PËRJETIME NGA TRAGJEDIA E TIVARIT

2005-11-28 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Beqir ELSHANI
PËRJETIME NGA TRAGJEDIA E TIVARIT
Në Televizionin Shqiptar të Tiranës shfaqej filmi artistik ”Flaka e luftës”
të regjisorit Vlladimir Prifti, në rolin kryesor të Mark Sokolit atdhetar,
luajtur nga Artisti i Popullit, Ndrek Luca, i cili mullirin e tij e kishte
shndërruar në fortesë luftarake kundër hordhive turke. Filmi ka kuptimin
metaforik, sepse në mulli bluhej drithi i bukës, por edhe baruti i luftës
për mbrojtjen e atdheut nga pushtuesi turk.
Ngjarja e filmit më përkujtoi edhe xhaxhallarët e mi: Vesel, Azem dhe Musli
Elshanin me bashkëkohasit e shumtë nga Theranda dhe mbarë Kosova në prill të
vitit 1945, të cilët kishin shpëtuar nga masakra e Tivarit, mirëpo me vete
kishin marrë plagët si në trup, ashtu edhe në shpirt. Kishin ecur mbi
kufomat e vëllezërve të tyre shqiptarë, por edhe kishin parë detin e kuq të
Adriatikut që skuqej nga lumi i gjakut të shqiptarëve të masakruar nga ana e
bishave serbomalazeze. Axha Musë, kështu e thirrja unë xhaxhain tim më të
ri, Musliun, kurrë nuk thoshte se deti Adriatik është i kaltër, por i kuq.
Ai kishte të drejtë, sepse e kishte parë me sytë e vet dhe unë i besoja. Në
vazhdim tregonte se Tragjedia e Tivarit ishte planifikuar qysh në Beograd,
në krye me xhelatët Tito-Rankoviq. Konkretisht, u vranë partizanët e
paarmatosur shqiptarë, të cilët ishin mobilizuar për të ndjekur fashizmin në
veri-perëndim të Jugosllavisë. Elaborati për vrasjen dhe ndjekjen e
shqiptarëve i projektuar qysh në Mbretërinë Serbe nga ministrat dhe
bashkëpunëtorë të fashizmit gjerman, Vasa Çubriloviqi dhe Ivo Andriqi, po
zbatohej edhe në Jugosllavinë Socialiste të pasluftës. Ndonësë babai im,
Qazimi, kishte qenë gjashtë vjet rob lufte në Gjermaninë hitleriane,
pranonte se Masakra e Tivarit ia kalonte tragjedive të fashizmit gjerman.
Ndërkohë që Shqiperia dhe Kosova u çliruan me forcat e veta, forcat e shumta
pushtuese serbe po mobilizoheshin për pushtimin e Kosovës. Derisa të gjithë
popujt e Europës luftonin për çlirimin e vendit të tyre nga hordhitë
fashiste, përkundrazi Ushtria Jugosllave po moblizohej të pushtonte me krime
çnjerëzore Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit. Prandaj menjëherë pas
përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, axha Musë armën me muncione i kishte
lidhur në thesin e najlonit, pastaj e kishte hedhur në bunarin e oborrit.
Gjatë bastisjes nëpër shtëpia policia dhe ushtria serbe shpeshherë
kontrollonte me elektrik në fund të bunarit, prandaj axha Musë kishte hedhur
dy karroca zallë që kishte marrë te lumi skaj bahçes. Kjo ishte një nga
metodat më konspirative të fshehjes së armëve, që kishte përfshirë mbarë
Kosovën. Më vonë shtëpinë me bunar e kam trashëguar unë, ndaj një ditë vere
e pastrova bunarin dhe papritur nxora një pushkë dhe një gjerdan me fishekë
të prodhimit italian e gjerman të mbyllur në thes najloni. Plumbat e
prodhimit italian kishin kokën e rrumbullakët, kurse ato gjermane ishin me
maje konike. Gjithashtu në murin e oborrit kam hasur disa bomba dore dhe
granata, të cilat babai im, Qazimi, i ka larguar dhe i ka çmontuar me
kujdes.
Në qendër të Therandës po kremtohej përvjetori i së ashtuquajturës dita e
çlirimit nga fashizmi gjarman, kurse në parkun e qytetit po këndonte një
fshatar i leckosur, ai kishte shpëtuar nga pushkatimi i Masakrës së Tivarit.
Fshatari quhej Smajl Sopia, kështu e thërritnim të gjithë ne, nxënësit e
shkollës fillore, dhe sa herë kalonim skaj parkut e dëgjonim këngën mortore
kushtuar bashkëluftëtarëve të tij të vrarë pabesisht në Masakrën e Tivarit.
Derisa në shkollë mësonim për kryeveprën e Naim Frashërit Bagëti e Bujqësi,
në parkun e qytetit mësonim për kryeveprën e partizanit të plagosur, jo në
trup, por në shpirt, dhe ajo quhej Masakra e Tivarit. Kjo ndodhte, sepse iu
kishin vrarë bashkëluftëtarët dhe si një foshnje, këmbë e duar, kishte dalur
nga gjaku i kuq i Adriatikut. Atje kishte lënë kujtesën, dhe tani po
vajtonte shokët e tij më të dashur. Më vonë nuk u ndie kënga mortore e
partizanit të leckosur, policia serbe e kishte vrarë pabesisht natën, sepse
po propagandonte luftën kundër barbarisë serboçetnike. E kishin vrarë
kryeveprën e partizanit, i cili siapas këngës popullore partizane „Partizani
n’luftë po shkon, ka marrë pushkën me një dorë“… me pushkë në dorë ishte
nisur për çlirimin e të gjitha zonave nga fashizmi gjerman. Serbët kishin
vrarë partizanin e plagosur në shpirt, por nuk kishin mundur dot të vrasin
kujtesën e djalërisë shqiptare që me xhelozi e ruante në zemër. Menjëherë
pas vrasjes edhe të luftëtarit të fundit - të plagosur në shpirt, kënga e
tij revolucionare kushtuar bashkëluftëtarëve të masakruar u bë edhe më e
fuqishme dhe si rrufeja përhapej në të gjitha anët shqiptare. Në kohën kur
tito-rankoviqistët po bënin diferencimin në mesin e popullit shqiptar, një
punëtor i ndërtimores "Dukagjini" të Gjakovës, ishte anëtar i LKJ-së, ndaj
axhës Musë i tregon se si ata të komitetit e kishin këshilluar që të ruhet
nga irredentistët shqiptarë, kinse janë të rrezikshëm. Gjakovari nuk e dinte
se një ndër ata irredentistët ishte edhe kolegu i tij therandas që po
shoqërohej. Prandaj axha Musë i thotë që të ruhet edhe prej tij, sepse
kishte qenë në burg për Kosovën Republikë. Bashkëpunëtori gjakovar ia kishte
pritur: "Musë, po nuk ka burrë më mirë se ti!"
Lidhur me fshehjen e armëve axha Musë, përndryshe në popull njihej si
gjeodet popullor, maste arat e familjeve therandese që po rriteshin,
tregonte se nuk kishin besim në Jugosllavinë Socialiste pas Luftës së Dytë
Botërore. Pas Revolucionit të Kosovës të vitit 1981 burgoset si irredentist,
ku së bashku me Mësuesin e Popullit Hamëz Asllani vuan në burgun e
Prizrenit. Ashtu si të gjithë partizanët e Brigadës në krye me Komandantin,
Shaban Palluzha, e dinte se lufta me kolonizatorin e egër serb nuk ka
përfunduar. Jehona e luftës patriotike për çlirimin e trojeve shqiptare nga
pushtuesi i dytë serb (më i zi se i pari) kishte rrëmbyer zemrat e gjithë
shqiptarëve. Kudo flitej për shkëndijën revolucionare të Batalionit në krye
me komandantin legjendar, Shaban Palluzha. Populli shqiptar ishte zhgënjyer,
sepse Gestapoja Serbe (OZNA) po i vriste në kurth udhëheqësit e lavdishëm të
Kosovës, të cilët me armë në dorë kishin luftuar kundër pushtuesit gjerman
dhe italian. Tani në pushtetin kundërshqiptar të Kosovës Kreshnike kishin
ardhur kolaboracionistët e sllavizuar shqiptar: Ali Shukriu, Fadil Hoxha,
Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha, Kolë Shiroka, të cilët me trashëgimtarët e tyre
Sinan Hasanin, Mahmut Bakallin dhe Azem Vllasin do të përfundojnë në plehun
e historisë. Këta të fundit asnjë plumb nuk e kishin shkrepur kundër
agresorit serb, përkundrazi e kishin shkrepur kundër Nënës Kosovë që bijtë e
saj po i rritte me shumë mundime. Prandaj së bashku me axhën Vesel predhat
dhe municionet e shumta i kishin fshehur nëpër zgavrat e murit të shtëpisë
për mbrojtje nga sulmi i terrorizmit serb. Statistikat tregojnë se ushtria
jugosllave gjatë Luftës së Dytë Botërore më shumë ka vrarë partizanë
shqiptarë se ushtarë të fashizmit gjerman, metodë të cilën e ka zbatuar me
qëllim të pushtimit të trojeve shqiptare. Derisa partizanët shqiptarë po
luftonin kundër fashizmit gjerman, ndërkohë ushtria jugosllave me anën e
vrasjes prapa shpine po hynte në Kosovën e pambrojtur.
Siç dihet, në shekullin XVIII-të dhe XIX-të, Prizreni ishte një ndër qytetet
e njohura për prodhimin e armëve luftarake për nevojat e kryengritësve
shqiptarë në luftë kundër hordhive turke dhe serbomalazeze. Prandaj në mbarë
Kosovën kishte luftëtarë të zotë, që me mjeshtëri të rrallë ishin në gjendje
të punonin armën për mbrojtjen e familjes dhe pragut të shtëpisë nga bishat
serboçetnike. Rrethanat robëruese nën zgjedhën turke kishin detyruar, që
zejtarët shqiptarë të prodhonin armë për mbrojtjen e atdheut. I tillë ishte
edhe xhaxhai im, Veseli, i cili mund të punonte revole dhe fishekë me
plumba. Për të punuar një revole të tillë kishte përdorur një gyp prej
metali, një copë dru dhe disa gozhda. Një ditë unë me babain tim, Qazimin,
shkuam në kasollën e tij, gjindej në hyrje të fshatit Reçan. Ndërkohë axha
Vesel shkrepi armën e tij dhe qëlloi një pocerkë kacavarur në degën e një
peme. Ai tregoi se revolen e brezit e kishte punuar vet. Unë nuk besoja,
ndërkohë babai im ia priti: „Vesel, ti je i trentë!“ kurse axha Vesel ia
ktheu me të qeshura. Ndonëse ishte plakë shtatëdhjetë e pesë vjeçar, ende
ishte i fortë dhe mirrej me punët e bujqësisë, sidomos me kositje. Pastaj
tregoi se me këtë revole kishte vrarë një dhelpër që ia hante pulat dhe një
vjedullë që ia dëmtonte kallamboqin në arë, të cilën e kishte në fund të
pyllit. Në qoshe të dhomës së tij qëndronte një vjedullë e balsamuar (brenda
lëkurës ishte e mbushur me kashtë), për herë të parë e pashë vjedullën, për
të cilën kisha dëgjuar nga përrallat që më kishte treguar gjyshja. Në
vazhdim axha Vesel tregoi se veprimet e vjedullës janë si të njeriut. Në
krahasim me kafshët tjera, nevojtorja e vjedullës gjindet jashtë zgafellës
së saj. Kjo kafshë e çuditshme, ngjashëm porsi njeriu, ulet galuc dhe kryen
nevojën.
Pas një muaji, SPB (Sekretariati i Punëve të Brendëshme) të Therandës i
kishte rënë në gjurmë, ndaj axhën Vesel e arrestuan. Shkak i zbulimit ishte
bërë grindja me fqinjin e arës nga Reçani, ndaj me rastin e bastisjes
policia kishte gjetur armën. Në hetuesi të SPB-së nuk e kishin pyetur se ku
e kishte blerë axha Vesel armën, përkundrazi ishin habitur kur kishin parë
armën e zjarrit të punuar me mjeshtëri si të ishte ndonjë fabrikant i
përkryer dhe që mund të vriste bishën apo mizorin. Kuptohet që policia ia
kishte marrë armën, mirëpo axha Vesel nuk brengosej, ai ishte në gjendje që
me dhjetëra revole të punonte në shtëpinë e tij. Në fund thoshte se kjo
zejtari e prodhimit të armës duhet të vazhdoj brez pas brezi, sepse ujku dhe
shkau nuk kanë besë.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.