Ndërtimi i shtetit demokratik[/

2005-09-14 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Beqir ELSHANI
SAHATI I UJIT - KRONOLOGJI E NGJARJEVE

Ndërtimi i shtetit demokratik

Menjëherë pas theqafjes së fashizmit gjerman në përfundim të Luftës së Dytë
Botërore, në ish-Jugosllavi u shkelë vetëvendosja dhe tani Kosova u vra edhe
më zi se nën pushtimin e fashizmit italian dhe gjerman. Pleqtë tregonin se
çdo pushtues është i keq, mirëpo me pushtuesin serb asnjë nuk krahasohet. Në
vitin 1984, në hotelin e beqarëve të Therandës flente një ekspert gjerman,
atëherë vinin ekspertë të huaj të Europës Perëndimore për nevojat e
industrisë kimike të gomës ”Ballkani”. Në sallën e televizorit shfaqej një
film artistik mbi sulmin gjerman në Jugosllavi. Prandaj eksperti gjerman u
mllefos dhe tha: ”Po të ishte Serbia e madhe sa Gjermania, do të ishte shumë
më e rrezikshme se fashizmi gjerman, saqë grekët dhe shqiptarët do të
zhdukeshin nga faqja e dheut. Ndërkaq, një inxhinier shqiptar, i tha se
shqiptarët, jo që nuk guxojnë të flasin keq për pushtuesin serb, por është
rrezik të dëgjojmë vërejtjen e arsyeshme të gjermanit. Fjala e ekspertit
gjerman, sado e fshehtë që ishte, megjithatë ishte përhapur në qytet,
prandaj duhej kaluar 7-8 vjet për të vërtetuar parashikimin e tij ogurzi.
Kur është fjala tek mbrojtja e atdheut, rinia duhet të marrë këshilla prej
të vjetërve, sepse kanë përvojë nga përpjekja dhe lufta për liri. Ata thonin
se popullit shqiptar i duhet shkollimi, ndaj liria dhe bashkimi i Kosovës me
Shqiperinë mëmë do të jetë relaitet. Sot vetëm numri i madh i intelektualëve
të Prizrenit, pa përmendur Gjakovën, Pejën, Tetovën, Mitrovicën dhe
Prishtinën, do të ishte në gjendje që të pavarësonte Kosovën. Tani kalojmë
në Shqiperinë me plotë rreziqe drejtë shkatërrimit të kulturës dhe ekonomisë
kombëtare, drejt shkatërrimit të substancës shqiptare, drejt shkatërrimit të
gjuhës së përbashkët letrare që u vendos në vitin 1972; por edhe autoritetin
e tyre shtetëror, sepse vetëm intelektualët e shumtë të Shkodrës, pa
përmendur Korçën, Tiranën, Gjirokastrën, Beratin, Durrësin, Elbasanin dhe
Vlorën do të mund, që me sasinë dhe cilësinë e tyre intelektuale të
ndërtonin Shqiperinë demokratike të fortë dhe të zhvilluar me një armatë të
zellshme, që do t’i tmerronte të gjithë armiqtë e vendit. Pa do shihej se a
do të guxonin hajnat të thyejnë bankën shtetërore dhe menjëherë pas gjahut
të rreziten në plazhin e durrësit; do të shihej se a do të mund të përqallej
droga rrotull qeverisë dhe se a do të mund të shitej mishi i bardhë përtej
detit dhe shumë e shumë ngjarje të tmerrëshme. Mirëpo mungon vullneti për
bashkim kombëtar, si dhe angazhimi për nxjerrjen e Shqiperisë nga të gjitha
krizat shoqërore dhe kombëtare, sepse në vend të arsyes kombëtare po
udhëheqin të korruptuarit me grada akademike dhe ushtarake, që Shqiperinë po
e shpiejnë në humnerë.

Solidariteti individual
Kaluan gjashtë vjet të përfundimit të luftës në Kosovë, mirëpo zor të dalë
ndonjë trashëgimtarë i socialdemokratit serb Dimitrije Tucoviq, që do të
dënonte krimet e armatës serbomalazeze në krye me Sllobodan Millosheviqin.
Si kundërpërgjigje e dy dëshmitarëve shqiptarë të Kosovës, të cilët muajin e
kaluar në Gjykatën e Hagës mbrojtën idhullin fashist të S.Millosheviqit, në
Prishtinë doli një internacionalist që përkrahte vullnetin e popullit
shqiptar për vetëvendosje. Internacionalisti serb, Radomir Tomiq, duke
zbardhur politikën shoviniste serbe përkrahte pavarësinë e Kosovës. Kurse
një deputet i Kuvendit të Serbisë Zharko Koraq, gjatë mbajtjes së Koncerencë
në Prishtinë, tha se turpërohet për deklarimet serbe ndaj ndaj popullit
shqiptar me anën e së cilës Beogradi degradon veten. Megjithatë, të gjithë
ne e dimë se Qeveria serbomalazeze nuk frikohet nga revolta demokratike e
qytetarëve simbolikë serbë, derisa Serbia shpreson në mrekullinë e saj
çudibërëse për ripushtimin e Kosovës nga duartë e forcave paqëruajtëse të
OKB-së. Në anën tjetër, dy shqiptarë, njëri nga Gjakova, tjetri nga
Ferizaji, duke shkelur gjakun e viktimave të shumtë shqiptarë, i përkulen
bishës serbe. Së pakut për nder të popullit boshnjak, këta krijesa të mjera
nuk duhej ta mbronin kriminelin serb në sy të botës, pa lë më për nder të
vëllezërve dhe motrave të tij sipas gjakut dhe fisit. Nuk mjafton të thuhet
se janë tradhtarë të atdheut, pos amorfë - kopila pa trajtë. Për të
bashkëpunuar shqiptari i ligë me pushtuesin gjakatar serb, së pari duhet të
mohojë emrin vetjak gruan dhe fëmijët.
Ka edhe diçka që nuk vete sipas estetikës së mbrojtjes kombëtare, sidomos
nga njerëzit me autoritet në pushtet. Në intervistën ekskluzive dhënë
kombëtares (kështu e quan veten shtypi) ”Bota sot” më 30 gusht 2005, zonja
Nekibe Këlmendi, deputete në kuvendin e Kosovës dhe kryetare e Komisionit
për shërbime publike, thotë: ”Sikur të kishim më shumë gazetarë si Bardhyl
Ajetin, Kosova do të pavarësohej më shpejtë.”
Më vjen keq zonja Këlmendi, sa poshtë paske rënë sepse pavarësinë e Kosovës
nuk e sjellin as njëqindë bardhylët, pavarësinë e sjell vetëm bashkimi i
gjithë shqiptarëve me një dëshirë e një qëllim, kështu thuhet edhe në himnin
e Flamurit Kombëtar. Prandaj mos e individualizoni qëllimin e drejtë të
luftës, sepse më parë duhet të bëhet bashkimi i popullit shqiptar, pastaj
fitohet liria dhe pavarësia e Kosovës. Bashkimi bën fuqinë, thotë populli.
Këtë shpeshherë e thotë edhe Adem Demaçi i Europës, i cili u përgjigjet
pyetjeve të lexuesve të shqetësuar për fatin e Kosovës. Sa i përketë gazetës
”Bota sot” të vetëquajtur kombëtarja, do të shtoja se në Shqiperi dhe në
Kosovë nuk ka ndonjë gazetë që meriton të quhet kombëtare. Gazeta do të
quhet kombëtare, vetëm atëherë kur të shlyhet kufiri i dhunshëm në mes të
Shqiperisë dhe Kosovës. Besoj se redaksia e ”Bota sot” do të pajtohet me
vlerësimin tim demokratik dhe si lexues i rregullt.

Derri i fqinjit më i majmë
Kuzhina serbe ”pushton” bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, kështu shkruan
Bulina Budini në faqen elektronike. I vetmi gabim i autores së shkrimit
është se foljen pushton nuk duhet shkruar me thonjëza, meqë konkretish bëhet
fjalë për pushtimin e tregtisë dhe më vonë Shqiperisë buzë Adriatikut nga
ana e Serbisë ekspansioniste. Nëse tiranasit e harrojnë lakminë e
grabitçarëve të huaj, përkundrazi beogradasit dhe athinasit nuk harrojnë që
një ditë Shqiperinë ta bëjnë lodër. Nuk thuhet kot fjala e urtë ”Ujët fle,
hasmi s’fle.” Kurse një tjetër ”Derri i fqinjit është më i majmë,” prandaj
tiranasit vrapojnë sepse tymi dhe era e derrit shtrihet deri te kripa e
Vlorës kreshnike. Në kohën e Enver Hoxhës, J.B.Tito është munduar që lekun
shqiptar ta ekzekutojë me anën e dinarit jugosllav. Tani tiranasit paranë e
shkaut e marrin pa ndonjë presion. Dikush me ironi më tha se me anën e
bashkëpunimit kulturor dhe tregtar tiranasit mund të zbutin beogradasit dhe
në fund ta njohin pavarësinë e Kosovës. Prandaj në bazë të këtij
bashkëpunimi Unmik-u kërkon që Kosova të bëj negociata me Serbinë.
Muajin e kaluar shtypi britanik shkroi për një ngjarje të çuditshme që mund
të aplikohet edhe sot në Shqiperinë e hapur, po aq edhe mendjelehte. Një
kolonel Duane Hudson, përndryshe i njohur me emrin “James Bond”, gjatë
luftës së dytë botërore në ish-Jugosllavi ka vjedhur pasuri ari dhe
diamantesh në shumë prej 2 milionë euro për të finansuar rezistencën, të
cilat i ka fshehur në tokë. Ky hero britanik ishte inxhinier i makinerisë,
ragbist, notues, kalorës, skitar e bokser, ka folur gjashtë gjuhë dhe kishte
reputacion si bujar ndaj femrave. Kuptohet se në bazë të luftës
internacionale që bënte dhe mirësjelljes, askush nuk do ta pandehte për
ndonjë hajn të pasurisë së popullit.
Siç dihet për nga gatimi i bukës janë hasjanët me furrat e tyre tradicionale
nëpër vende të ndryshme të Ballkanit dhe të Europës. Nëse kuzhinerit serb as
qimen e flokut nuk ia prekin shqiptarët, përkundrazi serbët për inat të
Kosovës djalit të furrëtarit shqiptar me thikë ia nxorën sytë prej ballit.
Prandaj nëna shqiptare vajtonte të birin pa sy: ”Nënë, po bie shi,” thoshte
i biri pa sy - ”Jo bir, nuk po bie shi, janë lotët e nënës që po qanë për
ty,” iu përgjegj nëna e tronditur në shpirt. Dihet që ky vajtim i nënës
kosovare për masakrimin e bijve të saj ende nuk ka të ndalur, sepse Serbia
nuk e ka ndërmend të kërkoj falje, pos të vazhdojë me vrasjen e shqiptarëve.

Faleminderit, ma zbukurove dasmën!
Në kohën kur po shembej shteti shqiptar i Ramiz Alisë gjatë vitit 1990, isha
për urimin e një dasme në vendlindje. Një plak i ngazëllyer me salltanetin e
Sali Berishës, tha: “Erdh vakti m’u kthye kah liria, demokracia dhe xhamia!”
Ka rëndësi se kush e thoshte këtë pamflet kundërshqiptar, e thoshte
pikërisht vëllai i udbashit mizor, që gëzohej për përmbysjen e pushtetit
demokratik të Ramiz Alisë. Vlen të theksohet se në prag të shkatërrimit të
ish-Jugosllavisë rrezikohej shkolla në gjuhën shqipe dhe jo feja. Thuhet se
shqiptarët titistë kishin frikë nga bashkimi i Kosovës me Shqiperinë mëmë,
prandaj me padurim pritnin dorëheqjen e ish-kryetarit, Ramiz Alisë. Për nder
të vëllait në pushtetin e obskurantizmit jugosllav dikur mbante kapelë
frënge, më vonë qeleshen e bardhë dhe tespih në dorë. Prandaj si vëlla i
udbashit që ishte e furnizonte me përgjimet që mblidhte nëpër oda shqiptare.
Atëherë, unë ia prita: “Po, erdh vakti mu kthye kah hilja, kah dilinxhia,
kah tradhtia!” Pas kësaj, të pranishmit në odë klithën “Mirë ia bane!” Në
odë ishte i pranishëm edhe imam i xhamisë së qytetit. Kur u ndava prej
urimit, i zoti i dasmës, përndryshe vëlla i studentit të plagosur në
demonstratat e Kosovës, më përqafoi dhe më tha: ”Faleminderit, ma zbukurove
dasmën!” Më vonë një miku im më qortoi se unë po e rrezikoj jetën time,
prandaj edhe atij i thash: “Se demagogjinë e vëllait të udbashit vetëm
kafsha e duron!” Në anën tjetër, derisa familja e titistit ishte në gjendje
që me automobilin e tij kryetarin e LDK-së ta shetitte në mbarë Kosovën, unë
nuk kisha as biçikletë, pa lë më automobil. Kjo do të thotë se mik i Rugovës
dhe i Berishës po bëhej një ish-udbash dhe jo unë që familjarisht kisha
vuajtur nga udba.
Thonë një fjalë e urtë çka sjell dita nuk sjell viti, prandaj në faqen e
gazetës ”Fakti” më 25.08.2005 pash fotgrafitë e diktatorëve të njohur
botërorë. Dihet printe Enver Hoxha, pastaj vinin: Millosheviqi, Karaxhiqi,
Mlladiqi, Pinoçeti, dy të tjerët nuk më kujtohen. Faqja ishte huazuar nga
shtypi italian ”Panorama”, përndryshe mbeturinë e fashizmit italian. Pa
dyshim, se në atë faqe krahas kriminelëve më të spikatur nuk duhej figuruar
asnjë shqiptar, pa lë më ish-udhëheqësi shqiptar, Enver Hoxha. Mendoj se
paraqitja e fotografisë fyen jo vetëm popullin shqiptar, por edhe
boshnjakët. Jam i bindur se asnjë boshnjak nuk do të pajtohet me praqitjen e
portretit të Komandantit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqiperisë, Enver
Hoxha, paralel me kryekriminelët serbë Sllobodan Millosheviqi dhe Radovan
Karaxhiqi.
Të publikohet fotografia e Enver Hoxhës bashkë me kriminelët e luftës
kundërshqiptare dhe kundërboshnjake, do të thotë të pendohesh për luftën e
drejtë nacionalçlirimtare të popullit shqiptar kundër fashizmit gjerman dhe
italian. Publikimi i tekstit me fotografi paralel me kryekriminelin
ndërkombëtar do të thotë të fyesh popullin boshnjak trim dhe të shumëvuajtur
nga gjenocidi serb. Në anën tjetër, përforcon bindjen se njëkohësisht
Shqiperia ka furnizuar me naftë topat e Radovan Karaxhiqit në luftë kundër
boshnjakëve muslimanë, ku njëkohësisht shkileshi sanksionet e OKB-së për
furnizim me naftë vrastarëve serbë, që njëherit njollosej çështja e Kosovës.
Jo vetëm kaq, sepse paralel grave të kriminelëve serbë të luftës,
njëkohësisht bashkëpunëtorë besnikë në masakrimin e popullit boshnjak dhe
shqiptar, është paraqitur edhe reagimi i së vesë së Enver Hoxhës, Nexhmies,
përndryshe pjesëmarrëse në LNÇ. Pastaj derisa bijtë e Enver Hoxhës kishin
marrë pjesë në rindërtimin e Dibrës nga pasojat e tërmetit dhe në aksione të
ndryshme të rinisë, bijtë e kriminelëve të luftës janë marrë me kontrabandë
për furnizimin e armatës së tyre serbe. Kjo nuk është asgjë tjetër pos
hipokrizi, sepse kam frikë se në të ardhmen edhe emri i Salih Berishës,
Fatos Nanos, Rexhep Meidanit, Alfred Moisiut, Ibrahim Rugovës, Nexhat Dacit,
Pandeli Majkos dhe Bajram Kosumit do të dalin në faqet e tilla të
”Panoramës” italiane, serbe, ruse, greke etj. Prandaj do t’u lutesha
gazetave shqiptare, që në të ardhmen mos të publikojnë gjëra të tilla, sepse
rrezikojnë etikën tonë kombëtare.
Meqë u aktualizua kjo çështje e keqtrajtimit të personalitetit shqiptar, do
t’i lutesha Kryetarit të Republikës së Shqiperisë, Alfred Moisiut, që
eshtrat e komandantit të UNÇ, Enver Hoxha, të kthehen në varrezat e
dëshmorëve të kombit, tek bashkëluftëtarët e tij, përndryshe historia dhe
kultura kombëtare shqiptare kurrë nuk do t’ua falë gabimin. Zoti Kryetar,
për të kryer një porosi të madhe duhet të mbyllni veshët dhe të mos dëgjoni
sirenat e Sali Berishës dhe miqve të tij, që trumbetiojnë në drejtim të
Beogradit dhe Moskës. Prandaj, në emër të demokracisë, në emër të popullit
shqiptar, si ish-partizan i luftës çlirimtare bëjeni i pari dhe nderoni
dëshmorët e kombit. Merrni shembullin e Akilit trim, dhe eshtrat e Enver
Hoxhës kthejini në mesin e shokëve të tij. Kujtoni fjalën e ish-kryetarit të
Polonisë, Leh Valensa, i cili deklaroi se ashtu siç e larguam udhëheqësinë e
vjetër, do të na largojnë edhe neve. Suedi, 10.09.2005

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.