Intervistë- Ismail Kadare flet për zgjedhjet e tre Korikut

2005-08-24 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare flet për zgjedhjet e tre Korrikut. Mesazhet e tij
për qeverinë dhe opozitën e re
Kadare: Mesazhi im për Qeverinë
“Me një korrupsion të tillë Shqiperia nuk mund të quhet as vend i lirë e as vend
sovran”

Robert Rakipllari

Pyetje: Ju sapo keni botuar një letërkëmbim të njohur për lexuesin me
ish-Presidentin Alia në vitin '90. Përse ky libër botohet pikërisht tani?
Përgjigje: Pse pikerisht tani? E kuptoj fare mirë pyetjen tuaj. Ka kohë që në
Shqipëri shumë gjëra, duke përfshirë edhe kohën e botimit të një libri, zgjojnë
dyshime. Po të ndodhë një botim përpara zgjedhjeve do të dyshohet, përse përpara? Po
të jetë pas, do të thuhet përse pas? Po të qëlloje në një kohë pa ngjarje do të
thuhet se kërkon të bëhet ngjarje, e po të jetë paralelisht me një ngjarje tjetër,
do të thonë se kërkon të tërheqë vëmendjen prej saj, e kështu me radhë, po të ndodhë
në dimër,
në verë, në zheg apo në acar. Ju siguroj se nuk fshihet asnjë qëllim në kohën e
botimit. Ka qëlluar thjesht në muajin korrik, fjalë që në shqip vjen nga korrja e
grurit, e në shumë gjuhë nga emri i Jul Qezarit...Dhe prapë ju siguroj se nuk ka
ndonjë aludim për "korrje të fitores" apo "të disfatës", e aq me pak me ndonjë Jul
Qezar të hamendësuar vendas.

Pyetje: Zgjedhjet e tre Korrikut ishin vënë kusht nga Evropa për integrimin, mendoni
se Shqipëria e kaloi këtë sfidë?
Përgjigje: Me keto zgjedhje Shqipëria u vu përpara një prove tepër delikate. Kushti
për zgjedhje normale, për hapjen e rrugës për në Europë ishte i drejtë në thelb.
Ishte një trysni që bëhej për të mirën e vendit. Por nga ana tjetër, ishte jo pa
rrezik. Shqipëria, ashtu si një qenie që zbulon pikën e
dobët, apo si një ngrehinë , që i gjendet pika ku mund të rrëzohet, u gjend e
zbuluar përpara atyre forcave që nuk do ta donin, për arsye të ndryshme, hyrjen e
saj në familjen evropiane. Populli shqiptar, shoqëria shqiptare e pranon trysninë
ndaj klasës së tij politike. Në këtë pikë ai bashkohet me komunitetin euro-atlantik.
Por, ndonëse ka përgjegjësi për politikanët e vet, nuk është e drejtë që ky popull
të ndëshkohet për shkak të tyre. Ndaj një qasje tjetër më gjakftohtë dhe realiste
mund të gjendet.

Pyetje: Ka dy mendime të kundërta që pak a shumë u shfaqën për keto zgjedhje: njëri
më negativ e tjetri më pozitiv.
Përgjigje: Mendoj se pavarësisht nga gjithë mungesat, bezditë, shëmtitë etj.,etj. ,
për të cilat ne jemi të ndërgjegjshëm, diçka e mirë, një hap i drojtur por i qartë
përpara ndodhi, megjithatë. E para, rrotacioni u krye. Jo aq i fismë sa ç'do ta
kishim dashur, por sidoqofte, u krye. Dhe s'duhet harruar që është hera e parë në
historinë e vendit. E dyta, korrupsioni u denua njëzeri dhe shqiptarët u bënë të
ndergjegjshëm se me një korrupsion të tillë Shqipëria nuk mund të quhet as vend i
lirë e as vend sovran. Në këtë kah vota e tyre, më shumë se politike ishte, ndoshta,
morale.
Natyrisht, Shqipëria nuk mund të kënaqet me kaq. E megjithatë, duhet ta pranojmë se,
me sa duket, shpina e një vendi që ka përjetuar me të egrën diktaturë staliniste në
Evropë, nuk mbante tani për tani me tepër.
Shqipëria, sado që të mundohet, nuk bëhet dot model. (Një herë që kujtoi se u bë
model i socializmit, në të vërtetë u bë gazi i botes!).
Veç kesaj, e gjitha kjo kërkon një gjykim gjakftohtë brenda kuadrit ballkanik.
Serbisë p.sh. po i vihet një kusht shume
më i lehte: kapja e një krimineli. Me që ra fjala, nuk besoj se problemi i kulturës
së krimit ndëretnik, që u bë zotëruese në Serbi mbi dhjetë vjet, zgjidhet me
arrestimin e një krimineli.

Pyetje: A mund të na thoni diçka për amulline që u krijua pas zgjedhjeve, ku PD
shpalli fitoren, ndërsa PS vazhdon të mos e njohë humbjen?
Përgjigje: Amullia që u krijua pas zgjedhjeve krijoi përshtypjen se disa nga partite
politike shqiptare u penduan për atmosferën e parë të qete dhe shpejtuan të kthehen
në zakonet e vjetra. Dhe zakonet e vjetra të tyre dihen: acarim, militantizem,
mospranim të rezultateve të një pjese të kandidatëve, dëshirë për prishje. Njerëzit
kanë të drejtë të mendojnë se disa forca politike në Shqipëri nuk kanë dashur
zgjedhje normale, por tjetër gjë.
Kështu normalitetin e kanë perjetuar si një fare torture, një fare "kemishe të
forces". Dhe mezi ç'kane pritur rastin ta flakin ate kemishe shtrenguese dhe të
kthehen në gjendjen e meparshme. E keqja është se ndersa kjo gjendje që është
normale për ta, është anormale për vendin.
Pyetje: Ç'mesazh do t'ju jepnit ju forcave politike të sotme?
Përgjigje: Nuk besoj se mesazhi im ndryshon nga ai i shumices se qytetarëve
shqiptarë: të mos e prishim ate ç'ka u arrit. (Aq sa u arrit). Kanë shansin e fundit
të bëjne një gjest qytetar, republikan, demokratik, njerëzor. Akti thelbësor i
rendit demokratik, që është kalimi (rrotacioni) i pushtetit me votim, nuk mund të
kuptohet pa humbjen e njerit dhe fitoren e tjetrit. Humbja dhe fitorja prodhojnë
kështu bashkërisht demokracine. Demokracia shqiptare që mëton të
kthehet në demokraci europiane, nuk mund të zhvillohet ndryshe.
Focat kryesore politike shqiptare janë ende larg emancipimit. Doza e lartë e
militantizmit, (lexo: sejmenizmit, trashëgim i kohës otomaniste kur sejmeni nuk
njihte as komb, as shoqëri, as atdhe, por njihte veç shefin e vet të klanit) , është
një ndër pengesat e shumta. që këndej rrjedh himnizimi i dalldisur i partisë,
(trashëgimi kjo nga komunizmi shqiptar me tipare feudale) , e nga "partishmeri" e
keqe, rrjedh mosrespekti ndaj vlerave demokratike e republikane, ndaj institucioneve
e ligjeve. Si shembull mund të shërbejnë raportet e partive kryesore me presidentin.
Ishte një akt emancipues zgjedhja e presidentit konsensual, zotit Alfred Moisiu. Por
sjellja e partive me të ishte, në shumë raste, meskine. Here njëra palë e herë
tjetra, varnin turinjtë e zemëroheshin e përpiqeshin ta fyenin sa herë që iu dukej
se presidenti
u behej pengesë. (Ç'ka dëshmonte në të vertete paanësinë e tij).

Pyetje: A do të donit ta uronit qeverinë e re që, me sa duket, do të jete e se
djathtës demokratike? Ç'dëshirë tuajën do të donit t'i transmetonit?
Përgjigje: Natyrisht që me gjithë zemer do t'i uroja punë të mbarë qeverisë së re të
djathtë shqiptare. Do ta bëja këtë për çdo qeveri të votuar nga populli shqiptar. Do
të shtoja këtu se një dëshirë të ngjashme do t'ia shprehja edhe opozites në gjuhën
tonë, ashtu si është në shumicën e gjuhëve, urimi "punë e mbarë" gjendet vetëm në
kahun pozitiv dhe jo në të kundërten, ta zemë "sherr të mbarë!" ose "shkopinj të
mbarë në rrota!". Për fat të keq, kronika shqiptare është e mbushur me sjellje të
tilla të opozitave.
Çfare do të doja t'i transmetoja qeverise se re? Në radhe të
parë, një program dhe psikologji ndërtuese, pozitive. Ajo do të ishte shëndoshëse jo
vetem lëndërisht, por edhe shpirtërisht për vendin. Së dyti, një qeverisje nëpërmjet
një ekipi të aftë e të qytetëruar, ku të perjashtohej diçka tradicionalisht e
dëmshme tek ne, prirja tribale. Kjo prirje është e vendeve të prapambetura e
totalitare, ku shefi emëron në poste kyçe ministra "të besuar" nga klani apo krahina
e vet. Do të ishte afishimi i parë i keq i qeverisë shqiptare përpara komunitetit
ndërkombëtar, i cili me aq vëmendje ndjek zhvillimet e fundit në Shqipëri.

Pyetje: Jashtë problemit të zgjedhjeve si e shikoni gjendjen e pergjithshme të
Shqipërise e të popullit shqiptar?
Përgjigje: Parë në një vizion të përgjithshëm, mendoj se Shqipëria ndodhet
në fazën e fundit të një procesi që ka nisur mbi një shekull e gjysmë më parë. Në
atë kohe, ende nën pushtimin otoman, u shpall programi i rilindasve shqiptarë për
lirinë dhe demokracinë shqiptare. Thelbi i këtij programi, themeli dhe kurora e tij
ishte: liria e Shqipërisë, kthimi i saj në familjen europiane. Siç e shihni, pas
pengesash monstruoze, populli shqiptar gjendet më në fund, në prag të kësaj ëndrre.
Rrugëtimi i tij ka qenë i vështirë, por aspak fatkeq. Disa nga sëmundjet e mëdha të
kontinentit ai i kaloi në formën e tyre më të rëndë, siç ishte komunizmi i tipit
stalinist, por pati të tjera nga të cilat, për fat të mir, nuk u prek, siç ishte
antisemitizmi. Të tjera drama, si ajo e fesë, u përjetuan nga shqiptarët në trajtë
kundërthënëse: nga një anë ndalimi i fesë, si një pervojë e errët turpëruese, nga
ana tjeter, harmonia midis besimeve, si diçka e lakmuar. Kështu ecin popujt.

Mendoj se s'ka arsye për ligështim. Mendoj se energjia pozitive e shqiptarëve e ka
kohën e vet përpara.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.