Endër

2005-11-27 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Kisha një ëndërr

Na ishte një herë një mbret… Kështu fillojnë të gjitha përrallat për mbretërit e mëdhenj, për princat dhe princeshat e tyre te bukura, e kështu me radhë. Shumë shpesh nuk është më rëndësi nëse ngjarja me të vërtetë ka ndodhur ose nëse personazhet e tilla kanë ekzistuar ndonjëherë. Sidomos jo kur dihet se qëllimi i përrallave dhe i rrëfenjave të tilla është arsimor. Fëmijët gjithmonë janë rritur dhe do të rriten me to. Kjo është ajo çka është me rëndësi, ajo që llogaritet, sic thonë amerikanët. Këta heronj ose edhe mbretër hasin në vështirësi dhe në peripeci të ndryshme por në fund gjithmonë ngadhënjejnë, fitojnë. Pra, përralla ka fund të lumtur, përfundon me sukses. E mira e mundë të keqen, të gjithë janë të lumtur, edhe heroi, edhe rrëfyesi edhe fëmija, nëse ndërkohë nuk e zë gjumi.

Ëndrra është pjesë e jetës, nëse jo qenësorja. Ëndrra të bën të fortë. Shpesh është mjerimi ai shkaktar që lindë ëndrrat. Ëndrra për jetë të bukur e të lumtur, ëndrra për princin ose edhe princeshën në kalin e bardhë, ëndrra për ndonjë post të rëndësishëm dhe të lartë në punë, ëndrra për rrogë të mirë, pra, në përgjithësi, janë këto ëndrra që kanë të bëjnë me mirëqenien.

Gjithçka është OK nëse nuk fillojmë të sillemi njëmend si në ëndërr. Këtu as mjekët e as mjekësia më e përparuar nuk mund të të ofrojë shërim. Humbja e realitetit, ndoshta kështu mund të përshkruhet diagnoza. Në kushte të vështira të të jetuarit, në mungesë të shanseve ekonomike, në mungesë të shkollimit të duhur, në mungesë të humbjes së besimit, shpresës mes njerëzve, fillon edhe ’përdorimi’ i ëndrrës në mënyrë që të lehtësohet jeta, pra, komunikimi me botën përreth. Këtu lind dëshira. Dëshirohen gjërat që në ato kushte janë asgjë përveç ëndrra. Edhe një herë: ëndrra për dashuri, punë, shkollim, shoqëri, argëtim, etj. etj.

Në momente të caktuara të zhvillimit njerëzor ëndrrat e tilla janë shfrytëzuar dhe ende shfrytëzohen për zhvillimin e shoqërisë. Edhe luftërat civile që i njeh bota janë mungesë ose edhe pjesë e realizimit të ëndrrave, por jo vetëm luftërat civile por të gjitha konfliktet, si atëherë si sot.

Edhe në Kosovë lufta kishte të bënte me një ëndërr më shumë, atë për pavarësinë e Kosovës, pra, për të jetuar të lirë, për të vendosur vetë, për të diskutuar vetë, në përgjithësi, për t’i bërë gjërat pa u diktuar nga tjetërkush, por duke llogaritur këtu bashkëpunimin me të gjithë në mënyrë që të arrihet mirëqenie mes njerëzve .

Askush, as atëherë e as sot, nuk mund të ndaloj ëndrrën e tillë, me asgjë, bile as me luftë.

Gjithçka fillon dikur dhe përfundon sot. Ky është syzheu i ëndrrës. Gjithçka fillon nga gjumi ose nga kotja. Atëherë, përnjëherë e di se ka mënyra të ndryshme për realizimin e ëndrrës.

Në këtë shkrim faza e kalimit nga ëndrra në realizim/realitet nuk është me rëndësi. E rëndësishme është përfundimi.

Janë disa tregues politik që thonë që fazës përfundimtare të ëndrrës për pavarësinë e Kosovës po i vije fundi. Ndoshta.

Gjithçka filloi dikur 15 vjet më par. Këtu nisi ëndrra. Por, ëndrrat janë shumë më të shkurtra. Nëse fëmijës i përsëritet çdo natë ëndrra e njëjtë, ai/ajo do të dyshojë në qëllimin e të rrëfyerit të ëndrrës. Qëllimi në këtë rast nuk do të ishte arsimimi por vetëm gjetja e mënyrës për të vendosur fëmijën të flejë, pra, mashtrimi.

Sot 15 vjet më vonë asgjë nuk i ngjan ëndrrës, asgjë nuk përputhet me ëndrrën. Çka u bë me një luftë, çka u bë me do shkrimtarë e muziktarë të lirisë, e me disa të tjerë? Askush nuk e di. Thonë se, gjatë kësaj rruge u tretën në lakminë dhe ligështinë e pasurimit, thonë se u tretën diku, dikah...

Asgjë më nuk është me rëndësi. Përderisa nuk na zgjojnë çdo është OK. Po edhe nëse na lëvizin për të na zgjuar do të themi se janë shkatërrimtarë të ëndrrës. Si gjithmonë, do të gjendet dikush që do të shkatërrojë ëndrrën së bashku me njerëzit personazhe të ëndrrës.

Skënder Limani

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.