PËRGJIGJE LEXUESVE TË “KOSOVËS SOT”(7)

2005-08-06 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

pyetje per Bacen Adem


PËRGJIGJE LEXUESVE TË “KOSOVËS SOT”(7)

Nga Adem Demaçi:

Ardita Berisha: A do ta përkrahë Demaçi fillimin e ndonjë proteste gjithpopullore të inicuar nga
lëvizja Vetëvendosja kundër negociatave për statusin me palën serbe?
A.D.- E nderuara Arditë, po më duket sikur Ju nuk i keni lexuar, ose i keni lexuar
tek-tuk, përgjigjet e mia lexuesve të gazetës së përditshme “KOSOVA SOT”.
Aty keni pasur mundësi të shihni se VETËVENDOSJEN e kam përkrahur dhe se e
përkrah pa rezerva. Madje në njërën nga përgjigjet e mia kam thënë se PËR
VETËVENDOSJEN E VLEN EDHE TË VDISET.KËTU E KAM PËRFSHIRË MË SË PARI VETEN
TIME.POR UNË, KY QË JAM E KËSHTU SI JAM, NUK E DI NËSE I DUHEM GJË “LËVIZJES
VETËVENDOSJE”. INSHALL-LLAH I DUHEM!

Visar Mehmeti: Çka do të thotë, sipas jush z. Demaçi, paralajmërimi i Qeverisë për planin B rreth decentralizimit?
Do të ndodhë ndarja apo do të jetë grushti i parë kundër kërkesave
serbe?
A.D.- Z. Visar, nuk besoj se do të ndodhë as e para , as e dyta.Do të
ndodhë diçka midis të parës dhe të dytës. Ajo e treta do të jetë ajo që do
të thotë z.Soren Jesen Petersen, të cilit i binden të gjithë këta që janë në
skenën tonë tragji-komike politike.Qeveria jonë në “kafaz” mund të bëjë
plane në letër sa të dojë, por ajo nuk mund t’i japë askujt grushta, përveç,
herë pas here, vetëvetes!

Fatmir Aliu: Si e vlerëson z. Demaçi procein e
finalizimit të standardeve. A janë duke u djegur letrat e premtimeve
pozitive?
A.D.- Zotëri Fatmir,standardet, shikuar më vete, janë gjë e
mrekullueshme, por, në rastin tonë, janë pengesa të cilat na i kanë vendosur
ata të cilët ende janë kundër pavarësisë së Kosovës. Ata nuk janë të
vetëdijshëm se, njëkohësisht, në këtë mënyrë, janë dhe do të jenë edhe
kundër demokratizimit të Serbisë. E, të jeshë kundër demokratizimit të
Serbisë do të thotë të jeshë për atë që në Serbi akoma në pushtet të jenë
çetnikët e neofashistët e Beogradit, të cilët janë baballarët e terroristëve
të Ballkanit Perëndimir.Ata që duan të shohin dhe të dëgjojnë kanë mundësi
që të binden duke shikur e duke dëgjuar se çfarë janë duke bërë edhe sot
terroristët shtetëror në Serbi dhe rreth e rrotull Serbisë.

Alban Gashi: Z.
Demaçi, si i komentoni Ju hapat e pare të grupit punues për Kthim në
Qeverinë e Kosovës të cilët fillimisht parashtruan kërkesa për t’u
pajisurme pasaporta jugosllavë e vetëm pastaj të udhëtojnë në Beograd?
A.D.- Zotëri Alban,kur dikush dëshiron që të bëhet më katolik se Papa, ose më serb
se serbi, ai atëherë bëhet gazi i dheut! Në rastin konkret, të kërkosh nga
kosovari që ai të pajiset me pasaportë jugosllave për të udhëtuar brenda
territorit të USMZ-së do të thotë pikërisht e kundërta e asaj për çfarë po
mundohen serbomëdhenjtë!

Behxhet Haziri: A e përkrahni ju z. Demaçi lëvizjen
Vetëvendosja. Nëse po atëherë në të ardhëmen a pritet që të jeni të
përfshirë në aktivitete dhe a shihni dallime midis partive të tjera
politike dhe të Lëvizjes Vetëvendosja, kur dihet se të gjitha përpiqen për
pavarësi?
A.D.- Zotëri Behxhet, po, e përkrah, pa rezerva Lëvizjen
Vetëvendosja dhe me zemër e me shpirt unë jam me Lëvizjen Vetëvendosja,
sepse jam i bindur që kjo lëvizje nuk është për pavarësinë e Kosovës vetëm
me dëshira e me fjalë, por edhe me vullnet, me veprime e me rezultate të
cilat qysh tash po duken në horizont.

Haxhi Hoxha: Z. Demaçi, çka mendoni për
korrupsionin në Kosovë dhe sa është i involvuar edhe z. Demaçi në
korrupsion?
A.D.- Zotëri Haxhi Hoxha, nëse jeni ndonjë hajgarexhi po Ju them
se edhe unë jam njëfarë hajgarexhie, mirëpo, me këtë rast, po Ju them se
edhe po të isha hajgarexhi i kalibrit të të ndjerit VELI VRANIQI do ta kisha
vështirë të gjeja përgjigjen përkatëse për Ju. Nëse pyetjen ma bëni si
qytetar i ndershëm dhe zemërbardhë, atëherë më duhet të Ju them se qytetar
edhe më i ndershëm do të bëheni nëse do të shkoni tek organet përkatëse dhe
të më denonconi për “involvimet” e mia në korrupsion, sepse një adem demaç i
korruptuar nuk i duhet asgjë Kosovës.Nëse jeni Haxhi Hoxha me adresë, Ju
lutem, ma dërgoni adresën se kam dëshirë të Ju shoh si dukeni.Nëse nuk jeni
as Haxhi as Hoxhë, por jeni ndonjë faqezi që keqpërdorni të drejtën që vetë
ua kam dhënë të tjerëve që të më bëjnë çfarëdo pyetjesh që duan, atëherë
Zoti Ju shpërbleftë ashtu si e meritoni!

Ilir Tërnava: A mendoni se zgjidhja
finale e statusit të Kosovës do të jetë me humbjen e veriut të Kosovës dhe
për kompenzim bashkangjitjen e Luginës sëPreshevës?
A.D.- Zotëri Ilir, unë
jam i bindur se, në fund të fundit, populli i Kosovës nuk do të lejojë, në
asnjë mënyrë, që as të rirobërohet, as të ricopëtohet nga çetnikët e
neofashistët e Serbisë.

Arta Miftari: Baca Adem, çka ta merr mendja,poqese
raporti i Aides do të jetë negativ, atëherë çka e prêt qeverinë e
Kosovës?
A.D.- E nderuara Artë, poqese raporti i z. Aide do të jetë si thoni
Ju, negativ, atëherë qeveria do të shkojë në “riprovim”!

Qëndrim Jashari: Z. Demaçi, si e vlerësoni Ju vizitën e kryeministrit Kosumi në Universitet ?
Pse e vizitoi tash universitetin, pasiqë shkarkoi legjendën e
Universitetit, rektorin Arsim Bajrami? Si e vlerësoni këtë vizitë? Komenti
juaj?
A.D.- Zotëri Qëndrim, z. Bajram Kosumi vizitoi Universitein e
Prishtinës për të parë se si dukej universiteti pa Dr.Arsim Bajramin dhe me
drejtuasin kalimtar z. Jahi Hoxha.Por nuk e di nëse e pati me vete edhe
ministrin Agim Veliu? Sa për komente, Ju lutem, mos përtoni dhe pyetni
studentët.

Gardian Mehmeti:Baca Adem , pyetja ime kishte me qenë kjo: çka
mendoni për Luginën e Preshevës, qytetet e saj Bujanovcin , Preshevën dhe
Medvegjën të cilat janë të banuara me shqiptarë 80%. Pas fitimit
tëpavarësisë së Kosovës keto troje etnikisht shqiptare a do të mbeten nën
Serbinë, apo në “shtetin e sapoformuar kosovar"

A.D.- Fort i nderuari Gardian, ndoshta Ju ka thënë edhe dikush tjetër para meje, por deri disa
vjet pas Luftës së Dytë Botërore,Lugina e Preshevës ishte pjesë e Kosovës.
Mirëpo, çetnikët e neofashistët e kamufluar të Serbisë, për shkaqe
“strategjike” shkëputën Luginën e Preshevës nga trungu i Kosovës dhe si
“kompensim” na i mëveshën dy komuna pasive:Leposaviqin e Zubin Potokun. Pasi
që një ditë, herët ose vonë, Serbia të demokratizohet, Beogradi do ta
kuptojë se një trevë me shumicë dërmuese shqiptare nuk do të jetë në interes
të tij, ndoshta mund të bëhet ndonjë shkëmbim territoresh midis shtetit të
pavarur të Kosovës e të Serbisë. Është me shumë rëndësi që këto treva të
mos zbrazen nga shumica shqiptare.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.