KONTRABANDË ME BËRLLOKË DHE ME NOTA

2005-08-02 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Beqir ELSHANI

KONTRABANDË ME BËRLLOKË DHE ME NOTA

Si pjesë e ndërgjegjes kombëtare hyn edhe mbrojtja e ambientit natyror si
dhe mbrojtja e ekonomisë kombëtare. Është detyrë e çdo qytetari kudo që
jeton, mjedisin e tij rrethues ta mbaj sa më pastërt. Mbeturinat nuk duhet
hedhur as në rrugët e fshatrave, as në rrugët e qyteteve. Çdo njeri që hedh
mbeturina (qoftë një copë letër) do të duket e vrazhdët para syve të
kalimtarëve. Sidomos fëmijët janë klasa më e freskët, që këtë dukuri të keqe
shumë shpejtë e përvetsojnë, dhe me kalimin e kohës i përshtaten mjedisit të
ndotur. Kujtoni nënat, kur ato e ndotin gjirin me njolla sa për ta ndarë
foshnjen nga thithja, kuptohet që foshnja është aq e ndieshme, saqë
menjëherë do të ndërprejë thithjen e gjirit. Prandaj të gjithë fëmijët
lindin me arsye të shëndoshë, që dinë të dallojnë të bukurën dhe të keqen,
mirëpo më vonë mësohen me rrethin e pakultururar. Për brezin tonë të ri
duhet të jenë përgjegjës jo vetëm shkollat dhe entet pedagogjike, por edhe
familja dhe rrethi shoqëror. Ashtu siç respektohen shenjat e komunikacionit
nga këmbësorët dhe shoferët, duhet respektuar edhe mbrojtja e mjedisit
natyror. Dihet se këmbësori, apo shoferi që e shkel dritën e kuqe, thyen
rregullat e komunikacionit, prandaj paguan gjobën.
Sipas shtypit ”Fakti” më 27.04.2005 mësohet se në Tetovë ka plasur skandali
i bërllokut. Në fshatin Gradec kanë hyrë 50 kamionë, jo me material
ndërtimor për ndërtimin e ndonjë shkolle apo ambulance, por me bërllok të
transportuar nga Tetova. Një sasi bukur e madhe e bërllokut – virusit është
shkarkuar rrëzë fshatit. Fshatarët tregojnë se deponia e Tetovës hedhurinat
në kamiona i kanë maskuar, të cilat i kanë mbuluar me një shtresë të hollë
dheu. Në vazhdim shtypi shkruan se në fshat kanë punuar edhe eskavatorët, që
kanë bërë ”varrimin” e hedhurinave me prejardhje nga qyteti. Këtë skenë
primitive e kanë parë edhe fshatarët e pa mbrojtur nga ligji i shtetit.
Prandaj këtij mjedisi të fshatit natyror po i dhurohej një virus i tipit
bërthamor, i cili djeg tokën e bukës dhe me erën e tmerrëshme kimike i
shkrumbon mushkëritë e fshatarëve. Prandaj në vend se organet e qytetëruara
shtetërore të ruajnë mjedisin natyror me të gjitha të mirat e fshatit, ata e
helmojnë.
Ky skandal më përkujtoi dramën e Henrik Ibzenit: Armiku i popullit, ku
doktor Tomas Stokmani kishte zbuluar se uji në qyngjet e qytetit ishte
helmuar dhe mund të rrezikonte shëndetin e qytetarëve. Ai lajmëron për
pasojat dhe shpreson se do të nderohet për shpëtimin e banorëve, përkundrazi
autoritetet komunale e shpallin armik të popullit. Prandaj është koha që
doktorët e sotëm dhe shumë intelektualë tjerë të Tetovës të ngritin zërin
kundër hedhurinave të ”paketuara”, që helmojnë mjedisin natyror, që vrasin
zogjë dhe kafshë, që rrezikojnë edhe jetën e fshatarëve pa fajin e tyre.
Shkencorisht dihet se asnjë fshat qoftë edhe me dhënjen e ryshfetit nuk
pranon hedhurinat e huaja. Kur autoritetet shtetërore turke deshën të
ndërtojnë fabrikën e përpunimit të arit në një fshat të tyre, me anën e së
cilës do të zhvillohej standardi i vendit, fshatarët e kundërshtuan.
Kundërshtimi i fshatarëve kishte arsyen e vet, sepse ata nuk donin pasuri,
por donin mbrojtjen e mjedisit të tyre natyror dhe shëndetësor. Dihet se
përpunimi i arit krijon tym dhe oazat e ndotura nga mbeturinat e fabrikës,
të cilat vite me radhë ua rrezikon shëndetin banorëve, sa që edhe fëmijët të
lindin me pasoja. Me të drejtë mund të thuhet se më i vlefshëm se ari është
mjedisi natyror dhe jeta e njerit.
Si pjesë e mbrojtjes së mjedisit natyror është edhe mbrojtja e mjedisit
universitar, sepse në institucionet arsimore po shkilet etika dhe po thyhet
rregullorja. Siç dihet pedagogët janë përfaqsuesit më të denjë të moralit
dhe etikës njerëzore, megjithatë kjo veti pengohet nga ana e forcës së
lakmisë pas fitimit. Paraja e prish njeriun, prandaj të jesh stoik para
lakmisë komerciale po aq edhe korrupsioniste është punë e vështirë. Kështu
shkruan edhe poeti, Hasan Zyko Kamberi, në vjershën e tij Paraja: "O moj
paraja murdare që bën botën avare, që gjezdis porsi zagare, ia di kimenë
parasë." Siç shihet poeti bejtexhi Hasan Zyko Kamberi ka qenë më guximtar se
disa intelektualë të sotëm, meqë ai jo vetëm që ka sulmuar sistemin e
degjeneruar politik në kohën e administratës turke, por ai tregon edhe idenë
themelore se paraja është epiqendër e jetës së njerëzve, ku çdo virtyt
merret nëpër këmbë para forcës së parasë. Siç shkruan poeti ”me para i hyn
Qabesë”, do të thotë se kur ke euro mund të fitosh diplomën në fakultet.
Në pikëpamje fiziologjike po të paralizohet një pjesë e trupit të njeriut,
kuptohet se do të shkaktoheshin probleme psikofizike. Gjithashtu po të
paralizohet sistemi arsimoro-pedagogjik i nxënësve dhe studentëve, do të
shkaktoheshin probleme jetike rreth emancipimit kulturor të popullit dhe
zhvillimit të vendit. Fatkeqsisht, kjo dukuri e shëmtuar me pasoja të
rrezikshme po ndodhë sot në mjedisin tonë universitar, pikërisht në
institucionet tona pedagogjike. Në fillim është vështirë të vërehen të metat
e studentëve, të cilët pa merita apo pa djersë marrin notën, mirëpo më vonë
vendi ynë do të ketë pasoja të paparashikuara nga kuadro të dobëta. Prandaj
ngjashëm siç mirren masat sanitare dhe mjekësore për ndalimin e përhapjes së
epidemisë, duhet të mirren masat edhe për ndalimin e ”epidemisë”
korrupsioniste në universitetet. Kështjellën e universitetit – vatrën e
diturisë duhet mbrojtur jo me shpatë, por me vetëdije të lartë kombëtare,
përndryshe koha do të na ndëshkojë për dështimet tona. Vlerësimi i drejtë i
dijes së studentëve, në mënyrë dialektike do të reflektohet edhe në të mirën
e kombit dhe atdheut, sepse lumturia e kombit varet nga aftësia dhe edukimi
i brezave. Ashtu siç ka nevojë pema për diell dhe ujë, ka nevojë studenti
për dituri shkencore dhe vlerësim të drejtë pedagogjik, pa ryshfet dhe pa
hatër. Nxënësit dhe studentët duhet të kaliten moralisht, në mënyrë që të
krijohet tradita e shkollimit me anën e punës shkencore.
Që të jetë ironia më e madhe shtypi shkruan se profesorët në fakultete të
ndryshme kanë themeluar fondacionin e ryshfetit për shitjen e notave. Dihet
se kontrabanda me drogë është e rrezikshme dhe e dëmshme për shëndetin e
popullit, mirëpo kontrabanda me shitjen e notave është me pasoja më të
mëdha, sepse shkatërron të gjitha të mirat e kombit. ”Kalben njerëzit e mirë
aty ku lastrohen lajkatarët” shkruan dijetari Sami Frashëri, që do të thotë
se dëmtohen studentët e aftë aty ku lartësohen sudentët e dobët. Prandaj
është detyrë e Ministrisë së Arimit dhe Shkencës, si dhe Akademisë së
Shkencave dhe Arteve të luftojnë dukuritë e pamoralshme, siç janë
keqtrajtimi i studentit të aftë duke detyruar që së pari të paguaj pastaj të
kalojë në provim; por edhe duke mundësuar që studenti i dobët, pa pikë
mundi, me anën e ryshfetit të arrij në maje të kodrës. Kjo e fundit i ngjanë
thikës me dy tehe, derisa në pikëpamje ekonomike dhe psikike e dëmton
studentin e aftë, në anën tjetër, duke kaluar studentin e dobët dëmton
zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendit. Në të mirën e etikës dhe
kulturës kombëtare duhet të nxirren jashtë të ashtuquajturit intelektualë,
të cilët fshihen pas titujve të rrejshëm. Pikërisht në internetin shqiptar
paraqiten disa profesorë të rrejshëm, të cilët në bazë të shkrimit shihet se
janë të dobët, që njëkohësisht manipulojnë me shkrimet e huaja. Prandaj me
të drejt dyshohet nëse profesorët e tillë diplomat i kanë marrë në
universitetet shqiptare, të cilët ia ulin autoritetin shkencor dhe kombëtar,
njëkohësisht fyejnë studentët e aftë të cilët mësojnë me vetëmohim të lartë.
Kur insekti e mbyt luanin
Dukuri e shpeshtë është mosdurimi ndaj pjesëtarëve që diskutojnë në mbledhje
dhe tubime të ndryshme demokratike. Ndërkohë që në foltore diskuton ndonjë
akademik, veprimtar, apo krijues, dikush nga mesi i publikut reagon me
zhargonin e tij përbuzës: "Ti je analfabet!" dhe të ngjashme. Nuk është
aspak e çuditshme që pranë atij mund të jetë vëllau, apo miku i
intelektualit që ndërkohë është duke diskutuar. Kuptohet që në atë çast
gjakrat mund të nxehen, dhe papritmas vjen deri te grindja me pasoja
tragjike. Konkretisht, me një rast, të pranishmit që e njihnin kundërshtarin
e egër, treguan se pikërisht ai ishte një lajkatar gjysmanalfabet,
përndryshe ish-pastrues i komitetit komunal, dhe guxon e fyen akademikun me
zhargonin e vrazhdët "ti je analfabet". Më në fund, ky farë shkollari, nëse
është trim, mund të dalë në foltore dhe si demokrat të shpreh mendimin hapur
para masës, dhe jo të dërdëlisë në mes të njerëzve me fjalë fyese.
Ndonjëherë ndodhë që i padituri del "fitues" falë mosreagimit të qytetarit
të ngritur dhe serioz, prandaj nuk dëshiron të komprometohet me të
pagdhendurin që e ka vendin tek hamalli, siç thotë dijetari Sami Frashëri:
„Është trimëri e madhe të heshtësh në tubimin e lajkatarëve.“
Këtë formulë matematikore të mosdurimit më së miri e ka zbërthyer shkrimtari
suedez, August Strindberg, në dramën e tij Zonjusha Julia që "jeta është një
idiote, ku insekti e mbyt luanin." Njëherit, kjo ngjarje më përkujtoi edhe
dëshmitarin trillues, i cili gjatë seancës së gjykimit të intelektualëve të
udhëhequr nga Halil Alidemaj, Ukshin Hoti, Ekrem Kryeziu, Shemsi Reçica dhe
të tjerë në vitin 1981, tha se grupi ka punuar me konspiracion. Duke iu
falenderuar syçeltësisë së avokatit, i cili kishte parasysh aftësitë e
kufizuara të dëshmitarit, e pyeti se ç'do të thotë fjala ”konspiracion”?
Shpifësi tha se fare nuk e dinte kuptimin e fjalës. Kjo tregon se si disa
njerëz të paditur janë konvertuar në besimtarë të vërbër ndaj partisë së
tyre në pushtet, dhe fare nuk kanë frikë se çka thonë. Prandaj ashtu siç
ndalohet hedhja e mbeturinave në rrugë, duhet të ndalohet edhe fyerja në
mjedisin shoqëror.
I njëjti mjedis i ndotur kombëtar po manifestohet edhe në ditët tona, të
cilët luftojnë jo për çlirimin e vendit apo për përmirësimin e kushteve të
jetës, por për fitoren e opozitës dhe opozitarëve në Kosovë. Inatçive
endacakë po t’u fyhet Flamuri Kombëtar nuk bëjnë zë, përkundrazi do të
sulmojnë po qe se iu fyhet udhëheqësi partiak. Prandaj „trimoshat“ e tillë,
porsi kërpudhat pas shiut duken si brenda atdheut, ashtu edhe në diasporën
shqiptare. Gjithë shqiptarëve etnikë iu dhimbs i riu shqiptar, i cili në
qendër të Athinës u vra nga tifozi grek. Siç dihet grekët e dhënë pas fesë
më shumë do të preferonin të humbnin lojën 7:0 me Serbinë se me Shqiperinë e
fqinje 1:0. Prandaj herën tjetër duhet që ekipi shqiptar të lëshojë pe gjatë
lojës me ekipin grek, në mënyrë që fqinjët tanë të mos zemrohen.
Më e tmerrshme se vrasja e të riut shqiptar në Athinë ishte vrasja me motive
opozitare të një gjaku dhe të një gjuhe. Gjatë fushatës së votimeve në
Kosovë shqiptari i LDK-së e vrau shqiptarin e AAK-së, prandaj nuk ishte
vrasje nga ndonjë armik i huaj, por vrasje në mes vete për opozitë, me fjalë
të tjera: pa konceptin liri. Njeriu, i cili sulmon tjetrin për qëllime
opozitare nuk ka rëndësi se cilës parti politike i përket, por mund të jetë
vetëm kriminel amorf. Në anën tjetër masa shqiptare ende nuk është e
vetëdijshme për pasojat e gjakderdhjes në emër të „kashtës opozitare“, që
për fatin e Kosovës ende udhëheq faktori i jashtëm. Kjo do të thotë se
shqiptarët në vend se të angazhohen për gjënë e domosdoshme - lirinë,
përkundrazi egërsohen nga euforia për një fitore opozitare, e cila është
formale dhe nuk ka meritë më shumë se një fitore e ekipit futbollistik në
fushën e gjelbërt.
Në përfundim vlen të theksohet se daullet dhe çiftelitë mund të buçasin
vetëm atëherë kur të njihet pavarësia e Republikës së Kosovës në OKB,
përndryshe fitoret tjera opozitare dhe lokale i ngjanë ndërtimit të
kështjellave në erë. Nëse Kosova me të vërtetë e do lirinë dhe pavarësinë,
duhet që çdo shqiptar pa dallime gjinore, fetare dhe politike të angazhohet
me tërë energjinë, sepse gjakatarët serbë duan të na gllabëronjë përsëri.
Prandaj nëse ne jemi të aftë të parashikojmë rrezikun e vërshimit të lumit
pas të reshurave të mëdha, jemi të aftë të parashikojmë edhe rrezikun e
vërshimit të armiqve tanë drejt Kosovës pa ushtri dhe pa polici të
armatosur.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.