Ju lutem lexoni tregimin tim kriminalistik me police te SHPK

2005-10-25 · Forumi historik RTVZIK · 7 përgjigje të ruajtura

Tregimi me poshte eshte shkeputur nga romani im:"Vrasjet dhe Makijazhet" me Njesin Speciale te Krimeve. Romani do te del ne shitje nga mesi i nentorit.
Ju lutem mos hezitoni te dergoni komentet dhe kritikat e juaja. Adresa ime eshte: [adresë e fshehur]

1

Ishte ftohtë dhe rrugët ishin të mbuluara me dëborë. Përveç aksidenteve në trafik kishte edhe diçka tjetër që e bënte qytetin e Pejës të ushtonte nga sirenat e policisë në orët e hershme të mëngjesit të pesë janar 2002.
Hetuesi, Agim Tahiri, nga Shtabi Rajonal i Pejës ishte ftuar që të vinte në vend të ngjarjes bashkë me shefin e tij amerikan policin e UNMIK-ut Daniel Newsmith.
Pasi Agimi mori të gjitha informatat e duhura u nis në drejtim të vendit të ngjarjes. Vendi i ngjarjes ishte rrethuar me shirit policor dhe nga vendi ku e parkoi veturën nuk mund të shihte asgjë për shkak të numrit të madh të policëve dhe qytetarëve. Posa u afrua e njohu prokurorja zonjën Laura Kastrati, si dhe shefin e ekipit të mjekësisë ligjore Kastriot Spahiun.
- Mirë se vjen në vendin e ngjarjes më mizore që kam parë që nga përfundimi i luftës. -i tha Agron Kryeziu, i cili ishte shef i njësisë së patrullës.
- Mirë se ju gjej!- i tha Agimi. Agroni donte të thoshte diçka por e ndërroi mendjen pasi që u afrua prokurorja, Laura Kastrati.
- Zonja Kastrati, si jeni?- ju paskeni qenë pa fat që keni qenë në thirrje për këtë rast. – i tha Agroni.
- Nuk e di fat apo jo, por është diçka që nuk kisha dashur të më ikte pa e parë dhe pa punuar në rast si ky. - ia ktheu prokurorja.
- Çfarë kemi deri tani? - pyeti hetuesi Agim.
- Si duket kemi vrasje dhe dhunim. Dua që të mblidhen të gjitha faktet dhe të dërgohen në laborator, si dhe autopsia e kufomës dua të bëhet sa më parë.– tha prokurorja.
- A e keni ftuar mjekun kujdestar? - pyeti Agimi.
- Po, dr. Xhafer Salihu, ka ardhë, e ka vërtetuar se viktima është e vdekur dhe ka shkuar në zyrë për të bërë raportin dhe për të bërë përgatitjet për autopsi.
- Viktima është tridhjetë e katër vjeçare, quhet Blerta Krasniqi, është kryetare e Shoqatës “Përparimi i Gruas”. Kam bërë fotot nga vendi i ngjarjes, viktima ka qenë e shtrirë në rregë. Duket se është goditur me armë zjarri dhe vetëm me një plumb në gjoks. Sipas rrobave, mavijosjeve, mënyrës së dukjes së saj, kam frikë se është dhunuar. Besoj se akti i dhunës është kryer diku tjetër, mandej viktima është sjellë këtu. Policët nga patrulla dhe hetuesia janë duke bashkëpunuar dhe janë duke i pyetur fqinjët se a kanë parë apo dëgjuar krisma armësh.
- Duhet ta informojmë familjen e saj. Gjithashtu pasi që viktima është gjetur afër zyrës ku punon, duhet të intervistojmë koleget e saj nga shoqata. Ndoshta ato dinë nëse viktima ka pas kërcënime nga të dyshuarit e dhunave familjare dhe rasteve që ajo ka pasur. - tha hetuesi Agimi.
- Për herë të fundit viktima është parë në zyrë të shoqatës, por pasi që vetura e saj është gjetur e parkuar para shoqatës, atëherë viktima është dalë nga zyra ose dikush e ka marrë me dhunë. Duhet të presim derisa të vijnë aktivistet për ta hapur zyrën e mandej do të bisedojmë me to, do të shohim se ç’kanë për të na thënë.
Derisa Agimi bisedonte me prokuroren dhe shefin e mjekësisë ligjore një polic i ri nga patrulla iu afrua dhe tha:-Hetuesi Agim, një nga fqinjët thotë se ka dëgjuar krismën e armës, por ka menduar se ka qenë fishekzjarrë. Ajo thotë se krisma është dëgjuar mbrëmë diku rreth orës 18:00. Ajo thotë se krisma ka ardhë nga drejtimi i vendit të ngjarjes, por krisma ka qenë e zëntë, si e përshkruan ajo. Sipas mendimit tim mund të jetë në ambient të mbyllur. - fliste polici nga patrulla, të cilit iu kishte skuqur hunda nga të ftohtit dhe sytë pa gjumë nga ndërrimi i natës. Polici ishte i ri dhe dukej se ishte i motivuar të punonte edhe më tutje në rast. Por e kishte një ndërkombëtar, i cili vetëm që i shkonte pas dhe nuk dinte se çfarë ishte duke u bërë, nganjëherë polici i fliste anglisht me një anglishte të varfër, por si duket policin e ri nuk e brengoste që polici i UNMIK-ut i shkonte pas, ai vazhdonte të kryente punën e tij.
Hetuesi Agim fliste mirë gjuhën angleze dhe ia përktheu shefit të tij Daniel, se çfarë kishte ndodhur. Ai i tha Agimit që kur të intervistojnë fqinjët pyeti nëse kanë parë ndonjë veturë që ka qenë e parkuar në këtë rrethinë. Agimi menjëherë e kuptoi se çfarë mendonte shefi i tij. Atëherë filloi të pyeste përreth bashkë me shefin e tij. Kurse i urdhëroi disa policë nga patrulla që të intervistonin fqinjët në anën tjetër të banesave.
Njësiti i mjekësisë ligjore filloi punën në vendin e ngjarjes. Ishte një polic ndërkombëtar, i cili quhej Eric Forster dhe një shqiptar Kastriot Spahiu. Ata dy dukeshin se e njihnin mirë punën. Së pari ecnin ngadalë nëpër vend të ngjarjes dhe fotografonin çdo gjë që iu dukej e pazakonshme. Mandej e fotografuan viktimën dhe e rrotulluan në shpinë dhe fotografuan në të gjitha anët. Dukej se e gjora kishte vuajtur mjaft gjatë torturave që i ishin bërë.
- Çka mendon, pse ka ndodhur? – pyeti Agimi, Kastriotin.
- Është goditur me armë zjarri, 9 mm, në largësi përafërsisht 1-3 metra. Ka mavijosje dhe si duket është dhunuar. Por nuk po kuptoj pse është e veshur kështu? Nëse kryerësi i veprës e ka dhunuar, atëherë pse ia ka veshur vetëm rrobat e brendshme? Mandej ku janë rrobat e saj?
Kastrioti kishte shumë pyetje dhe e dinte se kishte shumë punë për të bërë, për të gjetur të gjitha përgjigjet. Kastrioti dhe shefi i tij Eric pluhurosnin vendin e ngjarjes dhe mbledhin shenjat e gishtërinjëve dhe gjurmë të tjera.
Si duket dikush nga familja e saj kishte dëgjuar, sepse një burrë dhe një grua vinin duke qarë drejt trupit të pa jetë të shtrirë në rrugë. Kastrioti e dinte se ata do të hynin në vend të ngjarjes dhe mund të shkatërronin gjurmët e krimit.
- Besoj se ju po e njihni zonjën Krasniqi? - tha polici Agim dhe i ndaloi të hynin brenda shiritit të policisë.
- Po kjo është çika jem bre kuku për mu’! çka u bë me ta?- pyeste plaka deri sa shikonte trupin e vajzës së saj të shtrirë në rrugë.
- Më vjen shumë keq loke, por dikush e ka qëlluar me armë dhe Blerta ka vdekur. – i tha Agimi me vështirësi.
- Ku jeni kanë ju kur kjo ka ndodhë, pse nuk e keni mbrojt ju, kush e ka bë këtahen, a e keni nxënë hala? – bërtiste gruaja e moshuar derisa lotët i rrëshqitnin nëpër faqe.
- Më vjen shumë keq që kjo ka ndodhë, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të thella. Askush nuk e din se ku dhe çka ka ndodhur, normal që policia patrullon dhe punon njëzet e katër orë dhe është në shërbim të popullit, por ai që e ka bërë këtë krim ia ka ruajtur sytë policisë. Por ju nuk bën të hyni brenda këtij shiriti, sepse ne jemi duke i mbledhur faktet dhe shpresoj se do ta zëmë atë që ka bërë këtë akt kriminel të paparë në Kosovë.
- Çka do të bëni me të? - pyeti burri, i cili qante dhe i kishte ngulur sytë në viktimën.
- Do ta dërgojmë në morg dhe do të bëjmë autopsinë, po ju kush jeni? - pyeti polici Agim.
- Unë jam... kam qenë... o Zot, burri i saj. - tani zotëria filloi të qante me zë.
- Më vjen shumë keq për humbjen, ngushëllime! A e dini se kush do ta bënte këtë? A ka pasur Blerta armiq, a dini a ka pas ndonjë kërcënim? - pyeste pa ndërprerë polici Agim.
- Nuk e di se kush do ta bënte këtë, të gjithë e kanë dashur dhe respektuar Blertën. Zakonisht në shoqatë ka pas probleme me të dyshuarit e dhunës familjare. Ndoshta dikush e ka urrejt për atë shkak, por nuk e di, nuk më ka thënë nëse dikush e ka kërcënuar seriozisht. Ti e din se si janë njerëzit këtu kur gruaja ka përkrahje prej dikujt. Nuk e di, nuk po mundem ta paramendoj se dikush ka pas zemër ta bëj këtë.
- Më vjen shumë keq për humbjen, ngushëllimet e mia të thella! A e din se kush ka mundur ta bëjë këtë? - Agimi iu drejtua nënës së Blertës.
- Jo nuk e di, se me e ditë kush i kisha fshi kryet dej tash! - tha nëna e Blertës.
- E kuptoj zemërimin e juaj, por këtë punë duhet t’ia leni policisë.
- Cilës polici bre, juve a...? - Nuk besoj se keni me gjet kurrë vrasësin? - Unë kam me e gjetë vetë edhe kam me e vra atë që ma ka vra çikën! - fliste plaka me lot në sy dhe dridhej. Agimi e afroi afër veti dhe filloi t’i fliste me të mirë dhe mundohej ta qetësonte.
- E di që kjo është situatë shumë e vështirë për juve, por duhet të keni besim në policinë e Kosovës, si dhe kemi ekspert ndërkombëtar dhe besoj se do ta gjejmë shumë shpejt kriminelin dhe do ta fusim prapa grilave.
- Nuk asht boll me shti në burg, duhet me e vra krejt, qysh ma ka vra ai çikën! Unë veç këtë çikë e kam, nuk kam fëmijë tjerë dhe tani jam krejt vetëm... – fliste plaka deri sa lotët nuk iu ndalnin.
- Pse po thua je vetëm? Ti nuk je vetëm, na ke neve, ne jemi si djemtë e tu, e ke dhëndrin. A ke nipa apo mbesa?
- Po e kam nji nip edhe nji mesë, mos me kanë ata kisha dashtë me dekë në këtë moment e me u varros për një ditë me Blertën.
- Jo, jo, mos fol ashtu, ti duhesh me qenë e fortë dhe krenare për krejt çka ka bërë Blerta për Kosovën dhe për femrat kosovare.
- Po kush po ia din çka ka ba, kërkujt nuk po ja ndien për kërkon sot. Edhe i kam thanë, mos u muno me ju nimu grave, se ato me kanë të meçme i nimojn’ veti. Por ajo gjithë ka besu se ka zgjidhje pa marr parasysh sa i komplikum u kanë problemi.
- Ajo ka bërë shumë mirë, edhe jo vetëm ju por krejt Kosova duhet të jetë krenare me të. Kosovës i nevojiten femra si Blerta.
- Eh, po, po, s’ka ma Blertë, çka dojn me ba tash ato gra që janë mvarë pej saj?
- Janë koleget e Blertës që do të vazhdojnë punën e saj.
- Po çfarë kolegesh, atyne nuk jav ndien me nga mas punëve të grave tjera si Blerta, ato shkojnë aty veç sa për rrogë. Si i kryjke projektet dhe nuk kish pare me i pagu ikshin, edhe jo që gjajshin punë tjetër, po ma mirë me ndejt se sa me punu badihava. Qe çfarë janë koleget e saj të shoqatës. Veç dy janë që punojnë si Blerta jeme, tjerat veç për pare.
- Si i kanë emrat ato koleget e mira të Blertës, na duhet të bisedojmë me to nëse dinë ndonjë gjë.
- Njana e ka emnin Dritë e tjetra Anitë. Blerta u kanë shoqe e mirë me to pej kur janë kanë fëmijë. Nëse Blerta ka pas naj problem, ato janë të parat që munen me e ditë. Blerta ma para ka folë me shoqe se sa me mu ose me burrë të vet. U kanë shumë e shlirë me to. Kaniherë hike në dhomë dhe folke në telefon me to me ka dy sahat. Kurrë nuk e di çka folshin.
- Ku i kanë shtëpitë Drita dhe Anita? Prej nga janë ato?
- Te dyja janë pej Peje, Drita jeton ngatë shkollës fillore “Hasan Prishtina” e Anita tybe nuk e di, e kam ditë por jam hup djali jem.
- Nuk ka problem, kur të bisedoj me Dritën e pyes për adresë të Anitës. Ku po donë me shku, se tani po e dërgojnë trupin në morg dhe nuk ke për çka të rrish këtu, sepse është shumë ftohtë. A do të dërgoj në shtëpi tënde apo të Blertës? –Kishte me qenë mirë që të shkosh dhe të kujdesesh për nipin dhe mbesën tënde.
- Po, po shkoj te fëmija, nuk ki nevojë me më qu ti, shkoj vet, ti shko gjaje kush ma ka vra çiken. Ma mirë gjaje ti se me ba me e gjet unë bahet puna keq.
- Tash ke fol mirë, unë do të dërgoj ty dhe Aliun në shtëpi se ju duhet me i lajmëruar të afërmit dhe me u përgatitë për varrim, e mandej unë do të punoj rreth rastit.
- Po valla duhet me i thirr akrabanë e me e organizu varrimin.
- Ku do ta varrosni, sepse kam dëshirë që të vij në varrim? - pyeti Agimi derisa hynë në veturë të ShPK-së.
- Sigurisht këtu në varreza të Pejës ngatë babës së vet. Por ban vaki që shoqata e saj dojn me ba ceremoni memoriali për të. Më duhet të flas me Dritën me e këqyr çka po dojnë me ba ato, tani me i përgatit tjerat sene. Duhet me e ba gati vendin për të pame se e di që kanë me ardhë shumë njerëz. Blerta ka pas shumë shoqni dhe besoj se të gjithë dojnë me ardhë në varrim edhe në të pame të saj.
- Mirë e ke valla. - tha Aliu, i cili ende dukej i hutuar. - Unë ende nuk po di as çka të mendoj më përpara. Nuk po mundem të besoj se Blertë nuk ka më! Na la të gjithëve! - Derisa fliste lotët i rrëshqitnin nëpër faqe.
- Kur do ta lironi kufomën? - pyeti Aliu.
- Besoj se nesër rreth mesditës, por unë do të bisedoj me patologun që ta bënë autopsinë sa më parë që të jetë e mundur. – ia ktheu Agimi.
- A ish kanë ma mirë mos me ia ba atë farë qysh po i thoni? - pyeti plaka.
- Jo loke është ma mirë me ia bë autopsinë, është si operacion që mund ta dimë se çka i ka shkaktuar vdekjen Blertës.
- Paj, po dihet bre që kjo u plagos në zemër edhe mandej zemra ju ka nalë... - fliste plaka e trullosur.
- Përveç kësaj do të na mundëson të gjejmë fakte të vrasësit në të. E di që autopsia nuk është e mirëseardhur tek ne, por duhet ta kuptojmë se është metoda më e mirë për ta zbuluar shkaktarin e vdekjes, e mandej mund ta dimë ndoshta edhe si ka ndodhur. - u tha Agimi duke i shikuar herë plakën e herë Aliun.
Agimi e dërgoi nënën dhe bashkëshortin e Blertës në shtëpi dhe mezi i mbajti lotët kur i pa fëmijët duke qarë dhe pyetur se çka ka ndodhur me nënën e tyre.

Komentet e ruajtura

Përgjigjja 1 · 2005-10-25

*****

Rrugët e qytetit të Pejës vërshonin nga demonstratat e grave kundër vrasjes së Blerta Krasniqit. Ato mbanin parulla të ndryshme:”Gjeni vrasësin!”, “Kosova ka humbur mjaft femra intelektuale”, “Stop vrasjeve në Kosovë!” etj.
Krahas shoqatave të grave kishte edhe një numër të madh të meshkujve, që kishin dalë të demonstronin kundër vrasjes së Blerta Krasniqit.
Të gjitha gazetat dhe revistat i kishin mbuluar faqet e para më fotografi dhe tregime për vrasjen e Blertës. Por policia nuk kishte dhënë detaje rreth vrasjes për shkak se rasti ishte ende nën hetime intensive. Shoqatat e grave deklaronin se vrasja kishte motive kundër të drejtave të grave. Por askush nuk e dinte sigurt se çka, si dhe pse ka ndodhur?!
Agimi dhe Kastrioti shkuan në spitalin e Pejës për të biseduar me patologun rreth autopsisë së Blertës.
Ata u prezantuan me dr. Xhafer Salihu, i cili kishte bërë autopsinë e Blertës.
- Dr. Xhafer, çka ka ndodhur me këtë femër?- pyeti Agimi.
- Lëndimet kanë qenë: dhunim, plagosje me armë zjarri, mavijosje në bërryla, këmbë, shpinë, gjoks dhe fyt si dhe lëndim prapa kokës.
- Çka i ka shkaktuar vdekjen? – pyeti Kastrioti.
- Gjakderdhja dhe bllokimi i frymëmarrjes. – tha dr. Xhaferi.
- Koha e vdekjes? - pyeti Agimi.
- Tre janar 2002, përafërsisht rreth orës 18.50.
- Çfarë faktesh keni gjetur që keni vërtetuar të gjitha këto lëndime?- pyeti Kastrioti.
- Faktet e gjetura janë: qime të organeve gjenitale të të dyshuarit, spermë në vagjinë, jargë nëpër gjoks dhe qafë, në gojë të viktimës është gjetur një copë materiali që duhet të jet material i përdorur për këmisha. Është lloj pëlhure dhe ngjyra duket e kaltër. Ndër thonj të viktimës është gjetur lëkurë dhe gjak që mund të jenë i të dyshuarit.
- A mund të ketë ndodhur që viktima ka pasur marrëdhënie me bashkëshortin e saj një ditë apo natë më parë dhe kjo të shfaqet në autopsi? – pyeti Kastrioti.
- Nëse ka pasur, atëherë ka qenë marrëdhënie shumë e ashpër dhe nuk besoj që burri që e do gruan e vet e lëndon në atë mënyrë. – tha dr. Xhaferi.
- Dr. Xhafer, çka mendon se ka ndodhur, cili është opinioni i juaj?- pyeti Kastrioti.
- Mendoj se viktima është kapur për bërrylit të majtë, sepse kanë mbetur mavijosje të gishtave të dyshuarit në krah. Duket se i dyshuari është dorë majtë. Lëndimi në këmbë duket të jetë i shkaktuar nga këpucët, sepse kanë mbetur vija mavijosje dhe gjatë analizave laboratorike është vërtetuar se ka qenë këpucë lëkure e zezë. Si duket i dyshuari e ka shqelmuar viktimën dhe mandej duket se ai e ka shtyrë viktimën nga shpina dhe ajo e ka goditur një mjet të fortë me pjesën e prapme të kokës dhe ai mjet duket të jetë i mobileve të drurit. I dyshuari e ka rrëzuar viktimën në dysheme dhe si duket e ka mbajtur shtrëngueshëm për kyçeve të duarve, sepse ka pasur mavijosje në duar të viktimës. Dhunimi është vërtetuar gjatë autopsisë ku ka pasur lëndime të vagjinës që ka shkaktuar gjakderdhje dhe skuqje. Si duket viktima është munduar ta largon të dyshuarin dhe e ka kafshuar, sepse gjatë autopsisë në gojën e saj është gjetur copë materiali i këmishëve. Nën thonjët e duarve të viktimës është gjetur lëkurë njeriu dhe gjak. Mendohej se viktima ende ka rezistuar dhunimin dhe se e ka gërvishtur me thonj të dyshuarin. Dhe pasi që i dyshuari nuk ka mundur ta mbante më nën kontrollë viktimën, besoj se e ka qëlluar me armë zjarri. Goditja duket të ketë ndodhë nga distancë prej 1-3 m. Nuk është gjetur plumb në trup të viktimës, sepse duket se plumbi ka depërtuar nëpër trup të viktimës, pasi që vrima ku ka dalë plumbi nga shpina është bukur e madhe. Një gjë shumë interesante që nuk kam parë kurrë më parë është se në plagë ka plastikë të zier. Mund te ketë ndodhur që viktima ka pasur në dorë ndonjë gjë plastike dhe është munduar ta mbron veten me të derisa kryerësi i veprës e ka goditur. Duket se ushqimi i saj i fundit ka qenë picë me perime. Viktima ka pasur hepatitin B si dhe herpes vaginal. Kushdo që e ka dhunuar viktimën e ka fituar herpesin, e ndoshta edhe hepatitin.
- Më fal doktor por çka është herpesi? - pyeti Agimi.
- Herpesi është sëmundje seksuale që tek femrat manifestohet me akne, skuqje dhe djegie në vagjinë. Është sëmundje ngjitëse. Tek meshkujt shenjat nuk shfaqen përveç nëse bie imuniteti i organizmit, atëherë virusi i herpesit shfaqet me gati të njëjtat simptome si tek femra. Kjo është e tëra, nëse gjeni ndonjë të dyshuar, atëherë do të jetë shumë lehtë që të bëni krahasimet me faktet e gjetura.
- Faleminderit, doktor! - i thanë njëzëri Agimi dhe Kastrioti dhe dolën nga spitali të habitur me gjithë ato fakte të gjetura.
- Ne duhet të shkojmë në zyrë, e t’i lexojmë të gjitha deklaratat dhe të shohim se çka do të mësojmë. – i tha Agimi derisa po hynin në veturë të policisë.
- Posa arritën në zyrë Agimi nxori të gjitha raportet nga dosja dhe filloi t’i lexonte deri sa Kastrioti dëgjonte.
- Më 04.01.2002 kemi marrë një thirrje nga baza për një femër, e cila dyshohet të ketë pasur aksident trafiku. Shënimet e veturës kanë qenë si më poshtë: Veturë Golf 2, ngjyrë e kuqe. Numri i tabelave: 2523-KS-2002. Gjithashtu baza më ka dhënë shënimet e shoferit si më poshtë: Blerta Krasniqi, 34 vjeçare, e gjatë 1.70, zeshkane. Flokë të gjata ngjyrë kafe dhe të drejta.
Gjatë patrullës jemi interesuar ta gjejmë veturën. Rreth orës 4:00 të mëngjesit duke patrulluar në rrugën “Ilaz Kodra” e kemi parë veturën, e cila dyshohej të ketë qenë involvuar në aksident. Jemi ofruar dhe kemi shikuar, por vetura ka qenë e mbyllur dhe e parkuar në parkim. Asgjë nuk është dukur që vetura të ketë qenë e involvuar në aksident. Por shoferi nuk ishte në veturë. Kam lajmëruar bazën dhe kemi vazhduar me patrullë. Duke e ditur se Golfit janë të lehtë për vjedhësit, kemi pasur frikë se dikush do ta vjedh veturën dhe kemi patrulluar përreth më shpesh.
Rreth orës 7:00 të mëngjesit duke patrulluar në fund të rrugës “Ilaz Kodra”, kemi parë një trup femre që ishte shtrirë në skaj të rrugës. Jam afruar dhe kam prekur pulësin dhe viktima kishte qenë e vdekur. Trupi ka qenë i shtrirë në rrugë me kokë drejt trotuarit dhe me këmbë nga rruga e automjeteve. Dukej se vrasja ishte kryer diku tjetër dhe viktima është zhvendosur në rrugë. Viktima dukej se është qëlluar me armë zjarri, ka mundësi që është dhunuar, sepse nuk ka pasur rroba veshur përveç atyre të brendshme. Gjithashtu karakteristikë tjetër ishte edhe makijazhi i saj që e bënte të dukej si prostitutë. Kam raportuar bazën. Mandej kam siguruar vendin e ngjarjes dhe kam filluar të pyes banorët në atë rrethinë se mos kanë parë apo dëgjuar ndonjë gjë. Një grua, e cila banonte në ndërtesën e gjelbër ka deklaruar se ka dëgjuar një krismë, por ajo ka thënë se ka qenë diku para orës 19:00 të mbrëmjes së datës 4.1.2002. Ajo e përshkruan se krisma është dëgjuar të jetë më larg dhe sikur të ishte në ambient të mbyllur. Ajo ka menduar se ka qenë fishekzjarre për shkak se fëmijët e kësaj lagjeje ndezin shumë fishekzjarre rreth festës së Vitit të Ri. Por ajo thotë se ka mundur të jetë armë zjarri.
Pasi kanë ardhë ekipet e hetuesisë dhe mjekësisë ligjore jam munduar të marrë më shumë informata nga banorët përreth, por askush nuk kishte parë as dëgjuar asgjë. Kam qëndruar aty deri në ora 8:00 të mëngjesit derisa ka ardhë ndërrimi i mëngjesit dhe na ka ndërruar komplet ekipin nga ndërrimi i natës.
- Ai djalë ishte i ri dhe si dukej e donte punën e policisë - tha Agimi.
- Shumë mirë, sepse pak ka që e duan këtë punë me zemër. – ia ktheu Kastrioti.
- Të shohim se çfarë kemi nga njësia juaj. - tha Agimi, Kastrioti nxori raportin dhe filloi ta lexonte.
Rreth orës 7:10 të mëngjesit kemi marrë thirrje nga baza për të shkuar në një vend ngjarje që duket të jetë vrasje në rrugën “Ilaz Kodra”.
Kur kemi arritur në vend ngjarje policia nga patrulla kishin siguruar vendin e ngjarjes dhe na treguan se nga kishin shkelur. Ne kemi shikuar çdo mundësi të gjurmëve. Viktima ka qenë e shtrirë në rrugë me kokë drejtuar nga trotuari dhe me këmbë nga rruga e automjeteve. Ka qenë e veshur në brekë dhe sutjeta. Flokë të shprishura dhe makijazh që e bënte të dukej si lavire. Sipas shenjave nëpër trup dhe mavijosjes, kemi dyshuar se viktima ka qenë e dhunuar. Dukej se viktima ka qenë e plagosur me armë zjarri, mirëpo gëzhoja e plumbit nuk është gjetur askund në vend të ngjarjes. Mendojmë se akti i krimit është kryer dikund tjetër dhe se viktima është zhvendosur me automjet. Themi këtë, sepse afër viktimës janë gjetur gjurmët e rrotave të automjetit. Rrotat kanë qenë të madhësisë 17, 14x18, që zakonisht përdoren në disa lloj automjetesh. Mund të jetë: BMW, Asconë, Honda, Opel, Ferrari. Në vend të ngjarjes nuk janë gjetur gjurmë këpucësh, kështu që mendojmë se i dyshuari nuk ka dalë nga automjeti fare, por vetëm e ka shtyrë dhe e ka hedhur në rrugë. Ndoshta kanë qenë dy persona, sepse do të ishte vështirë për një person ta shtyjë viktimën nga vetura dhe ajo të pozicionohet në atë mënyrë siç e kemi gjetur.
Në vend të ngjarjes kemi gjetur gjak, që sipas analizave laboratorike përputhet me gjakun e viktimës ku na bën të kuptojmë se viktima ende ka qenë duke derdhur gjak kur është hedhur në rrugë. Sipas temperaturës së viktimës dhe të motit viktima ka vdekur diku rreth orës 18:50 të datës 4 janar 2002. Do të vazhdojmë të kërkojmë gëzhojën e plumbit, kurse faktet tjera mbesin të panjohura për momentin.
Kastrioti e mbaroi raportin dhe priste komentet e Agimi dhe të Daniel-it.
- Të paktën autopsia është bërë shumë shpejt. - fliste Danieli derisa kishte vënë dorën në ballë duke u munduar të gjente përgjigjen pse dikush do ta vriste Blerta Krasniqin?
- Ndoshta e ka nervozuar dikë duke iu ndihmuar viktimave të dhunës familjare. - tha Agimi.
- A di çka, le të shkojmë në shoqatë dhe të bisedojmë me koleget e saj për rastet që ka punuar Blerta.
Agimi dhe Danieli dolën duke i veshur xhaketat e policisë, raportuan bazën se janë në terren dhe hynë në veturë Toyota të bardhë të UNMIK-ut.
Kur shkuan te zyra e shoqatës askush nuk ishte aty, dera ishte e hapur. Agimi mendoi se ndoshta punëtoret ishin diku afër ose në tualet. Por shumë shpejt e kuptuan se askush nuk ishte në zyrë. Atëherë Agimi telefonoi kolegen e Blertës, Dritën.
- Drita po më duhet ju lutem?
- Një moment, - u dëgjua një zë gruaje.
- Drita në telefon.
- Unë jam hetuesi Agim Tahiri, më vjen shumë keq që po ju shqetësoj por jam me shefin në zyrë të shoqatës suaj dhe askush nuk është këtu.
- Nuk e kemi hapur sot zyrën, sepse të gjitha koleget jemi këtu në të pame të Blertës.
- Problemi është se dera është e hapur, por nuk duket se dikush ka vjedhur, falë Zotit. Por kishte me qenë shumë mirë nëse ju kishit ardhë deri në zyrë që të bisedojmë dhe ta mbylleni derën.
Deri sa Agimi fliste në telefon shefi i tij Daniel ecte nëpër zyrë dhe kishte gjetur gjak në një nga zyrat e shoqatës. Doli në korridor dhe e thirri Agimin.
- Agim, këtu ka shumë gjak, si duket rasti ka ndodhur këtu.
Agimi u shokua për një moment dhe shkoi në zyrë ku i tha shefi i vet, kur e pa i mbylli sytë, mori frymë thellë dhe nuk lëvizi për disa sekonda mandej i tha Dritës: - Në një zyrë të shoqatës ka gjak dhe ne mendojmë se krimi është bërë në zyrë.
Drita filloi të qante në telefon i dëgjohej zëri, ajo tha përvajshëm:- Zot si është e mundur të ndodhë kjo, ende po më duket si një ëndërr e keqe. Do të nisem që të vij menjëherë.
- Faleminderit, e di që nuk e keni lehtë, por biseda me juve është shumë e rëndësishme për hetimin e rastit. Ju lutem bëhuni e fortë!
- Jam duke u munduar, por me të vërtet kur po i shoh fëmijët, Aliun dhe nënën e Blertës nuk po mundem me u mbajt.
- Do të presim këtu në zyrë, por na duhet të thërrasim njësinë e mjekësisë ligjore për të mbledhur faktet.
- Në rregull. Nuk ka problem, do të nisem menjëherë.
- Tung!
- Tung! - i tha Agimi dhe e mbylli telefonin e tij celular.
- Si nuk na ka shkuar mendja, që të vijmë këtu atë ditë kur e kemi gjetur trupin? - i tha Danieli, Agimit.
- As unë nuk e di pse, por më mirë që e kemi gjetur ne zyrën se sa të kishte hyrë dikush tjetër do t’i kishin dëmtuar faktet dhe ishin përzier gjurmët, por tani do ta thërras bazën për të kërkuar njësinë e mjekësisë ligjore. – tha ai.
Pasi Agimi kërkoi njësinë e mjekësisë ligjore filloi të shikonte dosjet e rasteve të dhunës familjare. Asnjë rast nuk ia tërhoqi vëmendjen se dikush nga ato raste do ta kishte vrarë Blertën. Si duket kompjuteri kishte qenë i ndezur, kishte pasur bateri dhe ende kishte rrymë, vetëm preku tastierën dhe u largua, ishte një foto me fëmijët e Blertës. Posa u largua fotoja, doli faqja në të cilën dukej se Blerta kishte qenë duke shkruar. Ishte një rast i një gruaje pa informata identifikimi, por vetëm përshkrim të ngjarjes. Si duket viktima ka dashur të jetë sekrete. Rasti dukej të ishte i komplikuar dhe në fund shkruante:“Kisha dashur që ajo të më lejonte që ta raportojmë abuzimin ndaj saj në polici, sepse kam frikë që burri i saj do ta vras. Por ajo thotë se nëse burri i saj e merr vesh që ka folë me mua, për problemin e abuzimit të saj, do të na vras që të dyjave. Problemi është se edhe nëse e lajmërojmë në polici dhe ai shkon në burg do të dënohet në maksimum pesë vjet, varet sa do të gjejnë fakte polica, si dhe nga gjykatësit. Nëse qëllon gjykatësi i keq e lëshon me kusht. Për këtë kam frikë, sepse kurdo që të del ai nga burgu do ta vras të gjorën. Përndryshe po të mos ishte ky rrezik unë vet do të kisha lajmëruar policinë”.
Agimi ia përktheu shefit të tij Daniel-it se çka lexoi në raport të Blertës. Drita i kishte thënë Agimit se Blerta ka dashur të qëndroj në zyrë deri vonë për të bërë raport financiar, por si duket Blerta ka shkruar për rastin e saj sekret.
Danieli deshi të thoshte diçka, por njësia e mjekësisë ligjore arriti në vend të ngjarjes dhe ai ndërroi mendjen.
Agimi filloi t’i tregonte kolegut të tij shqiptar, oficerit të SHPK-së nga mjekësia ligjore Kastriot Spahiut, kurse Danieli e informonte policin ndërkombëtar, Eric Forster.
Ata iu përvishën punës dhe ndërkohë erdhi Drita. Agimi nuk e la të hynte brenda, të shihte gjakun dhe vendin e ngjarjes.
Biseduan në ballkon të shoqatës, edhe pse ishte mjaft ftohtë dhe dridheshin. Por Agimi shkoi në çajtore dhe solli çaja për Dritën, shefin e tij dhe për vete. Çaji sa do pak i ngrohu, por ende dilte avull nga goja e tyre. Agimi i tregoi se rasti kishte ndodhur në zyrë dhe se trupi i Blertës është zhvendosur në rrugë.
- Një gjë nuk e kam të qartë,- tha Drita, - Pse vrasësi nuk e kishte lënë Blertën në zyrë por e ka bart dhe e ka hedhur në rrugë?
- Ndoshta ka dashur që trupi të gjendej sa më shpejt. - ia ktheu Agimi sikur të ishte 100% i sigurt se ashtu ka menduar vrasësi.
- Atëherë si e ka zhvendosur deri atje? Nuk besoj se e ka bartur në kurriz, -tha Drita e cila vet pyeste dhe vet përgjigjej.
- Pyetje me vend, - tha Agimi dhe e ftoi shefin e tij në bisedë. Së pari ia përktheu Daniel-it se çka kishin biseduar deri më tani dhe mandej të gjithë filluan të flisnin në gjuhën angleze. Drita fliste anglishten shumë qartë, gjë që i pëlqeu Agimit, pasi nuk kishte nevojë që të përkthente. Ata kishin përkthyes në zyrë, por nuk e merrnin asnjëherë në terren.
- Ndoshta Blerta dhe viktima sekrete e dhunës familjare, për të cilën Blerta paska qenë duke shkruar ka qenë në zyrë. Burri i saj e kishte përcjellur dhe posa kishte dalë viktima ndoshta burri i saj e ka vrarë Blertën. Kam frikë se burri i kësaj viktime, për të cilën Blerta ka shkruar e ka vrarë edhe gruan e tij.
- Po, atëherë ku është trupi?- tha Daniel.
- Ndoshta i dyshuari e ka fshehur diku dhe do, që së pari të gjendet Blerta e mandej të zbulohet viktima tjetër.
- Por, pse?
- Nëse i dyshuari e ka vrarë gruan e vet, atëherë ai e di se policia do ta dinte se ai i ka vrarë që të dyja. Për atë shkak nuk e qet trupin e gruas. Unë shpresoj që nuk do të ketë viktima tjera, por nëse diçka e tillë ka ndodhur, atëherë trupi i viktimës së dytë nuk do të gjendet për një kohë të gjatë ose humben fare gjurmët. – tha Daniel.
- Më mirë të mos spekulojmë, - tha Agimi, të cilit nuk i pëlqente ideja se mund të ketë edhe viktima të tjera.
- Këto janë vetëm mendime, por ti Drita heto nëse ndonjë grua tjetër është zhdukur. Kujdes, kush po hyn dhe po del për ngushëllime dhe si po reagojnë njerëzit. Nëse vëren diçka që të duket e pazakonshme të lutem më telefono! - e nxori një kartë biznesi dhe ia dha.
Të gjithë u përshëndetën dhe Drita shkoi. Agimi dhe Danieli hynë brenda dhe panë se njësiti i mjekësisë ligjore e kishte përfunduar punën. Ata vendosën shiritin policor, që të mos hyjë askush në atë ndërtesë. Mandej shkuan të bisedonin me pronarin e ndërtesës dhe banorët përreth, por askush nuk kishte dëgjuar as parë asgjë.
- A bën që ta pastrojmë se mund të kundërmojë erë e keqe? - pyeti pronari i ndërtesës.
- Jo njëherë, ne do të lajmërojmë kur mundesh, dhe në këtë të ftohtë mos u brengos për erë e as për miza. - i tha Kastrioti.
Orari i punës kishte përfunduar për të gjithë dy orë më parë. Agimi mezi nuk priste që të shkonte në shtëpi tek gruaja dhe fëmijët e tij. Derisa po mendonte i tha shefit të tij Daniel:”Rastet me të cilat punoj dhe viktimat që po i shoh gjatë detyrës nuk është punë e lehtë për mua. Por po të më ndodhë diçka e tillë në familje do të më shkatërronte tërësisht”.
- Shpresoj që askujt mos t’i ndodhë kështu. Kjo gjë është e tmerrshme. – tha Daniel.
- Edhe çka po na e bënë punën më të vështirë është se nuk kemi asnjë dëshmitar.
- Ndoshta ka dëshmitar, por njerëzit kanë frikë të përfshihen në këto raste për shkak se juve iu mungon ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve. - tha Daniel.
- E di, kam shpresuar se do ta shtronin këtë çështje në parlament dhe të aprovohet, por si duket kolonelët dhe nënkolonelët tanë nuk po kanë kohë për këto punë, sepse janë duke luftuar për grada dhe pozita. – tha Agimi me nervozë.
- Shpresoj se gjërat dhe ligjet do të ndërrojnë në Kosovë, - tha Daniel. - Ju keni përparuar mjaft, mos u nervozo për ligjet, të cilat ende nuk janë aprovuar, nuk besoj se është çështja vetëm tek kolonelët dhe nënkolonelët e SHPK-së. Ndoshta ata e kanë shtruar çështjen në parlament, por edhe nëse parlamenti e ka aprovuar ende duhet të shkon në tavolinë të administratorit të UNMIK-ut për aprovim. Kështu që nuk është duke u varur çdo gjë nga kosovarët. – tha Danieli duke u munduar ta qetësonte Agimin.

Përgjigjja 2 · 2005-10-25

*****

- Zotëri Ali! Çfarë keni bërë kur Blerta nuk ka ardhë në shtëpi sipas kohës së zakonshme?- pyeti hetuesi Agim.
- Unë kam pritur deri në ora 18.00, mandej kam telefonuar në zyrë të shoqatës, por nuk kishte përgjigje. Mandej kam telefonuar në telefon celular të Blertës, por prapë nuk kishte përgjigje. Mandej më ka kapluar panikë se mos i ka ndodhur ndonjë aksident trafiku në këtë borë dhe akull. Kanë qenë momente që e kam ndier veten shumë të ligë dhe se nuk kam mundur as të mendoj drejt, besomë tërë trupi më dridhej. Si duket Blerta ka vdekur në ato momente.
- Çfarë keni bërë mandej? - ia ndërpreu fjalën hetuesi Agim, sikur të mos i interesonte se si është ndier Aliu atë natë.
- Kam telefonuar tek vjehrra, se mos Blerta është ndalë gjatë rrugës për në shtëpi për ta vizituar nënën e saj. Blerta shumë herë duke u kthyer nga puna ndalej tek nëna e saj për vizita të shkurtëra e mandej vinte në shtëpi. Kjo ishte arsyeja që unë kam menduar se Blerta mund të ishte tek nëna e saj dhe se ka ndodhë, që e ka lënë telefonin celular në veturë.
- Sa ishte ora kur e keni telefonuar vjehrrën?
- Diku rreth 19:20.
- Çka të ka thënë vjehrra?
- Se nuk e ka pa Blertën atë ditë. - Aliu e shtrembëroi fytyrën derisa fliste me cinizëm.
- Çfarë keni bërë mandej?
- Kam telefonuar shoqet e saj, së pari Dritën e mandej Anitën.
- Në sa ora e ke telefonuar Dritën e në sa Anitën?
- Kur kam thirrur tek Drita, ora ka qenë rreth 19:20, kurse Anitën e kam thirrur në ora 19.30. Por me Anitën nuk kam biseduar, sepse kishte qenë e zënë.
- Çfarë keni bërë mandej?
- Kam telefonuar policinë dhe kam pyetur mos ka qenë ndonjë aksident trafiku i raportuar dhe iu kam dhënë të gjitha informatat e veturës dhe të Blertës.
- Çfarë keni bërë mandej?
- Kam pritur derisa fëmijët kanë fjetur dhe kam shkuar në zyrë të shoqatës?
- Pse keni shkuar atje?
- Sepse Drita më ka thënë se ajo dhe Anita e kanë lënë Blertën në zyrë të shoqatës.
- A i ke pasur këto këpucë mbathur atë natë? - Agimi nxori një palë këpuca të zeza nga rafti i evidencave.
- Po. - tha Aliu i habitur, sikur nuk dinte se çfarë ishte duke u bërë.
Tani Agimit u tensionua dhe filloi t’i bërtas Aliut.
- Në zyrë të shoqatës “Përparimi i Gruas” janë gjetur shenja të këpucëve me gjakun e Blertës në to. Këpucët janë tuajat. Ju keni qenë në zyrë dhe ju e keni vrarë Blertën. Janë shenjat e gishtërinjëve në tastierë ku ndizet drita. Dera nuk ka qenë e thyer dhe po ashtu janë gjetur shenjat e gishtërinjëve tuaj në rezë të derës.
- Çka jeni duke thënë, ju jeni duke menduar se unë e kam bërë këtë krim? Ju nuk jeni normal! Unë nuk e kam vrarë Blertën! Unë e kam dashur Blertën! Filloi të dridhej dhe të bërtiste Aliu, të cilin e kishin mbuluar djersët.
- Por atëherë si i shpjegoni ju se dera ka qenë e hapur, shenjat e gishtërinjëve tuaj janë gjetur në rezë të derës, në tastierë dhe më në fund gjaku i Blertës në këpucët e tua.
- Kam shkuar para zyrës dhe e kam parë veturën e Blertës në parkim para ndërtesë së zyrës, unë kam menduar se Blerta është brenda. Dera ka qenë e mbyllur, por pa çelës. Normal që janë gjetur shenjat e gishtërinjve të mi në rezë të derës si dhe në tastierë, sepse unë e kam hapur derën dhe jam munduar që ta ndezi dritën, sepse ishte shumë terr. Por nuk ka pasur rrymë, nuk kam parë asgjë dhe kam dalë. Më është dukur çudi që dera ishte pa çelës, por kam menduar që Blerta e ka harruar.
- Dera nuk ka qenë e mbyllur me çelës fare, sepse Blerta ka qenë në zyrë kur ke shkuar ti. Ti ke shkuar në zyrë para orës 18:00, e ke dhunuar dhe vrarë Blertën ia ke veshur brekët dhe sutjetat, ia ke vendosur grimin në fytyrë dhe e ke futur në veturë kur nuk ka pasur rrymë dhe e keni hedhur trupin e saj në rrugë derisa keni qenë duke shkuar në shtëpi. Mandej keni pasur mjaft kohë të planifikosh të gjitha këto, mandej ke shkuar në shtëpi dhe ke filluar me lojën tënde se kinse jeni i brengosur për Blertën. Mos u mundo të manipulosh me ne!
- Unë kam qenë në shtëpi deri në ora 20:30. Kjo nuk është e mundur, nuk mund të më fajësoni mua. Duhet të më besoni.
- Nëse ke qenë në shtëpi, pse atëherë nuk ke telefonuar nga telefoni e shtëpisë, por nga telefoni celular?
- Sepse ato kanë telefona mobil të valës 900 dhe më lirë me thirr nga celulari se sa nga telefoni i shtëpisë.
- Arsyetime të mira je duke bërë. Por, shenjat e gishtërinjëve përputhen me ato të gishtërinjëve tuaj, gjaku i Blertës është gjetur në këpucët tua si dhe shenjat e këpucëve tua janë gjetur nëpër zyrë. Këto janë mjaft fakte për të dyshuar në ty. - ia tha Agimi të gjitha në shpejtësi mandej mori frymë thellë dhe filloi të fliste më ngadalë.
- Dëgjo mirë, nëse do të na tregosh pse e ke vrarë ndoshta do të mund të ndihmojmë. - Tani hetuesi Agim filloi të luante me Aliun në mënyrë që ta nxiste të fliste për mllefin, që Aliu ndoshta e fshihte.
- Nganjëherë këto gratë e shkolluara e intelektuale na e teprojnë, nuk durohen duke folur për të drejta të grave tërë kohën. Nëse diçka e tillë ka ndodhur, atëherë e ke më mirë të më tregosh, sepse unë nuk mund të ndihmoj pa e ditur arsyen tënde. Nëse ke pasur arsye të mirë mundem që t’i fsheh faktet. Unë jam polic, por nuk jam ithtar i femrave intelektuale.
- Ju nuk jeni normal! Unë nuk e kam vrarë Blertën! Unë e kam dashur dhe kam qenë krenarë me të!
- Po shumë mirë, si atëherë i shpjegon gjurmët e krimit? - i tha hetuesi Agim.
- Unë të tregova. – ia ktheu Aliu.
- Zhvishe këmishën dhe na trego kurrizin.
Aliu bëri si i tha Agimi. Por në kurriz nuk ishin gërvishtjet, që ata pritnin t’i shihnin. Agimi ka menduar se Blerta e ka gërvishtur me thonj në kurriz derisa ai e ka dhunuar. Pasi nuk kishte asnjë gërvishtje në kurriz, Agimi ia shikoi duart dhe krahët. Por nuk kishte asnjë gërvishtje.
- Zhvishi pantallonat! - Aliu bëri ashtu si i tha Agimi, por prapë nuk kishte asnjë gërvishtje e as kafshim.
- Nuk e di çka është duke ndodhur këtu, por një gjë ju garantoj se unë nuk e kam lëndua Blertën dhe ju jeni duke bërë gabim të madh.
- Ne nuk jemi në gabim, por ti trego ku e ke lënë armën me të cilën e keni vrarë Blertën?
- Unë nuk kam armë, as kurrë nuk kam pasur dhe unë nuk e kam vrarë Blertën, a kupton ti a jo? Edhe si e zbulove ti që këpucët e mia kanë gjak të Blertës?- pyeti Aliu.
- Atë natë kur kam ardhë për vizitë në shtëpinë tënde, kur kam dalë jam ulur në shkallë për t’i mbathur këpucët. Këpucët e tua kanë qenë afër këpucëve të mia dhe e vërejta që kishte gjak në to. Mandej e kam ftuar kolegun tim nga mjekësia ligjore, kemi ardhë natën vonë dhe bashkë me të i kemi marrë shenjat e këpucëve tua dhe gjakun e Blertës në to. A të kujtohet që të nesërmen në mëngjes nuk i keni gjetur këpucët para dere dhe keni menduar se dikush ju ka vjedhur. Unë dhe kolegu im i kemi marrë, ato janë në laborator dhe janë fakte kundër jush. Mandej kemi shkuar në zyrë të shoqatës, kemi shikuar dhe krahasuar me gjurmët që janë lënë në zyrë dhe qëlloja çka? Këpucët tua përputhen me gjurmët e këpucëve të lëna në zyrë, dhe gjaku në këpucë është i njëjtë me gjakun e Blertës.
- Besomë unë kam hyrë në zyrë, por nuk kam parë çka ka pasur, nuk ka pasur rrymë. Ju mund t’i pyesni fqinjët.
- Po, po i kemi pyetur ne fqinjët, normal që nuk ka pasur rrymë dhe juve ju ka konvenuar terri për të mos iu parë askush. Edhe pse dritat e veturës kanë qenë të fikura prapë e kanë parë se çfarë veture ka qenë.
- Kjo nuk është normal. Asgjë nuk ka të vërtetë! Dikush më ka vënë kurthin dhe i ka bërë faktet që të më fajësojnë mua.
- Si është e mundur që dikush i ka bërë faktet dhe i ka vendos gjurmët, kur ti vet ke pranuar se ke qenë në zyrë dhe i ke pasur po këto këpucë mbathur.
- Ju jeni tradhtar, atë ditë më thoshe që të vinte keq, kurse ti ke ardhë aty me tjetër qëllim. - fliste me zemërim Aliu.
- Është e vërtetë që më ka ardhë keq për Blertën edhe për tërë familjen e saj! Por nuk më vjen keq ta fus në burg vrasësin e saj! Mjaft më! Zotëri ju jeni të arrestuar për vrasjen dhe dhunimin e Blerta Krasniqit, keni të drejtë të mos thoni asgjë, çka do që të thoni mund të përdoret kundër jush në gjykatën e drejtësisë. - Agimi ia vuri prangat Ali Krasniqit. Shefi i tij ndërkombëtar ishte me të gjatë tërë kohës, por nuk e pengonte gjatë pyetjeve. Dukej se kishte besim tek kolegu i tij hetuesi Agim. Ata së bashku e dërguan Aliun në paraburgim në stacionin policor të Pejës pasi që në hetuesinë rajonale nuk kishte vend të lirë. Si duket policët e Pejës kishin kapur shumë kriminel sa që nuk kishin vend ku t’i mbanin deri sa të dilnin në gjyq.
- Sa mirë që ligji në Kosovë iu jep 72 orë kohë për të mbajtur të dyshuarit në paraburgim. Do të kemi mjaft kohë që të përgatisim të gjitha raportet për gjyq. - tha polici ndërkombëtar, të cilit i pëlqente kjo metodë, sepse në shtetin e tij policët nuk kishin mjaft kohë për të kompletuar hetimet.

Përgjigjja 3 · 2005-10-25

2

Arjeta ishte duke shkuar në shtëpi rreth orës 22:30, të 1 shkurtit 2002, ditë e premtë. Ishte ftohtë dhe nga larg shihte një femër në brekë dhe sutjeta, e cila ishte mbështetur për një shtylle elektrike. Arjeta mendoi:” E po shumë budallenjë ka në këtë botë, është dalë aty lakuriq e u mërdhi veç sa me u shitë!”
Secilën herë që i afrohej shtyllës i dukej diçka e çuditshme dhe kur u afrua u mundua që mos ta shikonte, por gjaku i shpërndarë nëpër borë ia tërhoqi vëmendjen. Arjeta ngriti kokën, shihte një femër të zhveshur, ajo ishte e lidhur për shtylle dhe dukej se ishte e vdekur po ajo kishte frikë ta prekte. Nxori nga çanta telefonin celular dhe thirri policinë. Nuk u bënë as pesë minuta dhe qyteti i Prizrenit ushtonte nga sirenat e policisë dhe të auto-ambulancës. Arjeta kishte frikë të rrinte vetëm në rrugë, si duket nuk qenka e sigurt të ecësh vetëm në këtë kohë. Arjeta priti derisa erdhën policia.
- Çfarë ka ndodhë këtu?- pyeti një polic, i cili sipas gradave që mbante në krah dukej se ishte rreshter. Polici e shikonte herë dëshmitaren e herë viktimën.
- Unë isha duke shkuar në shtëpi dhe nga larg dukej se ishte një femër e mbështetur për shtylle. Kur jam afruar e pashë gjakun të shpërndarë nëpër borë dhe pashë se ajo ishte e plagosur dhe e lidhur për shtyllës elektrike.
- Trego ku keni shkelur, sepse duket se ka gjurmë të këpucëve nëpër borë? - pyeti polici, i cili u prezantua si Ajet Ibishi.
Arjeta i tregoi dhe gjurmët e këpucëve të saj dukeshin shumë qartë. Atëherë Ajeti nxori radion kërkoi njësinë e mjekësisë ligjore dhe të hetuesisë që të vinin në vend të ngjarjes. I urdhëroi policët e tij që të pyesin qytetarët që banojnë në atë rrethinë mos kanë parë ndonjë gjë. Mandej rrethoi me shirit policor vendin e ngjarjes.
- Shpresoj që njësia e mjekësisë ligjore do të vijë shpejt, sepse si duket bora që po bie do t’i mbulojë dhe shkatërrojë të gjitha gjurmët. Ajeti i tha shoferit të auto-ambulancës se kishin nevojë për mjekun kujdestar.
Të gjithë ishin të habitur dhe të befasuar me këtë vrasje. Askush nuk e njihte viktimën, ajo nuk kishte ndonjë dokument identifikimi. Derisa policët nga patrulla intervistonin qytetarët, në vend të ngjarjes arriti ekipi i mjekësisë ligjore dhe i hetuesisë.
Ata së pari bën fotografitë dhe mandej nxorën veglat e tyre për të mbledhur faktet. Rreshteri Ajet e informoi Hetuesin e SHPK-se Ygjel Kyçyk se si rasti ishte raportuar nga Arjeta dhe mandej e la që ai ta kryente punën e tij. Ygjeli telefonoi prokurorin si dhe mjekun kujdestar për ta vërtetuar vdekjen. Policët nga patrulla dhe hetuesia intervistonin qytetarët, kurse policët nga njësia e mjekësisë ligjore mledhnin gjurmët e krimit nga vendi i ngjarjes. Ata e përfunduan punën e tyre pas tri orësh, e morën viktimën dhe e dërguan në morg për t’ia bërë autopsinë, pasi që prokurori ashtu kishte urdhëruar.
Grumbulli i njerëzve u shpërnda, por askush nuk e ndiente veten aq keq për prostitutën e vrarë. Bile një çift i vjetër tha: “E ka gjet çka ka lypë, edhe ai që e ka vra e ka pastrue tokën prej saj, sigurisht u kanë burri i saj ose dashnori ai që e ka vra, askush nuk donë me pa të dashurën e vet tuj bë këso sendesh!” . - Fliste plaka më shumë turqisht se sa shqip.
Hetuesi Ygjel shkoi në zyrë dhe filloi të lexonte deklaratat e qytetarëve si dhe dëshmitares, e cila e kishte parë viktimën e para. E brengoste fakti që askush nuk e njohu në vend të ngjarjes dhe se viktima nuk kishte asnjë lloj dokumenti identifikimi.
Ygjeli e kishte shef një policë ndërkombëtar nga India, i cili quhej Sunill dhe nuk kishte lidhje as përvojë për hetimin e rasteve të vrasjeve dhe të dhunimeve.
Ai iu afrua dhe i tha përkthyesit: - Thuaj Ygjelit mos u merakos për vrasjen, ajo ka qenë prostitutë, prit derisa ta gjejmë familjen e saj që t’ua dhëmë kufomën dhe mandej mbylle rastin. - Kur përkthyesi ia përktheu Ygjelit se çka tha shefi, atij i ndërroi ngjyra e fytyrës. Ai e kuptonte anglishten por polici Sunill kishte një theks të rëndë dhe Ygjeli nuk e kuptonte mirë.
- Pa marrë parasysh se çka dhe si ka qenë viktima është puna e policisë, që të gjejë të dyshuarit dhe t’ia dorëzoj gjykatës. Ne nuk e dimë në të vërtetë nëse viktima ka qenë prostitutë. Edhe vetëm sa për informacion unë do të punoj në rast derisa të gjej vrasësin. E ky zotëria nëse nuk është i interesuar të punoj të paktën thuaj që të më lë rehat që unë ta kryej punën time. - tha Ygjeli me nervozë.
Pasi përkthyesi ia përktheu shefit të tyre indian fjalët e tyre, Sunill-i u tensionua. Ai filloi të fliste aq shpejt sa që përkthyesi nuk kishte mundësi ta kuptonte se çfarë thoshte, por edhe po ta kuptonte nuk do të kishte mundur të arrij që t’ia përkthente Ygjelit. Indiani u bë nervoz pse shqiptari nuk u pajtua me të.
- Po harron se nëse është shef duhet të punojë, e nëse ka ardhë në Kosovë vetëm sa për para, atëherë le të rri në zyrë. Nëse nuk është i interesuar që të punojë, - i tha prapë polici i SHPK-së të lutem më lë rehat ta kryej punën time, sepse unë jam në shërbim të popullit tim dhe populli im kërkon nga unë të jap informacione rreth vrasjes.
Polici ndërkombëtar Sunill u bë shumë nervoz, dhe doli nga zyra dhe e mbylli derën me forcë sa që shkaktoi dridhje të dritareve dhe rënien e pluhurit.
Ygjeli vazhdoi të lexonte të gjitha raportet dhe deklaratat prapë nga fillimi. Pasi që Sunill e kishte penguar. Ygjeli ishte i koncentruar dhe ishte i vetmi që kishte mbetur në zyrë. Cingërima e telefonit të tij e zgjoi nga mendimet.
- Alo!- u lajmërua Ygjeli.
- A është gjithçka në rregull? E di që keni punë, por është bërë vonë dhe jam bërë merak për ty. - i tha gruaja e tij.
- Jo, jo asgjë nuk ka ndodhur me mua, por ende jam duke punuar në një rast që ka ndodhur sot.- Ygjeli e shikoi orën dhe e pa se ishte 19:20 .
- Nuk e paskam ditur që është bërë kaq vonë. Do të vij menjëherë, sepse edhe jam i uritur. A ke përgatitur diçka për darkë?
- Po, për atë desha që të thërras sa është ende të nxehtë.
- Çka ke përgatitur?
- Është befasi. - ia kthei gruaja duke qeshur.
- Mirë atëherë do të nisem menjëherë.
- Tung!
- Tung! Ygjeli e mbylli telefonin, fiku kompjuterin, mbylli zyrën dhe shkoi në shtëpi.

Përgjigjja 4 · 2005-10-25

*****

- Tregomë se çka ka ndodhur mes jush dhe Sunillit dje? - pyeti shefi i hetuesisë rajonale, George Brecknell, posa hyri në zyrë të Ygjelit.
- Unë isha duke i lexuar raportet e policëve dhe deklaratat e dëshmitarëve për rastin e asaj femrës që është gjetur dje e vrarë. Sunill më tha përmes përkthyesit, që po sa ta gjejmë familjen e viktimës dhe t’ua dorëzojmë kufomën, ta mbyllim rastin pasi që viktima ka qenë prostitutë. Unë i thashë se është punë e policisë ta gjej të dyshuarin pa marrë parasysh se kush dhe çka ka qenë viktima. Ai u bë nervoz dhe filloi të fliste diçka që nuk e kuptuam as unë e as përkthyesi, si duket fliste indisht. Gjithashtu i thashë se nëse nuk jeni i interesuar të punosh mund të rri në zyrë, por e luta që të mos më pengon ta kryej punën që pritet të bëhet nga unë, pasi që unë jam në shërbim të popullit tim.
- Ju keni vepruar shumë mirë, është punë e policisë t’i gjej kriminelët pa marrë parasysh se kush dhe çka ka qenë viktima. Çfarë bën Sunilli kur ju punoni?
- Sunilli luan tërë ditën me karta dhe flet në internet me familjen e tij. Kur mërzitet për familje të tij më thotë:”unë e kam lënë familjen dhe kam ardhur t’ju ndihmoj juve!”, por ai nuk është duke na ndihmuar fare, ai vetëm është duke na penguar në punë. Ju mund t’i pyesni edhe kolegët tjerë.
- A keni ndonjë rast që ka mbetur pa u përfunduar ose pa punuar për shkak të Sunillit?
- Po ka shumë raste. Ai nuk na lënë të punojmë. Problemi është që shumë herë nuk kemi veturë të SHPK-së, që të shkojmë në rast dhe kur kërkojmë ndihmë nga Sunilli me na dërguar me veturë të tij ai refuzon duke gjetur arsyetime të kota.
- A ke ndonjë rast të veçantë, që nuk ju ka lënë të punoni?
- Po, rasti i fundit që ka ndodhur, kinse vetëvrasje nuk kemi mundur të punojmë në të, edhe kam frikë se ajo nuk ka qenë vetëvrasje, por dikush e ka vrarë dhe e ka bërë vendin e ngjarjes që të duket si vetëvrasje. Ky është duke besuar se është vetëvrasje dhe është duke na penguar të hetojmë rastin më tutje.
- Nëse doni që ta largoi Sunillin nga kjo zyrë, më duhet një ankesë nga ju dhe e nënshkruar nga të gjithë kolegët e tuaj, të cilët duhet të pajtohen me ato çka ti shkruan në ankesë, mandej unë do ta largoi Sunillin nga kjo zyrë, do të sigurohem që ta gjej dikë që e njeh punën dhe bashkëpunon me juve. Ju e dini që ne ndërkombëtarët jemi këtu për kohë të shkurtër dhe ju duhet të vazhdoni të punoni në rastet që i keni. Është e vërtetë se ju nuk mund të vareni nga ndërkombëtarët. Ne është dashur që t’iu mësojmë juve, por e di që në UN ka shumë ndërkombëtar, që nuk dinë t’iu mësojnë, por kanë dëshirë të komandojnë.
- Faleminderit shumë për mirëkuptim! - i tha Ygjeli shefit rajonal të hetuesisë George Brecknell.
- S’ka problem, çdo herë do ta keni përkrahjen time gjersa jam unë këtu. Vetëm dëshiroj që të më informoni me kohë kur keni probleme të tilla me mbikëqyrësit, në mënyrë që unë të kem mundësi të marrë masa ndaj tyre më shpejt. Nëse keni diçka që nuk jeni të sigurt apo keni nevojë thjeshtë të bisedoni me dikë, atëherë ju lutem mos hezitoni që të vini në zyrën time dhe të bisedoni me mua. E di që në punën e policisë shumë herë mungojnë faktet dhe dëshmitarët dhe nganjëherë sikur kemi parandjenja se diçka nuk është në rregull për hetimin e rastit. Ndodh që shumë herë i shohim faktet para syve, por nuk na shkon mendja për gjërat të thjeshta që mund të luajnë rol të rëndësishëm në hetimin e rasteve.
- Ju jeni duke më kuptuar shumë mirë. Pikërisht ky rasti që ka ndodhur sot, nuk më duket se viktima ka qenë prostitutë, edhe pse veshja dhe dukja e saj të bën të mendosh... Por e ndiej se diçka nuk është në rregull!
- A doni të bisedojmë për këtë rast që tani?
- Me gjithë dëshirë, nëse keni kohë! - tha Ygjeli.
- Ky është rast i rëndë, normal që duhet të gjej kohë për rast si ky.
- Në rregull, atëherë... - filloi të fliste Ygjeli. - Viktima është gjetur në rrugë e lidhur për një shtylle elektrike. Duket se është e plagosur nga armë zjarri, ka mundësi që është dhunuar. Ka pasur mavijosje në bërryla, gjunjë, gjinj dhe qafë. Prapa koke ka pasur një plagë që duket sikur e ka goditur për ndonjë tehu. Nuk e di në çka është goditur, por plaga dukej ashtu. Ka pasur gjak në borë që dukej se viktima kishte gjakderdhur shumë. Gjithashtu ka qenë e lidhur me tel elektrik dhe shpresoj se njësia e mjekësisë ligjore do të gjen shenja të gishtërinjëve të të dyshuarit. Por nëse i dyshuari ka përdorur dorëza do të jetë shumë më vështirë t’i zbulojmë. Duket se krimi është kryer diku tjetër dhe viktima është sjellur në rrugë dhe është lidhur për shtylle elektrike.
- Çfarë të bën të mendosh ashtu? - pyeti shefi Brecknell.
- Sepse gjatë rrugës shiheshin shenjat e rrotave të veturës, që ka pasur gjak në to. Të paktën ashtu dukeshin shenjat e rrotave të veturës. Viktima dukej se është zhvendosur zvarrë deri te shtylla, sepse shiheshin shenjat e gjakut dhe të gjurmëve të këmbëve nëpër borë.
- Mund të ketë ndodhë pikërisht ashtu. Çka mendoni për viktimën?
- Diçka në brendësi të zemrës e ndiej se ajo femër nuk ka qenë prostitutë.
- Çka tjetër është duke të brengosur?
- Është duke më brengosur fakti, që ende nuk dihet identiteti i saj. Janë bërë më shumë se 24 orë nga gjetja e trupit të saj, por ende askush nuk ka ardhë në polici të raportoj për ndonjë të zhdukur. Kjo është e pazakontë në Prizren. Zakonisht në këtë qytet të vogël, qytetarët e njohin njëri-tjetrin.
- Nëse askush nuk e kërkon deri nesër atëherë do të kërkojmë ndihmë nga qytetarët.
- Si do të kërkojmë ndihmë? - pyeti Ygjeli.
- Duhet ta lajmërojmë në TV, radio dhe gazeta dhe nëse dikush din diçka për identitetin e saj, të thërras në polici në numrin e telefonit, që është lajmëruar në emisionin “Dosja e Krimit”. Jam i sigurt, që nëse dikush ka parë se çfarë ka ndodhur, njerëzit këtu kanë frikë të raportojnë. Për këtë arsye besoj se është më mirë që të kërkojmë nga qytetarët të telefonojnë në atë numër, pasi që emri i telefonuesit do të jetë anonim dhe numri i telefonit do të jetë sekret në “Dosjen e Krimit”.
- Ide shumë e mirë. Ende jam duke pritur raportet e mjekësisë ligjore dhe të autopsisë. Por do të shkoj në laborator, që të bëj disa fotografi nga viktima. Do të pres derisa patologët të bëjnë autopsinë dhe mandej të pastrojnë fytyrën e kufomës nga ato makijazhet e këqija, mandej do të bëjë foto, sepse nëse e fotografoj ashtu dhe e vëmë atë foto në TV dhe gazeta ndodh që askush mos ta njeh.
- Ide e mirë, atëherë vazhdo punën. Unë do ta heq qafesh Sunillin.- tha shefi i hetuesisë rajonale George Brecknell derisa ishte duke dalur nga zyra e Ygjelit.
Ygjeli e falënderoi edhe një herë atë dhe mandej u nis për në laborator. Duke kaluar pranë zyrës së njësisë kundër trafikimit dhe prostitucionit i shkoi mendja që të bisedonte me ta. Ygjeli mendonte:”nëse viktima ka qenë me të vërtet prostitutë, atëherë kjo njësi do të ketë shënimet e saj, pasi që ky njësit ka gati të gjitha shënimet në bazë të dhënave”. Kështu Ygjeli trokiti në derë dhe pasi mori përgjigjen hyrë, hyri brenda. Shefi ndërkombëtar i asaj njësie ishte një amerikan, i cili ishte bashkëpunëtor shumë i mirë.
- Unë jam Ygjeli nga njësia rajonale për hetimin e vrasjeve.
- Kurse unë jam Andy Veal nga njësia,të cilën po e dini. Si mund t’ju ndihmojë.
Ygjeli mendoi, interesant puna e këtyre amerikanëve, nuk ta zgjatin shumë, drejt e në temë.
- Kam nevojë për ndihmën tuaj për një rast që viktima e vrasjes dyshohet se ka qenë prostitutë dhe identiteti i saj ende nuk dihet.
- A keni ndonjë foto të saj?- pyeti Andy.
- Kam foto nga vendi i ngjarjes, por ka makijazh që vështirë mund ta njihni.
- A bën ta shoh?
- Po. – tha Ygjeli dhe nxori fotot nga dosja, që mbante në duar me shumë letra tjera dhe ia tregoi.
Andy së pari bëri me kokë në shenjë mohimi e mandej tha:
- Po më duket sikur e kam parë dikund, por nuk më kujtohet ose nuk po e di saktë se kush është për shkak të makijazhit.
- A bën që të shoh fotot e viktimave të trafikimit dhe prostitucionit, që i keni në bazën e të dhënave.
- Nuk është ide e mirë, por pasi që jeni duke hetuar vrasje do të lejoj. - Andy e shtypi fjalën kaluese për në sistem dhe mandej Ygjeli u ul dhe i shikonte të gjitha rastet një nga një. U befasua me disa raste që i pa në atë sistem, sepse i njihte disa femra dhe ai kurrë nuk do të kishte besuar se ato kanë qenë viktima të trafikimit e as të prostitucionit. Por nuk bëri zë dhe u mundua që mos të reagonte. Ygjeli i humbi tri orë duke kërkuar informata në atë sistem, por asnjë foto nuk i ngjante viktimës së tij. Pas tri orësh Andy e pyeti.
- A gjete diçka ndihmëse?
- Jo asgjë, asnjë nga viktimat e juaja nuk i ngjanë viktimës time. - tha Ygjeli
- Kishte me qenë mirë nëse bisedon me organizatën IOM, sepse ato kanë shumë informata për këto raste. Do të kisha sugjeruar që të bisedosh me një femër, që punon aty dhe ajo i di gati të gjitha rastet. Ajo quhet Eli Tiko.
- Mirë, atëherë do të shkoj në IOM, faleminderit!
Kur Ygjeli doli nga zyra e njësisë së trafikimit dhe prostitucionit ora ishte 12:30 dhe ishte i uritur, kështu që vendosi të merr një byrek gjatë rrugës. Por pasi që të gjitha organizatat dalin për drekë në ora 12:00 -13:00 vendosi të shkonte në byrektore dhe të pinte ndonjë çaj të ngrohtë mandej të shkonte në IOM pas orës 13.00.
Pas dreke Ygjeli shkoi dhe parkoi veturën e policisë së SHPK-së para ndërtesës së organizatës IOM dhe hyri brenda ku e priti një femër, e cila u prezantua si Edina.
- Unë jam Ygjeli nga njësia e hetuesisë rajonale për hetimin e vrasjeve.
- Mirë se vini! - tha Edina.
- Mirë se ju gjej! A është Eli Tiko këtu?
- Jo, Eli është në pushim deri më 4 shkurt. A mundem unë që t’iu ndihmojë?- pyeti Edina disi me dyshim.
- Po, pse jo. - tha Ygjeli dhe filloi t’i tregonte për viktimën, e cila dyshohet të ketë qenë prostitutë.
- Kush është ajo?
- Këtu është problemi, nuk e dimë se kush është dhe prej nga është.
- A keni ndonjë foto me vete?
- Po i kam disa foto nga vendi i ngjarjes. Ygjeli i nxori fotot dhe ia tregoi.
Edina filloi ta sillte kokën dhe vuri rrudhat në ballë duke menduar.
- Kjo femër më duket shumë e njohur, por nuk më kujtohet se ku e kam parë e as kush është!
- Kështu më ka thënë edhe shefi i njësisë kundër trafikimit dhe prostitucionit. Ndoshta nuk po e njihni për shkak të makijazhit.
- Ndoshta, zakonisht prostitutat mundohen ta ndërrojnë pamjen të mos njihen nga askush.
- Mirë pra, unë do të shkoj në laborator dhe do të bëj disa foto të viktimës pa makijazh e mandej shihemi prapë. Nëse ju kujtohet se kush është kjo, atëherë të lutem më telefono menjëherë!- Ygjeli nxori një kartë biznesi dhe ia dha Edinës derisa u ngrit për të dalë. U përshëndet me Edinën dhe u nis për në laborator.

Përgjigjja 5 · 2005-10-25

*****

Ygjeli ishte ulur në zyrë dhe filloi t’i lexonte raportet, të cilat i kishte marrë nga patologu mbi autopsinë e viktimës si dhe raportin e mjekësisë ligjore rreth fakteve nga vendi i ngjarjes.

Përshkrimi i raportit të autopsisë nga dr. Isuf Aliu
Viktima duket të jetë 34-36 vjeçare, është e gjatë 1.70 cm dhe peshon 58 kg.
Data dhe koha e vdekjes: 1 shkurt 2002, rreth orës 20:00.
Lëndimet e marruara:dhunim dhe plagosje me armë zjarri, mavijosje në bërryla, këmbë, shpinë, gjinj dhe fyt, lëndim prapa koke dhe shtrëngim të fytit.
Shkaktari i vdekjes: gjakderdhje dhe shtrëngim të frymëmarrjes.
Arma e vrasjes: revole #9 mm.
Faktet e gjetura: qime të organeve gjenitale të të dyshuarit, spermë në vagjinë, jargë nëpër gjoks dhe qafë. Në gojë të viktimës është gjetur lëkurë njeriu, që besohet të jetë e vrasësit.

Opinioni i patologut
Viktima është kapur për duarve dhe këmbëve në anën e majtë, sepse kanë mbetur mavijosje të gishtave të dyshuarit në krahë dhe këmbë. Gjithashtu në këmbën e majtë ka mavijosje që duket të jetë i shkaktuar nga këpucët, sepse kanë mbetur vija mavijosjeje dhe gjatë analizave laboratorike është vërtetuar se kanë qenë këpucë lëkure. Si duket i dyshuari e ka shqelmuar viktimën dhe mandej duket se ai e ka shtyrë viktimën nga kurrizi dhe ajo ka goditur diçka të fortë si teh me pjesën e prapme të kokës. Kjo dëshmohet për shkak se viktima ka pasur mavijosje në kurriz dhe lëndim prapa kokës. I dyshuari e ka goditur viktimën disa herë në fytyrë, sepse gjatë autopsisë janë gjetur shenja të mavijosjes në formë gishtërinjësh.
Viktima është dhunuar dhe kjo është vërtetuar gjatë autopsisë, viktima ka pasur lëndime të vagjinës, që ka shkaktuar gjakderdhje dhe skuqje. Si duket viktima është munduar ta largonte të dyshuarin nga ajo dhe e ka kafshuar, sepse gjatë autopsie është gjetur lëkurë njeriu në gojën e saj. Nën thonjtë e duarve të viktimës është gjetur lëkurë njeriu, e cila mund të jetë e të dyshuarit. Mendohet se viktima ende ka rezistuar dhunimin dhe se e ka gërvishtur me thonj të dyshuarin në kurriz. Mandej është qëlluar me armë zjarri. Goditja duket të ketë ndodhur nga distanca prej 1-3 m. Nuk është gjetur plumb në trup të viktimës, sepse duket se plumbi ka depërtuar nëpër trup të viktimës.
Plumbi ka hyrë në gjoks në anën e majtë dhe ka goditur viktimën në zemër, në koronaren e majtë dhe ka shkaktuar hemorragji të madhe, mandej plumbi ka depërtuar nëpër mushkëri dhe ka shkaktuar problem në frymëmarrje deri sa viktima ka vdekur.
Sipas madhësisë së plagës mendohet se viktima është qëlluar me revole 9 mm dhe se është gjetur një lloj plastike e zier prej 2 mm në plagë.

Përshkrimi i raportit të mjekësisë ligjore
Viktima është gjetur në rrugën “Ilaz Kodra” në Prizren. Viktima ka qenë e lidhur për një shtylle elektrike me tel të rrymës. Në telin elektrik janë gjetur shenja gishtërinjësh, të cilët nuk janë të viktimës. Viktima ka qenë e drejtuar me fytyrë kah rruga. Janë bërë fotografitë nga vendi i ngjarjes. Në vendin përreth viktimës kishte gjak. Viktima duket se ka qenë e plagosur me armë zjarri, mirëpo nuk është gjetur plumbi e as arma e vrasjes. Mendojmë se krimi është bërë diku tjetër dhe mandej viktima është transportuar në atë vend. Nga vendi i ngjarjes janë gjetur shenja të këpucëve që duket të kenë qenë këpucë mashkulli me numër 44. Gjithashtu janë identifikuar shenjat e rrotave të veturës, që dyshohet se viktima është sjellë me veturë deri në vendin e gjetjes. Rrotat e para të veturës kanë qenë të madhësisë 18x127, derisa të prapmet kanë qenë 17x126. Viktima është gjetur e zhveshur, në fakt ka pasur veshur vetëm brekë dhe sutjeta. Ka pasur makijazh me produkte të L’OREAL-it dhe dukej si prostitutë. Viktima duket se ka vdekur katër orë para gjetjes së saj.
Pasi Ygjeli i lexoi të gjitha dokumentet mbi rastin, vendosi që të bisedonte me shefin e hetuesisë rreth lajmërimit të viktimës në media.
Ygjeli trokiti në derë të shefit rajonal të hetuesisë dhe pasi mori përgjigjen hyrë, ai hyri. U përshëndet me shefin dhe filloi t’i tregonte për rastin.
- Janë bërë më tepër sa 72 orë dhe askush nuk ka kërkuar informata për viktimën, gjithashtu nuk kemi marrë ndonjë raportim për zhdukjen e ndonjë femre. Kështu që unë mendoj se është koha që ta lajmërojmë në media, ndoshta dikush do ta njeh.
- A ke bërë foto më të mira nga viktima?- pyeti shefi, George Brecknell.
- Po, i kam bërë disa foto dhe mendoj se tani dikush do ta identifikoj.
- Atëherë, vazhdo punën.
Ygjeli shkoi në zyrë të tij dhe telefonoi zëdhënësin e SHPK-së. Pasi i tregoi për rastin në pika të shkurtëra e mbylli telefonin dhe u nis për në zyrë të zëdhënësit.
Kur arriti para ndërtesës pa se ishin mbledhur shumë gazetarë dhe kameraman. Si duket zëdhënësi i kishte ftuar gazetarët për një konferencë shtypi të pazakontë. Pasi Ygjeli u takua me zëdhënësin dolën që të dy para gazetarëve, filluan të flisnin dhe të kërkojnë ndihmë nga qytetarët për viktimën e paidentifikuar. Pas një ore të gjitha radiot dhe TV e transmetuan intervistën e zëdhënësit të SHPK-së dhe të Ygjelit. Gjithashtu e transmetuan foton e viktimës dhe e mbanin në ekran për një kohë të gjatë.
Ygjeli ishte duke shkuar në zyrë të tij dhe donte të shkonte edhe një herë në vend të ngjarjes, për të shikuar edhe një herë se mos iu ka munguar ndonjë gjë pa e parë. Pasi mori të gjitha dokumentet e rastit u nis me veturën e SHPK-së, cingëroi telefoni celular, e shikoi në ekran të telefonit dhe pasi që nuk e njohu numrin u lajmërua.
- Ygjel Kyçyk, urdhëroni!
- Polici Ygjel, unë jam Edina nga IOM-i që kemi biseduar dje,- fliste Edina, duke u dridhur dhe Ygjeli e kuptoi se diçka nuk ishte në rregull.
- Çka ka të re?- pyeti Ygjeli.
- Viktima është kolegia ime, Eli Tiko, që të thash është në pushim. - Edina tani qante me zë.
- A jeni e sigurt?- pyeti Ygjeli.
- Po jam shumë e sigurt dhe jo vetëm unë, por tërë stafi jemi duke e shikuar në TV dhe jemi të sigurt se është Eli.
- A e dini prej nga është Eli?
- Është nga Tirana, ajo ka ardhë të punon me IOM si staf ndërkombëtar.
- Do të vijë menjëherë në zyrë të shoqatës. Ygjeli ndërroi drejtimin nga vendi i ngjarjes për te ndërtesa e organizatës IOM. Duke shkuar atje mori një thirrje në radio nga shefi i njësisë kundër trafikimit dhe prostitucionit, kërkoi që Ygjeli ta thërriste atë në telefon në zyrë.
- Ygjeli në telefon, çka ka të re?
- Viktima që e keni lajmëruar në TV është ajo vajza që të kam rekomanduar të bisedosh me të. E dija se e kam parë dikund, por ju keni pasur të drejtë, sepse nuk e kam njohur për shkak të makijazhit.
- Një kolege e saj nga IOM-i më lajmëroi para pesë minutash, ajo thotë se është Eli Tiko. Kështu që unë jam duke shkuar në zyrë të IOM-it, ndoshta kolegët e saj din diçka për të. Ajo ishte nga Shqipëria, kështu që më duhet të gjej informacione për të kontaktuar familjen e saj.
- Në rregull, por unë desha të lajmëroj se unë e kam identifikuar viktimën.
- Faleminderit shumë! - tha Ygjeli dhe e mbylli telefonin derisa parkonte veturën para ndërtesës së organizatës IOM-it.
Kur hyri brenda i gjeti koleget e Elit duke qarë. Të gjithë kolegët ishin mbledhur dhe donin të bisedonin me policë dhe të tregonin krejt çka dinë për Elin dhe ndoshta informatat e tyre do t’iu ndihmojnë policisë në hetime.
- Nuk po mundem të besoj se Elin e ka dhunuar dikush, e ka vrarë, e ka lidhur për shtylle elektrike dhe ka bërë të duket si prostitutë. - fliste Edina derisa qante.
- A dini nëse Eli ka pasur ndonjë problem me dikë?- pyeti Ygjeli.
- Nuk e di çfarë të them. Eli ka dalë në terren dhe ka shkuar nëpër vende ku ka qenë shumë rrezik për të, vetëm për të ndihmuar viktimat e trafikimit dhe prostitucionit të ikin nga bosët e tyre. Ka mundur të jetë dikush prej pronarëve të këtyre shtëpive publike. - tha Edina derisa lotët i rridhnin nëpër faqe.
- A dini përafërsisht vendet ku ka shkuar Eli?- pyeti Ygjeli.
- Unë i di nja dy vende, sepse kam qenë bashkë me të në dy raste. - tha Edina.
- Çfarë vendesh janë ato dhe ku? - pyeti me padurim Ygjeli.
- Janë klube në një pjesë e në pjesën prapa janë shtëpi publike, dihet ilegale dhe aty mbahen femra me dhunë për prostitucion.
- A i keni lajmëruar policinë për këto raste?
- I kemi lajmëruar, por nuk kanë ndërmarrë asgjë, vetëm që e kanë ndaluar për policë që të hyjnë në ato kafiteri. - ia ktheu Edina disi me nervozë.
- Kush ka qenë prej policëve që i keni informuar?
- Ka qenë një polic i Bangladeshit edhe një shqiptar.
- Po dihet pse nuk është ndërmarrë asgjë, si t’i kesh trullanët nëpër pozita kështu bëhet. Të kishte qenë ndonjë polic evropian apo amerikan kishte me qenë krejt ndryshe. Por na kanë ardhë gjithë farë policësh, që nuk din çka është puna e policisë. - Ygjeli tani ishte i nervozuar në polic, por nuk kishte çka të bënte.
- A e dini se kush janë pronarë të atyre kafiterive?
- Po, - tha Edina. - Pronari i kafiterisë “Bahçe” është Isuf Aliu, kurse në kafiteri te Idrizi është pronar Idriz Ahmeti.
- Çka keni parë ju kur keni qenë në ato vende?
- Çka me pa!... Femra prej 15-50 vjeç duke shërbyer dhe duke bërë tregti me trup të tyre.
- Çka keni bërë ju aty?
- Kemi porositur nga një pije dhe vetëm kemi vështruar se çfarë bëhej aty.
- Çfarë bëhej? Më fal që po ju lodhi me këto pyetje, por më duhet ta di, me kë keni folur, me kë keni ndejur, sa keni qëndruar, a ju ka ofruar ndokush anëtarësim në klubin e tyre të prostitucionit? - Ygjeli nuk mund të priste që të shtronte pyetjet një pas një.
- Nuk jemi shoqëruar me askë. Ne kemi dashur të vështrojmë dhe të zbulojmë femrat, të cilat mbaheshin aty pa dëshirën e tyre dhe i vërejtëm ato që ishin të detyruara me dhunë. Kurse ato që ishin mësuar me atë biznes dukeshin shumë të rehatshme dhe të buzëqeshura gjatë tërë kohës. Jemi munduar që t’u lëmë nga një informacion që të ikin nga aty. Dy nga viktimat kanë arritur të dalin jashtë, ne ju kemi ofruar ndihmë dhe kanë ikur nga aty. Ne i kemi shpëtuar dy vajza, njëra 15 e tjetra 20 vjeçare. Që të dyja shqiptare.
- Pse nuk keni kërkuar ndihmë nga policia për t’iu ndihmuar atyre vajzave?
- Ne kemi kërkuar ndihmë, por ai polici i Bangladeshit kishte frikë të shkonte në atë kafiteri edhe tha nuk do të shkojmë se është rrezik edhe është e ndaluar për policë të hyjnë aty. Normal që ne nuk donim të shkojmë aty për të pirë kafe, por për t’i shpëtuar vajzat. Por kur shkuam vetëm unë dhe Eli, atëherë na u dashtë të pretendojmë se kishim shkuar për të pirë nga një pije. - tha Edina dhe fytyra i ishte skuqur.
- Me kë keni biseduar sa keni qenë aty, a ka ardhë ndonjë mashkull që të bisedon me juve? - pyeti Ygjeli.
- Po, pronari i klubit ka ardhë dhe u ul në tavolinë, na tha: “çka po doni me hëngër apo me pi prej sh’pije?” Ne i thamë asgjë, sepse i kemi porositur, atëherë ai na pyeti pse kishim shkuar në atë kafiteri dhe ne i thamë vetëm sa për të pirë nga një kafe. Mandej ia tha:”A e dini se këtu bëhet biznes?”. Ne i thamë:”Jo nuk e dimë për çfarë biznesi e ke fjalën”. Ai tha:”Këtu vijnë njerëzit të kënaqen dhe argëtohen me këto punëtoret” .Atëherë ne i thamë:”Prostitucion me fjalë të tjera”. Ai tha:”Po ashtu diçka, a jeni të interesuara të punoni këtu, sepse ju qenkeni të bukura dhe ja ai tipi ulur aty është i interesuar në ty!” Duke iu drejtuar Elit. Ne të dyja i thamë përnjëherë:”Jo ne nuk merremi me atë biznes”.
- Çfarë keni bërë mandej, a keni dalë nga kafiteria?
- Po vetëm i kemi paguar pijet dhe në një pecetë kemi lënë informatat se si të ikin ato dy vajzat dhe kemi dalë. - tha Edina.
- A mund ta dini, a iu ka përcjell ndokush pasi keni dalë nga kafiteria? - pyeti Ygjeli.
- Besoj se jo, sepse kemi shikuar nëse dikush ishte duke na ndjekur, por nuk kemi parë askënd. - u përgjigj Edina.
- Ku keni shkuar pasi keni dalë nga kafiteria?
- Kemi ardhur këtu në zyrë. - tha Edina.
- Atëherë deri në sa ora keni qenë në zyrë? - Çka keni bërë mandej?
- Rreth orës 16:30 kemi shkuar tek vendi ku kemi takuar ato dy vajzat. I kemi marrë dhe i kemi dërguar në strehimore të sigurt të viktimave të trafikimit dhe prostitucionit.
- Mandej?
- Mandej kemi shkuar në zyrë ku kemi bërë raportet dhe unë kam dalë rreth orës 17:30, kurse Eli ende ka qenë në zyrë, nuk e di deri në sa ora ka qëndruar ajo.
- A keni qenë në zyrë të saj prej të premtës?
- Jo, - tha Edina. Eli kur nuk është aty e mbyll derën e zyrës së saj me çelës për shkak se në zyrë të saj e kemi sistemin me të dhëna dhe nuk kemi dashur që punëtorët nga departamentet tjera të shohin rastet tona.
- Na duhet të shkojmë në zyrë të Elit. Të lutem më dërgo atje!- i tha Ygjeli.
- Më duhet të gjej ku janë kopjet e çelësave, sepse sigurisht dera është e mbyllur me çelës. Ajo zyra përballë ka qenë e Elit.- bëri me gisht Edina në drejtim të derës.
Ygjeli shkoi drejt dhe deshi të provonte a është dera e hapur. Posa e provoi dera u hap dhe Ygjeli mbeti i shtanguar.
- Këtu ka ndodhë diçka e keqe! - tha Ygjeli dhe Edina menjëherë u nis në drejtim të Ygjelit kur e pa se dera ishte e hapur. Ygjeli e mbylli derën, nuk e la Edinën dhe kolegët e tjerë që të shohin se çfarë kishte aty.
- Si duket atë natë dikush iu ka përcjellë deri në zyrë dhe Eli ka pas vizitor kriminel këtu. Duket se rasti ka ndodhur në zyrë.
Edina dhe kolegët e tjerë filluan të qajnë edhe më shumë. Si ishte e munduar që askush nuk kishte parë asgjë, edhe pse ndoshta ka qenë pasi të gjithë kanë dalë nga zyra. Ygjeli nxori radion, lajmëroi bazën dhe kërkoi njësinë e mjekësisë ligjores që të vijnë në vend te ngjarjes. Mandej iu drejtua kolegëve të Elit.
- A keni parë ndonjë person që ka hyrë në ndërtesë sa keni qenë ju këtu?
- Kemi pas disa persona më herët që kanë kërkuar punë, i kanë plotësuar aplikacionet dhe kanë dalë para se të përfundon orari i punës.
- A keni roje këtu?
- Po, por roja vjen diku pas orës 20:00.
- Kështu që vrasësi ka mund të ketë qenë këtu nga ora 17:30 deri rreth orës 20:00 dhe si duket ka pas mjaft kohë që të manipulojë me Elin. Tani të gjithë duhet të dilni jashtë dhe të jepni deklarata se kush çka ka parë, çfarë rastesh keni pasur, duhet t’i kemi aplikacionet e atyre personave që kanë qenë këtu gjatë ditës.
- A ka hyrë ndokush prej juve në zyrë të Elit, të premtën?
- Unë kam qenë në zyrë të Elit para se të shkojë në shtëpi. - tha Edina.
- Çka ke prekur sa ke qenë në zyrë?
- Jam mbështetur për dere dhe kemi folur nja pesë minuta, mandej Eli më tregoi fotot që i kishte bërë tinëzisht në kafiteri.
- A janë ndokund ato foto? Kishte me qenë mirë nëse i gjejmë.
- Eli dhe unë e kemi pasur një sirtar përballë me derë në anën e majtë që i kemi mbajtur fotot konfidente dhe besoj se duhet të jenë aty. Derisa Ygjeli bisedonte me kolegët e Elit arriti njësia e mjekësisë ligjore.
- Në rregull, tani që erdhën njësia e mjekësisë ligjore do t’i lëmë ata ta kryejnë punën e tyre, ju nëse keni kohë kisha dashur që së bashku t’i kërkojmë ato foto nga vendi ku keni qenë së fundi me Elin.
- Në rregull. - tha Edina dhe doli.
Ygjeli i njoftoi njësinë e mjekësisë ligjore për rastin se dyshohej që krimi është kryer në zyrë. Ata menjëherë filluan punën me mbledhjen e gjurmëve të krimit, kurse oficerët nga patrulla intervistonin kolegët e Elit.
Një nga policët e njësisë së mjekësisë ligjore bëri pluhurosjen e sirtarëve ku mori disa shenja të gishtërinjëve dhe mandej ia dha Ygjelit komplet sirtarin me fotografi.
- Edina, a mund të shkojmë diku ku mund t’i shikojmë fotot?
- Edina vetëm bëri me kokë dhe u nis drejt zyrës së saj, e cila ishte përballë me zyrën e Elit.
- Si duket ju dhe Eli paskeni qenë shoqe të mira, apo jo? - pyeti Ygjeli
- Nuk e di çka të them, neve na ka lidhur puna më shumë, unë kam qenë asistente e Elit, por ajo kurrë nuk ka reagua si mbikëqyrëse, në shumicën e rasteve më ka marrë edhe mua në terren dhe kemi qenë ekip i mirë. Vetëm mua më ka lejuar që të hyjë në zyrë të saj edhe nëse ajo nuk ishte këtu. Nuk donte që askush tjetër të dinte për rastet tona. Ajo e dinte shumë mirë se çfarë mentaliteti kemi.
- A ju ka ndodhur që të punoni jashtë orarit të punës shpesh?
- Po, por zakonisht Eli më thoshte që unë të shkoja në shtëpi me kohë, pasi që kam fëmijë të vogël.
- A ka qenë Eli e martuar?
- Jo, por ka qenë e fejuar dhe ka pasur të martohet në korrik. Do të jetë shumë vështirë për familjen dhe të fejuarin e saj.
Ygjeli filloi të hap rastet dhe shikonin çdo fotografi, por fotot e fundit që Eli i kishte parë nuk ishin aty.
- Ndoshta Eli i ka lënë diku tjetër. - tha Ygjeli.
- Nëse ato foto do të ishin diku, atëherë do të ishin këtu.
- Ndoshta kush e ka marrë Elin i ka marrë edhe fotot.
- Ndoshta, nuk di, jam bllokuar as nuk po mundem të mendoj drejt, ende nuk po mundem të besoj se Eli ka vdekur!
- E di që është vështirë të besosh dhe të pranosh ngjarjet që të lëndojnë.
- Eli ka qenë shumë e mirë dhe punëtore e zellshme.
- Po shihet puna e saj, më shumë paska pasur Eli informacione për prostitucionin, sesa njësia kundër trafikimit dhe prostitucionit. Kjo është marrëzi dhe shqetësuese për policinë.
- Unë e kuptoj se kur ke ndërkombëtar, që nuk janë të interesuar të punojnë është vështirë për neve. Unë e di para Elit e kam pas një mbikëqyrëse nga Irlanda, beso asgjë nuk bënte tërë ditën. Shkonte në polici dhe mundohej të merrte informata nga policia, sepse nuk kishte çka të shkruante në raport.
- Ygjel, kam diçka të them...- tha shefi i njësisë së mjekësisë ligjore
- Ju kishit të drejtë, siç shihet vendi i ngjarjes, krimi ka ndodhur këtu. Ka shenja të gishtërinjëve, spermë në dysheme dhe gjak. Na duhet të bëjmë shumë analiza dhe të shohim nëse diçka përputhet me faktet që kemi gjetur atë natë në rrugë. Është interesant se ajo ishte e plagosur me armë zjarri dhe këtu gjetëm gëzhojën e plumbit pas ndërtesës. Sipas raportit të patologut nuk kanë gjetur plumb në trup të viktimës. Kështu që gëzhoja mund të jetë nga plagosja e saj.
- I dyshuari nuk i ka fshehur gjurmët e krimit, por si duket i dyshuari i ka marrë fotot, që viktima i ka bërë në një shtëpi publike.
- Ndoshta i dyshuari ka ardhur nga ai vend. - tha shefi i mjekësisë ligjore.
- Edhe unë jam duke menduar ashtu.
- A din çka? Unë do të shkoj në laborator dhe të kryej punën e fakteve sa ma shpejt që për nesër ta kesh raportin gati.
- Mirë e ke, pa e ditur të sigurt se a përshtaten faktet e gjetura me ato në rrugë, nuk mund të bëjmë asgjë.
- Falë Zotit që shefi im është në pushim, se nuk na kish lënë të bëjmë gjithë këto analiza. Sikur po i dhimben paret e UN-it, sikur me ia nxjerr prej xhepit të vet.
- Shihemi nesër!... - tha shefi i mjekësisë ligjore Ygjelit.
- Në rregull. - tha Ygjeli.
Njësia e mjekësisë ligjore dhe e patrullës përfunduan punën e tyre dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.
Ygjeli hyri në zyrë dhe shikoi edhe një herë në detaje të gjitha gjurmët e gjakut dhe dukej sikur kërkonte diçka. Edina ishte afruar tek dera dhe qante derisa e shikonte gjakun në zyrën e Elit. Ygjeli kur e pa iu afrua.
- Më vjen shumë keq, që kjo ka ndodhur, por duhet të mendosh se ka mund kjo gjë të të ndodhë edhe ty.
Edina vetëm bëri më kokë dhe doli, u ul në një karrige në korridor.
- Ndoshta kishte me qenë mirë për juve ta ndërroni vendin e punës dhe të keni kujdes për një kohë, sepse kush do që e ka vrarë Elin të njeh edhe ty dhe ai mund të ndjek tani. Ai e di vendin se ku punon dhe po të përcolli një natë do ta di edhe shtëpinë.
- Do të marrë pushim nja dy javë. Edhe kështu kam pasur në plan të marrë pushim, ndoshta pak a shumë ia humbi gjurmët kriminelit, nëse është duke më kërkuar mua.
- Ndoshta edhe nuk është i interesuar të ndjek ty fare, por është më mirë që të kesh kujdes. - tha Ygjeli duke u munduar që të mos e frikësonte Edinën.
- Si është dukur ai tipi, të cilit i ka pëlqyer Eli?
- Me thënë të drejtën nuk e kam shikuar mirë, por e di që ka pasur flokë të zeza të shkurtëra, fytyrë rrumbullake, sy të mëdhenj, nuk jam e sigurt për ngjyrën e syve se ka qenë larg prej nesh.
- A ka qenë i plotë apo i dobët?
- Sipas fytyrës dhe krahëve dukej i plotë. Stilin e kishte si katundar, bile kam bërë shaka me Elin, pse pikërisht ai katundar u interesua për të.
- Edina, me thënë të drejtën jam duke menduar se ka mundur të jetë ai tipi që e ka dhunuar dhe vrarë Elin. - tha Ygjeli duke i ngulur sytë poshtë në dysheme sikur fjalë që i thoshte i lexonte aty.
- Ndoshta, nuk po di... Unë më parë dyshoj në pronarin e kafiterisë, sesa në atë katundarin. - tha Edina duke u munduar të kujtonte se çka kishte ndodhur atë ditë.
- Pse mendon se ka mundur të jetë pronari?
- Sepse kam frikë se e ka kuptuar se ne u kemi ndihmuar atyre dy vajzave që të ikin nga klubi i tij dhe ai ka humbur me largimin e tyre.
- Mirë e ke, ndoshta është pronari. Unë do të intervistoj pronarin dhe nëse nuk është ai, atëherë do të kërkoj që të më jap informata se kush ka qenë ai myshteriu i tij.
- Në rregull. - tha Edina.
- Tani u bë vonë dhe duhet të shkosh në shtëpi, a ke veturë apo të dërgoj unë?
- Jo vjen burri dhe më merr, sepse sot është në pushim dhe ai e ka veturën.
- Nëse do unë mundem të dërgoj me veturë të SHPK-së.
- Po e thërras një herë burrin e nëse nuk vjen ai, më dërgon ti. Faleminderit! – i tha Edina dhe nxori një telefon celular nga çanta, shkoi në zyrë të saj derisa fliste në telefon, doli pas dy-tre minutash dhe i tha Ygjelit:
- Burri është duke ardhur të më marrë, por nëse ke kohë, të lutem rri me mua derisa të vjen ai, sepse tani më ka hyrë frika dhe nuk guxoj të rri në zyrë vetëm.
- Nuk ke faj, mos u brengos, unë nuk do të lë vetëm këtu.
Pas disa minutash erdhi burri i Edinës dhe Ygjeli u përshëndet me ta, u nis për në zyrë të tij. I la në raft të gjitha dokumentet e rastit, veturën e policisë dhe shkoi në shtëpi.

Përgjigjja 6 · 2005-10-25

Ygjeli shkoi të bisedonte me shefin rajonal të hetuesisë.
- Mirëmëngjesi! - tha Ygjeli.
- Mirëmëngjesi!- ia ktheu George.
- Çka ka të re Ygjel?
- E kam gjetur se kush është viktima dhe vendin se ku është kryer krimi. Viktima ka punuar për IOM, në departamentin kundër trafikimit dhe prostitucionit. Ka shkuar në një nga lokalet pasi që ka dyshuar se ka viktima të prostitucionit. Është bërë kinse ka shkuar vetëm për të pirë kafe me asistenten e saj, por gjërat kanë ndryshuar. Pronari i lokalit u ka ofruar biznes në prostitucion dhe i ka thënë se e ka një myshteri për viktimën. Ajo nuk ka pranuar. Para se të dalin nga klubi kanë vërejtur se dy vajza janë mbajtur aty kundër dëshirës së tyre, kështu që kanë shkruar informatat në pecetë, kur i kanë paguar pijet, u kanë treguar se si të ikin nga klubi dhe ku të shkojnë. Pasi kanë dalë nga klubi kanë shkuar drejt në zyrë. Viktima është dhunuar dhe vrarë në zyrë dhe unë dyshoj se këtë krim e ka bërë ose pronari i klubit ose ai myshteriu, të cilit i ka pëlqyer viktima.
- Pse mendon se ka qenë njëri e pse tjetri? - pyeti George sikur e testonte Ygjelin.
- Pronari ka mund të jetë për shkak se këto kanë hedhur poshtë ofertën e tij, ose ndodhë që ai ka kuptuar se Eli iu ka ndihmuar dy punëtoreve të tij që të ikin dhe ai ka humbur përfitimin me largimin e punëtoreve.
- Mirë, motive të mira ke për pronarin. Çka mendon për atë myshteriun, pse ai do ta vriste viktimën?
- Eli e ka hedhur poshtë ofertën e tij. - u përgjigj Ygjeli.
- Si duket pronari ka pasur arsye dhe motive më të mira se sa myshteriu i tij.- tha George. - Ani çka mendon se është mirë të bësh? - pyeti George, i cili nuk donte të bënte komente para se të dëgjonte planet e Ygjelit.
- Dua ta intervistoj pronarin e lokalit, por problemi është se pasi që është e ndalur për policë të hyjnë aty më duhet të kem së paku dy njësite për mbrojtje.
- Është e ndaluar të shkosh aty jashtë orarit të punës dhe për qejf, por jo kur ke nevojë të hetosh vrasje, mund të shkosh! Ju mirë e keni ju duhet të keni disa patrulla me vete, sepse këtyre kriminelëve nuk u besohet.
- Për këtë duhet të bisedoni me shefin e njësisë kundër trafikimit dhe prostitucionit. Por kisha sugjeruar që të pritni raportet nga mjekësia ligjore e mandej ta intervistoni pronarin e klubit si dhe myshteriun e tij.
- Në rregull. Faleminderit! - tha Ygjeli dhe shkoi në zyrë të tij ku e priste raporti i mjekësisë ligjore, që filloi ta lexonte posa u ul pranë tavolinës së tij.

Raporti i dytë nga mjekësia ligjore
Rreth orës 14:00, të datës 4 shkurt 2002, kemi marrë një thirrje nga baza për të shkuar në ndërtesën e organizatës IOM. Kemi shkuar dy oficerë policorë nga njësia e mjekësisë ligjore. Kur kemi arritur aty kemi takuar hetuesin Ygjel Kyqyk, i cili na ka treguar për vendin e ngjarjes. Kemi fotografuar të gjitha gjurmët dhe çka do që na është dukur e dyshimtë.
Është gjetur gjak në dysheme afër tavolinës së punës. Duket se viktima është goditur nga largësia 1-1.5 m. I dyshuari duket se ka qenë i pozicionuar drejt viktimës pasi që plumbi ka goditur viktimën në gjoks, plumbi ka dalë nga kurrizi i viktimës dhe ka goditur dritaren, e cila ishte thyer. Përreth copave të thyera të dritareve ka pasur shumë gjak. Duket se i dyshuari e ka dhunuar viktimën në tavolinën e saj të punës pasi që në tavolinë janë gjetur gjurmët nga prapanica e viktimës. Gjithashtu është gjetur gjak dhe spermë.
Hetuesi Ygjel na ka informuar për disa fotografi që viktima ka fotografuar në një klub prostitucioni. Ato foto nuk janë gjetur të shtypura, por kemi kontrolluar kompjuterin e viktimës dhe aty kemi gjetur fotot digjitale nga po ai klub ku viktima ka qenë në ditën e krimit. Fotot janë identifikuar nga asistentja e viktimës, Edina Fazliu, e cila ka qenë në atë klub së bashku me viktimën.
Në zyrë kemi gjetur gjurmët e këpucëve të të dyshuarit, të cilat përputhen me gjurmët e gjetura në vendin ku është gjetur viktima. Kemi kërkuar gëzhojën e plumbit e kemi gjetur pas ndërtesës.

- Ua! I paskan gjetur fotot! - fliste Ygjeli vetë me vete. Po ku janë se? - filloi të shfletonte të gjitha dokumentet. Në fund të dosjes ishte një disk, që Ygjeli shpresonte se fotot do të ishin në të.
Kjo do të më ndihmon shumë për identifikimin e të dyshuarve të mundshëm, mendonte Ygjeli derisa shkoi të bisedonte me shefin e hetuesisë rajonale për organizimin e operacionit rreth intervistimit të pronarit të klubit.
Tani së paku Ygjeli kishte bazën ku të fillonte me hetime. Kishte fotot e pronarit si dhe të myshteriut, fotot e vajzave që i kanë shërbyer Elit dhe Edinës, të cilat më vonë kanë ikur nga klubi.

Përgjigjja 7 · 2005-11-18

Tregimi me poshte eshte shkeputur nga romani im:"Vrasjet dhe Makijazhet" me Njesin Speciale te Krimeve. Romani do te del ne shitje nga mesi i nentorit.
Ju lutem mos hezitoni te dergoni komentet dhe kritikat e juaja. Adresa ime eshte: [adresë e fshehur]

1

Ishte ftohtë dhe rrugët ishin të mbuluara me dëborë. Përveç aksidenteve në trafik kishte edhe diçka tjetër që e bënte qytetin e Pejës të ushtonte nga sirenat e policisë në orët e hershme të mëngjesit të pesë janar 2002.
Hetuesi, Agim Tahiri, nga Shtabi Rajonal i Pejës ishte ftuar që të vinte në vend të ngjarjes bashkë me shefin e tij amerikan policin e UNMIK-ut Daniel Newsmith.
Pasi Agimi mori të gjitha informatat e duhura u nis në drejtim të vendit të ngjarjes. Vendi i ngjarjes ishte rrethuar me shirit policor dhe nga vendi ku e parkoi veturën nuk mund të shihte asgjë për shkak të numrit të madh të policëve dhe qytetarëve. Posa u afrua e njohu prokurorja zonjën Laura Kastrati, si dhe shefin e ekipit të mjekësisë ligjore Kastriot Spahiun.
- Mirë se vjen në vendin e ngjarjes më mizore që kam parë që nga përfundimi i luftës. -i tha Agron Kryeziu, i cili ishte shef i njësisë së patrullës.
- Mirë se ju gjej!- i tha Agimi. Agroni donte të thoshte diçka por e ndërroi mendjen pasi që u afrua prokurorja, Laura Kastrati.
- Zonja Kastrati, si jeni?- ju paskeni qenë pa fat që keni qenë në thirrje për këtë rast. – i tha Agroni.
- Nuk e di fat apo jo, por është diçka që nuk kisha dashur të më ikte pa e parë dhe pa punuar në rast si ky. - ia ktheu prokurorja.
- Çfarë kemi deri tani? - pyeti hetuesi Agim.
- Si duket kemi vrasje dhe dhunim. Dua që të mblidhen të gjitha faktet dhe të dërgohen në laborator, si dhe autopsia e kufomës dua të bëhet sa më parë.– tha prokurorja.
- A e keni ftuar mjekun kujdestar? - pyeti Agimi.
- Po, dr. Xhafer Salihu, ka ardhë, e ka vërtetuar se viktima është e vdekur dhe ka shkuar në zyrë për të bërë raportin dhe për të bërë përgatitjet për autopsi.
- Viktima është tridhjetë e katër vjeçare, quhet Blerta Krasniqi, është kryetare e Shoqatës “Përparimi i Gruas”. Kam bërë fotot nga vendi i ngjarjes, viktima ka qenë e shtrirë në rregë. Duket se është goditur me armë zjarri dhe vetëm me një plumb në gjoks. Sipas rrobave, mavijosjeve, mënyrës së dukjes së saj, kam frikë se është dhunuar. Besoj se akti i dhunës është kryer diku tjetër, mandej viktima është sjellë këtu. Policët nga patrulla dhe hetuesia janë duke bashkëpunuar dhe janë duke i pyetur fqinjët se a kanë parë apo dëgjuar krisma armësh.
- Duhet ta informojmë familjen e saj. Gjithashtu pasi që viktima është gjetur afër zyrës ku punon, duhet të intervistojmë koleget e saj nga shoqata. Ndoshta ato dinë nëse viktima ka pas kërcënime nga të dyshuarit e dhunave familjare dhe rasteve që ajo ka pasur. - tha hetuesi Agimi.
- Për herë të fundit viktima është parë në zyrë të shoqatës, por pasi që vetura e saj është gjetur e parkuar para shoqatës, atëherë viktima është dalë nga zyra ose dikush e ka marrë me dhunë. Duhet të presim derisa të vijnë aktivistet për ta hapur zyrën e mandej do të bisedojmë me to, do të shohim se ç’kanë për të na thënë.
Derisa Agimi bisedonte me prokuroren dhe shefin e mjekësisë ligjore një polic i ri nga patrulla iu afrua dhe tha:-Hetuesi Agim, një nga fqinjët thotë se ka dëgjuar krismën e armës, por ka menduar se ka qenë fishekzjarrë. Ajo thotë se krisma është dëgjuar mbrëmë diku rreth orës 18:00. Ajo thotë se krisma ka ardhë nga drejtimi i vendit të ngjarjes, por krisma ka qenë e zëntë, si e përshkruan ajo. Sipas mendimit tim mund të jetë në ambient të mbyllur. - fliste polici nga patrulla, të cilit iu kishte skuqur hunda nga të ftohtit dhe sytë pa gjumë nga ndërrimi i natës. Polici ishte i ri dhe dukej se ishte i motivuar të punonte edhe më tutje në rast. Por e kishte një ndërkombëtar, i cili vetëm që i shkonte pas dhe nuk dinte se çfarë ishte duke u bërë, nganjëherë polici i fliste anglisht me një anglishte të varfër, por si duket policin e ri nuk e brengoste që polici i UNMIK-ut i shkonte pas, ai vazhdonte të kryente punën e tij.
Hetuesi Agim fliste mirë gjuhën angleze dhe ia përktheu shefit të tij Daniel, se çfarë kishte ndodhur. Ai i tha Agimit që kur të intervistojnë fqinjët pyeti nëse kanë parë ndonjë veturë që ka qenë e parkuar në këtë rrethinë. Agimi menjëherë e kuptoi se çfarë mendonte shefi i tij. Atëherë filloi të pyeste përreth bashkë me shefin e tij. Kurse i urdhëroi disa policë nga patrulla që të intervistonin fqinjët në anën tjetër të banesave.
Njësiti i mjekësisë ligjore filloi punën në vendin e ngjarjes. Ishte një polic ndërkombëtar, i cili quhej Eric Forster dhe një shqiptar Kastriot Spahiu. Ata dy dukeshin se e njihnin mirë punën. Së pari ecnin ngadalë nëpër vend të ngjarjes dhe fotografonin çdo gjë që iu dukej e pazakonshme. Mandej e fotografuan viktimën dhe e rrotulluan në shpinë dhe fotografuan në të gjitha anët. Dukej se e gjora kishte vuajtur mjaft gjatë torturave që i ishin bërë.
- Çka mendon, pse ka ndodhur? – pyeti Agimi, Kastriotin.
- Është goditur me armë zjarri, 9 mm, në largësi përafërsisht 1-3 metra. Ka mavijosje dhe si duket është dhunuar. Por nuk po kuptoj pse është e veshur kështu? Nëse kryerësi i veprës e ka dhunuar, atëherë pse ia ka veshur vetëm rrobat e brendshme? Mandej ku janë rrobat e saj?
Kastrioti kishte shumë pyetje dhe e dinte se kishte shumë punë për të bërë, për të gjetur të gjitha përgjigjet. Kastrioti dhe shefi i tij Eric pluhurosnin vendin e ngjarjes dhe mbledhin shenjat e gishtërinjëve dhe gjurmë të tjera.
Si duket dikush nga familja e saj kishte dëgjuar, sepse një burrë dhe një grua vinin duke qarë drejt trupit të pa jetë të shtrirë në rrugë. Kastrioti e dinte se ata do të hynin në vend të ngjarjes dhe mund të shkatërronin gjurmët e krimit.
- Besoj se ju po e njihni zonjën Krasniqi? - tha polici Agim dhe i ndaloi të hynin brenda shiritit të policisë.
- Po kjo është çika jem bre kuku për mu’! çka u bë me ta?- pyeste plaka deri sa shikonte trupin e vajzës së saj të shtrirë në rrugë.
- Më vjen shumë keq loke, por dikush e ka qëlluar me armë dhe Blerta ka vdekur. – i tha Agimi me vështirësi.
- Ku jeni kanë ju kur kjo ka ndodhë, pse nuk e keni mbrojt ju, kush e ka bë këtahen, a e keni nxënë hala? – bërtiste gruaja e moshuar derisa lotët i rrëshqitnin nëpër faqe.
- Më vjen shumë keq që kjo ka ndodhë, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia të thella. Askush nuk e din se ku dhe çka ka ndodhur, normal që policia patrullon dhe punon njëzet e katër orë dhe është në shërbim të popullit, por ai që e ka bërë këtë krim ia ka ruajtur sytë policisë. Por ju nuk bën të hyni brenda këtij shiriti, sepse ne jemi duke i mbledhur faktet dhe shpresoj se do ta zëmë atë që ka bërë këtë akt kriminel të paparë në Kosovë.
- Çka do të bëni me të? - pyeti burri, i cili qante dhe i kishte ngulur sytë në viktimën.
- Do ta dërgojmë në morg dhe do të bëjmë autopsinë, po ju kush jeni? - pyeti polici Agim.
- Unë jam... kam qenë... o Zot, burri i saj. - tani zotëria filloi të qante me zë.
- Më vjen shumë keq për humbjen, ngushëllime! A e dini se kush do ta bënte këtë? A ka pasur Blerta armiq, a dini a ka pas ndonjë kërcënim? - pyeste pa ndërprerë polici Agim.
- Nuk e di se kush do ta bënte këtë, të gjithë e kanë dashur dhe respektuar Blertën. Zakonisht në shoqatë ka pas probleme me të dyshuarit e dhunës familjare. Ndoshta dikush e ka urrejt për atë shkak, por nuk e di, nuk më ka thënë nëse dikush e ka kërcënuar seriozisht. Ti e din se si janë njerëzit këtu kur gruaja ka përkrahje prej dikujt. Nuk e di, nuk po mundem ta paramendoj se dikush ka pas zemër ta bëj këtë.
- Më vjen shumë keq për humbjen, ngushëllimet e mia të thella! A e din se kush ka mundur ta bëjë këtë? - Agimi iu drejtua nënës së Blertës.
- Jo nuk e di, se me e ditë kush i kisha fshi kryet dej tash! - tha nëna e Blertës.
- E kuptoj zemërimin e juaj, por këtë punë duhet t’ia leni policisë.
- Cilës polici bre, juve a...? - Nuk besoj se keni me gjet kurrë vrasësin? - Unë kam me e gjetë vetë edhe kam me e vra atë që ma ka vra çikën! - fliste plaka me lot në sy dhe dridhej. Agimi e afroi afër veti dhe filloi t’i fliste me të mirë dhe mundohej ta qetësonte.
- E di që kjo është situatë shumë e vështirë për juve, por duhet të keni besim në policinë e Kosovës, si dhe kemi ekspert ndërkombëtar dhe besoj se do ta gjejmë shumë shpejt kriminelin dhe do ta fusim prapa grilave.
- Nuk asht boll me shti në burg, duhet me e vra krejt, qysh ma ka vra ai çikën! Unë veç këtë çikë e kam, nuk kam fëmijë tjerë dhe tani jam krejt vetëm... – fliste plaka deri sa lotët nuk iu ndalnin.
- Pse po thua je vetëm? Ti nuk je vetëm, na ke neve, ne jemi si djemtë e tu, e ke dhëndrin. A ke nipa apo mbesa?
- Po e kam nji nip edhe nji mesë, mos me kanë ata kisha dashtë me dekë në këtë moment e me u varros për një ditë me Blertën.
- Jo, jo, mos fol ashtu, ti duhesh me qenë e fortë dhe krenare për krejt çka ka bërë Blerta për Kosovën dhe për femrat kosovare.
- Po kush po ia din çka ka ba, kërkujt nuk po ja ndien për kërkon sot. Edhe i kam thanë, mos u muno me ju nimu grave, se ato me kanë të meçme i nimojn’ veti. Por ajo gjithë ka besu se ka zgjidhje pa marr parasysh sa i komplikum u kanë problemi.
- Ajo ka bërë shumë mirë, edhe jo vetëm ju por krejt Kosova duhet të jetë krenare me të. Kosovës i nevojiten femra si Blerta.
- Eh, po, po, s’ka ma Blertë, çka dojn me ba tash ato gra që janë mvarë pej saj?
- Janë koleget e Blertës që do të vazhdojnë punën e saj.
- Po çfarë kolegesh, atyne nuk jav ndien me nga mas punëve të grave tjera si Blerta, ato shkojnë aty veç sa për rrogë. Si i kryjke projektet dhe nuk kish pare me i pagu ikshin, edhe jo që gjajshin punë tjetër, po ma mirë me ndejt se sa me punu badihava. Qe çfarë janë koleget e saj të shoqatës. Veç dy janë që punojnë si Blerta jeme, tjerat veç për pare.
- Si i kanë emrat ato koleget e mira të Blertës, na duhet të bisedojmë me to nëse dinë ndonjë gjë.
- Njana e ka emnin Dritë e tjetra Anitë. Blerta u kanë shoqe e mirë me to pej kur janë kanë fëmijë. Nëse Blerta ka pas naj problem, ato janë të parat që munen me e ditë. Blerta ma para ka folë me shoqe se sa me mu ose me burrë të vet. U kanë shumë e shlirë me to. Kaniherë hike në dhomë dhe folke në telefon me to me ka dy sahat. Kurrë nuk e di çka folshin.
- Ku i kanë shtëpitë Drita dhe Anita? Prej nga janë ato?
- Te dyja janë pej Peje, Drita jeton ngatë shkollës fillore “Hasan Prishtina” e Anita tybe nuk e di, e kam ditë por jam hup djali jem.
- Nuk ka problem, kur të bisedoj me Dritën e pyes për adresë të Anitës. Ku po donë me shku, se tani po e dërgojnë trupin në morg dhe nuk ke për çka të rrish këtu, sepse është shumë ftohtë. A do të dërgoj në shtëpi tënde apo të Blertës? –Kishte me qenë mirë që të shkosh dhe të kujdesesh për nipin dhe mbesën tënde.
- Po, po shkoj te fëmija, nuk ki nevojë me më qu ti, shkoj vet, ti shko gjaje kush ma ka vra çiken. Ma mirë gjaje ti se me ba me e gjet unë bahet puna keq.
- Tash ke fol mirë, unë do të dërgoj ty dhe Aliun në shtëpi se ju duhet me i lajmëruar të afërmit dhe me u përgatitë për varrim, e mandej unë do të punoj rreth rastit.
- Po valla duhet me i thirr akrabanë e me e organizu varrimin.
- Ku do ta varrosni, sepse kam dëshirë që të vij në varrim? - pyeti Agimi derisa hynë në veturë të ShPK-së.
- Sigurisht këtu në varreza të Pejës ngatë babës së vet. Por ban vaki që shoqata e saj dojn me ba ceremoni memoriali për të. Më duhet të flas me Dritën me e këqyr çka po dojnë me ba ato, tani me i përgatit tjerat sene. Duhet me e ba gati vendin për të pame se e di që kanë me ardhë shumë njerëz. Blerta ka pas shumë shoqni dhe besoj se të gjithë dojnë me ardhë në varrim edhe në të pame të saj.
- Mirë e ke valla. - tha Aliu, i cili ende dukej i hutuar. - Unë ende nuk po di as çka të mendoj më përpara. Nuk po mundem të besoj se Blertë nuk ka më! Na la të gjithëve! - Derisa fliste lotët i rrëshqitnin nëpër faqe.
- Kur do ta lironi kufomën? - pyeti Aliu.
- Besoj se nesër rreth mesditës, por unë do të bisedoj me patologun që ta bënë autopsinë sa më parë që të jetë e mundur. – ia ktheu Agimi.
- A ish kanë ma mirë mos me ia ba atë farë qysh po i thoni? - pyeti plaka.
- Jo loke është ma mirë me ia bë autopsinë, është si operacion që mund ta dimë se çka i ka shkaktuar vdekjen Blertës.
- Paj, po dihet bre që kjo u plagos në zemër edhe mandej zemra ju ka nalë... - fliste plaka e trullosur.
- Përveç kësaj do të na mundëson të gjejmë fakte të vrasësit në të. E di që autopsia nuk është e mirëseardhur tek ne, por duhet ta kuptojmë se është metoda më e mirë për ta zbuluar shkaktarin e vdekjes, e mandej mund ta dimë ndoshta edhe si ka ndodhur. - u tha Agimi duke i shikuar herë plakën e herë Aliun.
Agimi e dërgoi nënën dhe bashkëshortin e Blertës në shtëpi dhe mezi i mbajti lotët kur i pa fëmijët duke qarë dhe pyetur se çka ka ndodhur me nënën e tyre.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.