Varri

2005-08-24 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Varri

Jashtë ngrenë, piramidën e turpit
Me ulërima, brohoritje, thirravaj.
Dritaret unë i mbylla trishtueshëm,
Të mos hyjë zhurmë e tokës, pluhuri i saj.
Shkretëtirë grimcash, parrullash.
Saharë plenumesh. Të kërcet
Në dhëmbë kuarci i frazave,
Të vdekura qysh nga viti '40.
Jashtë ngrenë piramidën e turpit
Të murtajës, të hoxhës së zi.
Ndërsa unë pranë oxhakut të studios
i vetëm mbi varrin e tij.
I thellë ky varr duhet të jetë
Që piramidën ta gëlltisë krejt,
Që prej gropës së tij të mos dalë
As hoxha, as fantazma e vet.
Mih e gërmo ditë e natë
Thellohu kon dantesk.
Me emrin varrmihës do ta nderroja
Prej kohësh emrin poet.

Ismail Kadare


Ky Dimër

Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pafund.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
I mpirë është gëzimi, thua s'ngjallet dot.
Apo si ai q'u dergj nga një lëngatë e gjatë.
S'do mëkëmbet kurrë ashtu siç qe?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i ftohtë ish.
Në pusin e ndërgjegjjes mezi ndihen
Tinguj kambanash si rënkim të mbyturish.
Ato gjithashtu vdiqën, dot s'i ngjall,
Sa gjëra u vyshkën, më e keqe se vetë vdekja
Ish vyshkja e tyre e ngadaltë, o zot.
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i pashpresë ish.
Kinezët që s'duken më në udhëkryqë rrugësh
Por vetë ata s'kanë vdekur: qelqe dritaresh
Të stilit q'ata sollën vezullojnë ngriraz
Duke dërguar ftohtësinë e tyre
Mbi mijëra fytyra si prej maske kalimtarësh
Sa kohë vallë do ti duhet
Genit të racës atë maskë të shpëlajë.
Apo në luftën e maskës me lëkurën
Maska do të fitojë më në fund?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i acartë ish,
Mbi varrin e tiranit monoton
Shiu po bie.
Ka gjumë a s'ka nën dhè?
Ç'i gjatë ish ky dimër, ç'i vrerosur ish.
E lodhur pudra mbi fytyrën tënde.
Nën pluhur tempujsh,
i lodhur shpirti im.

Ismail Kadare

Ismail Kadare
Gjuha Shqipe

Kur në sulm hodhën turqit
Hordhitë e pambaruara,
Kështjellat e sintaksës
S'i muar, që s'i muar.
Në bedena poemash
Popullore mbetën
Kufoma divanesh e
Kufoma bejtesh.
Kur panë se gjuhës
S'i hodhën dot prangat,
Lëshuan drejt saj
Gjithfarë merimangash...
Në përçartje ta kthenin
Në delir në jerm,
Ishin vite të rënda,
Ishin shekuj plot helm.
Të të bënin ty, donin
Shqipëri memece,
Po ja erdhi Naimi,
Si yll mbi ty ecte.
Dorën e zbehtë
Mbi ballë të vuri,
Të të hiqte zjarrllëkun
Prej të sëmuri.
Dhe vdisnin pjesëzat,
Thaheshin merimangat,
Ndriste si perlat
Poezia e madhe.
Kjo gjuhë, që provoi
Akrepët e shkretëtirës,
Ç'do të thotë përçartje
E di, oh, e di mirë.
E di ç'do të thotë
Kllapi hermetizëm,
Qoftë e ardhur nga Roma,
Qoftë e ardhur nga Parisi.
Kjo gjuhë martire,
Lehonë e përjetshme
Që lindi mes dhimbjesh
Art të pavdekshëm

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.