QOSJA: PËR ÇËSHTJE TË “PANEGOCIUESHME”
QOSJA: PËR ÇËSHTJE TË “PANEGOCIUESHME” NUK BISEDOHET POR LUFTOHET ME ARMË
SPECIALE: Flet Akademik Rexhep Qosja
Kosova nuk ka ende një klasë politike; Më shqetëson shumë heshtja e qytetarëve para shpërdorimeve që bëjnë njerëzit e politikës; Delegacionin për bisedime nuk e ka caktuar Rugova, por një përfaqësues i një zyre të huaj në Prishtinë; Nuk pres as nuk dëshiroj që Kosumi të japë dorëheqje
Intervistoi: Burim Etemaj
EPOKA E RE: Profesor, këto ditë keni qenë në Shqipëri. Cilat janë përshtypjet tuaja nga Shqipëria?
Akademik Qosja: Në Shqipëri zotëron një gjallëri e jashtëzakonshme, që ka përfshirë të gjitha fushat e jetës. Shqipëria shënon zhvillim, që vërehet jo vetëm prej viti në vit, por edhe prej muaji në muaj. Relievi urbanistik i Shqipërisë po ndryshon me shpejtësi të madhe. Arkitektura është gjithnjë e më artistike. Qytetërimi shqiptar tani po modernizohet duke shënuar shkallë cilësore gjithnjë e më të lartë. Në Shqipëri, vërtet, po bëhen ato që nuk janë bërë me shekuj. Të gjitha këto janë të kuptueshme: në Shqipëri janë vënë në veprim të gjitha energjitë krijuese të popullit.
NANO DHE BERISHA
EPOKA E RE: Në korrik janë mbajtur zgjedhjet në Shqipëri. Si e keni pritur fitoren e Sali Berishës dhe humbjen e Fatos Nanos?
Akademik Qosja: Nuk ka dyshim se socialistët janë të merituar për shkallën e sotme të zhvillimit të demokracisë dhe të zhvillimit të përgjithshëm të Shqipërisë. Por, as meritat më të mëdha nuk do të duhej të na bëjnë të dëshirojmë që të njëjtit të mbeten gjatë në pushtet. Pushteti prishë dhe sa më gjatë të jesh në pushtet aq më shumë prishesh. Demokracia është rend superior, pëpos të tjerash, edhe për arsye se e bën ndërrimin paqesor të subjekteve të pushtetit. Pas gati 15 vjetësh në krye të socialistëve dhe pas dy mandatesh në krye të qeverisë së Shqipërisë, Fatos Nano filloi të sillet si një njeri të cilin e ka dehur fort pushteti: me prepotencë, me arrogancë, me vrazhdësi, me shpërfillje edhe të disa bashkëpunëtorëve të vet më të çmuar! Fatos Nano viteve të fundi në krye të qeverisë së Shqipërisë ishte një hazarder politik, që nuk lodhej se çka do të mendohet në popull për të! Disfata e tij ishte e logjikshme, politikisht, moralisht dhe historikisht e nevojshme. Socialistëve tani iu duhet kohë për mjekimin e pasojave të aventurizmit politik të Fatos Nanos. Aventurizmi i Fatos Nanos e risolli në pushtet Sali Berishën, i cili, pas katastrofës politike me të cilën e ka tronditur Shqipërinë aq shumë në vitin 1997, me të drejtë është konsideruar përgjithmonë i vdekur politikisht. Fatos Nano e meritonte largimin nga qeveria e Shqipërisë, por, mua nuk më bën të lumtur as zëvendësimi i Fatos Nanos me Sali Berishën. Nuk flas për Partinë Demokratike – flas vetëm për Sali Berishën. Në qoftë se Fatos Nano vuan prej aventurizmit politik, Sali Berisha vuan prej tribalizmit dhe populizmit. Prirja e tij për ta përdorur pushtetin vrazhdë, egër, shtypshëm, domethënë jo demokratikisht dhe mentaliteti i tij krahinor është esenca e tij politike, shpirtërore. Dhe me prirje të tillë menjëherë e ka filluar mandatin e ri! Do t’ia fillojë ndërtimit administrativ të Shqipërisë prej fillimit thuajse Shqipëria shpallet shtet kur e merr ai në dorë! Shkurt: këmbimi Nano- Berisha në pushtet e mban Shqipërinë në gjendje të ashtuquajtur revolucionare dhe ky këmbim nuk e lejon Shqipërinë të krijojë identitet të qëndruar politk dhe institucional demokratik. Ky është “duet” fatal në politikën e Shqipërisë! E Shqipëria ka sot në jetën politike dhe në strukturat partiake intelektualë të shquar, me formim të gjithanshëm, intelektualë stabilë, të cilët do ta nxirrnin Shqipërinë nga gjendja revolucionare në të cilën e mbajnë Nano e Berisha. Ata, më në fund, do ta bëjnë këtë, por me vonesë, mbasi, pas Nanos, të shkojë edhe Berisha.
EPOKA E RE: A mendoni se me ardhjen e Sali Berishës në pushtet, politika shqiptare karshi çështjes së Kosovës do të marrë dimension tjetër?
Akademik Qosja: Mendoj se jo. Shqipëria e ka stabilizuar një politikë ndaj çështjes së Kosovës. Ka përcaktuar parimet politike dhe gjuhën diplomatike ndaj Kosovës. Ndryshime negative në këtë politikë mund të shkaktojë vetëm ndonjë “tërmet” në politikën e faktorëve kryesorë botërorë ndaj Kosovës – çka nuk do të duhej të ngjante, por edhe çka s’mund të përjashtohet plotësisht. Siç tregojnë paraqitjet e para të ministrit të ri të jashtëm, Besnik Mustafajt, me ardhjen e Berishës në pushtet, në qëndrimet ndaj Kosovës do të përsëriten më pak a më shumë besnikërisht qëndrimet e faktorëve ndërkombëtarë qoftë edhe nëse këto qëndrime nuk u pëlqejnë shqiptarëve në Kosovë.
EPOKA E RE: Pse mungojnë idetë, kritikat apo sugjerimet e akademik Rexhep Qosjes për ngjarjet politike në vend në mediat elektronike në Kosovë?
Akademik Qosja: Po ta lexoni librin tim Demokracia e shpërdorur, të botuar sivjet nga shtëpia botuese Toena, do ta merrni përgjigjen në këtë pyetje.
SOVRANITETI I UZURPUAR I POPULLIT
EPOKA E RE: Profesor Qosja, cili është mendimi juaj për mediat elektronike dhe të shkruara në Kosovë, dhe çfarë roli janë duke luajtur ato në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova?
Akademik Qosja: Me pak përjashtime, mediat e shkruara dhe elektronike në Kosovë, në të vërtetë mediat shqiptare në përgjithësi, kanë vendosur aleancë me pushtetin dhe kjo aleancë e ka uzurpuar sovranitetin e popullit. Sovraniteti i uzurpuar gjithmonë është sovranitet i shpërdorur, më së shpeshti i shpërdorur për interesat e klaneve e klikave të caktuara. Nuk është e nevojshme të theksohet posaçërisht se nga kjo aleancë përfitojnë, fort përfitojnë, klanet politike dhe tajkunët e pasuruar sa çel e mëshel sytë nën sqetullat e tyre, që tani këtë mundësi ua shpërblejnë në mënyra të ndryshme.
Një numër i mediave, me padronët e tyre politikë, po ua mëson lexuesve, shikuesve dhe dëgjuesve më të këqijat që mund të bëhen në jetën shoqërore: krimin e organizuar, korrupsionin, nepotizmin, kontrabandën, urrejtjen, hakmarrjen, fanatizmin krahinor, në disa raste edhe fetar! Duke i lexuar disa gazeta, duke i parë disa televizione, duke i dëgjuar disa radio, njeriu krijon përshtypjen se shoqëria jonë është shoqëri pa vlera. Numri më i madh i mediave që kanë krijuar aleancë me pushtetin në dëmin e sovranitetit të popullit, u lënë trashëgim ndotje të mëdha brezave të ardhshëm! Mjerisht!
Është e kuptueshme që mediat e tilla të mos më lejojnë hapësirë për shprehje: me kritikat ndaj politikës së cilës i shërbejnë ua cenoj standardet dhe interesat!
A KA KLASË POLITIKE KOSOVA
EPOKA E RE: Si e vlerësoni punën e klasës politike në presidencën, në kuvendin dhe në qeverinë e Kosovës?
Akademik Qosja: Nuk mund të thuhet ende se në Kosovë ka një klasë politike. Togfjalëshi klasë politike e nënkupton një shtresë ose, së paku, një numër të mjaftueshëm njerëzish politikë të përgatitur për të ushtruar me kompetencë e me përgjegjësi politikën e kjo domethënë për të sendërtuar qëllimet, që ua ka caktuar çasti historik, që ua ka caktuar shoqëria dhe që, më në fund, kanë marrë mbi vete. Kosova nuk ka ende një klasë politike për dy arsye: e para, sepse pesë vjet janë kohë e shkurtër për krijimin e një klase politike; dhe e dyta, sepse numri më i madh i njerëzve të politikës janë gjetur në vendet politike në të cilat janë sot në sajë të kombinimeve partiake, në sajë të lidhjeve familjare dhe, si kemi lexuar sa herë në mediat, në sajë të shërbimeve që u kanë bërë këtyre a atyre prijësve partiakë!
Në qoftë se njeriu, si e thotë Hegeli, është seria e veprave të veta e kjo domethënë në qoftë se njeriu i politikës është seria e sjelljeve të veta politike, e asaj që thotë dhe si e thotë atë që e thotë, i asaj që bën dhe i asaj që do të duhej të bënte por nuk e bën, atëherë mund të thuhet se papjekuria politike, kurse në disa raste papjekuria skandaloze politike, është karakteristika themelore e shumicës së njerëzve të politikës në Kosovë. I ndihmoftë Zoti Kosovës! Dhe i ndihmofshin Amerika dhe Evropa Kosovës!
NE KËRKOJMË ENDE PREJ PUSHTETARËVE TË MOS NA PËRNDJEKIN
EPOKA E RE: A e shohin mediat këtë papjekuri të njerëzve të politikës? A e shohin qytetarët? A e shohin partitë?
Akademik Qosja: Nuk më shqetësojnë aq niveli i ultë politik, korrupsioni politik, moral, dhe material i një numri të njerëzve të politikës sa më shqetëson diçka tjetër. Mediokritetet e politikës sonë dhe të korruptuarit e politikës sonë pashmangshëm do të shkojnë një ditë: brezi që vjen, ndërrimet e pashmangshme, mosha do t’i çojnë atje ku më në fund e kanë vendin: në anonimitet. Do t’iu hiqen karriget dhe kurrë më nuk do të dëgjojmë për ta. Më shqetëson, ndërkaq, pajtimi i partive, sidomos, pajtimi i qytetarëve, me papjekurinë e njerëzve të politikës, me gënjeshtrat e tyre, me korrupsionin e tyre! Më shqetëson shumë heshtja e qytetarëve para shpërdorimeve që bëjnë njerëzit e politikës, që aq shumë i dëmtojnë interesat e qytetarëve dhe, më në fund, prestigjin e Kosovës!
EPOKA E RE: Pse ngjet kjo? Pse qytetarët tonë kërkojnë pak prej pushtetit?
Akademik Qosja: Pse? Kemi qenë gjatë, me shekuj, të robëruar. Kemi qenë gjatë, me shekuj, të pushtuar! Në të vërtetë ne qe pesë vjet po gëzojmë një farë lirie sado ende jo edhe pavarësinë në qeverisjen e Kosovës. Të robëruar, të pushtuar, të sunduar prej të tjerëve jemi mësuar ta adhurojmë pushtetin, t’i shërbejmë në vend që të kërkohjmë që ai të na shërbejë mbasi ne i paguajmë pushtetarët për punën që bëjnë. Ne edhe më tej kërkojmë prej pushtetit, prej njerëzve të pushtetit të mos na përndjekin, të mos na rrahin, të mos na burgosin, të mos na bëjnë trysni që të shkojmë në emogracion në qoftë se i lejojmë vetes që t’i kritikojmë! Akademikut që kritikon partishmërinë politike në Akademi, fjala vjen, ngjet t’i thuhet: vetëm t’i nuk mund të zgjedhesh në udhëheqjen e Akademisë apo në ndonjë organ tjetër të saj! Intelektualit qoftë edhe ndër më të shquarit, ngjet t’i bëhen kërcënime natën në derë të shtëpisë a t’i shkruhen parulla kërcënuese para garazhës pse kritikon njerëz të pushtetit për korrupsion, nepotizëm, plaçkë të pronës shoqërore sot apo allishverishe ekonomike e politike me njerëz të Millosheviqit dje! Ku guxojnë, prandaj, këta intelektualë të kërkojnë prej pushtetit më shumë se të mos u bëjnë trysni që të mbyllin gojën apo që të shkojnë në emigracion!
DELEGACIONI QË E KRIJOI TJETËRKUSH
EPOKA E RE: Kryetari Rugova ka caktuar anëtarët e grupit negociator me Beogradin, ndërsa veten, edhe pse i sëmurë, e ka caktuar udhëheqës të këtij grupi. Komenti juaj?
Akademik Qosja: Nuk mund t’i lejoj vetes të flas kritikisht për njeriun i cili, fatkeqësisht, vuan prej një sëmundjeje të rëndë. Secili prej nesh mund të sëmuret apo edhe mund të jetë i sëmurë, por ende nuk e di. Unë, tani, vetëm mund t’i dëshiroj atij që të shërohet sa më parë.
Çudi që nuk e dini se delegacioni që do të zhvillojë bisedime me Beogradin për status përfundimtar të Kosovës nuk është formuar nga ndonjë zyrtar a institucion administrativ a politik i Kosovës; ai delegacion është formuar prej përfaqësuesit të një zyre të huaj në Prishtinë. Më në fund, a nuk ua dëshmon këtë edhe vetë përbërja e delegacionit, në të cilin është futur edhe një injorant politik siç është kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe një njeri, fatkeqësisht, tani për tani i sëmurë, siç është kryetari i Kosovës?
EPOKA E RE: Në mesin e anëtarëve të grupit negociues ka disa emra e kaluara, por edhe e sotmja e të cilëve nuk është e lakmueshme. Keni besim se këta do të na sjellin pavarësinë?
Akademik Qosja: E kuptoj dëshirën, madje edhe vendosmërinë e ndërkombëtarëve në Prishtinë që të ndikojnë në përbërjen e delegacionit shqiptar, që do të bisedojë me Beogradin për ardhmërinë e Kosovës. Nuk e kuptoj, ndërkaq, vendosmërinë e tyre, që në përbërjen e delegacionit të mos merren parasysh disa parime, disa kritere dhe disa rrethana tonat. E para, në delegacion nuk do të duhej të gjenden njëkohësisht kryetari i Kosovës, kryetari i Qeverisë së Kosovës dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës. Kujt do t’ia lënë Kosovën ata në qoftë se do të jenë të detyruar që me javë të qëndrojnë në bisedime diku jashtë Kosovës? Zëdhënësve të tyre? Truprojeve të tyre që nuk do të mund t’i marrin me vete se janë shumë? Sekretarëve a këshilltarëve të tyre të panumërtë? Kurrkund në këtë botë jallane të tre kryetarët – i vendit, i kuvendit e i qeverisë nuk hyjnë njëkohësisht në një delegacion dhe nuk e lënë vendin pavarësisht prej punëve me të cilat duhet të merret ai delegacion. As në dasmë as në vdekje nuk shkojnë të gjithë burrat e shtëpisë!
E dyta, në Kosovë ka pasur një lëvizje politike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; dhe, në Kosovë kjo lëvizje ka organizuar luftën për vetëmbrojtjen e Kosovës, që me kohë ka marrë karakterin e luftës çlirimtare. Nuk më duket e kuptueshme që në bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës të marrë pjesë dikush që nuk ka pasur kurrfarë vlere në atë lëvizje e aq më pak dikush që ishte kundër luftës çlirimtare që kishte organizuar ajo lëvizje, siç është, fjala vjen kryetari i Kuvendit të Kosovës, i cili aq fort është përpjekur të komprometojë UÇK-në si ushtri marksistë-leninistësh dhe i cili në kohën e kësaj lëvizjeje dhe në kohën e kësaj lufte bënte biznes me biznesmenë serbë që përkrahnin dhe financonin regjimin e Millosheviqit!
Dhe, e treta, çdo qytetar mendjenormal i Kosovës, sigurisht, ka shtruar pyetjen: çka don në delegacionin e Kosovës, që do të marrë pjesë në bisedimet për ardhmërinë e Kosovës, një “patriot” i tillë komercial, i cili kundër luftës së UÇK-së bënte propagandë, por tani, kur lufta ka marrë fund, kapardiset para gazetarëve duke deklaruar: “pavarësia e Kosovës është e panegociueshme”! Po në qoftë se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme çfarë fytyre ke, mund ta pyesin qytetarët, që të pranosh të hysh në delegacion për bisedime me Serbinë për statusin e Kosovës? Në botë sekush e di se nuk krijohen delegacione për çështje që janë të “panegociueshme”. Në botë dihet se të “panegociueshme” nuk janë as akzistenca e Zotit e as përjetësia e planetit të Tokës! Më në fund, për çështje që shpallen të “panegociueshme”, nuk bisedohet – për to luftohet me armë. E sa është i gatshëm të luftojë kryetari i Kuvendit për pavarësinë e Kosovës e tregon biznesi i tij!
EPOKA E RE: Duhet apo nuk duhet që Kuvendi i Kosovës t’ia japë vizën grupit negociator?
Akademik Qosja: Nxjerrja e përbërjes së delegacionit në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës gjoja për të vendosur ai për përbërjen e tij, në të vërtetë është një lojë pseudodemokratike që bëjnë Kuvendi dhe ata ndërkombëtarë që vetë e kanë formuar ashtu si e kanë formuar delegacionin . Ja, medemek, edhe organi ligjvënës i Kosovës vendosi për delegacionin e Kosovës! Atje ku punët e institucioneve janë të caktuara si duhet dhe atje ku këto institucione i kryejnë punët ashtu siç janë caktuar ato me Kushtetutë e me ligje, atje me punë delegacionesh, qoftë edhe të delegacionit për një çështje madhore siç është çështja e statusit përfundimtar të vendit, merret qeveria. Në rendet parlamentare, të imituara pak a shumë edhe në Kornizën tonë kushtetutare, kuvendi nxjerr ligjet, kryetari i vendit merret kryesisht me punë protokolare, kurse qeveria qeveris vendin, bën politikën dhe diplomacinë e tij. Nuk ka dyshim se ndërkombëtarët që e kanë caktuar delegacionin kosovar për bisedime me Beogradin u atribuojnë autorësi në formimin e këtij delegacioni kryetarit të vendit dhe kryetarit të kuvendit jo pse ashtu e duan Korniza e ligjet e Kosovës po pse ashtu e duan të tjera qëllime politike!
JAM KUNDËR FUSHATËS NDAJ KRYEMINISTRIT
EPOKA E RE: A duhet të ketë vend në grupin negociator për njerëz të dyshuar për korrupsion, siç është, për shembull, kryeministri Kosumi e ndonjë tjetër?
Akademik Qosja: Bajram Kosumi nuk ka bërë mirë që ka shkuar për pushim në Turqi në kohën kur në Kosovë kishte aq punë për t’u bërë në lidhje me standardet dhe kur Kai Aide aq shpesh vinte në Kosovë! Bajram Kosumi nuk ka bërë mirë që prej Turqisë është kthyer me aeroplan të veçantë që është paguar prej një ministri të qeverisë që ai kryeson. Gazetarët që aq shumë po shkruajnë për Bajram Kosumin besoj se e dinë se sa veprime të jashtëligjshme, se sa të bëra korruptive, sesa shpërdorime të demokracisë, sesa favorizime nepotiste, se sa firma e ndoshta, edhe aksione në banka, se sa pasuri të krijuara për një kohë tepër të shkurtër e konflikte të tjera interesash rëndojnë mbi supet e disa anëtarëve të tjerë të delegacionit! Pse nuk janë marrë deri tani dhe pse nuk merren as tani me ta po vetëm me Bajram Kosumin, i cili deri në moshën në të cilën është ka arritur të bëjë një banesë! Shikoni mos po i bëni të padrejtë njeriut i cili ka bërë shumë sakrifica për Kosovën pa përfituar gjë materialisht prej atyre sakrificave dhe mos po i mbyllni sytë para ndotësive politike e materiale të atyre që s’kanë bërë gjë për Kosovën, dhe të atyre që janë pasuruar shumë duke bërë tregti me ardhmërinë e Kosovës, dhe të atyre që me sjelljet e sotme prej injorantësh agresivë politikë e fyejnë të sotmen dhe të nesërmen e Kosovës!
EPOKA E RE: Pasi e njihni nga afër kryeministrin Kosumi, a keni pritur se do të japë dorëheqje pas disa skandaleve?
Akademik Qosja: Bajram Kosumin e njoh si veprimtar politik me cilësi të çmuara: të drejtëpërdrejtë në shprehjen e mendimit, të sinqertë, të vendosur, të përkushtuar ndaj idealit të cilit ia ka kushtuar rininë. Kam përshtypjet më të mira nga bashkëpunimi me të. Mendoj se rrethanat politike që nuk janë varur prej tij e kanë sjellë në koalicionin politik me partinë (LDK-në), politikën kapituluese, nënshtruese, fyese të së cilës para luftës dhe gjatë luftës jo vetëm se e ka kundështuar por edhe e ka përbuzur. Të them sinqerisht, jam befasuar kur kam parë se ka pranuar të mbetet në këtë koalicion! Dhe, s’e kam arsyetuar! Por, unë besoj se ai nuk mbetet në atë koalicion për t’iu përshtatur atij. Më në fund, a nuk e dëshmoi këtë me shkuarjen në Tiranë posa u bë kryeministër? Nuk pres as nuk dëshiroj tani të japë dorëheqje! Trysnia që po i bëhet atij për të dhënë dorëheqje mund të ishte e arsyeshme vetëm po të pasonte trysninë ndaj atyre, që mjerimin politik, korrupsionin, nepotizmin, luksin zyrtar, plaçkën e pasurisë shoqërore e kanë bërë sistem në Kosovë.
EPOKA E RE: A luftohet korrupsioni në Kosovë?
Akademik Qosja: Jo, aspak! Si mund ta luftojnë korrupsionin të zhyturit në korrupsion? Korrupsioni luftohet jo me kritikë formale e me dofarë rregulloresh pseudoligjore që s’i lexon kush, por kur largohen nga pozita protagonistët e korrupsionit, kur burgosen protagonistët e korrupsionit dhe, më në fund, kur iu merret pasuria e krijuar në mënyrë të korruptuar atyre. Dhe, dita kur do të veprohet kështu pashmangshëm do të vijë.
OPOZITA E PAIDENTITET
EPOKA E RE: A iu bashkoheni mendimeve të disa analistëve që pohojnë se partitë opozitare në Kosovë nuk janë duke ditur të bëjnë politikë?
Akademik Qosja: Në të vërtetë pushteti ekzistues në Kosovë nuk ka opozitë. Shikoni vetëm se çfarë terrori duron opozita në Kuvendin e Kosovës! Shikoni se si opozita i kalon në heshtje padrejtësitë që bën LDK-ja në institucionet arsimore, shkencore, kulturore, në mediat publike duke izoluar të tjerët e duke i vënë në pozita drejtuese vetëm partizanët e vet pavarësisht prej cilësive profesionale! Shikoni sa mjerueshëm sillet opozita ndaj fyerjes që i bëhet UÇK-së dhe luftës në tekstet dhe në programet shkollore që i shkruajnë partizanët e LDK-së! Shikoni se me çfarë indiference e shikon opozita uzurpimin e shumë institucioneve të përkohshme a të përhershme arsimore, shkencore kulturore e të tjera nga partizanët e LDK-së! Opozita kosovare ngre zërin e saj të prridhur vetëm kur cenohen sadopak interesat e liderëve a afërliderëve të saj! Opozitë e paidentitet!
EPOKA E RE: A gabuan edhe më herët, sipas jush, partitë opozitare që pranuan lojën që të futen në Forum për dëshirë të Petersenit?
Akademik Qosja: Forume të tilla bëhen, zakonisht, në kushtet politike paraadministrative e parainstitucionale e jo në kushtet politike në të cilat ekzistojnë institucione administrative, domethënë shtetërore. Ç’duhen forumet e ashtuquajtura gjithëpërfshirëse kur ke qeveri, kuvend, presidencë, kur ke partitë në pushtet dhe partitë opozitare?! Kush po na kthen në gjendje parapolitike e parademokratike?! Dhe, pse? Për të na lënë pa alternativë?!
EPOKA E RE: Profesor, në ditët e para të qeverisjes së LDK-së dhe AAK-së jeni shprehur skeptik ndaj këtij koalicioni, madje e keni quajtur martesë të panatyrshme. Keni ndryshuar mendje?
Akademik Qosja: Jo, nuk kam ndryshur mendje. Si mund të bëjnë koalicion vetëm pesë vjet pas luftës ai që ka bërë vite e vite burgje, që ka bërë luftën për vetëmbrojtjen, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me ata që ishin kundër kësaj lufte dhe bënin përpjekje për komprometimin, madje, për shkatërrimin e UÇK-së? Ky koalicion i pandershëm nuk mund të shihet mirëkuptueshëm prej asnjë njeriu sadopak parimor. Ai është i gjykuar të bëjë politikë pa strategji e pa parime!
EPOKA E RE: A duhet të bjerë kjo qeveri para se të fillojnë bisedimet me Beogradin dhe në vend të saj të krijohet qeveri teknike apo e unitetit?
Akademik Qosja: Në demokraci ka rregulla dhe ka procedurë. Nuk mund të ndryshohet politikë pa u ndryshuar zyrtarë. E te ne ngjet në vazhdimësi kjo komedi: ndërrohen qëndrime e betime politike, por zyrtarët mbesin të njëjtë! Asgjë e sigurtë s’mund të bëhet në Kosovë derisa LDK-ja të ketë shumicën në institucionet e Kosovës! Ajo ishte dhe mbetet parti e përdorur!
Me dhjetëra herë i kemi dëgjuar zyrtarët kryesorë duke u betuar para popullit se nuk do të ketë bisedime me Beogradin për statusin përfundimtar të Kosovës e, tani, turren se cili do të hyjë i pari në delegacionin për këto bisedime. Papjekuri politike apo jo! Dhe, papërgjegjësi morale! Çfarë ndryshimesh do të sillte qeveria teknike apo e unitetit me valltarë të tillë!
DO TË ISHTE MIRË PO TË MUND TË MERRESHIN VESH PRISHTINA E BEOGRADI PËR KOSOVËN
EPOKA E RE: A mund të vendoset për statusin përfundimtar të Kosovës pa bisedime me Beogradin?
Akademik Qosja: Faktorët ndërkombëtarë duan që shqiptarët dhe serbët, që Prishtina dhe Beogradi, të bisedojnë dhe, mundësisht, të merren vesh për statusin përfundimtar të Kosovës. Kush ka mendje politike dhe mendon politikisht e di se ka një Rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën me numrin 1244 dhe në këtë Rezolutë parashihen bisedime për statusin e Kosovës, në të cilat palë biseduese janë shqiptarët, në njërën, serbët, në anën tjetër dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare si ndërmjetësues. Mençuria politike e do, sipas bindjes sime, që shqiptarët të mos e mohojnë nevojën e bisedimeve politike me palën serbe për ardhmërinë e Kosovës. Jeta e popujve është, ta themi, e pafund. Historia nuk kryhet me brezin tonë. Evropa ka pasur jo vetëm një Kongres si ai i Berlinit dhe bota ka njohur jo vetëm një rend botëror. Historia i ndërron faqet e saj mos krye njëzet, tridhjetë, zakonisht, krye pesëdhjetë a njëqind vjetësh. Ne duhet të mendojmë për brezat tonë të ardhshëm, për pasardhësit tanë: mundësisht të mos u lëmë trashëgim mosmarrëveshje, urrejtje, hesape të mëdha me fqinjët – se fqinjët nuk i zgjedhim, na i cakton zoti! Të gjitha këto duan të thonë se do të ishte më së miri për brezin e sotëm dhe për brezat e ardhshëm të shqiptarëve dhe të serbëve që Prishtina dhe Beogradi, pra, Prishtina dhe Beogradi, të merren vesh rreth ardhmërisë së Kosovës. Por, unë dyshoj në mundësinë e marrëveshjes shqiptaro-serbe për Kosovën. Ne nuk guxojmë të kënaqemi me zgjidhje që nuk e nënkupton sovranitetin shtetëror të Kosovës sepse e kaluara tragjike historike nuk na lejon të pajtohemi. Serbët, ndërkaq, nuk do të pajtohen të jetojnë në Kosovën e pavarur. Mbesin tri alternativa: e para, vendimi i Këshillit të sigurimit për statusin përfundimtar të Kosovës me të cilin ky institucion botëror, mund të supozohet, do të kujdeset që të mos i jepet çdogjë njerës palë e asgjë tjetrës; e dyta, marrëveshja e shqiptarëve dhe serbëve për ndërimin e kufijve skajorë të Kosovës me Serbinë, duke e nënkuptuar në këtë ndërrim edhe lëvizjen humane, të vullnetshme të popullsisë. Këtë alternativë, që do të përfaqësonte zgjidhje të përhershme të çështjes së Kosovës, mjerisht, tani për tani e kundërshtojnë faktorët ndërkombëtarë. Do të ishte fat për shqiptarët vendimi i Këshillit të Sigurimit për referendum mbi ardhmërinë e Kosovës. Dhe, kjo është alternativa e tretë, demokratike, e zgjidhjes historike të çështjes së Kosovës. Por a do të marrë këtë vendim Këshilli i Sigurimit është vështirë të parashikohet.
EPOKA E RE: Çka prisni nga raporti i të dërguarit të posaçëm të OKB-së, Kai Aide, në lidhje me përmbushjen e standardeve në Kosovë?
Akademik Qosja: Mund të jetë që përpiluesi i raportit, Kai Aide, do të kujdeset të kënaqë, si do të thoshte La Fonteni, krejtë botën dhe babain e kjo do të thotë: do të përpiqet që pak t’i kënaqë shqiptarët, pak serbët e më së shumti Këshillin e Sigurimit, i cili duket dëshiron që bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, megjithatë, të fillojnë ose në fund të këtij viti apo diku në fillim të vitit të ardhshëm. Opinonin tonë e gëzon shumë fillimi sa më i shpejtë i këtyre bisedimeve, por mendoj se fillimi sa më i shpejtë i bisedimeve do të duhej të na gëzonte vetëm po të jemi të sigurtë se përfundimi i tyre do të sjellë realizimin e idealit tonë.
EPOKA E RE: Si e vlerësoni rolin e UNMIK-ut, konkretisht të Petersenit në ngjarjet në vend?
Akademik Qosja: Organizata e Kombeve të Bashkuara, si me përbërje ushtarake ashtu edhe me përbërje civile askund nuk është treguar shumë e suksesshme. Fatkeqësisht, e suksesshme nuk është treguar administrata e asaj as në Kosovë. UNMIK-u ngadalë, por gjithnjë e më dukshëm, është bërë mbulesë e disa të këqijave në Kosovë: e korrupsionit, e kontrabandës, e nepotizmit, e plaçkitjes së pronës kolektive, e vjedhjeve, e shkeljes së ligjeve, e shpërdorimeve të ndryshme të demokracisë. Pjesëtarët e UNMIK-ut i shohin e i thonë të gjitha këto, por nuk duan që të ndërmarrin asgjë për parandalimin e tyre apo për dënimin e bërësve të tyre! Mund të jetë që disa faktorë ndërkombëtarë janë të interesuar që në Kosovë të krijohet sa më parë një shtresë përfaqësuese “e bashkim-vëllazërimit”, që me pasurinë dhe me rolin e saj do të dallohët në shoqërinë kosovare e që, mandej, do t’i marrë në duart e veta të gjitha punët në Kosovë! Nuk ka dyshim se faji për këto të këqija që ngjajnë dhe kalojnë në heshtje në Kosovë bie në radhë të parë mbi kryeadministratorin Petersen. Është gojëmbël, por ka disa faqe dhe punët e tij mund të jenë edhe të hidhura!
Po, pavarësisht prej pakënaqësisë që kemi me praninë e ndërkombëtarëve në Kosovë, kjo prani është tepër e rëndësishme për Kosovën. Mendoj se as pas marrëveshjes për statusin përfundimtar të Kosovës ne, edhe për një kohë jo të shkurtër, nuk do të duhej të kërkojmë që Kosova të jetë pa prani ndërkombëtare. Kosovën pa prani të ndërkombëtarëve, pa prani amerikano-evropiane, pa NATO-n do ta “gëlltiste” Serbia ose ne do të gëlltisnim njëri-tjetrin!
AKADEMIA – VAZHODON TË JETË E SHPËRDORUR PREJ NJË KLANI
EPOKA E RE: Profesor, si e vlerësoni kontributin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në procesin nëpër të cilin po kalon Kosova?
Akademik Qosja: Akademia futet nganjëhrë në këtë proce-deklarativisht! Ajo vazhdon të jetë e përdorur prej një klani partiak të LDK-së, sot, kryesisht, për të përmirësuar gjendjen finansiare të pjesëtarëve të këtij klani. Me kryetarin e sekretarin e ashtuquajtur shkencor nga Lugina e Preshevës dhe me kryetarin e nënkryetarin gjuhëtar ajo sot funksionon si firmë lokale preshevare-gjuhëtare që, objektivisht,nuk mund ta inkuadrojë Akademinë në procesin demokratik dhe, në përgjithësi, në proceset moderne kulturore në të cilat pashmangshëm duhet të hyjnë arsimi, shkenca dhe, në përgjithësi, krijimtaria jonë shpirtërore. Po, nuk është Akademia jonë e Shkencave dhe e Arteve i vetmi institucion në të cilin ne tregojmë se sa mund të jemi armiq të vetvetes!
EPOKA E RE: Flitet se nuk keni raporte të mira me këtë institucion...?
Akademik Qosja: Nuk është ashtu. Me atë institucion jam në raporte shumë të mira; numri më i madh i anëtarëve të atij institucioni e dinë fare mirë çka kemi bërë unë e Gazmend Zajmi për të shpëtuar dinjitetin intelektual të atij institucioni në kohën e dhunës shtetërore të regjimit të Millosheviqit në Kosovë. Jam në raporte të papajtueshme, ndërkaq, me klanin partiak dhe lokalist që e përdor dhe e shpërdor Akademinë për të sjellë në të shërbëtorët e vet pseudointelektualë dhe për nevojat e veta publike e financiare! Akademia është e përhershme e terrori i klanit kalon një ditë, sado pasojat e shpërdorimeve të tij do t’i ndiejë gjatë ky institucion!
KUSH LUAN ME FATIN E DISA GAZETARËVE
EPOKA E RE: Në pranverën e këtij viti ju ishin objekt i një fushate pas botimit të librit Shpërngulja e shqiptarëve sipas programeve kombëtare serbe, në të cilën ishte i inkuadruar sekretari shkencor i Akademisë. Ju nuk i jeni përgjigjur asaj fushate. Opinioni ka mbetur i habitur nga heshtja juaj?
Akademik Qosja: Shkak i kësaj fushate nuk ishte libri që përmendët ju, por libri tjetër, po ashtu i botuar sivjet: Demokracia e shpërdorur. Sekretari në të cilin mendoni ju i Akademisë dhe një gazetar i gazetës Bota Sot ishin vetëm rrogëtarët, që kryenin punën e tjetërkujt: rrogëtarët e atyre zyrtarëve që për korrupsion, nepotizëm e për shpërdorime të tjera kritikohen në librin Demokracia e shpërdorur. Nuk mund t’i lejoj vetes t’u përgjigjem rrogëtarëve; mund t’u përgjigjem vetëm punëdhënësve të tyre. E kuptoj pezmin që këta punëdhënës kanë ndaj meje. Do të donin që me familjarët, ilakatë, miqtë të plaçkisin Kosovën në heshtje! Do të donin të mbesin në heshtje fyerjet që i kanë bërë Kosovës para luftës dhe gjatë luftës! Do të donin të kalojnë në heshtje komeditë e tyre të sotme politike me të cilat vazhdojnë ta përulin Kosovën në sytë e qytetarëve që kanë sy e shohin dhe të ndërkombëtarëve në Kosovë. Libri Demokracia e shpërdorur e thyen këtë heshtje. Fushata kundër meje, ndërkaq, e ngre një problem të madh në Kosovë: e ngre problemin e metodës që udhëheqja e LDK-së ka zbatuar dhe zbaton në qërimin e hesapeve me kundërshtarët politikë dhe me intelektualët që nuk duan t’i pranojnë shpërblimet e saj. Udhëheqja e LDK-së jo shumë kohë pas formimit e kishte krijuar një grup partiak në të cilin bënin pjesë edhe disa krijues, që merrej me të ashtuquajturën strategji të luftës politike kundër atyre që e kritikonin politikën kapituluese, nënshtruese dhe zhvatëse të udhëheqjeve të LDK-së. Për këtë punë, natyrisht, ishin caktuar edhe mjete finansiare. Fryt i punës së këtij grupi do të jenë një revistë e përkohshme javore dhe, mandej, buletini i përhershëm i LDK-së. Fryt i punës së këtij grupi ishte edhe besnikëria që disa nga mediat e asaj kohe do të tregojnë ndaj politikës së udhëheqjes së LDK-së. Dihet se me paratë e LDK-së paguheshin disa gazetarë që punonin në ato media! Këta gazetarë nuk kursenin fjalë, trillime, gënjeshtra, denoncime, fyerje për të komprometuar kritikët e politikës së udhëheqjes së LDK-së. Në shënjestër të tyre ishin posaçërisht Adem Demaçi, Luljeta Pula, Veton Surroi, Rexhep Qosja e disa të tjerë. Gjatë luftës dhe, tani, pas luftës, lista e individëve, që do të përndjekë grupi strategjik i LDK-së, në të vërtetë udhëheqja e LDK-së, do të pasurohet edhe me shumë emra të tjerë, në mesin e të cilëve edhe me emrat e disa komandantëve e prijësve politikë të UÇK-së dhe të një vargu pjesëtarësh të tjerë të UÇK-së. Gazeta Bota sot, si gazetë partiake e LDK-së, nuk do të ngurrojë të zbatojë metoda, vërtet, fashiste në denoncimin, akuzimin kriminal, fyerjen, cenimin e integritetit personal, në përndjekjen e njerëzve, që kritikojnë udhëheqësit e LDK-së. NË këtë punë të projektuar nga grupi strategjik i LDK-së, redaksia e Botës sot dhe gazetarët e saj të vjetër do t’i fusin, sidomos, gazetarët e rinj! Ne sot e dimë numrin e viktimave gazetarë të kësaj politike të Grupit strategjik të LDK-së, domethënë të udhëheqjes së LDK-së, por nuk mund ta dimë numrin e viktimave të ardhshme! Rexhep Qosja është krijues, intelektual, që kritikon dhe e di se, si kritik, do të jetë i kritikuar dhe, madje, i fyer! Është pajtuar që moti me çmimin që duhet të paguajë për të vërtetën dhe të drejtën, që i konsideron vlerat me të cilat më së miri i shërbehet popullit. Ai është i vetëdijshëm se gjendja e tij materiale sot, se hapësirat e paraqitjes së tij publike në mediat e Prishtinës sot, se, mundësitë e botimit dhe ribotimit të veprave të tij në Prishtinë sot, deri diku, edhe siguria e tij sot mund të varen prej punëdhënësve të sekretarit të Akademisë për të gjitha dhe të gazetarit të Botës sot, që e bënë fushatën pranverore kundër tij. Por ai është i vetëdijshëm, njëkohësisht, se vepra e tij shkencore, se vepra e tij letrare, se vepra e tij publicistike, se veprimtaria e tij intelektuale dhe politike në kohën kur Grupi strategjik i LDK-së, kur udhëheqësit e LDK-së dhe rrogëtarët e tyre merrnin pjesë në luftën e Lidhjes së Komunistëve në Universitet e në Rilindje kundër “irredentizmit shqiptar”, kur betoheshin në integritetin territorial të Jugosllavisë dhe, më vonë, kur trumbetonin politikën kapituluese, nënshtruese dhe fyese për Kosovën të LDK-së, se ajo vepër e tij, pra, i takon tashmë historisë dhe qëndron mbi kompetencat e tyre pushtetore.
Por, nuk do të duhej kurrsesi të harrohej se jo gjithë të përndjekurit me metoda fashiste nga Bota sot i durojnë lehtë shpifjet, gënjeshtrat, akuzat kriminale, denoncimet, cenimet e integritetit, fyerjet, që ju bëhen në këtë gazetë! Ata që janë të vetëdijshëm se sa i thellë është ende mentaliteti i hakmarrjes në shpirtin tonë, se sa të përshtrira janë ende sjelljet e dhunëshme në marrëdhëniet tona të ndërsjella, brendakombëtare, ata mund të frigohen, prandaj, se Grupi strategjik i LDK-së dhe udhëheqja e LDK-së, përmes gazetës së tyre që zbaton metoda fashiste në përndjekjen e njerëzve, Bota sot, do të bëhen shkaktarët përgjegjës që të çelen varre të reja gazetarësh në Kosovë! Fatkeqësisht! Është koha e fundit që ta ndërpresin vrasjen e gazetarëve me manipulimet dhe me intrigat e tyre kriminale!
Do ta quaja veten të lumtur në qoftë se këto fjalë të miat tregohen të gabuara, por ata që mbajnë mend çka lexojnë mund ta dinë se drojën që politika e Grupit strategjik të LDK-së, në të vërtetë e udhëheqjes së LDK-së ndaj kundërshtarëve politikë mund t’i viktimizojë gazetarët e kam shprehur edhe disa vjet para luftës. Koha ka treguar, mjerisht, se ajo drojë ishte shumë e arsyeshme.

Komentet e ruajtura
Per ceshtje te panegocioshme siq eshte pavarsia e kosoves nuk bisedohet por luftohet

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.