Vizat në Kosovë, debat mes UNMIK dhe qeverisë

2005-04-30 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Reagimi i Prishtinës. "Rregullorja e re zhduk kufirin me Serbinë"

Vizat në Kosovë, debat mes UNMIK dhe qeverisë


--------------------------------------------------------------------------------



PRISHTINE

Regjimi i vizave kthehet në "mollë sherri" mes UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës. Zyrtarët ndërkombëtarë sqaruan dje se ky sistem nuk është "një regjim i mirëfilltë vizash", por autoritetet e Prishtinës pohuan se një gjë e tillë veçse pengon lëvizjen e lirë. Vendimi i UNMIK-ut, që nuk u mirëprit as nga vendet fqinje, parashikon marrjen e një leje kalimi në kufijtë e Shqipërisë dhe Maqedonisë me Kosovën. Por rregullorja përjashton nga ky sistem shtetasit serbomalazezë dhe ata shtetas që hyjnë në Kosovë nga ky kufi, gjë që zhvlerëson kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Ideatori i rregullores, zëvendësshefi i UNMIK-ut, Lari Rossin, tha se "përjashtimi për serbomalazezët është bërë sepse nuk ekziston realisht një kufi zyrtar mes Kosovës e Serbisë". Por kjo shkaktoi dje reagimin e ashpër të autoriteteve kosovare, që këmbëngulin se në këtë mënyrë përvijohet vija kufitare e Kosovës me vendet e tjera por jo me Serbinë. Sipas qeverisë së Kosovës, kjo që mund të kthehet në fakt të kryer para bisedimeve për statusin dhe të dëmtojë seriozisht çështjen e pavarësisë. As Shkupi dhe Tirana zyrtare nuk e kanë mirëpritur vendimin e ri të UNMIK-ut për të vendosur kushte për hyrjen në Kosovë. Ministri i Jashtëm shqiptar, Kastriot Islami kundrshtoi vendosjen e vizave gjatë vizitës së tij në Kosovë. Ndërsa presidenti maqedonas iu përgjigj edhe më ashpër vendimit të UNMIK-ut duke kërkuar vendosjen e një regjimi vizash edhe nga ana e Maqedonisë, për të cilën nuk ra dakord me qeverinë. Kjo që detyroi ndërkombëtarët të lehtësojnë kushtet dhe të sqarojnë me urgjencë se rregullorja e re ka për qëllim vetëm forcimin e kontrolleve kufitare. "Kjo rregullore nuk parashikon smarrjen e vizave, por vetëm të një vule kalimi në Kosovë dhe është veçse tranzitore", sqaroi zëvendësshefi i UNMIK-ut, Rossin duke vënë në dukje se vendimi i mëparshëm ishte ndryshuar. Presionet brenda dhe jashtë Kosovës detyruan zyrtarët e UNMIK të shtyjnë hyrjen në fuqi të vendimit të tyre deri më 1 korrik. Por, kjo përkon me kohën në të do të bëhet vlerësimi i standarteve dhe pushteti i UNMIK mund të reduktohet për shkak të trasnferimit të kompetencave. Prishtina, edhe pse nuk ka bërë ndonjë deklaratë zyrtare, nuk ka mohuar se deri në këtë kohë vendimi mund të modifikohet sërish, sidomos në pjesën e përjashtimit të serbomalazezëve nga sistemi i vizave.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.