Grupi ilegal dhe ilegjitim i bisedimeve për Kosovën

2005-10-11 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Politika dhe veprimtaria e LDK-së (parti legale nën pushtim) e bëri Kosovën
çështje grupi ose grupesh partiake, që kërkonin “zgjidhje” jo më larg se në
Beograd. Lufta Antipushtuese Çlirimtare e UÇK-së e bëri Kosovën ÇËSHTJE
NDËRKOMBËTARE. Përkrahja mbarëkombëtare për Luftën e UÇK-së dhe tendenca e hapur
që kjo Luftë të marrë karakterin e një lufte të përgjithshme për çlirimin dhe
bashkimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë i shtyri Fuqitë e Mëdha (veçmas
SHBA-në) të ndërmarrin ofenzivën e bombardimeve për dëbimin e forcave pushtuese
serbe nga Kosova. Kjo Luftë e Madhe për Kosovën përfundoi me miratimin e një
Resolute të Vogël nga Këshilli i Sigurimit, që ishte “prodhim” i kompromisit
midis SHBA-së dhe
aleatëve të saj, nga njëra anë, dhe Rusisë dhe aleatëve të saj, nga ana tjetër. Kjo
rezolutë me numër 1244 e la të papërkufizuar statusin e Kosovës. Për hartimin e
kësaj rezolute u mor parasysh edhe marrëveshja e Rambujes, e cila, pas fillimit të
bombardimeve të NATO-s dhe gjenocidit e dëbimit masiv të popullit shqiptar nga
Kosova, nuk do të duhej ta obligonte popullin tonë dhe “klasën” e tij politike.
Prandaj, delegacioni që e ka nënshkruar këtë marrëveshje duhet ta “tërhiqte”
publikisht nënshkrimin prej saj. Tash para fillimit të “përfundimit” të bisedimeve
është koha e fundit që të themi qartë dhe hapur (pa ekuivoke): “Nuk qëndrojmë më pas
marrëveshjes së Rambujes”. Sepse, druaj që kjo marrëveshje do të bëhet “platformë” e
bisedimeve për statusin e Kosovës. “Më shumë se autonomi, më pak se pavarësi” dhe
“nuk ka ndryshim kufijsh”, po thotë Serbia. “Pavarësi e kushtëzuar” dhe “kufijtë
në rajon mbeten të pandryshuar”, po thotë Tropoja (Berisha dhe Mustafai). “ E kemi
shpallur njëherë pavarësinë”, po thotë LDK-ja, si puna e atij jevgut në kohën e
Titos. Inspektorët e UDB-së i kërkonin jevgut të thrriste “rroftë shoku Tito”,
ndërsa jevgu përgjigjej: “Kam thënë njëherë…”.
E vërteta është se Kosova nuk është shpallur asnjëherë shtet i pavarur dhe sovran
nga Kuvendi i atëhershëm i Kosovës. Vullnetin e popullit të Kosovës për dëbimin e
forcave pushtuese dhe çlirimin e krahinës më të madhe shqiptare të pushtuar nga
Serbia e jetësoi Lufta Antipushtuese Çlirimtare e UÇK-së dhe mbështetja që fitoi
kjo Luftë nga SHBA-ja dhe NATO-ja. “Pavarësia, tha Alush Gashi para dy dite,
është në thelb të programit të LDK-së…”. Gjuha është prej tuli dhe politikani i
papërgjegjshëm mund ta dredh e ta përdor si të doj. Por, në programin e LDK-së
shkruante e zezë mbi të bardhë: “LDK-ja angazhohet për republikën e Kosovës në
kuadër të federatës apo konfederatës së Jugosllavisë…”. Kjo nuk do shpjegim!
Partia Demokratike e Kosovës (paraardhësja e saj LPK-UÇK-ja) kërkesën dhe angazhimin
për shtet të pavarur e konsideron si të drejtë minimale dhe si zgjidhje të pjesëshme
të çështjes së Kosovës dhe asaj shqiptare përgjithësisht. Drejtuesit e kësaj Partie
dhe anëtarësia e saj janë angazhuar dhe dëshmuar edhe konkretisht për çlirimin e
Kosovës. Po të ishte dhe po të angazhohej edhe LDK-ja e Alush Gashit për pavarësinë
(të paktën) e Kosovës sot Ajo do të ishte shtet i pavarur… Angazhimi i saj kundër
përpjekjeve dhe Luftës Çlirimtare krijoi vështirësi dhe probleme shtesë për Kosovën.
E njëjta gjë ka ndodhur edhe pas Luftës. Kjo parti (LDK-ja) nuk ishte “korrekte” dhe
e përgjegjshme për fatet e vendit. Ajo u bë “servis” i mirë i UNMIK-ut dhe i
qeverive e qarqeve të caktuara ndërkombëtare që angazhoheshin kundër shkëputjes edhe
“de jure” të Kosovës nga Serbia… Po të ishte LDK-ja për shtet të
pavarur, siç po mahitet Alush Gashi, Kosova do të bëhej shtet të paktën tri vjet më
parë… “Ne, tha Alush Gashi, për pavarësinë e Kosovës, po të na kërkohej, do të
votonim njëqindë herë”. Populli i Kosovës, por edhe zgjedhësit tuaj, zoti Gashi,
kanë kërkuar dhe kërkojnë të votoni vetëm njëherë për shtetin e pavarur dhe sovran
të Kosovës dhe ta bëni atë shtet, që është kërkesë minimale e këtij populli. S’keni
pse votoni dy herë…
Tash po kthehemi te titulli i shkrimit. Pse grupi për bisedime është ilegal?
Sepse ky grup është formuar në zyra të huaja ose në bodrume të fshehta (larg
syrit dhe veshit të popullit) dhe është “shpallur” nga një njeri që quhet kryetar
i Kosovës! Për formimin e këtij grupi nuk janë bërë këshillime paraprake
transparente. Forca kryesore politike, PDK-ja, nuk është pyetur fare. Përfshirjen
e kryetarit të saj në këtë “grup”, PDK-ja e ka marrë vesh nga mediat… Rrugët dhe
format për krijimin e këtij “grupi” janë tepër të dyshimta dhe konspirative…
Pse ky “grup” është ilegjitim? Sepse ky “grup” nuk është inicuar dhe as krijuar
nga institucionet e zgjedhura demokratike. Kryetari i Kosovës edhe vetë është i
zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës e jo me votën e qytetarëve. Pra, ai është njëri
nga 120 deputetët e Kuvendit. Ky Kuvend ka të drejtë dhe mundësi edhe ta
shkarkojë atë. “Votimi” i këtij “grupi” në Kuvendin e Kosovës nuk ishte i
rregulltë. Për këtë “grup”, u mor vesh më vonë, sepse aty nuk i numroi kush
votat, kishin votuar vetëm 51 deputetë! As gjysma e tyre! Ndërsa kërkohej
unitet?! Pastaj për çështje të këtilla ose duhet të ketë konsensus të plotë midis
forcave politike ose të mbahet REFERENDUM. Vendet më demokratike edhe për çështje
të miratimit të
Kushtetutës evropiane mbajtën referendume. Për cilën çështje do të duhej pyetur
populli nëse jo për statusin dhe të ardhmen e Kosovës? Për këtë “grup” ilegal me të
drejtë nuk votoi Partia Demokratike e Kosovës. Megjithatë, kryetari i kësaj Partie
vazhdon të ftohet të marrë pjesë në takimin e këtij “grupi”! Këtë mund ta bëjnë
vetëm forca politike dhe politikanë që nuk njohin dhe respektojnë asnjë normë dhe
parim moral, politik e kombëtar… Si mund të shkojë Thaçi në një “grup”, që nuk është
votuar nga grupi i tij parlamentar? Si mund t’ia jepte votën grupi parlamentar i
PDK-së një “grupi’ me individë kaq të dyshimtë dhe pa debatuar fare Kuvendi? Si mund
të merr pjesë Partia Demokratike e Kosovës në një “grup” për bisedime me Serbinë, pa
pasur mandatin dhe “vizën” e popullit, pa u deklaruar populli me REFERENDUM ose pu u
shpallur Kosova shtet i pavarur dhe sovran? Këtë mandat nuk e ka asnjë
forcë politike në Kosovë? A mund t’u besohet fati i Kosovës atyre individëve (të
“bashkuar” në këtë “grup”) që asnjëherë nuk i kanë ndërprerë bisedimet dhe kumbaritë
me Serbinë? Këto kumbari dhe bisedime po vazhdojnë nga zyrtarë të lartë të Kuvendit
dhe të Qeverisë (nga koalicioni LDK-AAK) edhe këto ditë! Si mund të bisedohet me
Serbinë kur një pjesë e mirë e territorit të Kosovës vazhdon të kontrollohet nga
Serbia? A mund të bisedohet me Serbinë kur mijëra policë, inspektorë të sigurimeve
sekrete serbe dhe bashkëpunëtorë të tyre vazhdojnë të operojnë të papenguar në
Kosovë?
Bisedimet e vazhdueshme me Serbinë, skandalet financiare dhe morale ua kanë
rrënuar legjitimitetin drejtuesve të institucioneve kryesore të vendit: Kuvendit,
Qeverisë dhe Presidencës. Për rrjedhojë edhe vetë këto institucione tashmë kanë
një legjitimitet të cunguar. Prandaj, e vetmja zgjidhje është REFERENDUMI… E
vetmja forcë që vazhdon ta ruaj legjitimitetin dhe kredibilitetin (besueshmërinë)
në Kosovë dhe që ka edhe të drejtën morale e kombëtare ta thotë fjalën e vetë për
Kosovën është Partia Demokratike e Kosovës dhe disa parti e organizata më të
vogla. Në fund të fundit edhe disa Fuqi të Mëdha nuk e kanë hallin e LDK-së,
sepse atë e kanë gjithmonë me vete, por po këmbëngulin ta fusin në “thesin” e
tyre
edhe PDK-në. Arsyeja e thjeshtë: Serbia nuk ishte në luftë me LDK-në. As sot ajo nuk
ka asnjë të keqe me drejtuesit e zyrtarët e saj. Astrit Haraçia, sapo u kthye nga
Beogradi deklaroi pa fije turpi: “Realizova ëndrrën time…”! No koment! Besoj se
PDK-ja do të mbetet me çdo çmim në anën e popullit dhe të interesave të tij e të
Kosovës… Nëse është nevoja kjo Parti duhet ta shqyrtojë edhe qëndrimin e mëtejmë në
këto institucione të korruptuara moralisht, politikisht, financiarisht e
kombëtarisht.
Kosova dhe çështja e saj nuk është çështje e udhëheqësve politikë dhe as veç e
Kuvendit të Kosovës. Ajo është “hise” e gjithë kombit shqiptar. Për Të do të
duhej të ndërtohej një konsensus mbarëkombëtar. Ky konsensus mund të ndërtohet
vetëm nëpërmjet një debati dhe bisedimeve intensive midis forcave politike në të
gjithë hapsirën shqiptare. Fati (statusi) i Kosovës nuk mund të përcaktohet duke
biseduar me Beogradin. Për këtë çështje mund të bisedohet me Bashkësinë
Ndërkombëtare (Fuqitë e Mëdha) pas konsensusit të arritur brenda kombit tonë. Çdo
rrugë tjetër do të na shpie në qorrsokak… Në vend të zgjidhjes do të hapen
“telashe” të reja…


Xhevat Bislimi

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.