Reagim ndaj propozimit të Dr.I.Rugovës

2005-08-15 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Reagim ndaj propozimit të Dr.I.Rugovës për ndryshimin e pamjes së flamurit kombëtar dhe ndërrimin e himnit kombëtar shqiptar

[i]Pesha e gabimit varet nga ai, gjegjësisht ajo se kush e bën gabimin. Dikush gabon çdo ditë, por pasojat i bartë vetëm gabuesi e askush tjetër. Ndërsa, të gabojë një individ (institucion), siç është Ibrahim Rugova, pasojat mund të jenë shumë të rënda.

Këtë reagim e kam shkruar menjëherë pas propozimit të tij për ndryshimin e pamjes së flamurit kombëtar shqiptar dhe për ndërrimin e hymnit kombëtar shqiptar. Por, duke pritur se do të reagojë dikush nga bashkëpunëtorët e tij, ose mos po reagon ndonjë institucion meritor për këtë, u përmbajta dhe nuk e publikova.
Tani, para pak ditësh, (në qershor të 2005-tës) më rastin e dhënjës së një intërviste në RTK (në emisionin "Drejtpërdrejt"), Ibrahim Rugova, prap e zuri në gojë nevojën e ndryshimit të pamjes së flamurit dhe ndërrimin e hymnit kombëtar shqiptar, me ç'rast u detyrova ta publikoj reagimin tim të ngujuar, qysh prej 2002-tës.
Edhe sikur t'ishte plotësisht i arsyetuar ky propozim, në pikëpamje historike, Rugova është dashur ta dijë se politikajtë tanë i kanë sjellë dëme të pallogaritshme Lëvizjes kombëtare shqiptare, mu pse nuk e kanë çmuar sa duhet optimalitetin e kohës. Pra, janë nxituar, kur është dashur të ngadalësojnë dhe janë ngadalësuar kur është dashur të shpejtojnë.
Siç dihet, mos të çmuarit e optimalitetit të kohës, i ka kushtuar shumë shtrenjt Çështjes shqiptare dhe i ka kontribuar edhe MOSUNITETIT në PARINË GJITHSHQIPTARE.
Tani, në këtë kohë kthese pozitive, për fatin dhe ardhmërinë tonë, kur e drejta historike dhe aktuale e popullit shqiptar u pranua, (pas shumë përpjekjeve e pasojave) , gjithmonë po del dikush, fatkeqësisht nga brenda, ta prishë këtë hov kthese. Duhet ditur se me këso veprimesh të pamatura, i kontribojmë realizimit të planeve të armikut.
Ta vësh sot në diskutim çështjen më të ndijshme të kombit shqiptar (flamurin dhe hymnin), do të thotë t'i gërvishësh plagët dhe t'i zhvlerësosh përpjekjet e të gjithë atyre, që u martirizuan për Liri e Pavarësi të Kosovës dhe të shqiptarëve kudo që janë.
Ta vësh sot në diskutim çështjen e flamurit dhe të hymnit kombëtar shqiptar, do të thotë ta përforcosh qendrimin mohues dhe fyes të armiqëve tanë sllavë, të cilët gjithmonë janë përpjekur dhe përpiqën që të krijojnë dallime në mes të shqiptarëve në Shqipëri dhe shqiptarëve jasht saj.
Ta vësh sot në diskutim çështjen e flamurit dhe të hymnit kombëtar shqiptar, në kohën, kur më tepër se kurrë, do të duhej përvijuar e vërteta dhe e drejta shqiptare, për zgjidhjen e tërësishme, humbim kohën, për ta vërë në dyshim vetën edhe para faktorit ndërkombëtar, që të çmojë se a e vlen për të na përkrahur dhe ndihmuar në realizimin e aspiratave tona shekullore.
Ta vësh sot në diskutim çështjen e flamurit dhe të hymnit kombëtar shqiptar, do të thotë, të bësh përpjekje për ta penguar zgjidhjen e plotë të çështjes shqiptare e me këtë edhe stabilizimin e Ballkanit.
Duhet ta dijë z. Rugova dhe duartrokitësit e tij, se moszgjidhja e plotë e çështjes shqiptare, do ta lënte prap fitilin e ndezur të luftës në Ballkan.
Do të duhej ta dinte z. Rugova, se nuk arrihet fama në përmasat ndërkombëtare, duke i sakatosur simbolet e shënjta kombëtare dhe përspektivën e popullit të vet.
Duhet ta dijë z. Rugova se pesha e gabimit varet nga ai-ajo se kush e bën gabimin. Dikush gabon çdo ditë, por pasojat i bartë vetëm gabuesi e askush tjetër. Ndërsa, të gabojë një individ (institucion), siç është Ibrahim Rugova, pasojat mund të jenë shumë të rënda.
Është dashur ta dijë z. Rugova, se më të pikur të idesë për ndryshim të pamjes së flamurit dhe për ndërrimin e hymnit kombëtar, është dashur ti japë udhë asaj ideje deri te institucionet meritore shqiptare, siç janë: ai i Historisë, i Albanologjisë, i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës e gjetiu e mandej, nëqoftë se ato institucione e shohin të udhës, dhe atë, pas definimit të statusit final të Kosovës dhe pas konsolidimit dhe funkcionimit tre-katër vjeçar të shtetit të Kosovës, atëherë të vihet në diskutim publik, si flamuri, ashtu edhe hymni kombëtar shqiptar.
Një propozim i tillë skandaloz, jo vetëm që nevrikos, por edhe ti imponon një varg pyetjesh:
Vallë, i paska kryer presidenti ynë të gjitha punët që i përkasin atij, për t'i hyrë tani ndryshimit të pamjes së flamurit dhe ndërrimit të hymnit kombëtar shqiptar?
E paska realizuar presidenti ynë pavarësinë e Kosovës?
E paska zgjidhur presidenti ynë problemin kufitar me Maqedoninë për 2500 hektarë tokë të zaptuar nga Maqedonia?
E paska zgjidhur presidenti ynë problemin e Mitrovicës së ndarë?
E paska marrur presidenti ynë dëmshpërblimin për të gjitha viktimat dhe pasojat që ia ka krijuar Serbosllavia Kosovës?
Apo, mos vallë, Rugova i ka hyrë kësaj pune (për ndryshimin e pamjes së flamurit dhe ndërrimin e hymnit kombëtar shqiptar), për të treguar se nuk ka punë tjetër më te rëndësishme? Ose, mos vallë, Ibrahim Rugova e ka bindur vetën se si "President" që është, duhet të veprojë, sipas asaj frazës popullore: "Mos paq çka me ba, luaje derën"!!! Se "presidenti" ynë e ka bindur vetën se i ka zgjidhur të gjitha problemet, që kanë të bëjnë me Kosovën dhe me shqiptarët, dëshmon edhe propozimi i tij për ta festuar edhe "Darkën e lamëve", si dhe për ta caktuar dhe festuar edhe ditën e Presidencës më 24 maj.
Kështu e ka kjo botë, kur, pakuptimësia zë vendin e kuptimësisë.
Andaj, s'është kurrfarë çudie as befasie, kur, sot në Parinë Shqiptare luhet edhe me vlerat e shenjta, me të cilat pasqyrohet "Begatia" e strategjisë sonë kombëtare, që fuqishëm i kontribojnë ndarjes dhe përçarjes së popullit shqiptar. Si të thuhet ndryshe, kur në sajë të këtij "kontributi" të elitës udhëheqëse të Kosovës, së cilës i prinë "presidenti" ynë, sot po na dalin:
Dy lloj heronjsh,
Dy lloj dëshmorësh,
Dy lloj patriotësh,
Dy lloj përvjetorësh përkujtues,
Dy lloj simbolesh kombëtare,
Dy lloj pavarësishë: formale dhe esenciale dhe
Dy lloj gjuetarësh mbi vlerat e LNÇ-së, gjegjësisht të UÇK-së.
Dhe, duke e përfunduar këtë reagim, se ç'mu kujtua titulli i një broshure të Rexhep Hoxhës, shkrimtar - " E PO KU JEMI " ?

Lë Mans - Francë Hamzë Gashi
më 17 dhjetor 2002,
gjegjësisht - korrik 2005!

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.