Unitet për shtetin e Kosovës apo kundër tij

2005-09-14 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Unitet për shtetin e Kosovës apo kundër tij
Xhevat Bislimi

Në një intervistë dhënë një gazete zvicerane diplomati i shquar amerikan,
Holbruk, veç tjerash tha se «Kosova është shumë më e rrezikshme se Bosnja. Bosnja
është një shtet i varfër, por banorët e saj me shekuj kanë jetuar paqësisht me
njëri-tjetrin. Kosova është krejt ndryshe. Ajo i përngjan një fishekzjarri që
mund të shpërthejë në çdo kohë”. Kështu konstaton Holbruku, i cili ishte njëri
prej
diplomatëve më të angazhuar për çështjen e Kosovës, ndërsa disa politikanë të
Kosovës vazhdojnë të shohin ëndërra e disa të tjerë të angazhohen për zbatimin e
politikave të atyre që Kosovën e duan «as shtet as autonomi». Rugova para luftës
thoshte: «Një Kosovë e hapur për Serbinë dhe për Shqipërinë». Pas lufte (për inat të
atyre që luftuan kundër Serbisë) Rugova e ka ulur pazarin: Kosova e hapur ndaj
Serbisë dhe e mbyllur ndaj vendit të saj, Shqipërisë. Kjo është formula (zgjidhja)
që po ofron edhe Bashkësia Ndërkombëtare dhe të cilën e përkrah pa rezervë klasa
politike dhe «institucionale» (kolaboracioniste) e Kosovës.
Kryeadministratori (mbreti) i Kosovës, Soren Jesen Peterseni, është më i
angazhuar se kurrë për «pajtimin» dhe «unifikimin» e udhëheqësve politikë të
«pozitës» dhe «opozitës» (PDK-së)… Krahas kësaj, ai po angazhohet edhe për t’i
kënaqur « apetitet » e Beogradit. Peterseni dhe ata që qëndrojnë pas tij po
përpiqen ta bindin dhe ta sigurojnë Beogradin se Kosova do të mbetet brenda
kufijëve të Serbisë dhe Malit të Zi. Asaj, i thonë ata Serbisë, sa për t’i ngopur
shqiptarët me lugën bosh, do t’i jepet «pavarësia formale» që kërkon Rugova dhe
«llava» e tij, por shtet dhe popull
sovran të Kosovës nuk do të ketë… Megjithatë, Serbia nuk dorëzohet lehtë. Ajo pret
lëshime dhe garanci edhe më të mëdha nga Bashkësia Ndërkombëtare…
Kërkesën e Petersenit dhe të Bashkësisë Ndërkombëtare për pajtimin dhe unifikimin
e udhëheqësve politikë shqiptarë në Kosovë, Rugova e bëri sot realitet!
Megjithëse i «sëmurë» rëndë ai gjeti forcë, si kurdoherë, për t’ia dhënë edhe një
grusht lirisë së Kosovës … Por, nuk është përpjekja e Rugovës ajo që po më habit.
Më habiti «pajtimi» i Partisë Demokratike të Kosovës me këtë vendim të Rugovës
dhe të Petersenit!
A mund t’ia besojë Partia Demokratike e Kosovës fatin e Kosovës Rugovës, Dacit,
Kosumit e Blerim Shalës? Pastaj Kuvendi i Kosovës deri më sot nuk ka debatuar dhe
as nuk ka marrë vendim për të hyrë në bisedime me Serbinë! Deri më sot ky Kuvend,
nëse mund ta quajmë i Kosovës, nuk ka miratuar ndonjë platformë a kornizë për
bisedime! Roli i Hashim Thaçit (një votë) në këtë grup të krijuar për bisedime me
Serbinë është krejt i parëndësishëm. Rugova dhe grupi i tij duhet ta kenë të
qartë se vullneti i popullit të Kosovës është i prerë: Shteti i pavarur i Kosovës
është kërkesë minimale
dhe kompromisi (faji) më i madh që mund të bëjë kombi shqiptar për çështjen e
Kosovës.
Rugova dhe grupi i tij ka dhënë prova të pakundërshtueshme se nuk mund t’i
besohet fati i Kosovës. Qëndrimi i tij para dhe veçmas gjatë luftës (bisedimet
dhe marrëveshjet me Milosheviçin dhe Milutinoviçin për një autonomi të Kosovës),
i tërë angazhimi i tij pas luftës dhe shtyrja e shpalljes dhe e krijimit të
shtetit të Kosovës deri më sot, duke pritur të krijohen rrethana
dhe shanse më të mira për Serbinë, flasin mjaft. Turpi i fundit i Rugovës dhe i
grupit të tij është ardhja në Kosovë e gjeneralit serb, shef i ushtrisë së Unionit
Serbi-Mal i Zi. Të gjithë këta «daij» e dinin një muaj më parë se gjenerali serb do
të vinte në Kosovë. Për këtë rikthim të uniformës (ushtrisë) që kishte kryer masakra
dhe gjenocid ndaj popullit tonë, ata (faqezinjtë) kishin dhënë pëlqimin e tyre. Puna
ishte si të shpëtonin «fytyrën» para zgjedhësëve të tyre që i përkundnin për ditë
dhe i vinin në gjumë me «këngën e pavarësisë …» Edhe për këtë punë, si për të gjitha
të tjerat, u kujdesën «miqtë» ndërkombëtar . Për të larë m… me sh… Rugovën e nisën
“urgjentisht” për një
kontroll “mjekësor”. Çfarë koincidence?! Bajram Kosumin, i cili kishte deklaruar
kush e di sa herë se sivjet nuk ka pushime, e nisën (për t’ia ruajtur “erzin”, sepse
ky ishte edhe “patriot”) “urgjentisht” për pushime në Turqi! Ky Kosumi i kishte
“hallall” pushimet pas gjithë asaj pune për “decentralizimin” (copëzimin) e Kosovës…
Këta që nuk ishin të njohur për “patriotë” dhe që u kishte dalur boja i urdhëruan të
dilnin dhe ta prisnin krahapur gjeneralin serb! Jazëk! Nexhat Daci, Adem Salihu,
Gashi, shefja e grupit parlamentar të AAK-së dhe Sheremet Ahmeti (në emër të
Kuvendit, në emër të Qeverisë, në emër të LDK-së, në emër të AAK-së dhe në emër të
policisë) e hëngrën, si gjatë gjithë jetës së tyre, turpin me bukë… Hipokrizia dhe
poshtërsia e tyre dolën sheshit gjatë reagimeve të tyre qyqare pas pritjes së
gjeneralit serb. Në këtë “ceremoni” dhe pritje miqësore, pas shumë “diskutimesh”
“për” dhe “kundër” nuk mori pjesë Komandanti i TMK-së, Agim Çeku. Gjeneralin serb
nuk doli ta pres as Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi. Por a mjafton vetëm kjo? A mund
ta pengonin ardhjen e gjeneralit serb PDK-ja, TMK-ja, etj.? Unë jam i prirur të
besoj se mund ta pengonin...
Partia Demokratike e Kosovës nuk do të duhej të përfshihejë në asnjë „grup për
bisedime“. Për këtë parti dhe për popullin e Kosovës nuk duhet të ketë bisedime
për statusin e Kosovës. Statusin e saj Kosova e ka zgjidhur me Luftën e saj
Antipushtuese Çlirimtare. Të gjithë ata që na përkrahën sinqerisht populli i
Kosovës do t’i nderojë për jetë. Por, edhe të gjithë ata që kanë hyrë në Kosovë
për ta mbajtur atë të lidhur pas qerres së Serbisë populli i Kosovës do t’i
konsiderojë si armiq të lirisë së tij... Partia Demokratike e Kosovës duhet ta
bëjë të qartë qëndrimin e saj dhe
botërisht të deklarojë se është për unitet dhe konsensus me të gjithë ata politikanë
a parti që angazhohen vendosmërisht për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Nuk
mund të ketë „pajtim“ dhe as „unitet“ me ata që po përgatiten ta nxjerrin Kosovën në
tregun e Serbisë dhe të hynë në pazar me të. Në Kosovë ndarja është më e qartë se
kurrë më parë: Në njërën anë « grupi » i Rugovës, ndërsa në anën tjetër populli i
Kosovës dhe vullneti i mbarë kombit shqiptar. Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës
duhet të pozicionohet qartë: o me Rugovën dhe « grupin » e tij, o me vullnetin e
padiskutueshëm dhe suprem të popullit shqiptar…
Nuk mund të ketë „pajtim“ dhe as „unifikim“ as me atë pjesë të Bashkësisë
Ndërkombëtare (me UNMIK-un dhe KFOR-in) që po e mbajnë Kosovën Veriore të ndarë
nga Kosova dhe po lejojnë hapur forcat serbe të sigurisë dhe strukturat tjera ta
kontrollojnë këtë pjesë të Kosovës....
Grupi Ndrëkombëtar i Krizave (ICG) me raportin e tij të fundit ka bërë një hap
serioz drejt afrimit të qëndrimeve të tij me ato të Serbisë. Ai kërkon as më pak
as më shumë se ato që po kërkon Serbia: „ Pavarësi të kushtëzuar (Serbia thotë as
pavarësi as autonomi) dhe autonomi për serbët e Kosovës“. Më saktë Bashkësia
Ndërkombëtare dhe Serbia po angazhohen për ndarjen e Kosovës midis atyre që
përbjnë 90% të popullsisë, shqiptarëve, dhe pakicës serbe, që përbën 5% të
popullsisë së Kosovës! Bota mendon se kjo do të jetë zgjidhja më e sigurtë,
zgjidhje që nuk do të lejojë bashkimin e
Kosovës në të ardhmen me shtetin e saj, Shqipërinë! Por, unë mendoj se kjo politikë
do të çojë pashmangshëm në konflikte dhe luftra të reja. Prandaj, Partia Demokratike
e Kosovës duhet të angazhohet me të gjitha format dhe mjetet për ta larguar nga
skena politike këtë « grup » kolaboracionistësh, jo për t’ia rrëmbyer « pushtetin »,
por për ta shpëtuar Kosovën… Kjo Parti duhet të angazhohet për krijimin e një
qeverie kombëtare, e cila do ta merrte në duar fatin e Kosovës deri në njohjen dhe
pranimin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Për këtë qëllim të lartë kombëtar dhe
paqedashës, për rajonin e më gjerë, PDK-ja duhet të kërkojë edhe përfshirjen e
shtetit shqiptar. Qeveria shqiptare dhe të gjitha institucionet e shtetit shqiptar
duhet të deklarohen dhe angazhohen hapur dhe pa ekuivoke për çështjen e madhe
shqiptare, çështjen e Kosovës. Shteti shqiptar duhet t’ia
bëjë me dije « grupit » të Rugovës dhe mbarë botës se Kosova është çështje
shqiptare, pra e shtetit dhe e mbarë kombit shqiptar… Rol të veçantë në këtë çështje
duhet të ketë edhe mërgata shqiptare, e cila është shumë e merituar për lirinë që ka
sot Kosova. Shkurt, për Kosovën duhet të ndodhë urgjentisht sensibilizimi dhe
mobilizimi i mbarë kombit dhe të lëshohet kushtrimi : KOSOVA NË RREZIK! Duhet t’i
thuhet qartë mbarë botës se Kosova dhe vise të tjera të Shqipërisë kurrë nuk kanë
qenë serbe dhe as të Serbisë, por se ato kanë qenë të pushtuara prej saj (disa
krahina janë ende të pushtuara). Bashkësia Ndërkombëtare, nën ombrellën e së cilës
është spastruar Mitrovica e Veriut, duke i dëbuar shqiptarët, dhe duke e kolonizuar
me serbë, duhet ta pranojë urgjentisht shtetin e Kosovës, të paktën me këta kufij që
ka sot Kosova, dhe të angazhohet të ndihmojë në zgjidhjen e
çështjes së Kosovës Lindore dhe për kthimin e shqiptarëve në shtëpitë e veta në atë
pjesë të pushtuar të Kosovës dhe në Kosovën Veriore...

Xhevat Bislimi

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.