[b][color=red]MBROJTJE NGA REAGIMI FANATIK[/color][/b]

2005-05-06 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Beqir ELSHANI
MBROJTJE NGA REAGIMI FANATIK
Reagim ndaj shkrimit "Feja, shkenca dhe shqiptarët" të Fadil Selmanit kundër
artikullit tim "Pagëzimi dhe martesat shqiptare".
Në fillim po theksoj se në shkrimin tim "Lexoni dhe mos besoni" nuk është fjala për
titujt akademikë të marra në kohën e regjimit të kaluar në Kosovë, por pikërisht
sot. Këtu përqeshen servilët, të cilët vrapojnë pas titullit akademik, pa mund dhe
pa meritë. Dukuria apo sëmundja e vrapimit pas iluzioneve dekorative pa merita
shkencore është e përhapur në të gjitha vendet e Evropës. Në Suedi janë disa
shqiptarë me shkollë të mesme që aspak nuk ngurrojnë ta quajnë veten profesor,
analist, magjistër dhe të ngjashme. Ilustrimi më i bukur është kur profesori i
frytshëm pedagogjik, si në fushën shkencore ashtu edhe në fushën kombëtare, Ibrahim
Egriu, thotë se është mësues, i cili sivjet me rastin e Ditës së Mësuesit më 7 Mars
u nderua me titullin "Mësues i Popullit". Prandaj derisa profesori i profesorëve
shqiptarë, Ibrahim Egriu nga Dibra, thotë se është mësues, atëherë ku po
mbeten qyqarët me shkollë të mesme, të cilët në faqen elektrike paraqiten me
ndajshtimin profesor.
Nuk mendoj se besimtarëve të fesë myslimane nuk u pëlqen artikulli im "Pagëzimi dhe
martesat shqiptare", përveç fanatikëve. Ky artikull është botuar në "liriakombtare"
me të cilën bashkpunoj qysh me paraqitjen e saj publike, ndaj "Forumi Shqiptar" dhe
"hasanprishtina" e kanë marrë po nga kjo faqe. Interesimi i tyre për artikujt e mi
më gëzon dhe më jep forcë që në të ardhmen të shkruaj më bukur dhe më guximshëm.
Derisa "Forumi Shqiptar" dhe "hasanprishtina" e kanë botuar artikullin tim "Pagëzimi
dhe martesat shqiptare" do të thotë se interesimi i lexuesve shqiptarë pa dallime
fetare është dukshëm i madh. Prandaj mund të shtoj se artikulli im u pengon vetëm
fanatikëve, të cilët janë nostalgjikë pas ferexhes, emrave arabë, por edhe
kozmopolitëve të cilëve u pëlqejnë emrat e adhuruesve botëror siç janë Albert,
Elvis, Robert, Indira, Elizabeta, Suzana etj. në vend të emrave të bukur me burime
iliro-shqiptare.
Selmani ngutet dhe me rrëmbim përplaset në dritaren tonë shqiptare me anën e
paraqitjes së profesorit suedez Tord Olsson, i cili e paska tronditur me pyetjen pse
studjuesit – intelektualët shqiptarë nuk mirren me shkencën e fesë. Lidhur me këtë
nuk jam i autorizuar të flas rreth angazhimit studjues të shkencës fetare, pikërisht
unë jam adhurues i mitologjisë antike shqiptare, greke dhe romake. Mendoj se qortimi
i ekspertit të shquar ballkanas Orjan Sturesho, profesor në Universitetin e
Stokholmit, i cili na këshilloi të përgatitemi për mbrojtjen e atdheut nga sulmi i
ushtrisë serbofashiste, qëndron më lartë se qortimi profesorit nga Lundi. Mikun tonë
Sturesho e injoroi edhe zonja Qibrije Hoxha, si ithtare e pacifizmit të Dr. Ibrahim
Rugovës. Sot Kosova, si kurrë më parë, ka nevojë për fitoren e Lirisë dhe Pavarësisë
Kombëtare; ka nevojë për mbrojtjen e kufirit të Kosovës
nga bisha serbosllave me motrën e saj shoviniste sllavomaqedone; ka nevojë për
ngjalljen e ekonomisë së Kosovës për mirëqenjen e popullit; ka nevojë për mbrojtjen
e trashëgimisë dhe gjuhës kombëtare pastaj të gjitha të tjerat do të gërshetohen me
radhë. Nuk bëjnë dardhat në shënëndre, thotë populli, çka do të thotë se nuk duhet
kërkuar gjërat që nuk e kanë kohën dhe kushtet e veta.
Fadil Selmani, i tejkalon normat publicistike, sa që me ragimin e tij ik prej temës
sime shqiptare në Kosovë dhe kalon në Afganistanin e largët, qysh në kohën e Lekës
së Madh. Këto janë broçkulla që nuk kanë lidhje me artikullin tim "Pagëzimi dhe
martesat shqiptare". Duket sheshit që autori është ndonjë amator dhe mundohet për të
treguar sihariqe të "zbuluara" në revistën kosovare "Ura", megjithëse më mirë do të
ishte po të shkruante artikull të veçantë, dhe jo të më filozofojë faqe botës.
Përveç kësaj, Selmani keqpërdor emrat e intelektualëve shqiptarë, të cilët kurrën e
kurrës nuk përputhen me shkrimin e tij euforik. Ai ma shtrembëron artikullin, kinse
unë diskutoj për fetë, prandaj Selmanin e këshilloj që ta lexojë me vëmendje
artikullin tim, sepse aty shkruan për pagëzimin e fëmijëve me emra të antroponimisë
shqiptare dhe mbiemrave tradicionalë shqiptarë; shkruan për
emrat e bagëtisë shqiptare në gjuhën shqipe; shkruan për dënimin e nxënësve nga ana
e udbës jugosllave vetëm pse bartnin plisin e bardhë; shkruan për torturimin e
nxënësve për shkak të grisjes së fotografisë së Titos në librin vetjak dhe në fund
shkruan për nderimin e udhëheqësit të Pajtimit Kombëtar në Kosovë, Prof. Anton
Çettës, nga ana e popullit shqiptar pa dallime fetare.
Institucionet arsimore kanë rregullat e tyre pedagogjike, ku pedagogët dhe nxënësit
duhet t’i përmbahen. Në shkollë duhet shkuar me uniformë shkollore, ngjashëm siç
veprojnë ushtarët në armatë, prandaj këtu nuk ka vend as shamia, as bluza e vashës
me barkun e zbuluar. Natyrisht që jam kundër rrobave ekstremiste, por edhe kundër
ferexhes fundamentale, gjithashtu jam kundër degjenerimit të trupit me tatuazh me
pasoja tragjike. Duket qartë se artikullshkruesi bën atentat në shkrimtarin dhe
bibliotekarin e shkëlqyer , Haki Stërmilli, i cili në romanin e tij "Sikur t’isha
djalë" mbron vashën dibrane nga ferexhja e zezë. Vlen të shtoj se kërkesa
demonstruese e grave myslimane për bartjen e shamisë në kryeqytetin e kulturës,
artit dhe letërsisë evropiane, në Paris, është kundërrevolucionare, në krahasim me
kohën e Kemal Ataturkut, i cili ishte kundër dogmave fetare dhe
grave u dha liri me të drejt votimi në kohën kur në Francë ende ishte e ndaluar. Ky
politikan dhe reformator i Turqisë me prejardhje shqiptare, ka qenë kundër aplikimit
të shkrimit arab sipas islamizmit dhe aplikoi shkrimin latin për të qenë më afër
Evropës. Njëkohësisht jam kundër ndërtimit të kryqit të lartë ortodoks në maje të
malit në Shkup, i cili është ndërtuar vetëm për inat të shqiptarëve të konfeksionit
mysliman.
E njëjta gjë është edhe me mbrojtjen e plisit tradicional shqiptar që shkëlqen në
folklorin mbarëkombëtar, ku kam kritikuar shqiptarët me kapelë orientale.
Njëkohësisht kam kritikuar edhe "evropianizimin" e shqiptarëve, të cilët për
interesa të ngushta komerciale e ndërrojnë emrin e tyre me anën e së cilës i shkelin
normat e etikës kombëtare dhe fetare, sidomos në Greqi ku rrënjët e fundamentalzmit
ortodoks janë tendencioze. Sa i përket ushtarëve të lavdishëm të UÇK-së për
mbrojtjen e atdheut, duket sikur artikullshkruesi i jep karakterin fetar, sepse
shqiptarët pa dallime fetare luftuan për mbrojtjen e atdheut, gjuhës dhe traditës
sonë kombëtare. Universiteti i Tetovës është hapur falë punës dhe luftës së frytshme
të popullit për emancipim kombëtar. Prandaj mendoj se edhe komandant Hoxha dhe shumë
trima të tjerë do të solidarizohen jo me ty, por me plisin e bardhë
shqiptar, i cili simbolizon atdheun dhe gjuhën tonë kombëtare. Çdo kapelë e huaj
është e bukur, mirëpo nuk janë tonat. Edhe dimitë e femrave shqiptare janë të
bukura, megjithatë nuk janë tonat, por janë me burime turke. Prandaj me të drejt
shtoj se kostumi ynë karakteristik kombëtar është më i bukur, për të cilën duhet të
krenohet çdo shqiptar. Dihet se nga folklori ynë i pasur shumëshekullor, siç janë
vallet dhe fustanellat në Shqiperinë e jugut i kanë marrë edhe fqinjët tanë. Në
krahasim me banorët e Sanxhakut, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë luftuar dhe
ende luftojnë për liri dhe bashkimin e tyre me Kosovën, e cila pas Luftës së Dytë
Botërore me dhunë është shkëputur nga trungu i Kosovës kreshnike. Lufta për çlirimin
e trojeve tona nga shtypja dhe shfrytëzimi i egër serbosllav me simotrat e saja
shoviniste ka karakter kombëtar shqiptar, dhe jo fetar. Kupto se serbët dhe
maqedonët nuk na urrejnë pse jemi shqiptarë të konfeksionit mysliman, por vetëm pse
jemi shqiptarë të origjinës dhe humusit më të vjetër pellazgjik, që kemi trashëguar
gjuhën e vjetër ilire, prandaj Serbisë ekspansioniste i ka mbetur në fyt. Falë zotit
që serbët dhe maqedonët janë ardhacakë të vonshëm, përndryshe do të na hidhnin
përtej detit.
Serbomalazezomaqedonët dhe grekët ortodoksë ushtrojnë urrejtje kombëtare ndaj
shqiptarëve: qoftë myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Qarqet reaksionare greke më së
shumti kanë vrarë shqiptarë të konfeksionit ortodoks, vetëm pse ishin në shërbim të
emancipimit të popullit shqiptar, vrasjet që vazhdojnë edhe në ditët tona. Në anën
tjetër, ishin shqiptarët e Kosovës, që i vetëdijësuan boshnjakët për mbrojtjen e
etnogjenezës së tyre autoktone iliro-boshnjake edhe pse me konfeksion mysliman.
Dijetarët e huaj dëshmojnë se për nga natyra e besimit fetar shqiptarët janë më
tolerant në krahasim me popuj tjerë. Deshëm apo nuk deshëm, kjo vjen si rezultat i
pushtuesve të ndryshëm, të cilët që nga perandoria romake deri te "perandoria" e
kuqe sllave bënë që pupulli shqiptar me vetmohim të mbrojë gjuhën dhe traditën
autoktone kombëtare. Prandaj kur është fjala për deklaratën e
shkrimtarit Ismail Kadare rreth përqafimit të fesë islame me vullnet të butë, është
i padrejt. Kadare mund t’ia bëj vollën ndonjë individi, mirëpo shkencorisht bie në
kundërshtim me etikën njerëzore, sepse asnjë popull në rruzullin tokësor nuk e
ndryshon gjuhën, fenë dhe zakonet pa rezistencë, pa u derdhur gjaku deri në gju, dhe
një ndër armët më të rrezikshme pa gjakderdhje ishte taksa e rëndë e pushtetit turk,
që popullin shqiptar e detyronte të përqafojë fenë e re islame.
Duket sikur reaguesi konservativ më provokon me pyetjen rreth veshjes me stil
evropian, ngjashëm siç më pyeti dikur një entuziast i ri në prani të imamit në odën
time se prej nga e ka prejardhjen njeriu. Prandaj djaloshit ia tërhoqa vërejtjen se
nuk është mirë të flitet mbi prejardhjen biologjike të njeriut në prani të hoxhës
dhe pleqve tjerë. Unë nuk jam kundër rrobave tradicionale arabe, as kundër rrobave
tradicionale të zezakëve të Afrikës, as të Meksikës, por jam ithtar i mbrojtjes së
rrobave dhe folklorit tonë kombëtar, ngjashëm siç është çdo iranian, gjerman,
italian, suedez dhe francez. Prandaj stil evropian do të thotë se Shqiperia Etnike
gjindet në Evropë dhe jo në Azi, për të cilën gjë edhe krenohemi, ngjashëm siç
krenohet çdo banor në kontinentin e tij. Kuptohet që amerikanët me prejardhje
evropiane janë nostalgjikë ndaj Evropës, ngjashëm siç janë shqiptarët e
diasporës ndaj atdheut të tyre. Kuptohet që rrobat shqiptare i kanë hije shqiptarit
dhe jo egjiptianit, megjithatë kultura orientale ka ndikuar që burrat shqiptarë të
bartin kapelën arabe krahas grave shqiptare me ferexhe. Prandaj rrobat sipas stilit
evropian do të thotë veshje sipas vendit ku klima është më e ftohtë në dallim me
klimën e nxehtë arabe, të cilët bartin rroba të lehta. Kujto fjalën e urtë shqiptare
"Lufton vendi dhe jo Kelmendi". Në vazhdim, Fadil Selmani shkruan me ironi rreth
veshjes së femrës shqiptare si dhe keqtrajtimit të saj nga ana e administratorëve të
Unmikut, kuptohet që kjo është një plag, për të cilën shqiptarët po luftojnë për
fitoren e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, njëkohësisht angazhohen për theqafjen e
Unmikut të manipuluar. Duhet patur kujdes para etikës, gjëra të tilla ndodhin në
shumë shtete, edhe pse me rregulla të ashpra fetare. Unë kam takuar një
kroate, e cila më tregonte se si në vendlindjen e saj nuk guxonte të shkojë në
shkollë me fustanin mbi gjunjë, përndryshe nëna e rrahte me shkop. Prandaj nuk mund
të thuhet se shamia apo ferexhja e mbron femrën shqiptare nga prostitucioni, dukuri
që edhe në shumë vende të ndryshme të botës mbrohet nderi i femrës.
Martesat më të bukura janë kur dy të rinj shqiptarë bashkohen pa dallime fetare, në
krahasim me disa të rinj dhe të reja shqiptare që martohen me nacionalitete të
huaja. Në krahasim me fanatizmin e Selmanit, me anën e dokumentarit shqip të
Radiotelevizionit të Kosovës tregohet se si një plak nga Rrafshi i Dukagjinit
pajtohet që martesat e të rinjve shqiptarë të bëhen pa dallime fetare. Në vazhdim
Selmani devijon duke folur për broçkulla, sepse unë fare nuk kam përmendur
përshëndetjen islame "selam alejkym", përveç përshëndetjes orientale "merhaba",
shpip përshëndetet "tungjatjeta", që njëherit është kryevepra e përshëndetjes sonë
kombëtare. I parashtrohet pyetja artikullshkruesit fanatik: Nëse në odë ndodhen
shqiptarë të konfeksionit mysliman, katolik dhe ortodoks atëherë si duhet
përshëndetur: "Tungjatjeta" në gjuhën shqipe, që është mjet komunikimi dhe tipar
themelor
për dallimin e kombit shqiptar, apo "Selam Alejkym"? Pastaj artikulli im nuk ka të
bëj asgjë kundër fesë islame, përkundrazi Selmani del një armik i përbetuar i gjuhës
dhe traditës shqiptare. Sipas mendimit shkencor "Islami si fe kundër asimilimit
kombëtar shqiptar" nuk është i drejtë, sepse është në dëm të vëllezërve tanë të
besimit katolik dhe orotodoks. Gjithë shqiptarët pa dallime fetare punojnë për
emancipim kombëtar dhe mirëqenjen e popullit shqiptar, prandaj Selmani nuk mund të
bëhet më shqiptar se publicisti Koço Danaj dhe se kryetari i Lidhjes Shqiptare në
Botë, Simoni Kuzhnini.
Sa i përket librit "Zoti buzë Mesdheut" të Karl Herik Muntligut rreth përcaktimit të
tij se Shqiperia është i vetmi vend me shumicë të konfeksionit mysliman dhe i vetmi
vend që ka ndaluar fenë me ligj, do të theksoja se qarqet reaksionare të kishës
ortodokse greke kanë qenë aq të forta sa që do të ndikonte në dëm të shqiptarëve
ortodoks, pa përmendur bashkëpunimin e ngusht të perandorisë turke me fraksionet
fetare ortodokse greke, ruse dhe serbe në dëm të emancipimit të popullit shqiptar.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore deri në fund të shkekullit 20-të, Greqia
ka qenë në gjendje lufte me Shqiperinë. Mendoj se po të ishte trashëguar e tërë
Shqiperia Etnike e vendosur në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, normalisht që nuk do
të aplikohej ateizmi, përkundrazi shkenca fetare tek shqiptarët do të përparonte sa
që do t’ua mbyllnim gojën ndërhyrjes së reaksioneve të
huja fetare. Pikërisht sot në kohën e furtunës demokratike në Korçë është hapur
shkolla greke, ndërkohë kur shqiptarëve të Çamërisë u ndalohet leximi i abetares dhe
vriten për një këngë lirike shqipe. Prandaj po të ishte Shqiperia e bashkuar etnike
prej Tivarit deri në Prevez, fraksioni fetaromadh serb dhe grek nuk do të guxonte të
prekte në trojet tona shqiptare; do të kishim akademinë shqiptare më të fortë, do të
kishim enciklopedinë tonë shqiptare, do të kishim armatën më të fuqishme shqiptare
dhe Shqiperia Etnike do të ishte superfuqi ekonomike në Ballkan, sepse ka detin, ka
tokën e bukës dhe është e pasur me minerale. Po të ishte Shqiperia e bashkuar etnike
me konfeksione të ndryshme fetare asnjë luftë serbosllave nën ndikimin e rusëve nuk
do të shkaktohej në Gadishullin Ballkanik. Menjëherë pas kësaj, shkenca fetare
shqiptare myslimane, ortodokse dhe katolike do të ishte më e
organizuar rreth mbrojtjes së atdheut, gjuhës dhe kombit shqiptar. Me të drejtë
thoshte shoku im veprimtar, Beqir Berisha, se po të lidhen shqiptarët, as Rusia s’ka
çka na bën.
Në fund po tregoj se si një piktor dëshironte të dëgjojë vërejtjet e vizitorëve
rreth pikturës së tij, prandaj një ditë mshifet prapa tablosë në ekspozitë. Pranë
pikturës vjen një këpucëtar dhe heton se njëra take e këpucës së femrës ishte më e
gjatë se tjetra. Piktori e dëgjoi vërejtjen dhe në orët e vona e korigjoi gabimin.
Të nesërmen këpucëtari u duk përsëri dhe nisi të sajoi edhe një gabim duke thënë se
njëri sy është më i madh se tjetri. Posa dëgjoi piktori i mshefur prapa pikturës,
tha: "Këpucëtar, mos u përziej në sytë e femrës." Lidhur me këtë dua të them se
reaguesi nuk është kompetent të komentojë vargjet e poemës së rilindasit Vaso Pashë
Shkodrani "O, moj Shqipni". Në anën tjetër, po të ishte njohës i letërsisë shqiptare
ai nuk do të keqinterpretonte vargjet e zjarrta atdhedashurie të poetit dhe
revolucionarit të madh shqiptar, prandaj manovrimi i
pyetjeve të tij rreth kushtrimit "Mos shikoni kishë e xhamia, feja e shqiptarit
është shqiptaria" janë të kota. Këto vargje nuk kanë të bëjnë aspak me krijimin e
fesë së re shqiptare. Ky kushtrim u lëshua për të bashkuar të gjithë shqiptarët pa
dallime fetare kundër hordhive turke dhe grabitçarëve serbomalazezë. Pastaj
artikullshkruesi bëhet qesharak me pyetjen se a ka vlerë kushtrimi i Vaso Pashës
edhe sot? Gjithë ditën them se kushtrimi "Feja e shqiptarit është shqiptaria" ka
vlerë, sepse ne ende duhet luftuar për liri dhe bashkimin e të gjitha trojeve tona
në trungun e vetëm shqiptar pa dallime fetare. Lidhur me këtë formulim të rilindasit
shqiptar më së miri i përgjigjet fjala e urtë latine "Inter arma sibent Musae" (Në
luftë heshtin muzat), prandaj për çlirimin kombëtar të Kosovës nga pushtuesi
shekullor serb të gjithë shqiptarët pa dallime fetare
(myslimanë, ortodoksë dhe katolikë) duhet të lidhen në shpirtin e vetëm kombëtar.
Asnjë popull i madh dhe i zhvilluar në Evropë nuk ka krijuar fe të re, prandaj as
shqiptarët nuk kanë menduar një gjë të tillë, me anën e së cilës Selmani fyen
kulturën, artin dhe letërsinë tonë kombëtare. Porosia e rilindasit të shkëlqyer Vaso
Pashë Shkodrani do të jehojë derisa trojet tona të çlirohen dhe të bashkohen në një
Shqiperi të vetme etnike. 2 Maj 2005

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.