Grafitit e Lëvizjes Vetëvendosje - paralajmërim i sigurt i n

2005-08-02 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Grafitit e Lëvizjes Vetëvendosje - paralajmërim i sigurt i ndryshimeve
revolucionare



Shkruan: Sejdi Veseli

Dalja në skenë e Lëvizjes Vetëvendosje, e drejtuar nga një shtresë e
intelektualëve të rinj për nga mosha, por me përvojë të pasur politike dhe
të dëshmuar si të pa korruptueshëm, e ka tronditur deri në palcë dhe ka
filluar ta prishë rehatinë e shterpësisë së disa klaneve të korruptuara
politike.
Këto klane të cilat statusin përfundimtar të Kosovës mëtojnë ta “zgjidhin”,
në stilin e Ramboullet, duke negociuar me Serbinë, duke neglizhuar
gatishmërinë dhe drejtën e popullit për vetëvendosje, të garantuar me
dokumente relevante ndërkombëtare, si :
1.Rezolutën Nr. 637 (VII), të miratuar nga OKB, me 16. 12. 1952 :
“E drejta për vetëvendosje e popujve dhe e kombeve është parakusht për
respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut”

2.Rezolutën Nr. 1514 (XI), të miratuar nga OKB, me 14. 12. 1960, (Parimi IX
/ B):
“Integrimi i një territori etnik, duhet të bëhet në përputhje me shprehejen
e lirë të vullnetit të popullit të atij territori”

3. Rezolutën Nr. 1815, të miratuar nga OKB, me 18. 12. 1963, (Paragrafi 1,
Pika e): “ e Drejta e vetëvendosjes është ndër parimet bazë të së drejtës
ndërkombëtare, mbi të cilën duhet të mbështetët patjetër politika e
koekzistencës aktive paqësore”

4. Rezolutën Nr. 2105 (XX), të miratuar me 20. 12. 1965, e cila rikonfirmon
dhe
riafirmon tekstin e Rezolutës për Dekolonizimin me Nr. 1514 (XV), te vitit
1960.

5. Rezolutën Nr. 2625 (XXV), të miratuar me 24. 12. 1970, e cila ndër shtatë
parimet e saj kryesore, në pikën 5 përmban edhe parimin e barazisë dhe te
vetëvendosjes të popujve: "Krijimi i shteteve të pavarura dhe sovrane,
bashkimi i lirë me ndonjë shtet tjetër të pavarur, varet nga vendimi i
miratuar politik i atij populli, i cili mbështete në të drejtën e tij
universale për vetëvendosje . Prandaj, çfarë do forme tjetër shtetërore e
cila i imponohet me forcë...përbenë shkelje flagrante të së drejtës së tij
për vetëvendosje...”.
Po dëshmohet se mbi këto parime është e mbështetur veprimtaria e Lëvizjes
Vetëvendosje. Andaj, me plotë të drejtë mund të konstatohet, se veprimtaria
gjithnjë në rritje e kësaj lëvizje, para se gjithash është një paralajmërim
për të gjithë ata, të cilët sillen me mospërfillje ndaj kërkesave legjitime
të popullit shumicë të Kosovës, se nuk e kanë larg fundin e turpshëm.
Disa “analizues” politik këtë veprimtari të Lëvizjes Vetëvendosje, janë
duke e shikuar me nënçmim, diçka si lojëra fëmijësh, ngase grafitet e
qëndisura prej tyre nuk ua mbushin syrin, përkundër faktit se kjo veprimtari
po mirëpritet nga populli..
Për fatin e keq të tyre, këta farë “analizues” politik, të dresuar për të
nxirë letër në vazhdimësi dhe çdo herë sipas porosisë së atyre të cilët ua
hedhin nga një asht nën tavolinë për ta lëpirë, nuk kanë aftësi mendore për
të kuptuar, se veprimtarët e kësaj Lëvizje, janë të vendosur për të marshuar
rrugës së zgjedhur dhe të trasuar, në përputhje të plotë me amanetin e
Dëshmorëve të Kombit.
Për fatin e keq të tyre edhe kësaj radhe, këta “analizues” nuk janë duke ja
qëlluar, se djemtë dhe vashat e kësaj Lëvizjeje, të vetëdijshëm për
rëndësinë e rrugës së zgjedhur dhe të vendosur për t’u mos u vonuar për në
cak, me siguri nuk do të ndalen për ta gjuajtur me gur, çdo qenë rrugaç që
leh pas kolonës së tyre në marshim.
I pëlqeu dikujt apo jo, grafitet e qëndisura nga veprimtarët e kësaj
Lëvizjeje, janë paralajmërim i sigurt i ndryshimeve revolucionare, në të
mirë të së ardhmes së popullit liridashës të Kosovës. Nëse revolucionarët e
organizuar në kuadër të kësaj Lëvizjeje, vazhdojnë me tempin e nisur, të
menduar drejt dhe mirë, këto ndryshime do të ndodhin shpejt!
Këtë konstatim timin e mbështes në njërin nga faktet e shumta dhe të
qëndrueshme që dëshmon, se kjo veprimtari e drejt njerëzore dhe kombëtare e
veprimtarëve të rreshtuar në kudër të kësaj Lëvizjeje, përditë e më tepër po
legjitimohet nga populli. Duhet theksuar, se kjo mbështetje e popullit ndaj
veprimtarisë konkrete të këtyre bijve dhe bijave të tij, pa dyshimin më të
vogël po rritet vrullshëm.
Kam bindjen e plotë se veprimtaria e këtyre të rinjve, që më përkujton
shumë veprimtar nga e kaluara jo e largët, të cilët falë punës dhe
sakrificave të tyre në shërbim të Atëmemëdheut dhe interesave legjitime të
popullit, u shndërruan në Mburrje të Kombit, do të kurorëzohet me sukses të
plotë!
Ndërsa reagimet brutale, thjesht primitive ndaj veprimtarisë së qëlluar, të
drejtë, të kulturuar, paqësore dhe të vendosur e këtyre të rinjve, më
përkujton reagimet ndaj rinisë studentore shqiptare në marsin e viti 1981 e
klyshve të dresuar shqipfolës të Franjo Herleviqit, për të shtypur forcat
përparimtare të popullit të vet.
Duke i përjetuar me dhembje në shpirt dhe në vazhdimësi reagimet e
pjesëtarëve të SHPK-së, si ndaj nënave dhe familjarëve të shqiptarëve të
rrëmbyer nga forcat serbo-çetnike(para hundëve të ndërkombëtarëve-sajuesve
të unmikistanit), ashtu ndaj popullatës së fshatit Hade dhe tani edhe ndaj
veprimtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, më imponohet konstatimi, se ShPK-ja
nuk është e Kosovës, por një falangë pa tru dhe ndërgjegje njerëzore dhe
kombëtare, në shërbim të diktaturës neokolonialiste të unmikistanit e
gatshme për të zbatuar verbërisht të gjitha urdhrat e padronëve, pa u
mërzitur fare, se për çdo ditë, nënave që i lindën t’u dhurojnë nga një lugë
helm!
Por, megjithatë, kam bindjen e plotë se në kuadër të SHPK-së, ka shumë
pjesëtar të cilët meritojnë çdo respekt, por përderisa qëndrojnë në radhët e
një segmenti që ushtron dhunë dhe prangos bijtë dhe bijat besnike të
popullit, sot e kanë të vështirë dhe sidomos nesër, për t’u arsyetuar para
historisë.
“Çka duket për diell, kallauz nuk do”-thotë populli.
Sajesa e quajtur SHPK nuk është tjetër, pos njëri prej mashtrimeve
unmikistaneze ndaj popullit të Kosovës!
Dikush mund të pyet pse?
Përgjigja është shumë e thjesht dhe e qëndrueshme.
Përderisa jo vetëm se nuk është formuar nga institucionet përkatëse vendore
të zgjedhura nga vota e lirë e popullit të Kosovës, nuk e meriton të quhet
ashtu siç po quhet.
Përderisa nuk u raporton as institucioneve vendore, edhe pse edhe ato çfarë
i kemi, janë servile të unmikistanit, nuk e meriton të quhet ashtu siç po
quhet.
Përderisa kjo farë sajese e quajtur Shërbimi Policor i Kosovës, në emblemën
e saj, nuk posedon, as edhe një fjalë në gjuhen, jo vetëm të minorenëve, por
as edhe të popullit shumicë të Kosovës, nuk e meriton të quhet ashtu si
quhet zyrtarisht.
Përderisa kjo farë sajese e quajtur SHPK, nuk e kontrollon afro ¼ e
tërësisë territoriale të Kosovës, nuk e meriton të quhet ashtu si edhe quhet
zyrtarisht.
Përderisa kjo sajesë vartëse e neo-kolonialistëve të gjithëpushtetshëm
unmikistanez, ushtron dhunë dhe prangos bijtë dhe bijat e Kosovës, për të
vetmin “faj” të tyre, pse kërkojnë në mënyrën më paqësore dhe të kulturuar,
një të drejt universale të garantuar me shumë konventa ndërkombëtare, nuk e
meriton të quhet ashtu siç quhet zyrtarisht.
Duk i marrë parasysh vetëm këto fakte, të cilat nuk mund të kontestohen, ky
shërbim policor nuk mund të konsiderohet i Kosovës, sepse realisht edhe nuk
është! Andaj, ky shërbim do të duhej të emërtohej me emrin e vërtetë: SHP i
UNMIK-ut (PSUNMIK). Andaj, nuk është për t’u çuditur, se SHPK në vend se të
ndërmerrte veprimet konkrete për zbardhjen e krimeve jo të pakta në Kosovë;
në vend se t’i ndërmerrte veprimet konkrete për shpartallimin e rrjetave të
ndryshme të krimit të organizuar, siç janë grupet mafioze, me që rast
arsyetohet edhe përdorimi i forcës, ai u vërsulet edhe veprimtarëve paqësor
të Lëvizjes Vetëvendosje.
Shpkëstet dhe urdhërdhënësit e tyre, sa nuk është bërë tepër vonë për ta,
duhet të kuptojnë, se në raport me Lëvizjen Vetëvendosje ata janë humbës,
bile të turpshëm!
Kjo është shumë e sigurt!
Këtë ua them me bindje të plotë. Sepse, veprimtarët e kësaj lëvizjeje e
kanë mbështetjen e popullit dhe kjo mbështetje po rritet vrullshëm. Kjo
mbështetje është e natyrshme, sepse sot djemtë dhe vashat e rreshtuar në
kuadër të kësaj lëvizjeje, janë artikulluesit e njëmendët të kërkesave të
drejta të popullit, nesër me siguri, ata të cilët do t’i prijnë drejt
realizimit të plotë të tyre.

Prishtinë, me 28 korrik 2005

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.