Profesori

2005-08-10 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

03 Gusht 2005

Profesori

Të gjithë e dimë se institucionet kosovare përkatësisht shoqëria kosovare, pra, ne, po kalojmë nëpër faza të tranzicionit. Nëse përcaktohemi për ndonjë vështrim/qasje më përshkruese/praktike për të definuar më mirë se çka i bjen “faza e tranzicionit” kjo përafërsisht i bjen kështu: kalimi nëpër përvoja të caktuara, pra, mësimi nga përvoja vetanake, në mënyrë që të zgjidhen çështje, probleme ose situata të ndryshme ekonomike, shoqërore, politike, etj. etj.

Bashkësia ndërkombëtare, si duket nuk është më shumë sesa një term/shprehje mediale. Sido që të jetë, kjo po shkakton mjaft konfuzion dhe kokëqarje sepse nuk ekziston diçka si “bashkësi” ndërkombëtare. Së paku, ende jo Natyrisht, shtete të ndryshme bëjnë mjaft përpjekje për të vënë këtë shprehje në realitet, në praktikë, psh. përmes Kushetutës Evropiane, por deri më tash, viti 2005, asgjë nuk garanton që kjo “bashkësi” do të jetë edhe bashkësi në realitet. Gjithsesi shkaktar i kësaj janë interesat e ndryshme kombëtare të shteteve që janë pjesë e kësaj “bashkësie”. Askush nuk dëshiron që të flijoj asgjë për askë/asgjë. Të gjithë dëshirojnë të jenë “të mëdhenjë”. Shtete të ndryshme luftojnë për pozicione sa më të mira në aspektin ndërkombëtar dhe kombëtar.

E tash, kur kjo bashkësi ndërkombëtare zbret në Kosovë, e mban të njëjtin qëndrim. Përafërsisht. Ata flasin për tolerancë ndëretnike, demokraci, kulturë ndërnjerëzore, luftë kundër korrupsionit, zhvillim ekonomik, konzensus ndërpolitik, etj, etj. Pra, japin deklarata që ne, opinioni ynë, “i përbijmë” menjëherë, shumë lehtë, sepse të gjitha këto deklarata janë të vërteta. Pra, në Kosovë ka korrupsion, e kjo nuk është ndonjë zbulim i madh. Në Kosovë shumë shpesh nuk zbatohet demokracia. Shumë shpesh shumica e politikanëve në Kosovë lënë përshtypje të tillë përmes veprimeve të tyre, nëse e dinë se çka është Demokracia.. Të vazhdojmë: Kosova ka nevojë për zhvillim ekonimik, edhe kjo është e vërtetë. E tash mënyra se si do të duhej të zhvillohej Kosova në pikëpamje ekonomike këtë askush nga ndërkombëtarët nuk e thotë, nuk e di. Më tutje: raportet ndërnjerëzore në Kosovë janë shumë nën nivelin zero. Fatkeqësisht, as kjo nuk është ndonjë zbulim.

Pra, në përgjithësi, ndërkombëtarët në Kosovë japin deklarata të tilla që tingëllojnë mirë për vesh. Por, çka ndodhë praktikisht?

Kriza në Universitetin e Prishtinës si duket kaloi. Të gjithë dëgjuan për këtë. E kjo është mirë. Së paku të gjithë ata që deshën të inoformohen për atë se çka po ndodhë në arsimin kosovar tashmë e dinë. E tjetër është nëse, thjeshtë, jemi të painteresuar. Sistemi arsimor, pra, edhe UP-ja, ka nevojë për reformim. As kjo nuk është ndonjë zbulim. Reformimi këtu lirshëm mund të nënkuptojë edhe përdorimin e ekskavatorit/bagerit. Shumica e objekteve/hapësirave të UP-së janë ndërtim i vjetër. Kur hyn në to menjëherë trupi të rrënqethet nga të ftohtit. Nuk ndihesh i rehatshëm. Thuajse je në një nga ato korridoret e ndonjë ndërtese në Rusinë e viteve të 50-ta, ku as xhaketa e dimrit nuk kryen punë. Vështirë se mund të ketë mësim/arsimim të tillë në këto kushte, sidomos kur kihen parasyshë zhvillimet teknike e teknologjike. Më tutje, fytyrat e profesorëve janë ato pjesë të UP-së që më së shumti rrezatojë këtë ftohtësi sa që të bën të ndihesh viktimë, të bëjnë të ndihesh se edhe vetë jeta jote varet nga grimasat e profesorit. E nësë nuk arrinë që të bëhesh pjesë e mirë e grimasave të tij/saj, atëherë ti nuk do të përfundosh asnjëherë fakultetin. Shumica e fytyrave të tyre janë nervoze, të parruara, me një të folme/komunikim që as në fshatin më të largët në këtë glob nuk përdoret sot, etj etj.

Nëse hyn më thellë, në analizimin e mësimdhmënies, nuk do të gjeshë/vëresh asgjë të ndryshme sesa pamja fizike e UP-së. Mund të hasësh në ndonjë profesor të gjuhës angleze duke folë me një theks aq të rëndë të anglishtes saqë edhe fëmijët e moshës 7 vjeçe do të ankoheshin sepse nuk do të kuptonin asgjë. Nën sqetull duke mbajtur ndonjë libër të Sheksipirit ose të ndonjë autori tjetër anglez. Nuk mendoj që Shekspiri do të ishte i rehatshëm po të dinte se si po përdoren librat e tij. Metodat, nëse mund të quhen aktualisht metoda, e mësimdhënies janë të papërballueshme sot për gjeneratat e reja të studentëve. Mundësia e përdorimit të internetit, pra, të kompjuterit, ka bërë që metodat e mësimdhënies të ndryshojnë, në kuptimin pozitiv, si për mësimdhënësin ashtu edhe për studentin. Është shumë vështirë të mësosh dikë, të japësh mësim në mënyra/metoda të kaluara, në kushte të internetit. Veç tjerash, interneti është burim i zhvillimeve të reja shkencore, shoqërore, politike, etj. etj. Përmes internetit shumë lehtë mund të informohesh për risitë në fushën biologjike, kimike, mjekësore, teknike/teknologjike, gjuhësore, etj. Tashmë libri është pjesë përbërëse e burimit informativ. Pra, nuk është më i vetmi burim i informacionit. E kjo me automatizëm ka bërë që mënyra se si mësojnë studentët, jo vetëm studentët universitar por edhe nxënësit e shkollave fillore e të mesme, të mësojnë kudo dhe kurdo, e jo vetëm në shtëpi.

Duhet pasur parasyshë se me reformimin e arsimit nuk nënkuptohet vetëm reformimi i arsimit të lartë, por një reformim që nga fillimi, pra, nga arsimi parashkollor, fillor, i mesëm dhe universitar. Të gjitha institucionet private arsimore, pa marr parasyshë të cilit nivel, janë pjesë e reformimit arsimor. Këtu nuk nënkuptohet cilësia e tyre arsimore. Nëse Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (tash e tutje, MASHT) nuk është e kujdeshshme ndaj cilësisë arsimore të këtyre institucioneve, lirshëm mund të ndodhë që ndonjë institucion privat arsimor të shndërrohet në një UP tjetër, private.

E tash, a është MASHT në gjendje të reformojë sistemin arsimor kosovar të të gjitha niveleve? A është MASHT në gjendje të administrojë këtë reformim? A është MASHT në gjendje të përcjellë këtë reformim, të përvetësoj dhe të përcjellë zbatimin e planprogrameve të reja, zbatimin e metodave të reja të mësimdhënies, përcjellë cilësinë e mësimdhënies, mësimnxënies, pra, të marr mësim nga i gjithë ai udhëtim ndërkombëtar që e bën jashtë Kosovës? Cfarë lloj mënyrash veprimi (politikash) ka krijuar MASHT në mënyrë që të arrijë të gjitha këto? A ka krijuar MASHT politika (mënyra të veprimit) për reformimin e arsimit kosovar? Me një fjalë, a është MASHT-i i gatshëm për këtë punë?

Një numër i madh i punëtorëve në MASHT punojnë më shumë se një punë, edhe janë zyrtarë (të llojit dhe nivelit të ndryshëm në MASHT), edhe janë profesor në UP ose mësimdhënës në ndonjë shkollë fillore, të mesme, ose në ndonjë institucion privat arsimor. Shikuar nga aspekti financiar kjo mund të arsyetohet. Rrogat e vogla të buxhetit të Kosovës kanë shkaktuar këtë lloj strukturimi/organizimi natyror, të paplanifikuar, të punëtorëve dhe të punëve, si në MASHT ashtu edhe në organet/ministritë tjera të Kosovës. Shumica e punëtorëve në Qeverinë e Kosovës janë profesor lëndor. Këtu kemi kundërshtim/mospërputhje profesionale, ose, siç thuhet ndryshe, konflikt interesash. Në këtë rast, si mund të reformohet sistemi arsimor kosovar, në përgjithësi, kur njerëzit e njëjtë që flasin për reformim arsimor dhe në të njëjtën kohë kanë akuzuar UP për shkelje ligjesh, punojnë në po ato institucione arsimore të cilat edhe i kritikojnë dhe kanë dëshirë t’i reformojnë? Si do të ndodhë reformimi i arsimimit në Kosovë në këto kushte? Ose, si mund që Kosova të përjetojë një zhvillim ekonomik kur po ata njerëz që flasin për këtë reformim/zhvillim ekonomik janë profesor në UP ku ligjërojnë metoda të kaluara të zhvillimit ekonomik?

Ka shumë hollësira të tilla për t’u analizuar, rishikuar e shqyrtuar. Për të mos hyrë në të gjitha këto veç e veç, sistemi i punësimit në Qeverinë e Kosovës duhet të rishikohet, shqyrtohet e analizohet. Natyrisht, së pari duhet që njerëzit që udhëheqin Qeverinë e Kosovës, njerëzit që udhëheqin qeverisjen në Kosovë, pra, ministritë, të informohen se pse ekziston Qeveria, çka është qeverisja, për kë shërben dhe kush përfiton nga qeverisja?

Nëse kthehemi prap tek bashkësia ndërkombëtare, duhet lirshëm të themi se ajo nuk ka pasur sukses në jetësimin e disa praktikave perëndimore në Kosovë. E kjo nuk është për faj të vendorëve. Bashkësia ndërkomëbtare nuk ka arritur të krijoj qeverisje në Kosovë. Fatkeqësisht, as SHBA-të nuk kanë arritur të bëjnë gjë, përveç fjalimeve e deklaratave që tingëllojnë mirë për vesh e me çka janë impresionuar gazetarët dhe ajo pjesë e popullatës e cila nuk punon në Qeverinë e Kosovës, ajo pjesë e popullatës së Kosovës e cila ka votuar për një jetë normale dhe mirëqenie në Kosovë dhe për asgjë më shumë. E kjo popullatë nuk është marrur me qeverisjen në Kosovë. Së paku ende jo.

Nuk është lehtë të menaxhosh situata të ndryshme. As këtu në Kosovë. Por të jesh profesor nuk do të thotë që i di të gjitha, se je i shkathët e i aftë për të gjitha. Aftësia menaxheriale është krejt diçka tjetër. Profesori e ka vendin para studentëve/nxënësve. Nuk e di se kush ka menduar se profesorët do të zhvillojnë Kosovën, si në aspektin arsimor, ekonomik, ose edhe politik. Kjo është plotësisht gabim në hapa, siç do të thoshin baskebollistët. Kosovës i duhen njerëz që dinë të menaxhojë, pra, të ofrojnë zgjidhje. Profesorët nuk dinë të bëjnë këtë punë, nuk kanë aftësi për ofrimin e zgjidhjeve, nuk kanë aftësi menaxhuese, pa marr parasyshë nëse ata janë edhe ndërkombëtar dhe kanë diploma doktorature (PhD). Ka ardhur koha të rishikohen këta hapa.

Skënder Limani

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.