakancave të gjata...
Meqë ra llafi për sektin San Egjidio, ndoshta nuk teprohet nëse spekuloj, se ky sekt i fuqishëm ka bërë lobing të madh ndërkombëtar për z. Rugova. Më ka rastisur të dëgjoj se ky sekt, që njihet për intervenimin e tij që të bëhej “marrëveshja për arsimin në Kosovë” në mes të Millosheviqit e Rugovës (por që nuk u zbatua asnjëherë), është ndihmuar financiarisht edhe nga Beogradi...
Turmëzimi i qytetarëve
Z. Rugova bëri gjestin befasues kur dha dorëheqje nga Kryetari i LDK-së, për t’u bërë President i të gjithë qytetarëve të Kosovës! Përpara dhe pas atij gjesti nuk është mbledhur ndonjëherë Këshilli Drejtues ose Kryesia e LDK-së për të harmonizuar vendime të mëdha politike, siç ishte vendimi për koalicion me AAK-në, për të zgjedhur ministrat, për të zgjedhur Kryetarin e ri të LDK-së!? Asnjëherë! I thonë kësaj kulturë e drejtim demokratik?
Po sjell një mendim domethënës të të madhit Jusuf Gërvalla, bashkëpunëtor i të cilit e kam pasur shansin dhe nderin të jem: “Shpesh UDB-ja ka formuar organizata “patriotike” e “revolucionare” shqiptare për të identifikuar e për t’i burgosur patriotët shqiptarë, të interesuar për angazhim çlirimtar. Dëmi ka qenë i madh, por edhe dobia gjithashtu, pasi ashtu na e ka ndërmendësuar se duhet të organizohemi për të çliruar Kosovën. Dhe jo vetëm që ka themeluar organizata, por ka prodhuar edhe “patriotë”...” (Perifrazim i lirë nga kujtesa.) Bazuar në këtë mendim, unë kam vëzhguar e vlerësuar veprimtarinë e z. Rugova dhe jam bindur se angazhimi i tij ideo-politik nuk ishte autentik, por i prodhuar ...
Kam dëgjuar nga pleqtë të thonë se burrit i rastisë të jetoj një jetë për një minutë, gjegjësisht që një jetë të tërë ta jetojë si qenie biologjike dhe për një veprim prej një minute të marrë kuptim e gjithë jeta e tij si qenie njerëzore e shoqërore...
Gjatë historisë kemi pasur fatkeqësinë dhe fatin, njëherësh, që personalitete historike nga pozita e tradhtisë të kalojnë në pozita heroizmi. Osmanlinjtë na e grabiten të madhin Gjergj Kastrioti si fëmijë, e tjetërsuan në Iskander, e graduan për merita luftarake në Beg, dhe Ai prapë, pas shërbimit shumëvjeçar që i bëri pushtuesit, u rikthye në origjinë - Gjergj Kastrioti, për t’u bërë Hero yni legjendar. Edhe të mëdhenjtë Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina, për të mos përmendur të tjerë, ishin vite të tëra në shërbim të pushtuesit, ju kthyen kombit dhe u bënë personalitete të shquara. Sigurisht se secili nga këta shembuj është tipik dhe mbase nuk kanë funksionalitet për të shpjeguar filozofinë time.
Unë i paraqita disa segmente të veprimtarisë politike të Ibrahim Rugovës, duke mos e parë të nevojshme të paraqes përshtypje e mendime të këqija nga bisedat e ndejat me te në Bruksel, në Bon e gjetiu...
Nga zgjedhjet e para parlamentare në Kosovën e çliruar, Ibrahim Rugovën e kam respektuar si President të Kosovës, pavarësisht kundërshtive demokratike ndaj Tij. Por tani, duke e përcjellë aktin shtetëror të varrimit që ju bë Atij sot, vendosa t’i kërkoj falje për urrejtjen që kam ndjerë për të, meqë akti i sotëm i varrimit të Tij mu shfaq si kurban i pavarësisë së Kosovës. E gjithë veprimtaria e Ibrahim Rugovës, të cilën unë e kam vlerësuar si armiqësore, sot, nëpërmjet vdekjes së Tij në momentin më të përshtatshëm për Kosovën, m’u transformua sot në një gur të madh në kalanë e pavarësimit të Kosovës. Që sot e tutje ai u fut në qenien time si Personalitet i lavdishëm, për të cilin do kem respekt.
Duke u bazuar në këtë transformim të përcaktimit tim, po marr të drejtën t’i bëjë thirrje ish-bashkëveprimtarit tim Hashim Thaçi, që të mos spekulojë me udhëheqjet e Shoqatave të Dala nga Lufta jonë, sepse kontributin kombëtar që dha vdekja e Ibrahim Rugovës është madhor dhe duhet çmuar. Nëse më dëgjojnë, dëshiroj t’u bëjë apel edhe kundërshtarëve të tjerë politikë të Ibrahim Rugovës, që të fillojnë sot e tutje ta respektojnë siç e meriton.
Sigurisht, duke analizuar angazhimin e pikëllimin masovik të turmave, duke parë e kuptuar keqpërdorimet që i bënë disa liderucë vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova, druaj se pasoja mund të kemi. Sjelljet e turmave të manipuluara e të eksituara më ngjanin në sjellje të turmave në varrimet e Stalinit, Mao Ce Dunit, Titos, Enverit. Turmëzimi i qytetarëve mund të manipulohet e imponohet nëpërmjet diktaturës së “proletariatit”, por edhe nëpërmjet diktaturës “demokratike”. Lotët e masave më ngjanin në sjellje të sekteve, të cilave u vdes shpresa kur u vdes prijësi (krijuesi)...
Së fundi më mbetet të shpresoj që “flamuri” i Rugovës, i cili nuk ngjan pothuajse fare me Stemë të Dardanisë antike, të mos bëhet mollë sherri për t’u përçarë populli ynë. Kjo vlen edhe për “himnin” e Rugovës. Le të qetësohen emocionet pro e kundra dhe Kuvendi të vendosë që të bëhet referendum, nëse këtë do ta kërkojnë ithtarët e Ibrahim Rugovës. Duhet të lirohemi nga klishetë se flamurët dhe himnet janë të shenjtë, ose se mund t’i imponon kujt t’i teket. Popujt i kanë “prodhuar” flamujt dhe himnet. Mendimi primitiv, se duke sajuar komb, flamur e himn “kosovar”, do t’i pranohet Kosovës më lehtë pavarësia nga Bashkësia Ndërkombëtare, është vërtetë naiv. Kurse ndjesitë dhe bindjet e njerëzve, pavarësisht rrethanave që ato krijohen, duhet marrë në konsideratë. Dhe kur ato marrin përmasa për t’u kthyer në përcaktim konkret dhe në veprim, atëherë duhet praktikuar mjetet demokratike e institucionale për të vendosur për to. Dikush vë “flamuj” kokë në vete, pa vendosur për të Kuvendi ose qytetarët, të tjerët digji brutalisht, janë veprime primitive që nuk duhet të ndodhin në të ardhmen, siç nuk do të duhej të ndodhte që arkivoli i të ndjerit Rugova të mbulohej me “flamurin” e tij personal. Gjithashtu druaj se liderët e liderucët e LDK-së, të çliruar nga sundimi autokratik i z. Rugova, do fillojnë të grinden, se cili do zë vendin e të madhërishmit Rugova. Shpresoj t’i kenë dëgjuar mesazhet, lutjet e thirrjet e të mrekullueshmit Petersen, të Solanës, të Xheksonit, të Dacit, të Kosumit, të Berishës...
- I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
(Tetovë, më 26.01.2006)
*********************
Opinion
Rugovizmi nuk është gandizëm
Shkruan: Naser Aliu
Politika e Rugovës në thelb ishte politikë e frymëzuar nga Krishti. Ai nuk i dha kësaj politike kurrë emrin, ndoshta pse shumica e popullsisë ishte myslimane, ndoshta kishte frikë se po ofendonte ndjenjat e tjerëve, ndoshta për arsye tjera, mirëpo në fakt me gandizmin nuk ishte gati asgjë të përbashkët. Të gjithë që njohin lëvizjen gandiste, e dinë se Rugova dhe gandizmi janë dy lëvizje gati të kundërta. Perëndimi po e quan herë Gandi i Ballkanit, herë Gandi i Prishtinës, madje u quajt edhe Mandela i Kosovës. Emra të mëdhenj dhe nuk është keq kur njeriu krahasohet me ta. Mirëpo Perëndimi e njeh Gandin mirë dhe e njeh mirë edhe dashurinë krishtere, pse këta po gabojnë qëllimisht?
Gandi bënte një politikë aktive dhe sakrifikuese; me rreziqe dhe sfidonte përditë pushtuesin. Rugova i ikte konfrontimit direkt me shtetin serb: ai ishte idealist i madh dhe besonte se liria mund të arrihet edhe me humanizëm. Ai parapëlqente institucionin dhe jo rrugën dhe presionin nga rruga. Ai ishte idealist dhe ndoqi një politike pasive, jo provokuese, jo ngacmuese, e ngadalshme, por fund e krye ndërtuese dhe peshërëndë! Politikë shpjeguese, eksplicite, me ide të filtruara dhe të menduara mirë. Ai nuk linte gjë në duar të pasigurta dhe stihisë! Ai e dinte se kishte punë me serbët dhe se presioni i rrugës pos humbjeve në njerëz, nuk do të sillte gjë. Atij ia kishin vrarë babain serbët, po ata që i kishin helmuar edhe babain Nënë Terezës. Ne, me zakonet pesëqind vjeçare, kanunin, do ta kemi vështirë ta kuptojmë, prandaj atë do ta braktisin bashkëthemeluesit e partisë njëri pas tjetrit, sepse edhe ata nuk po e kuptonin misionin e tij. Nuk do ta kuptojmë sepse na mungonte kultura krishtere, dhe qëndrimi i tij po na dukej i huaj!
Ka shumë paralele që mund të tërhiqen, të shohim më poshtë.
Ai pati deri diku fatin e Krishtit: Krishti lindet në dhjetor, edhe Rugova.
Krishti nuk pati ndërmend të bëjë një fe të re, por ta plotësojë Biblën. Edhe Rugova nuk e pati ndërmend të bëjë një shtet të ri në fillim, por republikën në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, pra ta plotësojë atë që po ekzistonte. Politikën nuk do ta këtë vokacion, por valët e jetës do ta hedhin në ballë të saj. Ai do të nisë ta drejtojë titanikun Kosovar që kishte humbur orientimin në detin e tërbuar ballkanik. Ai nuk do të veprojë si Moisiu biblik për ta tërhequr popullin nga pushtuesi, por do të ndikojë që pushtuesi të tërhiqet nga populli i tij.
Rugova do t´i mbetet besnik humanizmit, në fakt ai kurrë nuk do të bëhet politikan, por gjithmonë do të mbetet një humanist i përulur dhe respektplot, dhe kështu në botën politike kishte dalë një njeri i veçantë. Ai në cirkusin politik do të jetë krejt origjinal, i pashembullt: do të shikohet herë me admirim dhe herë me huti. Në fakt ai ishte me profesion humanist dhe shkencëtar, jo politikan. Rugova ashtu modest si u fut në politikë, ashtu modest eci nëpër këtë korridorin politik dhe ashtu modest dhe krejt i veçantë braktisi jetën. Kur mori timonin e Kosovës në dorë, Kosova nuk kishte asnjë mik në botë. Sot, vdekja e tij është informatë e karakterit planetar.
Krishti do të dërgohet të Pilati, Rugova te Millosheviqi. Krishti do te vdesë pa mbaruar misionin e tij, Rugova pa mbaruar detyrën e tij.
Krishti do t´i lë pas vete dishepujt dhe Shën Pjetri do ta marrë përsipër ta përfundojë misionin e Mësuesit të madh. Me Mësimin e madh që kishte lënë, Shën Pjetri rrumbullakoi planet e Mësuesit të tij. Rugova ka trasuar një rrugë të pashembullt në historinë shqiptare të Kosovës. Pasardhësit e tij e kanë lehtë nëse mbeten konsekuentë dhe ndërtues dhe nëse ndjekin rrugën e tij. Rugova ishte i tillë dhe ne u habitëm me një politikë të re shqiptare e cila nuk bazohej në hakmarrje tradicionale, por në zgjidhje me kompromis, në rrugë paqësore. Krishti kurrë nuk do të flasë me urrejtje ndaj romakëve. Rugova kurrë nuk do të flasë me urrejtje ndaj kombit serb. A nuk thoshte Krishti: “Çka jeni ju, nëse i doni vetëm miqtë e jo edhe armiqtë...!) Kështu spikatej epërsia biblike!
Rugova do të ofronte faqen tjetër, por nuk do të frymëzonte ushtrimin e dhunës. Çka thoshte Krishti? Ai thoshte përafërsisht kështu : “Çka jeni ju, nëse i doni vetëm miqtë, e jo edhe armiqtë.”
Ai vazhdimisht kërkonte pavarësi, por vazhdimisht ishte i painfektuar nga urrejtja. Në Ballkan bënin gara se kush do te jetë më i çmendur; kush do të kërcënojë më shumë dhe, kush do të vrasë më shumë. Rugova ua kthente shpinën atyre, dhe vazhdonte rrugën më të sigurt që dinte. Ne nuk ishim si ata, ata nuk ishin si ne, dhe ky nuk pranoi që ne të bëhemi lodër e tyre! Ai i njihte këto mësime historike dhe dinte se shqiptarët patën luftuar edhe në Bosnje dhe Vojvodinë!
Ai shmangi konfliktin nga Kosova dhe ky konflikt u bart në veri, i cili planifikohej që nga 81 kundër nesh: ky konflikt u përplas pikësëpari në Slloveni, për të djegur nëpër Kroaci, për ta shkretuar Bosnjën dhe dënimin mori në Kosovë, aty ku nuk e priste fare!
Qetësia e Rugovës, modestia, urtia, mosprovokimi, mosofendimi i tjerëve kishin një rrezatim profetik. Rugova kritikohej, por kurrë nuk kundërsulmonte. Ai këtu respektoi thënien e Krishtit: “Ai që mendon se është pa mëkate, le ta hedhë gurin i pari!”
Ai ishte shumë i sinqertë. Ai nuk u bë kurrë politikan i kallëpit që njeh shkolla politike. Ai kudo që fliste në fillim për Dardaninë, për Ulpianën, Laurin dhe Lorin, martirët e parë të Krishterimit në Dardani: ai e shpjegonte kudo domethënien e fjalës Dardani.
Ata nuk po vërenin se kishin pranë vete një misionar të vërtetë, i cili ishte këtu për të ngritur nga gërmadhat e vjetra një ndërtesë të madhe. Ai kishte mirësinë e Nënë Terezës, përulësinë e Papës Benedikti, durimin e Dalai Lamës dhe shpresën te Krishti. Atëherë pse nuk quhet politika e tij frymëzim krishter, pyeta një mik pasi i numërova këto paralele?
-Do ta kundërshtonin pikësëpari tanët, pastaj edhe serbët, më tha ai! Pastaj Rugova do t´ishte i pari që vuri në praktikë mësimet krishtere, dhe kjo mund të mos u pëlqejë shumë njerëzve që mendojnë se krishterimi është i tyre! Mirëpo Papët në Vatikan e dinë këtë!
Rugova ndërroi jetë në muajin kur zakonisht vdesin kolosët shqiptarë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Isa Boletini, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, e Mark Sopi...
Janarit iu shtua edhe një emër i madh. Lavdi!
Kontakt
© Mekuli.com 2004 - 2005

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.