Kryetari, Qeveria dhe Kryeministri jonormal i LDK-së

2005-05-15 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Kryetari, Qeveria dhe Kryeministri jonormal i LDK-sëNjë lumë akuzash për shpërdorim detyre, për korrupcion, për kontrabandë dhe për krim
të organizuar janë bërë ndaj atij që quhet (sipas kornizës kushtetuese) Kryetar i
Kosovës. Akuza të ngjajshme rëndojnë edhe mbi kurrizin e disa ministrave të asaj që
quhet Qeveri e Përkohshme e Kosovës e që formalisht kryesohet nga Bajram Kosumi.
Akuza të rënda janë bërë edhe ndaj atij që mban postin e zëvendëskryeministrit, por
që de fakto është shefi i Qeverisë. Propaganda e shkruar, elektronike dhe ajo gojore
e LDK-së dhe e degës së saj, AAK-së, po mundohen ta bindin qytetarin tonë se këto
janë shpifje të PDK-së për qëllime politike! Pushteti formal dhe joformal
(absolutist) i Kosovës, UNMIK-u, në stilin e tij tashmë të njohur deklaron se
"hetimet vazhdojnë"! Drejtësia (gjyqësia), që në vendet normale është e ndarë nga
legjislativi dhe ekzekutivi, kontrollohet tërësisht nga UNMIK-u dhe nga klane të
njohura për kolaborim me ish-"drejtësinë" serbe në Kosovë. Megjithatë, UNMIK-u, i
gjendur para fakteve të pakundërshtueshme të PDK-së dhe nën presionin e opinionit
demokratik në Kosovë dhe të qarqeve të ndryshme ndërkombëtare u "shtrëngua" të
ndërmarr disa hetime të pjesëshme.

Bastisja e shtëpisë së Rugovës dhe masat e marra ndaj sigurimit të tij paramilitary
ishte spektakulare. Një shembull i këtillë nuk mund të gjendet në vendet normale.
Hyrja në shtëpinë e Kryetarit të Kosovës në mes të natës si në shtëpinë e një
hajduti apo krimineli ishte vërtetë e padëgjuar dhe e paparë. Ndërhyrja e këtillë
është shembulli dhe prova më e fuqishme se akuzat e bëra ishin të sakta. Kjo nuk do
shpjegim! Por, ajo që i shqetëson dhe mundon qytetarët e Kosovës (madje edhe qendra
të rëndësishme të politikës botërore) është mungesa e plotë e transparencës dhe
informatave për këtë bastisje të shtëpisë së atij që vetë UNMIK-u me rregulloren e
tij e ka quajtur Kryetar i Kosovës. Heshtje e plotë edhe nga organi që quhet Kuvend
i Kosovës dhe që e ka zgjedhur atë që quhet Kryetar i Kosovës. Deputetët e Kuvendit
të Kosovës dhe qytetarët e këtij vendi kanë të drejtë (të parët edhe
detyrë) të kërkojnë shpjegime për këtë bastisje të papresedan të shtëpisë së
Rugovës. Edhepse ditën e tretë të arrestit shtëpiak Rugova u la i lirë të shkojë në
Bruksel (sipas skenarit) për ta mbuluar dhe mjegulluar këtë ngjarje të një rëndësie
të dorës së parë, deputetët e Kuvendit duhet të kërkojnë shpjegime të hollsihme për
këtë rast. Nëse Kryetari i Kosovës është bastisur në mes të natës sikur të ishte një
hajdut pa pasur fakte që e inkriminojnë atë në korrupcion dhe krim të organizuar,
atëherë është cenuar dinjiteti i tij, i Kuvendit dhe i gjithë Kosovës. Ose, nëse ka
fakte që e inkriminojnë atë, atëherë Kuvendi duhet të nisë procedurën për shkarkimin
e Kryetarit të Kosovës. Të paktën kështu bëhen këto çështje atje ku ka institucione
normale.

E njëjta gjë vlen për zëvendëskryeministrin Adem Salihaj dhe ministrat e tjerë të
Qeverisë. Në cilin vend normal të botës do të akuzohej një ministër ose
zëvendëskryeministër për shpërdorime dhe krime të rënda (me fakte të mjaftueshme)
dhe nuk do të jepte dorëheqjen ministri, zëvendëskryeministri dhe tërë Qeveria për
t’i hapur rrugë hetimeve dhe drejtësisë? Në cilin vend normal të botës do të
akuzoheshin (me fakte të bazuara) katër-pesë anëtarë të kabinetit qeveritar dhe nuk
do të jepte dorëheqjen Kryeministri? Në asnjë vend. Kjo mund të ngjajë vetëm në
Kosovë ku UNMIK-u dhe qarqe të caktuara ndërkombëtare (në bashkëpunim me Beogradin)
kanë ndërtuar Kuvend, Qeveri dhe Presidencë jonormale ashtu siç kanë ndërtuar një
(disa) sistem drejtësie, ekonomie dhe shoqërie jonormale. E tërë godina e tyre është
ngritur mbi themelet e korrupcionit, të mashtrimit, të vjedhjes dhe të krimit të
organizuar. Zëvendëskryeadministratorit, Lari Rosin, përveç tjerash, i pata thënë në
një takim në Viti se "vjedhja, korrupcioni dhe shpërdorimi që është instaluar në
Kosovë është i përmasave marramendëse. Faji për këtë qëndron te "sistemi" që ka
ngritur UNMIK-u". Ky "sistem" kaotik ka për qëllim të pengojë dhe do të jetë dikë
mjaft e fuqishme për pengimin e aspiratës shekullore të Kosovës për jetë të lirë, të
qetë dhe demokratike. Sa më parë të kuptohet kjo e vërtetë nga populli ynë aq më
mirë do të jetë për Kosovën dhe për mbarë rajonin…

Xhevat Bislimi

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.