REAGIM NDAJ PSIKANALIZËS SË AVOKATIT

2006-01-30 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Beqir ELSHANI
REAGIM NDAJ PSIKANALIZËS SË AVOKATIT
Doktor Hysni Bytyqi! Që në fillim të shkrimit tënd mësova se ti vuan nga
psikanaliza e narcizmit, prandaj mundohesh të ma veshë edhe mua. Përveç
sëmundjes kronike të veshit unë nuk vuaj nga ndonjë sëmundje tjetër.
Dëgjimin e kam humbur, por guximin, siç shkruan shkrimtari Hivzi Sulejmani,
nuk e kam humbur. Apo thënë konkretisht barkun e kam petë, por shpatullat i
kam drejt. Tani diagnoza e psikanalizës shkruar nga dora jote, do të
defilojë edhe në bibliografinë e internetit “Beqir Elshani…një NARCISOID I
KOMPLEKSUAR”.
Këtu shihet hipokrizia jote, derisa në dy reagimet e para më ke lënduar me
fjalë të rënda, në të tretin shkruan kinse më ke respektuar: “Të kam njohur
si një djalë të qetë e të kulturuar, me një edukatë të përgjithshme dhe
moral të lartë. Te kam njohur mirë, si qytetar i Therandës që je,” përfundon
citati i Dr. Bytyqit. Duket qartë se në shkrimin e fundit mundohesh të
shfajësohesh, megjithatë unë nuk të sulmova, përkundrazi u mbrojta nga sulmi
yt i panjerëzishëm. Reaguesi para se të shkruaj kritikën, duhet të
përgatitet për mbrojtje nga artikullshkruesi, sepse intrigat dhe fjalët e
këqija askush nuk i duron. Ti mund të shprehësh mospajtimin tënd rreth
shkrimeve të mia, por nuk ke të drejtë të ndërhysh në personalitetin tim dhe
në etikën familjare. Ti ende nuk je i vetëdijshëm për pasojat e shkrimit
tënd përçmues ndaj meje, kujto fjalët e këqija që ke shkruar ndaj meje. Nëse
çështja jonë përfundon në seancën gjyqësore, kuptohet që unë do të dalë
fitues, sepse unë isha në rrugën time letrare, kurse ti si avokat i vrazhdët
papritmas ndërhyre në “Zërin e Kosovës” dhe më sulmove. Përçmimi yt ndaj
etikës dhe krijimtarisë sime është bërë i zakonshëm, kjo do të thotë se edhe
po të dalë shkrimi anonim, prapëseprapë do të dihet se autor është Dr. Hysni
Bytyqi.
Avokat Bytyqi, në fund të tekstit shkruan se ke doktoruar në Universitetin e
Tiranës në vitin 1996, dhe atë para një trupi doktorësh të shkencave më
eminentë në Shqiperi. Mendoj se nuk e ke harruar gjuhën shqipe për një kohë
kaq të shkurtër. Prandaj mos u tallë me mua, dhe mos ma shtrembëro tekstin,
por ulu dhe lexoje me vëmendje tekstin që kam shkruar: “Lidhur me
pushtetmbajtësit me prejardhje nga fshatrat e rrethit, plaku Nezir Morina
nga Stravuçina, thotë: “Në Therandë gjithmonë ka pas burra të mirë dhe
patriota, e kam fjalën për ata që janë kanë vendas. Mirëpo me ardhjen e
delenxhinjve prej fshatrave e kanë përlye Therandën. Ata nuk kanë mund me ba
vend në katundet e tyne dhe kanë zbrit në qytet. Të tillët janë ba servila
të kuqë, të cilët në bashkëpunim me lidhjen komuniste i kanë shtyp
therandasit.” Doktor Bytyqi, mos më hidh kashtë syve dhe mos u bëj sikur nuk
kupton, meqë flitet për udhëheqësit e kuqë me prejardhje kryesisht nga
fshatrat. Duket qartë se ti mundohesh për të ma mbështetur mua; aq më tepër
si avokat që je, duhet t’i përmbahesh etikës profesionale. Nuk është fjala
për mjekë, albanologë, gazetarë, arkitektë, inxhinierë, juristë, ekonomistë
dhe agronomë të aftë, por fjala është për vendet më të privilegjuara: në
pozitën e kryetarit të Kuvendit Komunal, kryetarit të Këshillit Ekzekutiv,
sekretarit të SPB-së, sekretarit të Komitetit Komunal, kryetarit të Gjykatës
Komunale, drejtorit gjeneral në IKG “Ballkani”, drejtorit në NBI “Shvepps”,
drejtorit në Ndërmarrjen Ndërtimore “19 Nëntori” etj., vendet udhëheqëse që
mund të kryenin edhe vendësit therandasë. Nuk mbahet në mend, që sekretar i
Komitetit Komunal, e cila ka qenë qendër e dogmave titiste, të emërohet
ndonjë intelektual i Therandës. Kur një profesor u ankua se për shkak të
largimit të mësimdhënësve irredentistë nga gjimnazi, kryesisht të lëndëve
deficitare me përvojë arsimoro-pedagogjike, sekretari i komitetit komunal
kishte deklaruar se edhe në mbetshin pa profesorë do të angazhonin çobanët e
katundit. Pastaj nuk është në rregull kur qind për qind e udhëheqësve janë
me prejardhje nga fshatrat, pa asnjë therandas. Lidhur me këtë padrejtësi
organizative në ish-vetëqeverisjen jugosllave duhet të merren edhe
historianët e sotëm të mbarë komunës së Therandës. Gjithashtu do të jem edhe
kundër udhëheqësisë së Therandës, nëse do të ishte me përbërje vetëm nga
qyteti.
Unë ende nuk di se ç’të shtyri të shkruash vrazhdët kundër meje dhe familjes
sime të madhe. Mbase duke shfrytëzuar si pretekst çështjen e artikujve,
merresh me analizimin e disa ngjarjeve dhe aktivitetit tim qysh si fëmijë
deri më sot. Siç duket, sebepi yt i ngjan shamisë së Jagos në “Othellon” e
Shekspirit me qëllime konspirative. Ti nuk je i autorizuar të vlerësosh
shkrimet e mia letrare, prandaj nuk ke të drejt të flasësh para kritikut
letrar dhe historianit. Ne sutor supra crepidam, (Këpucëtar, mos dil prej
sandaleve), thotë piktori antik Apelles, prandaj mos dil prej fushës sate
juridike. Pse ti, si individ paske të drejtë të kundërshtosh punimet e mia,
kurse me dhjetëra lexues të tjerë nuk kanë të drejtë të shprehin fjalë të
mira?! Pse shkrimtari kilian Pablo Neruda ka të drejt të shkruajë se lumi me
detin lidh vajtimin që s’pushon, kurse unë nuk paskam të drejtë të shkruaj
se Drini me detin Adriatik skuqet nga gjaku i shqiptarëve të masakruar nga
bishat serboçetnike?! Prandaj dikush ka nevojë për mjek: ti që më sulmon,
apo të tjerët që më përgëzojnë. Ti e di shumë mirë që “Lëvizja
Vetëvendosja”, në krye me Albin Kurtin nuk i ngjyros rrugët e Kosovës me
ngjyrën e paqes blu, por me ngjyrën e gjakut të kuq për liri dhe pavarësi të
Kosovës. Prandaj Doktor Bytyqi pelenat ruaj për vete, sepse ti ende je një
fëmijë me mustakë, ti asgjë nuk di se si shkruajnë të tjerët për ty.
Po e përsëriti se artikujt e mi i dërgoj vetëm në faqet e “rtvzik-ut” dhe në
“liriakombtare”, redaksitë tjera, nëse nuk u pëlqejnë nuk janë të detyruar
t’i marrin. Pikërisht lexuesit janë habitur me qortimin tënd ndaj redaksisë
së “rtvzik-ut” që i botojnë artikujt e mi. Gjithashtu ata janë habitur edhe
me sulmin tënd ndaj Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Suedisë që më
kanë pranuar anëtar. Dhe tani ti guxon e më shkruan për Narcisin, derisa nuk
je në gjendje të kuptosh sjelljen tënde kundër normave shoqërore të
qytetarit. Vallë, a kishe nevojë të shkruash një mori fjalësh të panevojshme
rreth shkollimit dhe aktivitetit tim?! Shqiponja nuk ha miza, thotë një
fjalë e urtë, prandaj edhe ti si doktor i shkencave juridike nuk duhet të
merresh me çikërrima të kohës sime shkollore. Po theksoj se unë kam pasur
reagime dhe mospajtime të ndryshme për shkak të bindjeve të tyre fetare dhe
politike, mirëpo reagimi yt është më i pagdhendur dhe më i pakulturuar. Ti
shkruan se unë mbaj syze të zeza, përkundrazi ti mban syze despotike, me
anën e së cilës shpreh urrejtjen ndaj meje. Prandaj si bashkëvendës të
këshilloj që të mos i dëgjosh fantazmat titiste, por vështro me arsye dhe ec
për përtokë.
Më fal që po të shkruaj, Doktor Hysni Bytyqi, redaksia e “Flakës” në Shkup
më ka përgëzuar për artikujt e mi të frytshëm, të cilat i ka botuar
rregullisht, edhe pse fare nuk njihemi. E njëjta gjë është edhe me gazetat e
sotme “Koha Jonë”, “Fakti” dhe gazetën arsimore “Shkëndija”. Mbase do të
interesohesh që me anën e postës elektronike të gazetave, redaksive t’u
thuash të mos i botojnë artikujt e mi se janë të dobët. Kohën e fundit
mësova se artikujt e mi janë botuar edhe në revistat “Ura”, “Aktuale” dhe
janë lexuar në “Radio Dukagjini”. Dhe çfarë ironie: ti më këshillon që unë
të heq dorë nga shkrimet artistike dhe të merrem vetëm me anekdota. Duket
qartë, që ti me flakën e Gebelsit m’i ekzekutove gjashtë librat e mi që deri
më sot i kam botuar. Një shoku im më përshëndeti duke më thënë se tani e pas
avokat Bytyqi nuk do të guxojë të shkruajë reagime kundër shkrimeve të mia.
Përkundrazi unë iu përgjigja me ironi se pikërisht avokatët po dalin
“fitues”, të cilët kurrë nuk e pranojnë disfatën. Prandaj nëse ti nuk e
pranon disfatën, nuk do të thotë se mund të ma ekzekutosh arsyen, sepse
pikëpamjet tona ndryshojnë. Ti do të pendohesh, por do të jetë vonë. Me kaq
e përfundoj mbrojtjen time, edhe nëse kundërshtari do të vazhdojë të sajojë
diagnoza të reja. 28 Janar 2006

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.