“ REGJIMI VIZOR” I UNMIKUT, PIKËSËPARI TË APLIKOHET NDAJ

2005-04-29 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

Prof.Dr.Mehdi HYSENI


“ REGJIMI VIZOR” I UNMIKUT, PIKËSËPARI TË APLIKOHET NDAJ SHTETEVE AGRESORE-SERBISË DHE MALIT TË ZI !


Siç bëhet e ditur për opinionin publik, Administrata e UNMIK-ut para ca kohësh paskësha miratuar një Rregullore të “regjimit vizor” për shtetasit e “Maqedonisë” dhe të Shqipërisë, të cilët duan të hyjnë në Kosovë”, e cila siç raporton Faton Osmani nga Prishtina për gazetën “Shekulli” të Tiranës,, do të duhej të “hynte në fuqi më 1 Maj”. Mirëpo, për shkaqe “procedurale”, UNMIKU aplikimin e saj e ka shtyrë për dy muaj më vonë, duke filluar nga 1 Korriku i këtij viti. Kjo rregullore parashikon modalitetet “ligjore” sesi shtetasit e “Maqedonisë” dhe të Shqipërisë mund të kalojnë kufirin për të hyrë në Kosovë: “qoftë për qëndrim të përkohshëm, të përhershëm, qoftë për qëllim biznesi, për vizitë turistike apo për kalim transit. Sipas shpejgimit të zyrtarëve të UNMIK-ut, në pikat kufitare nuk do të jepet kurrfarë vize, por vetëm se do të vulosën pasaportat, me qëllim të mbajtjes së evdiencës se kush po hyn dhe kush po del nga territori i Kosovës”.(Shekulli, 27.IV.20005).



Miratimi i një vendimi për aplikimin e këtij lloji “regjimi vizor” pa dyshim se, do të ndikojë negativisht në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të qarkullimit të kapitalit me rastin e ndalesave të gjata në hyrjen dhe në daljen e kufirit të Kosovës. Për më tepër, përmbajtja e kësaj Rregulloreje ka karakter diskriminues, sepse vlen vetëm për shtetasit e “Maqedonisë” dhe të Shqipërisë, kurse, në anën tjetën tjetër, i favorizon shtetasit e Serbisë dhe të Mali të Zi, gjë që me rastin e hyrje-daljes së kufirit, si dhe të qëndrimit të tyre në Kosovë, nuk kanë nevojë t’i nënshtrohen “regjimit vizor” të UNMIK-ut sikurse shtetasit maqedonë dhe shqiptarë, ngaqë ata gëzojnë statusin e barabartë me përfaqëuesit zyrtarë të UNMIK-ut dhe të KFOR-it?! Kjo “klauzolë ligjore” e UNMIK-ut është absurde, sepse pa kurrfarë arsyeje të vlefshme ka bërë “seleksionimin” ndërmjet shteteve fqinje. Në njërën anë dëmton interesat e qytetarëve të Shqipërisë dhe të “Maqedonisë”, kurse në anën tjetër haptazi favorizon interesat e qytetarëve të Malit të Zi dhe të Serbisë. Ky akt joligjor “momental”, sipas së drejtës ndërkombëtare, nuk mund të interpretohet ndryshe veçëse si akt diskriminues i njënashëm dhe arbitrar, në disfavor të bashkëpunimit dhe të interesit reciprok ndërshtetëror të Kosovës me Shqipërinë dhe me “Maqedoninë”. Në këtë kontekst, duhet të shikohet edhe reagimi zyrtar i shefit të diplomacisë së Republikës së Shqipërisë, Kastriot Islami në takimin e tij me kryeadministratorin e UNMIK-ut, drejtuar Soren Jesen Petersenit. Mirëpo, jo vetëm në kuptim të ngushtë dhe të përkohshëm, siç ka deklaruar, ministri i Jashtëm shqiptar, Kastriot Islami, se “kjo masë e UNMIK-ut do të ndikojë në ngadalësimin e hyrje-daljes në Shqipëri gjatë sezonit veror turistik”(Shekulli, po aty), por edhe në kuptim shumë më të gjerë dhe më kompleks afatgjatë, sepse për nga qëllimi politik është e ngjashme me disa rregullore të mëparshme të UNMIK-ut, të “dekretuara” nga ish-kryeadministratori i tij, dr.Bernard Kushner, i cili me “pëlqimin” e palës shqiptare, iu heqi vizë të kuqe: Qeverisë së Përkohshme të Kosovës të dalë nga lufta dhe, UÇK-në e transfomoi në TMK etj.





Siç kuptohet nga shpjegimi i qarqeve kompetente zyrtare të UNMIK-ut, rregullorja është nxjerrë me qëllim, që të mbikëqyrën më mirë kufijtë e Kosovës, për të parandaluar format e ndyshme penetruese të kontrabandimit të mundshëm me dy shtetet në fjalë. Ky sqarim mund të kuptohet si element pozitiv në kuptimin e mbrojtjes së interesit të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, të “Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Mirëpo, megjithatë, kjo rregullore nuk është me bazë të qëndrueshme juridike, as ligjore, sepse me këtë rast, nuk është marrë në konsideratë mbojtja e të gjithë kufijve (tërësisë territoriale) të Kosovës, në veçanti janë lënë jashtë kësaj “skeme siguruese-mbrojtëse” të Marrëveshjes së theksuar, kufiri veriperëndimor dhe ai verilindor i Kosovës ndaj Malit të Zi dhe ndaj Serbisë?! Një qasje e këtillë selektive ndaj “klinetëve” të kësaj marrëveshjeje, do të ndikojë negativisht në zhvillimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore me Shqipërinë dhe me “Maqedoninë”, sepse pa asnjë arsye janë vënë në pozitë diskriminuese në krahasim me Serbinë dhe me Malin e Zi, shtetasit e të cilave nuk i nënshtrohen “kontrollit vizor” të UNMIK-ut, sikurse qytetarët e Shqipërisë dhe të “:Maqedonisë”. Një difekt i këtillë i kësaj marrëveshjeje vë në dukje faktin se nuk ka kurrfarë peshe ligjore, as kushtetuese ngase nuk është i parashikuar dhe i zbatueshëm njësoj për të gjitha pikat kufitare të territorit të Kosovës, por vetëm ndaj kufirit me dy shtetet e theksuara (Shqipëria dhe Maqedonia). Ndërkaq, në kuptimin politik dhe propagandistik kjo Marrëveshje është e “kuptueshme”, sepse bandave kriminele serbomalaze çetnike, do t’iu mundësohet, që edhe në të ardhmen, të hyjnë dhe të dalin lirisht nga Kosova, pa asnjë evidencim dhe pa asnjë vizim pasaporti?! – Shtrohet pyetja si ka mundur të ndodhë, që UNMIK-u me rastin e hartimit të kësaj Marrëveshjeje, të mos i përfshijë në “nomenklaturën siguruese” të saj, edhe serbët dhe malazezët, kur dihet, se qe gjashtë vjet me radhë ata janë ndër “eksportuesit” kryesorë të krimeve të ndryshme ekonomike, politike dhe antinjerëzore, përkatësisht janë shkelësit kryesorë të ligjeve të kufirit të Kosovës. Në këtë vështrim, ky “gabim politik” i UNMIK-ut në llogari të bashkëpunimit ndërfqinjësor të Kosovës me “Maqedoninë” dhe me Shqipërinë është bërë për shkak se struktura administrative-drejtuese e UNMIK-ut është e “helmatisur” me “funksionarë” serbomalazezë (sipas paritetit etnik), të cilët në rolin e “ambasadorëve” të Beogradit dhe të Kishës Ortodokëse Serbe në Kosovë, me “këshillat” e tyre të “shërbimit të vullnetit të mirë ndëretnik dhe ndërkombëtar” kanë ndikuar dhe, po ndikojnë direkt dhe indirekt në kreun e UNMIK-ut, që ai duke nxjerrë “marrëveshje” dhe “urdhëresa” të tilla si kjo e fundit, të rreshtohet haptazi në anën e mbrojtjes së interesave afatgfjata dhe afatshkurtëra të politikës zyrtare serbomadhe antishqiptare, të diktuar nga Beogradi dhe Kisha Ortodokse Serbe.





Vërtet, sikur kjo Marrëveshje e theksuar e aplikimit të “regjimit vizor” të UNMIK-ut, të ishte në interes të njëmendtë të sigurisë dhe të mbrojtjes së së përgjithshme të kufijve të Kosovës, atëherë, kjo, do të duhej që patjetër dhe, në mënyrë të barasvlershme të jetë e aplikushme edhe ndaj shtetasëve serbomlazezë, të cilët me rastin e hyrje-daljes së tyre nga Kosova kanë dëshmuar rrezikun permanent ndaj rendit publik, qetësisë dhe jetës së qytetarëve të Kosovës. Këtë e dëshmon edhe infiltrimi i papengesë i policisë sekrete, përkatësisht i bandave kriminale çetnike, të stacionuara në Mitrovicë, si dhe në kufijtë e Kosovës me Serbinë dhe me Malin e Zi, të cilat brenda këtij gjashtëvjeçari kanë zhvilluar dhe, në vazhdimësi po zhvillojnë aksione subversive dhe të vrasjes misterioze të shqiptarëvet në sy të UNMIK-ut dhe të KFOR-it. Mirëpo, deri tani nuk është zbuluar asnjë nga aktorët e atyre veprave kriminale me prapavijë politike, që për qëllim të fundit kanë destabilizimin e sistemit institucional shtetëror shqiptar në Kosovë, përkatësisht shkatërrimin e të gjitha investimeve të deritashme të bashkësisë ndërkombëtare për ringjalljen e Kosovës nga hiri i luftës terrosite-gjenocidale të Serbisë së Madhe të Slobodan Milosheviqit.



Mirëpo, pavarësisht se si është interpretuar dhe sajuar kjo marrëveshje nga ana e UNMIK-ut, Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, me procedurë të shkurtër duhet, që ta hudhin poshtë si të pavlefshme ngase është pa kurrfarë baze ligjore (si në kuptimin e së drejtës vendore, ashtu edhe të asaj ndërkombëtare ) dhe, sheshit mbron interesat politike, ekonomike, tregtare dhe kontrabandiste të Unionit të Serbisë dhe të Malit të Zi, që pa kurrfarë kontrolli ligjor, të hyjë në çdo kohë në mbarë territorin e Kosovës.



Në kuptim më të gjerë, kjo marrëveshje e UNMIK-ut nuk duhet ta ketë befasuar as politikën shqiptare, as drejtësinë ndërkombëtare, sepse këto dy shtete agresore-gjenocidale (Serbia dhe Mali i Zi) praktikisht kanë provuar se “diplomacia preventive” e interesave të tyre hegjemoniste ka triumfuar mbi parimet dhe qëllimet e Kartës së OKB-së,duke u rikthyer në gjirin e saj si anëtare me të drejta të barabarta, edhe pse këto dy shtete nën emëritimin “RFJ” (Serbia dhe Mali i Zi), të drejtuar nga ish-presidenti i saj, Slobodan Milosheviq i kanë kryer tre luftëra gjenocidale kundër Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës. Kjo paprecedencë në kuptimin juridik dhe ligjor të OKB-së, nuk mund të justifikohet as nga Kofi Annani, as nga Këshilli i Sigurimit, sepse për herë të parë në historinë e saj gjysmëshekullore ka cenuar rregullat dhe normat e saj ligjore, duke pranuar në nomenklaturën e saj “RFJ-në” si shtet me bagazh agresori dhe gjenocidal, gjë që kjo është në kolizion flagrant me dispozitat e Kartës së OKB-së, si dhe me rregullat dhe me normat së drejtës ndërkombëtare. Fatkeqësisht, kjo paradigmë e shëmtuar paralajmëron sistemin pozitiv juridik ndërkombëtar, se “diplomacia preventive” e ka fjalën kryesore mbi ligjin dhe drejtësinë ndërkombëtare. Për më tepër “reformimi” i këtillë i OKB-së në perspektivë, nuk mund të shpresojë për një fat më të mirë sesa dikur shthurja e Lidhjes së Koimbeve, si rrjedhim i agresionave gjenocidale të njëpasnjëshme të Gjermanisë nazifashiste të Hitlerit. Pavarësisht nga “lojërat e pakufijshme” të “diplomacisë preventive”, asnjë shtet agresor dhe gjenocidal (sikurse Serbia dhe Mali i Zi) nuk mund të gëzojnë statusin e shtetit-anëtar të OKB-së, pa rivalorizimin paraprak të veprës së tyre kriminale antinjerëzore, të kryerë gjatë periudhës dhjetëvjeçare (1990-1999) në hapësirat e ish-RSFJ-së. Më thjesht, pa përfundimin e procesit gjyqësor të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, Serbia dhe Mali i Zi, si shtete agresore, kursesi nuk i kanë plotësuar kushtet e parashikuara ligjore me Kartën e Kombeve të Bashkuara, dhe të së drejtës ndërkombëtare, që të rikthehen as në “familjen” e OKB-së, e as në institucionet dhe organimzat e tjerë ndërkombëtarë.

_____________________________



Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.