Përderisa nuk lirohemi nga ëndrrat, nuk do t’i shohim faktet

2005-09-27 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Përderisa nuk lirohemi nga ëndrrat, nuk do t’i shohim faktet!


Shkruan: Sejdi VESELI


Sjelljet e derisotme të unmikistanezëve dhe të disa qarqeve të njohura
ndërkombëtare karshi jetësimit të të drejtave elementare të popullit të
Kosovës, për të vetëvendosur për të sotmen dhe të ardhmen, sipas
përcaktimeve të tij të lira, lakuriqësojnë një të vërtetë të hidhur.
Se qarqe me peshë të bashkësisë ndërkombëtare, si duket janë të vendosura,
që për “zgjidhjen” përfundimtare të statusit të Kosovës, të mos e marrin për
bazë vullnetin e ligjshëm të popullit të saj shumicë, por, si dhe në të
kaluarën, do të veprojnë sipas direktivave të Kreut serbomadh të Beogradit
zyrtar.
Se këto qarqe të instaluara në Kosovë, në kuadër të pushtetit kolonialist të
quajtur UNMIK, në kuadër të ushtrisë kolonialiste të quajtur KFOR dhe nëpër
përfaqësi të ndryshme të organizmave tjerë të OKB-së dhe të Bashkësisë
Evropiane, në përputhje me interesat e tyre dhe të Serbisë, edhe kësaj
radhe, ashtu si në të kaluarën, po ndërmarrin veprime diskriminuese ndaj të
drejtave të ligjshme të popullit shqiptar, pa u skuqur fare, se me veprimet
e tyre antishqiptare po shkelin me paturpësi dokumentet e OKB-së, si p.sh.
Rezolutat nr. 637/1952 dhe 2625/1970, të cilat garantojnë këto të drejta
universale për të gjithë popujt.
Se të ashtuquajturat Institucione të Përkohshme Vetëqeverisëse dhe liderët
tanë politik, si ata të pozitës, ashtu dhe shumica e tyre në opozitë, të
dhënë pas interesave meskine individuale dhe klanore, ishin dhe mbeten asgjë
tjetër, pos figura të thjeshta shahu, me të cilat eksperimentojnë lojtarë të
huaj prepotent dhe hileqar, të vendosur që edhe kjo lojë e tyre në këtë
etapë të historisë, të përfundoj në dëm të Kosovës.
Ka shumë argumente të cilat i bëjnë të qëndrueshme konstatimet e mëparme, si
p.sh.:
Arsyetimet e këtyre shërbëtorëve të kolonialistëve të rinj, se gjoja si
pasojë e mungesës së kompetencave, nuk po mund të ecet më shpejt drejt
realizimit të premtimeve që i bënë popullit, paraluftës, gjatë luftës dhe
sidomos pas përfundimit të saj, se do ta shpiejnë drejt jetësimit të shpejtë
dhe të sigurt të aspiratave të tij të drejta, për të jetuar i lirë dhe me
dinjitet në Atëmëmëdheun e tij.
Vërtetë, sjelljet e derisotme të kolonizatorëve unmikistanezë karshi të
ashtuquajturave Institucione të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës, nuk
mund të konsiderohen ndryshe, pos arbitrare.
Por, përderisa deri më sot, nga ana e drejtuesve të këtyre IPVQ-ve, nuk
është kundërshtuar me vendosmëri, as edhe një veprim arbitrar i
kolonizatorëve unmikistanez, pra as aplikimi i të ashtuquajturës “Kornizë
Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë”, këto arsyetime të
këtyre “drejtuesve” të Kosovës, nuk mund të konsiderohen tjetër, pos
fjalomani, thjesht pos demagogji në shërbim të mashtrimit të popullit, në
shkallën e dëshirueshme për ta.
Në realitet, vetë sjelljet e këtyre drejtuesve “besnik” të popullit, në këto
gjashtë vjetët e fundit dhe, në veçanti në raport me këtë farë “Kornize
kushtetuese”, në realitet, me këtë urdhëresë administrative unmikistaneze,
janë dëshmia më e mirë, se konstatimi i mësipërm qëndron mbi argumente të
pakontestueshme.
Duhet konstatuar, se kjo urdhëresë administrative unmikistaneze gjoja u
kundërshtua fillimisht nga këta “drejtues besnik” të popullit. Por si
zakonisht, me siguri sipas skenarit paraprak, disa telefonata dhe mesazhe
nga “miqtë” e jashtëm të popullit shqiptar, e bënë efektin e tyre. Ky
“kundërshtim” i tyre i “prerë” u zëvendësua me një miratim! Brenda 2-3
ditësh, këta zotërinj i harruan premtimet që ia kishin bërë popullit dhe jo
vetëm se “Jo”-në e tyre të “prerë” ndaj kësaj kornize e shndërruan në po,
por edhe u dëshmuan në vepër se janë të gatshëm edhe ta zbatojnë me
përpikmëri. Kështu që, sipas rregullave të saj edhe dolën në katër parë
zgjedhje, dy nacionale dhe dy komunale!
Pak fjalë për të ashtuquajturën “Kornizë Kushtetuese”
E ashtuquajtura “Kornizë Kushtetuese”, e hartuar në frymën e Rregullores
2001/9, është dekretuar me 15 maj 2001, nga ish monarku i unmikistanit, Hans
Haekkerup, pa u diskutuar paraprakisht në popull dhe pa u aprovuar nga
përfaqësuesit e zgjedhur të tij. Andaj, në të vërtetë, një dokument i
këtillë nuk është gjë tjetër, pos një urdhëresë administrative e një
absolutisti në krye të një pushteti okupues! Thënë, shul e shqip, edhe
veprimet e unmikistanezëve për t’i imponuar Kosovës këtë farë “Korrnize
kushtetuese”, ngjasojnë me shumëçka me sjelljet e pushtetit okupues
serbijan, në fund të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, ndërsa
sjelljet e “përfaqësuesëve” të popullit ishin dhe mbeten shumë nën nivelin e
delegatëve shqiptar të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës.
Nuk është e domosdoshme për të qenë ekspert konstitucionalist për të
kuptuar të vërtetën e pamohueshme, se po të ishte ky dokument një akt
kushtetues, ai do të përjashtonte çdo mundësi, që zyrtarët e UNMIK-ut të
silleshin siç po sillen edhe me të ashtuquajturat IPVQ, edhe pse gjoja të
ngritura në bazë të votës së popullit, të cilat i pengojnë në vazhdimësi, që
t’i konsumojnë edhe ato pakë “kompetenca” të cilat u “garantohen” me këtë
dokument “kushtetues”. Në fakt kjo Kornizë kushtetuese është edhe një mjet
mashtrues për t’i bindur shqiptarët se gjithçka është rregulluar në formë
institucionale. Në realitet kjo është një ëndërr, prej të cilës duhet të
lirohemi sa më parë, nëse duam ta mësojmë realitetin dhe të zgjedhim mjetet
përkatëse për ndryshimin në të mirë të tij.
Po të ishte kjo farë kornize, vërtetë kushtetuese, të gjithë ata të cilët
do të dështonin gjatë jetësimit të saj në vepër, do t’u nënshtroheshin
përgjegjësive, pa dallim, si vendorët, ashtu dhe ndërkombëtarët.
Po të ishte ky dokument, vërtetë kushtetues, me siguri nuk do të linte vend
që një shtresë, siç janë unmikistanezët dhe minoriteti serb, të qëndrojnë
mbi ligjin, sidomos kur ka të bëjë me defaktorizimin e shqiptarëve, të cilët
përbëjnë mbi 90% të popullit të Kosovës. Nuk do të lejohej favorizimi i
minoritetit serb nga vetë “demokratët” unmikistanez, deri në atë shkallë, sa
të injorohen deri në mospërfillje familjet e të papunëve, të të zhdukurve,
të viktimave civile të luftës, të familjeve të dëshmorëve, të veteranëve dhe
invalidëve të luftës së UÇK-së!
Po të ishte ky dokument, vërtetë kushtetues, do të përjashtohej edhe
mundësia më e vogël për shpikjen e do far standardeve nga aleanca
unmikistano-serbijane.
Shpikja e këtyre standardeve për Kosovën, në esencë nuk ishte në shërbim të
avancimit të statusit të saj, por përkundrazi, për përgatitjen e saj për t’u
rikthyer në pozitën e mëparme, si koloni serbe, por tani të riverifikuar
edhe ndërkombëtarisht.
Ideja për shpikjen e këtyre standardeve u përgatit në magjën serbo-çetnike,
iu servirën IPVQ-ve nga unmikistani, natyrisht e mbështetur nga qarqe
ndërkombëtare, të njohura si tradicionalisht pro serbe.
Jo vetëm shpikësit e këtyre standardeve, por edhe mbështetësit e tyre,
ishin dhe mbetën të bindur, se jo vetëm se nuk mund të përmbushen nga
IPVQ-të, por as përmbushja e tyre nuk është në të mirën e zgjidhjes
përfundimtare dhe të drejtë të statusit final të Kosovës, për të cilën
aspiron shumica e popullit të saj. Andaj, shpikësit e këtyre standardeve, të
vetëdijshëm dhe të përcaktuar që këto standarde antishqiptare do të
përmbushen nga unmikistanezët, duke shfrytëzuar kompetencat e rezervuara për
veten në të ashtuquajturën Kornizë kushtetuese, kanë përgatitur dhe
planëzuar deri në detalin më të vogël strategjinë e veprimit të tyre.
Ndërsa, për çfarë zgjidhje të statusit final të Kosovës, do të angazhohen
përmbaruesit e kësaj strategjie vepruese nuk është vështirë të kuptohet: Më
siguri, më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi, d.m.th. nën
juridiksionin e Serbisë.
Problemi i shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike në ish Jugosllavi
dhe në Greqi, përfundimisht duhet të trajtohet si një problem historik, pa
zgjidhjen e tij përfundimtare dhe të drejtë, nuk mund të paramendohet një
stabilitet i qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës
Kur flitet për problemin e Kosovës, duke e kuptuar atë vetëm brenda një
nocioni gjeografik, bëhet një gabim i madh. Realisht, problemi i Kosovës
ngërthen në vete terë çështjen e pazgjidhur të të gjitha tokave dhe të
gjithë shqiptarëve, të cilët jetojnë në territoret e ish Jugosllavisë e që
kufizohen me Atëmëmëdheun e tyre-Shqipërinë.
Çështja e Kosovës, bashkë me atë të Çamërisë, në kuptimin real dhe të plotë
është një problem i pazgjidhur historik, ekonomik dhe etnik, pa zgjidhjen e
drejt dhe përfundimtare të tij, as që mund të paramendohet stabiliteti, jo
vetëm i Ballkanit, por edhe më gjerë.
Zgjidhja e këtij problemi shumë të ndjeshëm, ka vetëm një emër:
Vetëvendosje!
Problemi i shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre në ish Jugosllavi dhe që
kufizohen me Shqipërinë Londineze, nuk është një problem i një populli
endacak, kolonizues, i ardhur pas ushtrive pushtuese dhe që është vendosur
në një zonë të pushtuar.
Shqiptarët në këto toka përbëjnë afër gjysmën e një etnie, të një populli
të formuar në shekuj, që ka një histori të pasur dhe të lavdishme, që ka
gjuhën dhe kulturën e vetë, njëri ndër popujt më të vjetër të Siujdhesës
ballkanike, të cilin në të kaluarën e ndanë dhunshëm fuqitë e mëdha
evroperëndimore nga Atëmëmëdheu i tyre i natyrshëm-Shqipëria, gjatë
pazarllëqeve të tyre me interesat e popujve të vegjël për nga numri, duke ua
aneksuar të përkëdhelurve të tyre sllavo-grek dhe për të kënaqur grykësitë
tejkarpatase të Ariut të Sibirit.
Kjo e vërtetë nuk mund të fshihet, ngase përveç realitetit në terren, këtë
e dëshmojnë dosjet në arkivat e Berlinit, Parisit, Londrës dhe Moskës.
Çdo qasje tjetër për zgjidhjen e këtij problemi shumë serioz për paqen në
këtë pjesë të Evropës, duke anashkaluar këtë të vërtetë të pakontestueshme
është e gjykuar të përfundojë turpshëm. Jo për tjetër, pos se një zgjidhje
arbitrare dhe në kundërshtim me të drejtën e natyrshme dhe historike, do të
kundërshtohet ashpër, në rend të parë nga 8 milionë shqiptarët të cilët
jetojnë në trojet e tyre në Ballkan!
. Në të kundërtën, shqiptarët do të detyrohen të vazhdojnë luftën e tyre për
të mbrojtur qenien e vetë, kulturën, gjuhën, zakonet dhe për të fituar
lirinë e ëndërruar me shekuj, për të jetuar të lirë dhe të ribashkuar në
Atëmëmëdheun e tyre, ashtu sikur dhe popujt tjerë të Evropës.
Këtë duhet ta kenë parasysh, në rend të parë diplomacitë e shteteve të
fuqishme të Evropës plakë!


Prishtinë, më 23 shtator 2005

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.