Qeveria Kosumi po bëhet Degë e Qeverisë Koshtunica

2005-08-22 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Qeveria Kosumi po bëhet Degë e Qeverisë Koshtunica

Decentralizimi, që sot është bërë kryefjala e politikës dhe e politikanëve
shqiptarë e të huaj, nuk ishte përfshirë në listën e famshme të “standardeve
për Kosovën”. Mirëpo, “qeni i keq ta bje ujkun në torishtë”-thotë një fjalë e
moçme e popullit tonë të urtë. Me politikën e saj servile, kapitulluese dhe
kolaboracioniste, LDK-ja, në vend se të radhitej në anën e fitimtarëve, UÇK-së
dhe aleatit të saj kryesor, SHBA-së, dhe të paktën t’i mbështeste ata, ajo
vazhdoi të mbante anën e atyre që ishin dhe mbetën të angazhuar kundër
interesave të Kosovës dhe të kombit shqiptar. Planet për
“decentralizimin” e Kosovës e kanë gjenezën te shovinizmi dhe politika
ekspansioniste e Serbisë dhe e miqëve të saj, por “bajrakun” për realizimin e tyre
e mori LDK-ja me “sugarin” e saj, Lutfi Hazirin, i cili drejtonte Shoqatën e
Komunave të Kosovës. Sot këtë “bajrak” po e mbanë lartë e më lartë Bajram Kosumi, i
përkrahur fuqimisht nga LDK-ja dhe AAK-ja. Me këtë plan Serbia dhe miqtë e
bashkëpunëtorët e saj po përpiqen ta rikthejnë Kosovën shqiptare nën sovranitetin
(pushtimin) e Beogradit me rrugë dhe mjete paqësore dhe demokratike (djallëzore).
Është “fat” që këto plane dhe qëllime shoviniste dhe ekspansioniste të Serbisë nuk
janë sekrete. Ato janë të shkruara dhe të bëra publike. Kopje të këtyre planeve janë
edhe në tavolinat e qeverie dhe diplomatëve të huaj. Ka
qeveri dhe diplomatë që janë edhe frymëzues dhe bashkëhartues të këtyre planeve që e
çojnë Kosovën dhe rajonin drejt konflikteve dhe luftërave të reja…
Më 29 prill 2004 Kuvendi Popullor i Republikës së Serbisë miratoi "Planin për
zgjidhjen politike të gjendjes së tanishme në Kosovë e Metohi". Ky plan
mbështetet në shumë rezoluta dhe deklarata të Kuvendit të Serbisë, në Rezolutën
1244, në Marrëveshjen tekniko-ushtarake të Kumanovës, në Marrëveshjen
Hakerup-Çoviç, e të tjera. Ky dokument me karakter tërësisht shovinist
"mbështetet" edhe në nenin 73, pika 2 të Kushtetutës së Serbisë që e konsideron
Kosovën "pjesë të patjetërsueshme të Serbisë dhe të Bashkësisë shtetërore
Serbi-Mali i Zi”. Kuvendi i Serbisë me një vendim të veçantë (pika 2) "obligon
Qeverinë e Republikës së
Serbisë që në zhvillimin e politikës së Republikës së Serbisë dhe në ushtrimin e
kompetencave të tjera të përcaktuara me Kushtetutë e ligj, e që kanë të bëjnë me
Kosovën e Metohinë, të niset nga Plani për zgjidhjen politike të situatës së
tanishme në Kosovë e Metohi. Obligohen edhe organet e tjera shtetërore në Republikën
e Serbisë që në ushtrimin e kompetencave të veta të përcktuara me Kushtetutë e ligj,
përkitazi me Kosovën e Metohinë, të nisen nga ky Plan..." Në pikën e tretë të këtij
vendimi thuhet: "Plani për zgjidhjen politike të situatës së tanishme në Kosovë e
Metohi është kornizë për bisedime eventuale për autonomi territoriale në Kosovë e
Metohi me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në Kosovë e Metohi dhe jashtë
saj". Ky dokument, madje edhe në gjuhën shqipe, është botuar dhe gjendet edhe sot në
faqen zyrtare të Qeverisë së Serbisë në internet. Thelbi i këtij dokumenti
është ndarja e Kosovës së mbetur midis shumicës absolute shqiptare (90%) dhe pakicës
serbe (5%)! Kjo ndarje do të realizohej me krijimin e komunave serbe dhe bashkimin e
tyre në një rajon të vetëm serb brenda Kosovës dhe me autonomin territoriale për
pakicën serbe! Për realizimin e kësaj të “drejte” për pakicën serbe, Serbia thirret
edhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Deklaratën e përgjithshme për të drejtat e
njeriut, në Paktin ndrëkombëtar për të drejtat civile dhe politike, në Konventën
evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive elementare, e të
tjera. Sipas këtij dokumenti antishqiptar "autonomia territoriale e serbëve në
krahinë është edhe formë e decentralizimit në kryerjen e punëve publike dhe formë e
zhvillimit të parimit sipas të cilit nevojat publike të popullsisë plotësohen nga
ana e organeve më të afërta për të". Vend të rëndësishëm në këtë
dokument zë edhe "shpërngulja" e pakicës serbe nga Kosova dhe kthimi i saj. Me këtë
Plan Serbia "zemërgjerë" kërkon autonomi territoriale edhe për pakicat tjera (për
romët, boshnjakët, goranët, etj.)! "Autonomia territoriale nuk nënkupton ndarjen e
krahinës dhe as që është ndonjë surrogat për të. Ajo nuk shpie në ndryshimin e
kufijve për shkak të krijimit të entiteteve monoetnike, sepse pikërisht kjo gjë
dëshirohet të pengohet duke krijuar kushte stabile për ekzistimin dhe kthimin e
serbëve dhe të joshqiptarëve të tjerë në mënyrë që karakteri multietnik, si vlerë
bashkëkohëse e qytetërimit, së pari të rimëkëmbet e pastaj në të ardhmen edhe të
zhvillohet". Siç e shikoni Serbia na “garanton” se nuk do të ketë ndarje të Kosovës,
por se do ta rikthej dhe në të ardhmen ta sllavizojë tërë Kosovën e mbetur nga
kafshimet dhe copëzimet e shumta ashtu siç i pati spastruar dhe sllavizuar rajone të

tëra shqiptare që shtriheshin deri në Nish... "Zonat e autonomisë së ardhshme do t’i
përbënin komunat, pjesët e komunave dhe lokalitetet, në të cilat serbët para dëbimit
përbënin popullatën shumicë. Këto territore do të përfshinin edhe tokat bujqësore e
sipërfaqet e tjera që kanë qenë pronë e serbëve para luftës në vitin 1999. Meqë
shumica e serbëve jetonte në qendra urbane, në të cilat sot nuk ka më serbë, ose
numri i tyre mund të jetë vetëm disa qindra (Prishtina, Peja, Gjilani, Prizreni,
Ferizaji, Istogu, Lypiani, pjesa jugore e Mitrovicës, etj.), dhe se kthimi i tyre në
këto qytete nuk mund të pritet së shpejti është i domosdoshëm kompensimi real
(compensatio iustum). Kjo do të thotë se serbët kanë të drejtë në pjesët e
territorit që lidh në mënyrë të natyrshme lokalitetet me shumicë serbe, ku ata më
parë nuk ishin shumicë, por në të cilat tani po kthehet popullata e dëbuar me rastin

e spastrimit etnik"... "Autonominë territoriale të serbëve do ta përbënin pesë
tërësi territoriale-Rajone, e këto do të ishin: rajoni i Kosovës Qendrore, i Kosovës
Veriore, i Pomoravles së Kosovës, i Malit të Sharrit dhe ai i Metohisë"-thuhet në
këtë dokument. Me këtë Plan parashikohen edhe organet e "autonomisë territoriale
serbe" (Kuvendi, Këshilli Ekzekutiv, Gjyqësia dhe të gjitha kompetencat që mund t'i
ketë një shtet, një "Republika Sërpska" në Kosovë!
Besoj se lexuesi nga këto pjesë të cituara do ta ketë të qartë përmbajtjen dhe
qëllimin shovinist të këtij dokumenti të miratuar nga Kuvendi i Serbisë. Të
interesuarit këtë dokument mund ta gjejnë të plotë në internet në faqen zyrtare
të Qeverisë serbe. Mua, dhe besoj asnjë shqiptar, nuk më habisin plane, programe
dhe dokumente të kësaj natyre që hartohen, propagandohen dhe bëhen përpjekje nga
Serbia shoviniste për jetësimin e tyre. Ky dokument është vazhdimësi e planeve
dhe projekteve të Garashaninit, Çubrilloviçit, Tito-Rankoviçit dhe Milosheviçit
për dëbimin, spastrimin dhe sllavizimin e tokave shqiptare. Ajo që më habit mua,
dhe besoj çdo shqiptar, është fakti që koalicioni LDK-AAK dhe
qeverisja e tyre në të gjitha nivelet po sillet dhe po vepron si Degë e Qeverisë së
Koshtunicës (Beogradit)!!! Është e vërtetë historike se Serbia ka pushtuar,
spastruar dhe sllavizuar me zjarr e hekur rajone të tëra shqiptare. Kjo e vërtetë
historike nuk është e vjetër... Edhe sot në Kosovë dhe në krahina të tjera shqiptare
jetojnë shqiptarët e dëbuar (ata që e mbijetuan gjenocidin serb) nga ato rajone, e
që bashkëkombësit e tyre vazhdojnë t'i quajnë "muhaxherë"! Këta "muhaxherë"
vazhdojnë t'i mbajnë mbiemrat e vendbanimeve nga janë dëbuar me dhunë... Një e
vërtetë tjetër e madhe është edhe çështja e Kosovës Lindore (Presheva, Bujanoci dhe
Medvexha). Nga kjo pjesë e Kosovës, që vazhdon të mbahet e pushtuar nga Serbia, po
dëbohen me dhunë dhe forma të tjera "demokratike" shqiptarët autokton. Medvexha
pothuajse është spastruar tërësisht.
Pastaj nga Kosova e sotme janë dëbuar me dhunë dhe forma të tjera mbi gjysma e
popullsisë shqiptare. Mbi gjysmë milioni shqiptarë janë dëbuar me dhunë dhe
internuar në shkretëtirat e Anadollit edhe nga krahinat shqiptare që sot mbahen të
pushtuara nga "Maqedonia". Rreth një milion shqiptarë janë detyruar nga dhuna
serbo-jugosllave ta lënë Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Mal të Zi, e tj.
edhe pas Pranverës së vitit 1981 dhe të shkojnë në Evropë, Amerikë, Kanadë e deri në
Australi. Edhe sot vazhdon shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova e mbetur për shkaqe
pasigurie, për shkaqe ekonomike e sociale, etj. Për bukën e gojës shqiptari sot
është i shtrënguar të kërkoj "shpëtim" edhe në Irak e Afganistan... Këto të vërteta
do ta bënin çdo parti politike dhe çdo qeveri normale që t'i vente gishtin kokës dhe
t'i përkushtohej fatit dhe të ardhmes së popullit të saj. Qeveria serbe e inkurajuar

nga frika që e kaploi klasën politike të Kosovës (veçmas LDK-në) pas ngjarjeve të 17
dhe 18 marsit 2004 kaloi në ofenzivë të fuqishme politike dhe diplomatike. Duhej të
ndodhte e kundërta. Klasa politike dhe “institucionale” e Kosovës do të duhej t’i
parashtronte dhe ngriste me unitet dhe forcë çështjet e përmendura më lartë para
botës demokratike. Koalicioni LDK-AAK në vend të Hazellokut, të cilin e shpërblen me
mbi njëqindëmijë euro në muaj si “këshilltar”, ka pasur detyrim kombëtar, qytetar e
politik t’i angazhonte dhe paguante pesëdhjetë ekspertët më të mirë nga kombi
shqiptar (me nga dy mijë euro në muaj) për hartimin e politikave, të strategjive dhe
të planeve që do ta ndihmonin klasën politike dhe institucionet e Kosovës për
realizimin e vullnetit të kombit shqiptar, të drejtën për bashkim dhe vetëvendosje…
Koalicioni i sotëm LDK-AAK në vend që të kërkonte ndihmën dhe
bashkëpunimin e ngushtë me Tiranën zyrtare po kërkon ndihmën dhe bashkëpunimin e
Beogradit. Kryeministri dhe ministrat e tij përditë kërkojnë të takohen me
Koshtunicën dhe ministratë e tij. Kësaj gatishmërie të këtij koalicioni Beogradi po
i përgjigjet me një tallje dhe shpërfillje cinike e poshtruese. Koalicioni LDK-AAK
me politikën e tij kolaboracioniste e ka shndërruar Serbinë nga një shtet pushtues
dhe përgjegjës për gjenocidin, spastrimin etnik dhe shkatërrimin e trojeve shqiptare
dhe të kësaj copë Kosove që ka mbet në “ortak” të padiskutueshëm! Turp!…
Por ky koalicion dhe e gjithë bota duhet ta ketë të qartë se lirinë dhe të
drejtat e tij, të fituara me mund, skarificë dhe luftë çlirimtare, populli i
Kosovës dhe i gjithë kombi shqiptar do t’i mbrojë me të gjitha format dhe mjetet
e lejuara demokratike e jodemokratike, paqësore e jopaqësore. Është koha e fundit
që partitë politike të koalicionit qeveritar të ndrrojnë kurs dhe të vihen pa
rezervë në mbrojtje të interesave të popullit të Kosovës e jo të Serbisë dhe
aleatëve të saj. Populli i Kosovës nuk ka votuar për “decentralizimin”
(copëzimin) e Kosovës dhe as për rikthimin e Kosovës nën pushtimin serb, por ka
votuar për shkëputjen edhe de jure të Kosovës nga Serbia,
për shtetin e Kosovës dhe të drejtën për vetëvendosje, jetë të lirë dhe të pavarur.
Klasa politike e Kosovës duhet ta thotë pa ekuivoke se Kosova është krahinë
shqiptare ku jetojnë edhe pakica të tjera kombëtare. Të drejtat e këtyre pakicave
mund t’i garantojë dhe do t’i garantojë pa asnjë hezitim shteti i Kosovës. Nuk ka
fuqi tjetër që mund t’i garantojë të drejtat e pakicave në Kosovë. Të gjitha
përpjekjet e Serbisë për ta sllavizuar edhe këtë copë Kosovë që ka mbetur kanë
dështuar. Në këtë çështje do të dështojë edhe koalicioni LDK-AAK dhe sponzoruesit e
kumbarët e tyre. Por që këto plane dhe apetite të marrin fund njëherë e përgjithmonë
në Kosovë duhet të shpallen zgjedhje të reja dhe të krijohet një Qeveri e unitetit
kombëtar e përbër nga politikanë dhe atdhetarë të dëshmuar në të gjitha kohërat. Më
mirë është të dështojë koalicioni aktual se të dështojë Kosova. Atë që e fituam me
luftë dhe shumë sakrifica ka rrezik ta humbim në këtë kohë paqeje me këtë koalicion
qeverisës. Rreziku është real… Në këtë dhe për këtë çështje ka detyrim kombëtar dhe
intelektual ta jap kontributin e saj edhe inteligjencia e Kosovës dhe e mbarë
kombit, e cila disi po heshtë dhe po tregohet “moskokëçarëse”. Mediat në vend se
opozitë e politikës, siç është roli i tyre në vendet normale, janë bërë shërbëtore
të bindura të politikës… Në fund të fundit duhet të bëhet e qartë se beteja për
kombin dhe çështjen shqiptare po zhvillohet në Kosovë… Përgjegjës për paqen,
sigurinë dhe të ardhmen e lirë e pa konflikte jemi të gjithë pa përjashtim…


Xhevat Bislimi

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.