KUSHTET DHE KOMPROMISI OGURZI PËR KOSOVËN

2005-11-27 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

KUSHTET DHE KOMPROMISI OGURZI PËR KOSOVËN

Letër e hapur shqyrtuesve të Çështjes së Kosovës

Kur sot, (ndonëse vonë) do të duhej finalizuar dhe kurorëzuar statusi i Kosovës me zgjidhje të drejtë e fatlume për shqiptarët, shfaqën ide e opcione, të mveshura me gjithfarë ambalazhi, tani më të tejdukshme, që e komplikojnë edhe më tepër zgjidhjen e plotë, duke u munduar këta shqyrtues të na bindin ne shqiptarëve, si edhe më parë, që të mjaftohemi me zgjidhje të pjesërishme, të cilat "zgjidhje", i kemi shijuar dhe po i shijojmë edhe sot e kësaj dite me pasoja të njëpasnjëshme, si në aspektin politik, juridik, kulturor, ashtu edhe në aspektin ekonomik, social e ekzistencial.
Si të thuhet ndryshe, kur, edhe tani, pas të gjitha përpjekjeve e sakrificave që i investuan shqiptarët, tok me të gjitha argumentet dhe parimet që flasin për të drejtën e popujve që e kanë për vetëvendosje, ende mbrohen interesat dhe tendencat hegjemoniste e kolonialiste, që do të thotë se padrejtësitë arbitrohen dhe mbrohen me argumentin e forcës, duke e sakrifikuar forcën e argumenteve.
Po ashtu, kur faktori ndërkombëtar po detyrohet ta hapë Kutinë e Pandorës, për t'i rënë në fund gjoja gjendjes së statusquosë, për ta zgjidhur Çështjen e Kosovës, përfaqësuesit e OKB-së, që vinë për të grumbulluar të dhëna dhe për të arbitruar në mes palëve kundërshtare, siç janë: Grupi i Kontaktit, Kai Aide, Petërseni, H. Solana, N.Bërns, D. Rupel dhe ky (qoftë i fundit) M. Ahtisari, si dhe disa të tjerë periferikë, kur bëjnë fjalë për çështjen shqiptare, sillen jo qendrës së shkaktarëve, që kanë sjellë destabilizim, krizë dhe mjerim, por i binë periferisë, për t'ia zgjatur prap jetën robërisë dhe për t'ia lënë prap derën hapur luftës, mjerimit e ekzodeve, që ishin edhe qëllimi kryesor i Serbisë, për ta spastruar plotësisht Kosovën nga shqiptarët.
Përndryshe, mënyra më efikase për ta zgjidhur çështjen shqiptare në tërësi dhe të Kosovës, (që është pjesë përbërëse e çështjes shqiptare), do t'ishte, sikur faktori ndërkombëtar ta kishte ndëshkuar në mënyrë meritore Serbinë, për agresionin dhe krimet që i ka bërë mbi Kosovën dhe shqiptarët, duke e detyruar atë që t'ia paguajë dëmshpërblimin për të gjitha pasojat që ia ka krijuar Kosovës, gjegjësisht shqiptarëve. Por, jo, ajo nuk ndodhi. Atë, ata nuk duan ta bëjnë, sepse, siç duket, nuk duan të dallohen nga arbitruesit e mëhershëm të Kongresit të Berlinit, të Konferencës së Ambasadorëve në Londër e të shumë mbledhjeve tjera FATPRERA, sidomos për popullin shqiptar.
Përkundrazi, këta misionar, në përpjekjet e tyre për t'i bindur shqiptarët, që të negociojnë me serbët për çështjen e statusit final të Kosovës, veç tjerash, u preferojnë shqiptarëve, që të gjejnë kompromis me serbët.
Ku ta gjejnë kompromisin shqiptarët me serbët ? -Në robërinë dhe diskriminimin shekullor, në tradhëtinë dhe thikën pas shpine pas luftrave t'ashtuquajtura çlirimtare, në torturat e tmerrshme, prej të cilave kanë vdekur ose janë gjymtuar për jetë mijëra shqiptarë, në rrugët e Kalvarit të pakthim për në Tivar dhe për në të katër anët e botës ?
Ku ta gjejnë kompromisin shqiptarët me serbët ? -Në shkencën e tyre të ndotur nga të pavërtetat e tyre për Kosovën, e cila, kurrë nuk ka qenë serbe, por vetem është pushtuar prej tyre me përkrahjen dhe bekimin e fuqive të mëdha ?
Ku ta gjejnë kompromisin shqiptarët me serbët ? - Në varret masive, në gërmadhat shkrum e hi, në gjurmët e humbura të mijëra të vdekurve, në dhunën dhe terrorin e paparë serb mbi popullatën e pafajshme - gra, fëmijë e pleq shqiptarë të masakruar, për të cilët, serbët ende nuk i kanë dhënë llogari askujt ?
Vet sugjerimi i përfaqësuesve të faktorit ndërkombëtar, që shqiptarët të gjejnë kompromis me serbët, është një ironi e hidhur për shqiptarët, që shpreh dronë se faktori ndërkombëtar, i ndikuar nga propaganda serbe dhe e aleatëve të saj, don të shkeli mbi të drejtën që e kanë popujt për vetëvendosje, të kodifikuar edhe me konventat ndërkombëtare.
Tani, Faktori Ndërkombëtar, nëse vërtet don ta zgjidhi çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në tërësi, do të duhej ta bindte Serbinë, e më në fund edhe ta detyronte, që ajo (Serbia), si kompromis, sëpari ta pranonte të vërtetën dhe realitetin që është krijuar, me Kosovën, si shtet i pavarur dhe sovran, nga e cila, duhet patjetër të heqë dorë dhe të mos ëndërrojë më kurrë, se do ta shtijë në dorë Kosovën.
Pra, adresa e të kërkuarit kompromis nga shqiptarët, jo vetem që nuk është orientim as gjykim i drejtë për çështjen shqiptare dhe të Kosovës, por është stimulim për serbët, që të vazhdojnë edhe më tej me sjellje luftënxitëse.
Dhe këtë stimulim luftënxitës, përveç aleatëve, tani më të njohur, Serbisë ia dhanë edhe disa individë, përfaqësues ndërkombëtarë, siç janë: Peterseni, Nikollas Bërnsi, D. Rupeli, duke kërkuar nga shqiptarët, që të gjejnë kompromis me Serbinë. Këtë stimulim luftënxitës, serbët e marrin edhe nga Rezoluta 1244, që do të thotë se "kompromisi" është i paramenduar nga Këshilli i Sigurimit. Dhe, mu këtë Rezolutë 1244 Serbia tani e shfrytëzon si mburojë, për t'i mbrojtur interesat e veta hegjemoniste e kolonialiste.
Një kërkesë e tillë e faktorit ndërkombëtar, që shqiptarët të bëjnë kompromis me serbët, sikur i qet hije qendrimit përkrahës dhe intërvenimit ushtarak të NATO-së ndaj agresorit serb. E para dhe e vetmja përkrahje kjo e faktorit ndërkombëtar, që iu dha popullit shqiptar në historinë e tij dh e që u prit me ngazëllim e falenderim të madh nga i tërë populli shqiptar i Kosovës.
Pra, thënë shkurt e qartë: çdo zvarritje e mëtejme dhe devijim, në rrugën e zgjidhjes së drejtë të statusit të Kosovës, shkon në favor të agresorit serb, sepse ai gjithnjë ka qenë dhe është i interesuar të përfitojë në kohë, duke parashtruar kërkesa maksimale, me të cilat, në masë jo të vogël edhe e ka manipuluar faktorin ndërkombëtar në procesin e shqyrtimit të zgjidhjes së çështjes shqiptare në veçanti dhe të Ballkanit në tërësi.
Po kështu, edhe kushtëzimet e faktorit ndërkombëtar që ia parashtron Kosovës, nuk i gëlltitë kurrfarë logjike as teorie, që e ka bazën në tabanin shkencor, sepse, shihet qartë, se këto kushte: "për të mos u bashkuar Kosova me asnjë shtet" e të tjera, janë produkt i epsheve hegjemoniste e kolonialiste të Serbisë, që po i imponohen faktorit ndërkombëtar, me qëllim, që një ditë, kur Serbia ta sheh të mundshme, ta sulmojë dhe ta riokupojë Kosovën e ndarë, sepse e ka më lehtë, se sa kur do t'ishte e bashkuar me gjymtyrët tjera të gjysëmshtetit amë. Që do të thotë se aspirata shekullore e shqiptarëve, nuk ka qenë, as nuk është që të bashkohen me një shtet tjetër, por, me shtetin e vet, prej të cilit i ka ndarë padrejtësia dhe dhuna.
Pra, një mënyrë e këtillë e arbitrimit të faktorit ndërkombëtar, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve në tërësi, në stilin "prish shtëpi e mbaro hajat", vetem sa do të ia zgjaste jetën armiqësive, trazirave dhe tmerrit dhe do ta vuloste edhe këtë herë njëanshmërinë ndaj Çështjes shqiptare dhe ndaj padrejtësisë, si antipod i drejtësisë, me vlerë universale.

----PS: E nderuara Redaksi, kam një propozim: Pasi që Redaksisë s'Uaj të nderuar, i vijnë trajtesa të shumta, lidhur me çështjen shqiptare, do t'ishte mirë, sikur të bëni një përmbledhje të trajtesave më të fuqishme dhe më të plota dhe ta botoni një libër apo edhe më shumë sish. Kjo, aq më parë, kur dihet se për çështje të ngjashme, të tjerët, nuk e kursejnë as imagjinatën e ndotur me të pavërteta, as paratë. Kjo aq më parë, kur sot, përveç të gjitha përpjekjeve e sakrificave, investimeve edhe me jetën e njerëzve, për t'i realizuar aspiratat tona shekullore, shqiptarët, kudo që janë, po mundohen t'ia vejnë qatinë LIRISË dhe prosperitetit shqiptar. Prandaj, lë të qitet në themelet e kësaj piramide diskursi edhe përpjekja intelektuale e bashkëpunëtorëve t'Uaj, që t'u bëhet me dije dhe t'u thuhet troç, se kjo gjellë, (e ajo është vet EKZISTENCA) që po e përgatisin për ta ngrënë shqiptarët, nuk mund të kapërdihet më .






Hamzë Gashi
Francë, më 26. 11. 2005.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.