Personalitetet e shquara për Rugovën
Institucionet e Kosovës kanë shpallur 5 ditë zie, varrimi bëhet të enjten (22.01.2006)
Në mbledhjen komemorative të Qeverisë, Kryesisë së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare etj. të mbajtur dje, është marrë vendimi për shpalljen e pesë ditë zie kombëtare. Zëdhënësi i Presidencës,Muhamet Hamiti ,konfirmoi sot për Radiotelevizionin e Kosovës se varrimi i kryetarit të Kosovës Ibrahim Rugova,i cili vdiq dje nga pasojat e kancerit në mushkëri në shtëpinë e tij në Prishtinë,do të bëhet të enjten me 26 janar në Prishtinë, e jo siç ishte njoftuar më parë të mërkurën. Sot në ndërtesën e Kuvendit, mbahet mbledhja e Këshilli organizativ të varrimit, i cili do të saktësojë itinerarin e aktiviteteve lidhur me ceremoninë mortore. Homazhet për qytetarë do të bëhen të hënën dhe të martën në holin e Kuvendit të Kosovës. Përndryshe, rojën e nderit dhe nderimet ceremoniale do t’i bëjë Garda ceremoniale e TMK-së. Në mbledhjen komemorative të Qeverisë, Kryesisë së Kuvendit, shefave të grupeve parlamentare etj. Po ashtu është marrë vendimi që të të respektohet dëshira dhe vullneti i familjes së kryetarit Rugova gjatë gjithë kohës dhe për të gjitha ceremonitë. Nërkohë është njoftuar se edhe sot vazhdon pritja për ngushëllime në Rezidencën e Presidentit Rugova në Velani, që nga ora 9 deri në orën 18.OO
Biografia e Presidentit Rugova
Dr. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut, në Kosovë. Më 10 janar 1945, komunistët jugosllavë ia pushkatojnë babain e tij Ukë Rugova dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin gjatë Luftës së Dytë Botërore në krahinën e Rugovës.
Ibrahim Rugova mbaroi shkollimin e mesëm në Pejë më 1967. Diplomoi në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës më 1971. Zoti Rugova qëndroi gjatë një viti akademik (1976-77) në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqëndrim në teorinë letrare.
Ibrahim Rugova mori doktoratën në letërsisë në Universitetin e Prishtinës më 1984. Më 1996, Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Kosovës. Po në këtë vit ai u shpall doktor nderi i Universitetit të Parisit VIII në Paris.
Autor i dhjetë librave, Dr. Ibrahim Rugova ishte në nismë redaktor në gazetën e studentëve "Bota e re" dhe në revistën shkencore "Dituria" (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Pastaj për afro dy dekada, Dr. Rugova punoi në Institutin Albanologjik të Prishtinës si hulumtues i letërsisë.
Për një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës "Gjurmime albanologjike", që e nxirrte ky Institut. Dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës më 1988, i cili u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare që po kundërshtonte sundimin komunist serb/jugosllav në Kosovë.
Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Dr. Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989 kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që e sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK-ja u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit, edhe pse në ndërkohë u shfaqën në skenë edhe partie grupe të tjera.
Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, LDK-ja, në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, përmbylli kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës mbajtur në fund të shtatorit të vitit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës dhe zgjedhjet presidenciale në Republikën e Kosovës më 24 maj 1992.
LDK-ja fitoi shumicën dërrmuese të deputetëve në Kuvend, në të cilin përfaqësoheshin edhe tri parti të tjera, ndërsa Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës me shumicë dërrmuese të votës.
Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998. Partia e tij, LDK, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës në atë vit.
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi 58% të votave të elektoratit në zgjedhjet lokale, të sponsorizuara ndërkombëtarisht, në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000.
Volfoviç: "Rugovën e kujtoj si një luftëtar të madh" (22.01.2006)
Presidenti i Bankës Botërore, Pol Volfoviç, i ka shprehur ngushëllime popullit të Kosovës për vdekjen e Presidentit Rugova, duke e cilësuar si luftëtar të madh për të drejtat e popullit të Kosovës. "Dëshiroj t'i shpreh ngushëllime të sinqerta popullit dhe qeverisë së Kosovës për humbjen e presidentit Rugova. Rugova ka lënë pas vete një trashëgimi impresive të veprimit të përkushtuar për paqe dhe për realizimin e të drejtave të popullit të Kosovës. Unë e kujtoj atë si një luftëtar të madh për të drejtat e popullit të tij dhe si një njeri modern dhe të arsyeshëm. Në këtë moment vendimtar për Kosovën, shpresoj se shembulli i Presidentit Rugova do të ndiqet nga liderët e Kosovës.
Banka Botërore do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në luftën e saj për një të ardhme më të mirë për popullin e saj", thuhet në mesazhin e presidentit të Bankës Botërore, Pol Volfoviç.
Hollbruk: "Humbje e tmerrshme" (22.01.2006)
"Kur e kam takuar Ibrahim Rugovën për herë të parë, ai dukej si një zë i vetmuar, në betejë të vetmuar, duke bartur një shall që thoshte se do ta varte, vetëm kur ta sheh vendin e lirë. E shikoja duke ndjekur ëndrrën e popullit të vet nën kushte të jashtëzakonshme me urtësi dhe këmbëngulësi, dhe u bëra admirues dhe shok i tij. Çfarë kënaqësie ishte ta shoh më në fund në Prishtinë pa shallin e tij! Mbaj zi për ndërrimin e jetës, së bashku me tërë popullin e Kosovës. Derisa Kosova e fitoi lirinë nën udhëheqësinë e tij, tani përjetoi një humbje të tmerrshme në një pike kritike, kur shumë punë mbeten për tu bërë. Apeloj tek liderët kosovarë të bashkohen dhe të punojnë së bashku, për të arritur pavarësinë për të cilën President Rugova luftoi".
Këtë deklaratë Hollbruk e bëri për gazetën "Express" të Prishtinës.
Editorial i Kai Aides në "Ekspress": Rugova ishte lider i dimensioneve të mëdha (22.01.2006)
E kam njohur si një person i cili ka qenë gjithmonë i hapur për bisedime, gjithmonë ishte i afërt.
Edhe pse ai nganjëherë mund të dukej si i tërhequr, ishte i ngrohtë dhe ishte lider i fuqishëm. Ishte udhëheqës i fuqishëm edhe në momentet kur njerëzit kanë dyshuar në të, prandaj edhe do të jetë shumë vështirë që të përcillen hapat e tij. Gjithmonë i kam vlerësuar lart bisedat tona të hapura dhe pasi që kam pasur rastin ta takoj aq shumë herë, e kam parë më shumë se një mik.
Gjithmonë me endje jam takuar me të, prandaj edhe unë e ndaj dhembjen që të gjithë ju kosovarët e ndieni këto ditë.
I dërgoj ngushëllimet e mija familjes, dhe të gjithë të tjerëve të cilët e kanë parë Kryetarin Rugova si një figurë babai, sepse me të vërtetë ishte një i tillë-baba.
Mendoj se është shume e rëndësishme në këtë kohë të kultivohet uniteti e jo të inspirohet ndarja. Ai do të dëshironte që kjo të ndodhë. Natyrisht, sot askush nuk mund të zërë pozitën e tij historike, sepse ishte unik dhe këtë e ka dëshmuar duke qenë në gjendje të mbetet lider i vërtetë për aq shumë vjet.
Mendoj se at do të donte që tash t'i shohë liderët politikë të Kosovës duke reflektuar dhe duke inspiruar një lloj uniteti, përkundër pikëllimit të madh.
Për dikë që ta vazhdojë trashëgiminë e tij politike, duhet të jetë njeri me të cilin të gjithë mund të ndihen krenar, sepse edhe vetë Presidenti Rugova ishte i tillë. Ai adhurohej.
Edhe pse ishte i tërhequr dhe i qetë, ai megjithatë ishte i dashur dhe i respektuar. Mënyra se si ai respektohej nga populli duhet të inspirojë liderët kosovarë që dëshirojnë të vazhdojnë punën e tij. Një lider i respektuar gjithandej ka vdekur, një person i respektuar jo vetëm në Europë, por edhe në SHBA. Një person që, për neve që e njihnim, ndjenim privilegj kur e takonim.
Ishte lider i dimensioneve të mëdha dhe e vërteta e hidhur është se një gjigant ndërroi jetë. Një gjigant politik dhe prijës i njerëzve të tij.
---------
(Autori është ambasador i Norvegjisë në NATO dhe ish i dërguar i KB për Kosovën)
Ollbrajt: Isha e nderuar që e njoha (22.01.2006)
Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright, i ka shprehur ngushëllimet më të thella Familjes së Presidentit Rugova dhe tërë popullit të Kosovës. Në një prononcim për Express, të shtunën, Albright ka rikujtuar edhe një herë kohën që kishte njohur Presidentin Ibrahim Rugova, duke thënë se është e nderuar që e ka njohur atë.
Mbajmë zi për ndërrimin e jetës së Presidentit Rugova dhe e kujtojmë trashëgiminë e tij. E ka prekur jetën e gjithë neve... Dhe, unë isha e nderuar që e njoha", ka deklaruar Albright.
Shuarja e personalitetit të shquar të botës shqiptare, është humbje e jashtëzakonshme për të gjithë (22.01.2006)
Shkruan: Akad. Rexhep Ismajli
Jemi mbledhur sot këtu në një moment dhimbjeje të thellë për familjen Rugova, për AShAK, për tërë popullin e Kosovës dhe botën shqiptare, me rastin e ndarjes nga kjo jetë e bashkëshortit, prindit, anëtarit tonë dhe Kryetarit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. Shuarja e dijetarit, studiuesit të letrave dhe të kulturës, personalitetit të shquar të botës shqiptare, anëtarit të ASHAK, bartësit të shumë çmimeve e dekoratave ndërkombëtare për paqe, doktor honoris causa të universiteteve të Parisit VIII dhe të Tiranës, prijësit frymëgjatë të lëvizjes për emancipimin dhe çlirimin, për pavarësimin e Kosovës dhe për krijimin e shtetit të pavarur të saj, personalitetit të çmuar për shpalosjen dhe begatimin e vlerave evropiane, dr. Ibrahim Rugovës është humbje e jashtëzakonshme për të gjithë.
Në jetën publike të Kosovës Ibrahim Rugova u shfaq qysh në vitet 1967-1968. Qysh në shkrimet e para ai manifestoi qartë mëvetësinë dhe pavarësinë e vështrimit dhe të gjykimit, autonominë personale në fushën e kritikës dhe të interpretimit letrar. Në vitet '80 të sh. 20 ai shquhej me hulumtimin historiko-letrar albanistik, me vlerësimin kritik të tendencave për klasifikime dhe përgjithësime lidhur me rrjedhat e mendimit dhe të shkrimit shqip. Librin e fundit të studimeve letrare Ibrahim Rugova e botoi më 1987. Në më pak se dy dekada ai arriti të bëhej ndër figurat e rëndësishme të studimeve letrare në albanistikë, në fushën e kritikës dhe të interpretimit letrar në botën shqiptare.
Paraga: Lirisë dhe pavarësisë së Kosovës Presidenti i pavdekshëm Rugova ia kushtoi tërë punën dhe jetën e tij (22.01.2006)
Kryetari i Partisë Kroate të Drejtësisë 1861 Dobroslav Paraga ka dërguar një telegram ngushëllimi me këtë përmbajtje:"I pikëlluar thellë me vdekjen e Dr.Ibrahim Rugovës, President i Kosovës, liderit të popullit shqiptar dhe personalitetit historik të lëvizjes shqiptare të rezistencës për pavarësinë e Kosovës, intelektualit me nam dhe humanistit të shquar, të cilin kam pasur nderin personalisht ta njoh dhe të bashkëpunoj me të nga Uashingtoni deri në Prishtinë, në rrethanat më të vështira, në emrin tim personal dhe në emrin e mbarë anëtarësisë së Partisë Kroate të Drejtësisë 1861, familjes së tij, miqve, bashkëpunëtorëve dhe tërë popullit shqiptar të Kosovës dhe në mbarë botën, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella me rastin e kësaj humbjeje të pakompensueshme në prag të agimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, së cilës Presidenti i pavdekshëm Rugova ia kushtoi tërë punën dhe jetën e tij.
Pushoftë në paqe të Zotit dhe le ta pranojë në gjirin e vet Abrahami i shenjtë, emrin e lavdishëm të të cilit e ka mbajtur me krenari tërë jetën. Lamtumirë!", shkruan Paraga
Merkel ka ngushëlluar familjen e presidentit Rugova (22.01.2006)
Kancelarja gjermane Angela Merkel është shtangur, kur ka marrë lajmin për vdekjen e Rugovës. Përmes një deklarate zonja Mekel ka ngushëlluar familjen dhe shoqen e jetës së Presidentit kosovar, duke vënë në dukje reputacionin mirë që ai gëzonte në Gjermani:
"Pozicionimi i Rugovës në anën e rrugës së padhunshme dhe demokracisë ka qenë porosia dhe amaneti për të gjthë ata, që mbajnë përgjegjësi politike në Kosovë," - ka deklaruar kancelarja Merkel, duke theksuar se e ardhmja e Kosovës është në Evropë.
Edhe ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Frank Valter Shtajnmajer, u ka shprehur organeve zyrtare të Kosovës dhe popullit kosovar ngushëllimet për vdekjen e presidentit Rugova, i cili sipas ministrit socialdemokrat ka qenë i lidhur ngushtë me Gjermaninë.
"Endërra e jetës së tij ka qenë pavarësia e Kosovës, për të cilën është përpjekur në mënyrë të palodhshme, si edhe integrimi i saj në familjen evropiane," - ka deklaruar Shtajnmajer të shtunën në Berlin. Ekspertja e fraksionit socialdemokrat në Bundetag për Ballkanin, Uta Capf, është shprehur e hidhurar për humbjen e Rugovës.
"Eshtë një humbje e madhe, sepse si president i ekuilibraur Rugova gjithmonë ka qenë partner i preferuar për perëndimin," - i tha Capf Dojçe Veles. Politikanja socialdemokrate shpreson që pasardhësi i tij do t'i udhëheqë bisedimet për statusin me përgjegjësinë e Rugovës.
Eksperti i liberalëve për Ballkanin, Rainer Shtiner, është shprehur i merakosur për boshllëkun e krijuar në udhëheqjen kosovare. Shtiner i tha Dojçe Veles:
"Rugova ishte padyshim pika qendrore e politikës në Kosovë. Nga boshllëku i krijuar me humbjen e tij ka rrezik të përfitojnë grupet militante, prandaj ka rëndësi që tani Bashkësia Ndërkombëtare e në mënyrë të veçantë, Bashkimi Evropian të kenë kujdes, që Kosova të mbetet e qendrueshme."
Koordinatorja e të gjelbërve evropianë për Ballkanin, Angelika Beer, ka shprehur keqardhjen që Rugova nuk arriti të udhëhiqte palën kosovare në bisedimet për statusin e Kosovës. Beer i tha Dojçe Veles:
"E kam ndjekur për vite me radhë luftën e tij për një zgjidhje paqësore, për një Kosovë që nuk është më e kërcënuar nga Serbia dhe mendoj, se është një humbje e madhe edhe për shqiptarët."
Drejtuesi i sektorit të Ballkanit Perëndimor në fondacionin "Shkenca dhe Politika" nga Berlini, Franc Lotar Altman, në një intrvisë dhënë televizionit të Dojçe Veles, ka thënë se gjetja e një pasardhësi për Rugovën do të jetë e vështirë.
"Ai luante një rol atëror për shqiptarët," - ka deklaruar shkencëtari gjerman. Altman parasheh që konkurrenca ndërmjet kandidatëve të mundshëm për të zëvendësuar Rugovën, të çojë deri në përçarjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke vënë në rrezik bisedimet për statusin.
Kuvendi i Kosovës mbajti seancë komemorative (22.01.2006)
Me një minutë heshtje dhe përkulje para fotgrafisë së kryetarit Ibrahim Rugova, deputetët dhe përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë dhe vendorë nderuan kryetarin e ndjerë. Kryeparlamentari Nexhat Daci tha se Rugova kishte ndërtuar themelet e ardhmërisë evropiane të Kosovës. Kreu i UNMIK-ut Petersen tha se Kosova ka humbur një lider të madh. Kryeministri Bajram Kosumi ju shprehi ngushëllime të gjithëve për vdekjen e njeriut të paqes dhe të pavarësisë së Kosovs. Muharrem Saragjolli:
Kryetari i Kuvendit Nexhat Daci tha se LDK në krye të së cilës ishte kryetari Rugova, ishte lëvizja më masovike ndonjëherë ndër shqiptarë por edhe e paparë deri atëherë edhe ndër vendet e tjera. Filozofia e urtë e tij, tërhoqi përkrahjen dhe ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare për cështjen tonë kombëtare, tha Daci. “Filozofia paqësore e tij, ishte filozofi politike e ngirtjes dhe përgatitjes së popullit, ishte filozofi europiane e argumenteve, e veprimit dhe organizimit që sot i krijoi ato standarde dhe paramtera që Kosovën e bëjnë një vend demokratik europian një vend ku të gjithë qytetarët e saj jetojnë të lirë dhe të barabartë.” Krueadministratori Petersen, tha se të gjithë kemi qenë të vetëdjshëm për sëmundjen e kryetarit, por lajmi i djeshëm ishte shok për të gjithë.
“Synimi i tij, për Kosovën e lirë tani duhet të arrihet nga liderët tjerë të Kosovës” tha Petersen duke kërkuar nga udhëheqësit vendorë që të jenë të bashkuar gjatë muajve vendimtar për Kosovën. Për kryeministrin Bajram Kosumi kryetari i ndjerë, ishte njeri i pavarësisë, i durimit dhe ndërtues i institucioneve.
Në mbledhje morën pjesë deputetë, familjarë, përfaqësues të zyrave diplomatike në Prishtinë, të bashkësive fetare dhe personalitete të jetës publike në Kosovë.
Vdekja e kryetarit Rugova , një humbje e madhe - thuhet në reagime (21.01.2006)
Ndiqeni përmbledhjen e reagimeve ( 38 min )
Shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen, tha se vdekja e kryetarit, Ibrahim Rugova, është një humbje e madhe, por kërkon që në Kosovë të ruhet uniteti. Ai shkoi për ngushëllime në shtëpinë e kryetarit të ndjerë, ku u prit nga familja e tij dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, i cili falënderoi familjen Rugova që i dha Kosovës një burrështetas të madh. Pritjet për ngushëllime në shtëpinë e kryetarit Ibrahim Rugova është duke i udhëhequr kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci. Deri tani, për ngushëllime kanë shkuar personalitetet më të larta vendore e ndërkombëtare. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, tha se “vdekja e kryetarit Rugova është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen, por për tërë Kosovën”. “Ai ka qenë njëra ndër figurat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, që ndikoi në shembjen e komunizmit ne Evropën Juglindore dhe Kosova është krenare që ka pasur një burrështetas të tillë, tha Daci. Me pikëllim të thellë mësova sot për vdekjen e Kryetarit Ibrahim Rugova, thuhet në deklaratën e shefit të zyrës amwerikane në Prishtinë Filip Goldberg. "Kosova ka humbur një udhëheqës të dashur dhe SHBA-të kanë humbur një mik të vjetër dhe të nderuar. Ai tashmë e ka të siguruar vendin në historinë e Kosovës dhe në zemrat e njerëzve këtu dhe në botë. Ai e fitoi admirimin e popullit amerikan përmes veprimeve të tija paqësore gjatë viteve të 90-ta që i bëri përkundër vështirësive shumë të mëdha. Kryetarin e takova për herë të parë para njëmbëdhjetë viteve dhe atë e njoha mirë në këtë një vit e gjysmë të fundit. Gjatë kësaj kohe u krijua respekti im për guximin e tij si dhe për përkushtimin e tij vetëmohues ndaj kauzës së Kosovës. Jam i sigurtë ë njerëzit e Kosovës do të nderojnë kujtimin për të duke vazhduar punën që e filloi ai. Unë i shpreh ngushëllime familjes së tij dhe gjithë atyre që e vajtojnë vdekjen e tij", thuhet në deklaratën e Goldbergut. Ambasadori, Werner Wnendt, kryesues i misionit të OSBE-së në Kosovë pas lajmit për vdekjen e presidentit, Rugova, lëshoi një komunikatë në të cilpn thuhet se duhet të tregojmë respekt për Presidentin, duke mos lënë që vdekja e tij, në këtë kohë shumë të ndjeshme t’i pengojë arritjet e mëdha që janë bërë deri tani. Shefat e zyrave të vendeve të ndryshme në Prishtinë po ashtu kanë shprehur ngushëllimet për popullin e Kosovës dhe familjen Rugova. PDK dhe ORA kanë paralajmëruar takime të jashtëzakonshme media, ndërsa AAK përmes një kumtese ka shprehur dhimbjen për vdekjen e kryetarit Rugova. Mesazhe dhimbjeje dhe ngushëllimi vazhdojnë të dërgojnë subjekte të shumta politike dhe organiztata të ndryshme qytetare.
Mediat botërore njoftuan për vdekjen presidentit Rugova (21.01.2006)
Informacionin për vdekjen e presidentit Ibrahim Rugova e kanë dhënë të gjitha mediat botërore,duke e vlerësuar atë si personalitet të shquar dhe njeri i cili gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua çështjes së pavarësisë së Kosovës.
NATO: Populli Kosovës të ndjek shembullin e Rugovës (21.01.2006)
Në emër të Aleancës veriatlantike, sekretari i përgjithshëm i NATO-s jap de Hoop Scheffer ka shprehur ngushëlimet më të thella për vdekjen e kryetarit Rugova, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë. Kryetari Rugova do të kujtohet si njeri i bindur me idenë për një Kosovë demokratike, paqësore dhe multietnike. Deri në fund të jetës së tij, Ibrahim Rugova ka luajtur rol kyç në ndihmë Kosovës për paqe dhe stabilitet. Jam i sigurt se shembulli i tij do të ndiqet nga populli i Kosovës në këtë kohë të rëndësishme për të ardhmen e saj, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer.
Kryesuesi i OSBE-se Karel De Guht shoreh ngushëllime familjes Rugova dhe Kosovës
(21.01.2006)
Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Ministri i jashtëm belg Karel De Guht, i ka shprehur Familjes Rugova dhe popullit të Kosovës ngushëllimet e tij të sinqerta për vdekjen e kryetarit të Kosovës Dr Ibrahim Rugova. "Jam i goditur nga ndjenja e humbjes së pafund dhe të parakohshme të njeriut që erdhi për të personifikuar kërkesat për një të ardhme paqësore dhe demokratike për Kosovën e tij të dashur, ka thënë kryesuesi i OSBE-së Karel de Guht në telegramin e tij ngushëllues.
Sekretari i jashtëm britanik Straw: Rugova ndër figurat më të shquara të Kosovës
(21.01.2006)
Në këtë moment të vështirë për familjen Rugova dhe popullin e Kosovës, dëshiroj të shprehë simpatinë time dhe ngushëllimet e mija më të sinqerta për vdekjen e kryetarit Ibrahim Rugova, ka thënë sekretari i jashtëm britanik, Jack Straë. Ai e ka vlerësuar presidentin Rugova si një ndër figurat më të shquara të Kosovës. "Vdekja e tij vjen në kohën e procesit kur vendoset e ardhmja e Kosovës, për të cilën gjë kryetari Rugova ka punuar fuqishëm, ka thënë Straë.
Presidenti i Francës Shirak: Humbja e Rugovës, më shumë se një tragjedi (21.01.2006)
Në telegramin e tij, presidenti francez Zhak Shirak ka thënë se humbja në këtë moment e kryetarit Rugova kur po diskutohet për statusin përfundimtar të Kosovës është më shumë se një tragjedi. Sot, Franca e cila mbështeti Kosovën në vitet 90, shprehë dhembjen dhe ngushëllimet më të thella.
TMK: Ngushëllime nga oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e Kosovës (21.01.2006)
Në mesazhin e TMK-së drejtuar familjes Rugova dhe qytetarëve të Kosovës, thuhet se lajmi për vdekjen e Presidentit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, na ka tronditur dhe prekur thellë edhe ne pjesëtarëve të TMK-së. Ne qëndrojnë pranë Jush në këto momente të rënda dhe bashkëndjejmë me Ju këtë dhembje të madhe për gjithë qytetarët e Kosovës. “Pranoni Ju lutem ngushëllimet më të thella dhe më të sinqerta në emrin tim personal dhe në emrin e gjithë oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve të Kosovës. Me vdekjen e Presidentit Rugova, Kosova dhe qytetarët e saj kanë humbur një personalitet të shquar dhe një lider të madh, në një moment shumë të rëndësishëm dhe vendimtar për të ardhmen. Mungesa e tij qoftë si faktor prijës, qoftë si faktor uniteti do të reflektohet shumë edhe ne procesin qe kemi përpara. Por ne jemi të bindur se qytetarët e Kosovës dhe institucionet e saj do të vazhdojnë të punojnë se bashku dhe me përkushtim për ta bërë realitet shtetin dhe pavarësinë e Kosovës. Presidenti Rugova ishte një përkrahës dhe mbështetës i madh i vizionit të TMK-së, të cilën e shihte dhe e ndjente si Ushtri të Kosovës. Ne i jemi mirënjohës për këtë mbështetje dhe si shenjë nderimi dhe respekti për të do ta ushqejmë dhe mbajmë gjallë këtë vizion”, thuhet në mesazhin e TMK-së, nënshkruar nga komandanti i TMK-s-, gjeneral Agim Çeku.
PDK: Qytetarët të jenë të bashkuar në këto ditë të rënda për Kosovën (21.01.2006)
“Me dhimbje mora lajmin për vdekjen e kryetarit të Kosovës z. Ibrahim Rugova, thuhet në mesazhin e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi. ”Partia Demokratike e Kosovës bashkëndjen dhimbjen me familjen e z. Rugova, institucionet e Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Vdekja e kryetarit të Kosovës z. Ibrahim Rugova në momentet aktuale të proceseve të rëndësishme të vendimmarrjeve politike për statusin e ardhshëm të Kosovës është një moment i rëndë, moment të cilin qytetarët e Kosovës dhe institucionet duhet ta kalojnë me dinjitet dhe pjekuri njerëzore dhe politike. Partia Demokratike e Kosovës thërret qytetarët e vendit që të jenë të bashkuar në këto ditë të rënda për Kosovën. Vetëm të bashkuar mund të ecim përpara në sëndërtimin e idealeve tona të përbashkëta për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran” thuhet në mesazhin e PDK-së.
Havier Solana: Kosova ka humbur liderin historik (21.01.2006)
“Kosova ka humbur liderin historik i cili tërë jetën ia kushtoi mbrojtjes së drejtave të qytetarëve të Kosovës. Presidenti Rugova ishte njeri i paqes, i vendosur para kërcënimeve dhe i përkushtuar në idealin e tij të joviolencës”, është shprehur Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe siguri Havier Solana, i cili shprehu ngushëllime familjes Rugova dhe popullit të Kosovës. Vdekja e Kryetarit Rugova, sipas Solanës, vjen në një moment sfidues për Kosovën, ndërsa urtësia dhe autoriteti i tij, thotë ai, do ta mungon neve të gjithëve. Shefi i diplomacisë evropiane i bëri thirrje të gjithë liderëve kosovarë që në këto momente të tregojnë unitet dhe përgjigjësi. “Kjo është mënyra më e mirë që të respektohet kujtimi për kryetarin Rugova”, porosit Havier Solana.
Ministrja e Austrisë, Plashnik: Ruga e papërfunduar e Rugovës... (21.01.2006)
Ministrja e jashtme austriake Ursula Plashnik, vendi i së cilës kryeson me Bashkimin Evropian konsideron se gjatë karrierës së tij të jashtëzakonshme politike, kryetari Rugova ka punuar pët të mirën e vendit duke përcjell parimet e joviolencës. “Nuk iu dha gjasa që të përfundojnë rrugëtimin e tij politik”, tha Plashnik. Në emër të Bashkimit Evropian ajo apeloi tek lidershpi politik që të bashkohen dhe punojnë drejt gjetjes së zgjidhjes afatgjate për Kosovën.
Manuel Baroso: Rugova ishte lider jashtëzakonisht i respektuar (21.01.2006)
Komisioni Evropian ka komunikuar se është i dëshpruar me lajmin mbi vdekjen e Ibrahim Rugovës. Kryetari i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso tha se Rugova ishte lider jashtëzakonisht I respektuar. Komisioni Evropian e vlerëson lartë punën e presidentit Rugova si dhe angazhimet e tija për zgjidhje paqësore të problemit në Kosovë, ndërsa liderët e vendit inkurajohen që të vazhdojnë punën në këtë fryme, thuhet ne komunikatë.
Vdekja e presidentit Rugova me pikëllim të thellë është pritur edhe në Maqedoni
(21.01.2006)
Lajmi për vdekjen e kryetarit të Kosovës,Ibrahim Rugova ,me dhimbje dhe pikëllim të thellë është pranuar edhe nga shqiptarët në Maqedoni. Me këtë informacion të dhimbshëm fillojnë të gjitha lajmet e mediave elektronike të Maqedonisë. Me rastin e vdekjes së kryetarit Rugova, ngushllime kanë shprehur kreu shtetëror dhe kryetarët e të gjitha partive politike shqiptare në Maqedoni. Në telegram ngushllimin e presidentit të Maqedonisë, Branko Cërvenkovski,drejtuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci,në mes tjerash thuhet “Me dhimbje pranova lajmin për vdekjen e presidentit të Kosovës dr.Ibrahim Rugova. Në këto momente të vështira për Ju dhe për popullin e Kosovës , më lejoni që në emër të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe në emrin tim t'u shpreh ngushëllimet e mija të sinqerta" - ka theksuar Cërvenkovski,duke shprehur bindjen se qytetarët dhe autoritetet e Kosovës do të gjejnë fuqi për tejkalimin e kësaj humbje të madhe. Keqardhje të the llë kanë shprehur edhe kryeministri Vllado Buçkovski dhe Qeveria e Maqedonisë. Kryetarit të Kuvendit Nexhat Daci ,Kryeministrit Bajram Kosumi ,Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Familjes Rugova dhe qytetarëve të Kosovës ngushëllime u kanë dërguar edhe drejtuesit e partive politike shqiptare në Maqedoni. “Gjithë populli shqiptar, kudo që ndodhet, e ndien dhe ndanë me Ju dhimbjen për humbjen e madhe për Kosovën, për Ju dhe për të gjithë ne. Duke Ju përcjellë ngushëllimet e mia, të bashkëpunëtorëve të mi dhe të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, Ju lus të bëheni të fortë dhe dhimbjen ta ktheni në përkushtim edhe më të vendosur në përcaktimin jetik të kryetarit të ndjerë Rugova ; - gjithçka në shërbim të pavarësisë së Kosovës.”thuhet në telegram ngushëllimin e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti. Edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Arben Xhaferi , shpreh pikëllimin e thellë për vdekjen e presidentit Rugova. “Zoti Rugova dha kontribut të madh në zhvillimin e politikës në mesin e shqiptarëve,të zhvillimit të ideve për pavarësi të Kosovës. Ai ishte lideri më atipik politik në të gjitha hapësirat e Ballkanit. Në kohën kur të tjerët hapen skemën e luftës ai ishte lider i paqes dhe falë kësaj strategjie ai krijoi imazh shumë pozitiv te faktorët ndërkombëtar”,thuhet në prononcimin e kryetarit të PDSH-së, Arbën Xhaferi. Në telegram ngushëllimin e kryetarit të PPD-së, Abdylhadi Vejseli ,thuhet se presidenti Rugova do të mbetet pjesë e historis ë më të re të popullit shqiptarë ,me të cilën do të identifikohet njohja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës.
Ismail Kadare: Lajm i hidhur për Kosovën (21.01.2006)
Është një lajm i hidhur për Kosovën dhe shqiptarët kudo në botë. Do të kujtohet për shumë gjëra Rugova, por do të kujtohet në rradhë të parë si presidenti i parë i Kosovës së lirë.Për mua si shkrimtar edhe si njeri dhimbja ka qënë e veçantë, sepse ka qenë kolegu im edhe miku im. Kemi qënë miq edhe kur kemi pasur mendime të njëjta edhe kemi mbetur miq edhe kur kemi pasur mendime të kundërta.Ai vazhdon dhe do të vazhdojë të jetë përsëri i dobishëm për Kosovën dhe për të gjithë kombin shqiptar. Shpresoj se klasa politike e Kosovës në këtë vit historik, kur mungesa e tij do të ndihet aq shumë ta kthejë emrin e tij, veprën dhe urtësinë e tij, në një energji të madhe prozitive për Kosovën dhe të gjithë shiptarët.
Kuvendi i Kosovës sot mbanë seancë komemorative (22.01.2006)
Me rastin e vdekjes së kryetarit të Kosovës, Ibrahim Rugova, sot në Kuvendin e Kosovës mbahet Seancë komemorative. Pos deputetëve janë ftuar të marrin pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, të zyrave të huaja në Prishtinë, si dhe personalitete shkencore e fetare të vendit. Seanca fillon në orën 12:00. Pas vdekjes së Presidentit Rugova, detyrën e kryetarit, deri në zgjedhjen e presidentit të ri, sipas Kornizës kushtetuese duhet ta marrë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, por pasi këtë paraprakisht ta lejojë Misioni civil i Kombeve të Bashkuara.
Rajs: Të vazhdohet rruga e Rugoves (22.01.2006)
21 janar Washington: Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, i shprehu ngushëllimet popullit të Kosovës për vdekjen e Presidentit Ibrahim Rugova. “Rugova e udhëhoqi popullin Kosovës në kohë të vështira dhe fitoi respektin e botës, për përpjekjet e tij për demokraci dhe paqe. Edhe në momentet e fundit kur luftonte me sëmundjen, Presidenti Rugova punoi për të sjellë unitet mes udhëheqësve të Kosovës dhe shpresë për popullin e tij”. “Vdekja e Presidentit Rugova”, thuhet më tej në deklaratën e Sekretares së Shtetit, “ndodh në një moment kur Kosova ka hyrë në procesin politik për të përcaktuar të ardhmen e saj”, thotë Rice dhe shton se megjithë humbjen e udhëheqësit, procesi do të vazhdojë. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të punojnë me të gjithë banorët e Kosovës për të ndërtuar një shoqëri të bazuar tek parimet e demokracisë, të drejtat e njeriut dhe toleranca ndër-etnike, që Presidenti Rugova i vlerësonte kaq shumë”, thuhet në deklaratën e Sekretares Rajs.
Anan ndanë dhembjen me popullin e Kosovës (22.01.2006)
Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, që u dha nga zëdhënësi i tij, thuhet se Anan me dhembje të thellë ka mësuar për vdekjen e presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Deklarata më tej thekson se Anan ndan dhembjen me popullin e Kosovës dhe i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së presidentit. “Gjatë gjithë jetës së tij z. Rugova ka demonstruar një udhëheqje të vërtetë dhe ka mbështetur një zgjidhje paqësore për Kosovën. Z. Rugova vdiç në një moment tepër qenësor për Kosovën në kohën e përgatitjeve përfundimtare për bisedimet rreth statusit final”. Sekretari Anan, thuhet në deklaratë, beson në pjekurinë e institucioneve të Kosovës dhe mendon se vdekja e presidentit nuk do të ndal procesin e filluar. Anan i bënë thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës që të ruajnë unitetin e tyre dhe të vazhdojnë punën dhe bashkëpunimin e plotë me të dërguarin e tij special për Kosovën, Marti Ahtisari dhe me përfaqësuesin special në Kosovë, Soren Jessen Pettersen.
Clinton: E kam admiruar dr. Rugovën (22.01.2006)
22 janar, Washington: Një deklaratë me rastin e vdekjes së presidentit të Kosovës e dha edhe ish presidenti amerikan, Bill Clinton. “Jam thellë i pikëlluar me rastin e vdekjes së Presidentit Rugova. Kam pasur nder ta mbështesë luftën e tij dhe të popullit të Kosovës për paqe dhe liri”, tha Clinton. “E kam dashur dhe e kam admiruar shumë. Rezistenca e tij e padhunshme ndaj shtypjes së Millosheviqit e inspiroi botën. Tani në shenjë kujtimi për te, u bëj thirrje të gjitha palëve që t’i zhvillojnë me sukses bisedimet mbi statusin në Vjenë. Hillary dhe unë e kemi ne mendje dhe lutemi për familjen e tij dhe për popullin e Kosovës”, theksoi presidenti Clinton, në deklaratën e tij, presidenti i parë amerikan që e priti në Shtëpinë e Bardhë dr. Rugovën.
Komentet në mediat (22.01.2006)
“Shtypi dhe komentet e ndryshme në mediat amerikane, do ta quajnë Rugovën “Gandi i Ballkanit” si dhe ideator dhe vizionar që punoi tërë jetën për pavarësinë e Kosovës. Ai dhe partia e tij organizuan sistemin paralel nën shtypjen e Millosheviqit dhe përkundër dhunës nuk u integruan asnjëherë në pushtetin serb. Si njeri i paqes, Rugova nuk predikonte luftën dhe nga fundi i viteve të nëntëdhjeta, kur lëvizja paqësore nuk po jepte rezultate Rugova megjithatë nuk hoqi dorë nga mjetet e padhunshme politike dhe sikur nënvlerësoi gatishmërinë e popullit shqiptar të Kosovës për flijim dhe vdekje për realizimin e pavarësisë”, thuhet në një analizë. Radioja qeveritare amerikane, Zëri Amerikës, në programin e saj në gjuhën angleze, thekson se Rugova ishte baba i lëvizjes për pavarësinë e Kosovës. Ish gazetari i të së përditshmes The New York Times, David Binder thotë se Rugova do të mbahet mend për këmbngultësinë për jetësimin e pavarësisë së Kosovës. “Ai zgjohej në mëngjes duke predikuar për pavarësinë e Kosovë dhe edhe në mbrëmje kur shkonte në gjumë predikonte pavarësinë e Kosovës”, thotë Binder. Morton Abramovitz, ish diplomat amerikan dhe themelues i Grupit Ndërkombëtar të Krizave vlerëson Rugovën si një figurë uniteti në Kosovë. Rugova dy here fitoi zgjedhjet në Kosovë ndaj kundërshtarëve të tij politikë, duke dëshmuar kështu aftësinë e tij organizative dhe politike”, tha diplomati amerikan. Agjencitë perëndimore të lajmeve vlerësojnë se kryetari i Kosovës Ibrahim Rugova u largua nga skena politike në një çast të papërshtatshëm të fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës. Agjencia britanike Reuters vlerëson se nuk ka ende plane të qarta për emërimin e pasardhësit në krye të ekipit negociator. Agjencia amerikane Asoshijeted Pres vlerëson se kryetari Rugova kishte “famë kulti në mesin e disa përfaqësuesve të shqiptarëve të Kosovës” dhe se “vdiq në një çast të papërshtatshëm, para fillimit të bisedimeve për statusin”. “Ibrahim Rugova nuk la pas veti pasardhësin në Lidhjen e tij demokratike të ndarë, kurse deri tash nuk është përmendur fare kush do të mund ta zëvendësonte në krye të ekipit negociator”, thotë agjencia zyrtare kroate “Hina”, e cila thekson se kryetari i ndjerë Rugova ”ishte pacifist i cili nuk arriti ta shihte realizimin e ëndrrës së vet-Kosovën e pavarur”.
Liderët serbë shprehin ngushëllime (22.01.2006)
Kryetar i Serbisë e Malit të Zi, Svetozar Maroviq, shfaqi keqardhje për shkak të vdekjes së Ibrahim Rugovës dhe shprehu ngushëllimet familjes së tij dhe shqiptarëve në Kosovë. “Rugova ishte i njohur dhe i respektuar si përfaqësues i mënyrës së qetë të realizimit të qëllimeve politike”, theksoi Maroviq. Ai shfaqi shpresën se ”një mënyrë e tillë e udhëheqjes së politikë, që ishte cilësi e Ibrahim Rugovës, do të jetë dominante edhe në të ardhmen te politikanët më të lartë dhe institucionet e Kosovës”. Kryetari i Serbisë Boris Tadiq në një deklaratë tha se "ndjen keqardhje të thellë për vdekjen e presidentit Rugova, e cila është një humbje e madhe për shqiptarët në Kosovë". Tadiq shtoi se vdekja e kryetarit Rugova "nuk do të zbehë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje paqësore dhe kompromisi për të ardhmen e statusit të Kosovës". Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviq i kërkoi kryeadministratorit të Kosovës Soren Jessen Petersen, t’i përcillte ngushëllimet e tij familjes së të ndjerit, kryeparlamentarit Nexhat Daci, dhe kryeministrit Bajram Kosumi. Ndërsa liderët e serbëve në Kosovë apeluan për paqe dhe vazhdimin e dialogut me shqiptarët në Kosovë.
Dhjetëra mijëra qytetarë shkuan në Velani për të bërë homazhe (22.01.2006)
Dhjetëra mijëra qytetarë, nga të gjitha anët e Kosovës dhe nga viset tjera shqiptare, kanë shkuar sot në rezidencën e Kryetarit të Kosovës në Velani, për t'i bërë homazhe Kryetarit Rugova dhe për të ndarë dhembjen e pikëllimin me familjarët, të afërmit, miqtë e bashkëpunëtorët e Kryetarit Rugova. Sot madje nga Tirana kishte ardhur princi Leka I për të shprehur respektin ndaj personalitetit të Kryetarit Rugova. Të gjithë pleq e të rinj, burra dhe gra, qytetarë të zakonshëm dhe drejtues e përfaqësues të institucioneve dhe të asociacioneve të ndryshme, të heshtur, të zymtë , kanë pritur në radhë të gjata për ta nderuar njeriun që u shndërrua nga një udhëheqës shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës në simbol të idealit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Të gjithë e përjetuan humbjen e Kryetarit Rugova si një humbje të madhe, të pakompensueshme për Kosovën.
Lëshohen udhëzime administrative për funksionimin normal të institucioneve komunale (22.01.2006)
Me rastin e vdekjes së Kryetarit të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, në kuadrin e kompetencave të veta për koordinimin e punës me komunat e Kosovës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka lëshuar udhëzimin administrativ për udhëheqjet komunale që të marrin një sërë veprimesh për të siguruar funksionimin normal të institucioneve komunale dhe për të ofruar shërbime cilësore dhe me kohë për qytetarët e Kosovës dhe delegacionet e huaja që do të vijnë në Kosovë në rastin e organizimit të ceremonisë së varrimit. Gjithashtu, komunat janë udhëzuar për llojet dhe mënyrat e organizimit të ceremonive mortore në shenjë nderimi të figurës së Kryetarit të Kosovës.
Me Kornizën Kushtetuese, detyrën e kryetarit e ushtron kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci (22.01.2006)
Detyrën e kryetarit sipas Kornizës kushtetuese duhet ta marrë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, por pasi këtë ta lejoi Misioni civil i Kombeve të Bashkuara.
Kryesia e LDK-së mbajti mbledhjen e parë pas vdekjes së kryetarit Rugova (22.01.2006)
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbajti sot mbledhjen e parë pas vdekjes së kryetarit Rugova. Në mbledhje, sipas anëtarit të kryesisë Fatmir Sejdiu, u diskutuan çështje të organizimit të brendshëm dhe rolit të LDK-së në këto momente. Nënkryetari i LDK-së Kolë Berisha ndërkaq tha se organizimin e përcjelljes së fundit të kryetarit Rugova, do ta bëjnë institucionet e vendit kurse Lidhja demokratike e Kosovës do të ndihmojë në mënyrë që organizimi të jetë sa më i mirë.
Vazhdohet me ndezjen e qirinjve për kryetarin Rugova (22.01.2006)
Forumi i Rinisë i LDK-së ka vendosur që në shenjë nderimi për Presidentin Rugova të vazhdohet me ndezjen e qirinjëve në sheshe apo nëpër shtëpi- në të gjitha qendrat e Kosovës, prej orës 1900 – 1930 , deri më datën 25.01.2006. Në Prishtinë ndezja e qirinjve do të bëhet para Teatrit Kombëtar.

Komentet e ruajtura
Tiu them te drejten, na e qate koken kudo, ne Tv ne gazeta per nje njeri qe nuk kishte asnje pike vlere ne personalitetine tij. Te gjithe e din kush ka qene Rugova, nuk eshte nevoja per propaganda te rrejshme.
Hajt mjafte tani ia ka vdeke edhe nuk kthehet me.
Sorry.

NESE TE PENGONE TY NEVE JO ROGOVA KA QENE LEGJENDE E GJALLE I SHEJTE I GJALLE I MADHE I GJALLE KURSE EDHE TASHE QE KA NDERUE JETE ESHTE EDHE ME I MADHE RUGOVA I KONTRIBOI KOSOVES DHE KOMBIT EDHE I VDEKUR LAVDI DR RUGOVES LAVDI KOSOVES QE E RITI LAVDI NEVE QE E PATEM I LEHTE QOFTE DHE I KOSOVES SE TI
Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.