PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESËVE TË “KOSOVËS SOT”6

2005-07-08 · Forumi historik RTVZIK · 0 përgjigje të ruajtura

PËRGJIGJE PYETJEVE TË LEXUESËVE TË “KOSOVËS SOT”
Nga Adem Demaçi:



Kreshnik Bala: I nderuari Demaçi, cili është komenti juaj rreth
vendosshmërisë së Qeverisë së Kosovës për fillimin e decentralizimit pa e
rikthyer dokumentin e ndryshuar, siç po thuhet prej tyre, në debat të ri në
Kuvendin e Kosovës?
A.D.- I nderuari Kreshnik, e kam pasë thënë para sa kohësh se kjo qeveri
është e “hypur në biçikletë” dhe nuk ka mundësi që të ndalet, sepse në
momentin që do të ndalej do të rrëzohej. Prandaj kësaj i duhet vetëm të ecë
përpara qoftë edhe nëpër rrugë të parrugë! Ata që e kanë pushtetin e vërtetë
në Kosovë, me forma të ndryshme, janë duke bërë trysni të pandalshme mbi
Qeverinë e gjorë që sa më shpejt t’i plotësojë standardet pa ia dhënë në
dorë mekanizmat e nevojshëm për një punë të tillë. Dhe pika bosht e
standardeve është pikërisht decentralizimi sipas vijave etnike në të cilin
po insistojnë me ngulm hegjemonistët e Beogradit. Meqë UNMIK-u, sipas
(Mos)Marrëveshjes së Rambuje-Parisit dhe sipas Rezolutës 1244 të KS të
OKB-së, është partner me Serbinë, është krejtësisht e natyrshme që ky, në
veprimet në Kosovë dhe rreth Kosovës të jetë në anën e Serbisë. Mirëpo, me
veprime supervirtuoze, UNMIK-u po arrinë që një pjesë bukur të madhe të
qytetarëve tanë ta mbajë nën mbresën se ai është kinse pushtet neutral këtu
në Kosovë. Në anën tjetër Qeveria është nën trysni permanente nga grupe të
ndryshme të kontakteve që të përshpejtojë çështjen e decentralizimit. Për të
shkuar puna pak më lehtë, për të anashkalluar proceduarat e domosdoshme
juridike e kuvendore “ndrikullat” ndërkombëtare fillimin e këtij operacioni,
përndryshe tejet të pavend për këtë moment, e kanë pagëzuar me një term të
padjallëzi “pilot projekte”! Qeveria-biçikletë, përveç telasheve tjera të
shumëta, tash rishtas ka mbi vete edhe barrën e fatit të z. Ramush Haradinaj
i cili u lirua nga Tribunali i Hagës me kusht që të rrijë urt deri në
fillimin e gjykimit të tij, pas dy vjetësh. Nëse Qeveria-biçikletë do të
frenojë edhe për një gjë të tillë do ta fajsojnë z. Haradinajn, të cilin
madje e kanë lejuar që ta drejtojë edhe partinë. Këtë, “ndrikullat”
ndërkombëtare e kanë bërë me qëllim që z. Haradinaj t’i grahë punës!
Prandaj kemi dhe do të kemi edhe më tutje kërcim fazash e kërcim shkallësh
sepse s’ka kohë për të pritur!

Hysnie Osmani: Z. Demçai, ju e njihni ndoshta më mirë se ne të rinjët
figurën politike të zonjës Ollbrajt. Çka mund të sjellë ajo në porosinë e
vet gjatë vizitës në Kosovë?
A.D.- E nderuara Hysnie, në traditën politike amerikane është që, kur është
fjala për çështjet e politikës së jashtme, dmth. kur është fjala për
interesat shtetërore amerikane, pozita dhe opozita mundohen të ecin mbi një
vijë të përbashkët.Prandaj, nuk pres se zonja e nderuar Ollbrajt, kur është
fjala për Kosovën do të dalë jashtë suazave të politikës zyrtare të
Presidentit Bush.Ajo si mike e njohur e kosovarëve, ndonëse në rolin e
personit privat, do të mundohet, ndoshta, të na e heqë frikën nga formula
“MË SHUMË SE AUTONOMI E MË PAK SE PAVARËSI”!
Fisnik Gërguri: Do të dëshiroja të di se cili është mendimi Juaj, z.
Demaçi, për daljen në skenë të lëvizjes “Vetëvendosja”. A do të
anëtarësoheni edhe ju, z. Demaçi, në atë lëvizje?
A.D.- I nderuari z.Fisnik,”Vetëvendosja” është një emnues i përbashkët
politik rreth të cilit do të mund të bashkoheshin e do të duhej të
bashkoheshin të gjithë kosovarët që duan më shumë lirinë e Kosovës se
interesat e veta të ngushta e të përkohshme.Për vetëvendosje e vlen edhe të
vdiset.Më duket se me kaq e keni të qartë edhe përgjigjen time në pytjen
tuaj.

Bardhyl Ferati: Përshëndetjet më të sinqerta për z. Demaçi. Sa janë reale
gjasat për ndarjen e Kosovës në pjesën veriore kur po shihet se policia dhe
KFOR-i po dalin si forca të pa fuqishme karshi bandave serbe për sigurimin
e qarkullimit të lirë mbi urën e Ibrit në Mitrovicë?
A.D.- I nderuari Bardhyl, ndarja e Kosovës është një project rezervë e
shantazues i Çetnikëve e neofashistëve të Beogradit i përgatitur për
rrethanat e papritshme, nëse nuk do t’ia dalin që ta “zgjidhin” çështjen e
Kosovës sipas formulas “ më shumë se autonomi e më pak se pavarësi.”
Përndryshe policia dhe KFORI, nëse do të donin dhe nëse nuk do të ishin të
lidhur me Rezolutën 1244, kanë forca sa të duash që të zgjidhnin problemin e
ribashkimit të Mitrovicës së veriut, për jo më shumë se 24 orë! Ju z.
Bardhyl, do të duhej ta dini se ne jemi nën administrimin e OKB-së dhe se
UNMIK-u e KFOR-i kanë ardhur dhe janë këtu për të vënë në jetë Rezolutën
1244 e cila e sheh Kosovën si krahinë të Serbisë dhe nën sovranitetin e
integritetin e saj territorial.Ne jemi në “autobus”me qëllim që të udhëtojmë
drejt pavarësisë, por timonin e tij ia kemi besuar “shofer-agës” nga Nju
Jorku. Ndërkaq, ”Shofer-aga” e ka në dorë destinimin nga Këshilli i
Sigurimit për të na çuar në adresën:”MË SHUMË SE AUTONOMI E MË PAK SE
PAVARËSI”. Kështu u ndodhë të gjithë atyre që fatin e vet ua besojnë të
tjerëve.

Fehmi Bajrami: A po rrezikohet Kosova nga një inskenim i ri dhe ripërtritje
e marrëveshjes së Rambujesë, duke pasur parasysh njerëzit të cilët janë
vetemëruar në forumin politik për Kosovën?
A.D.- Z. Fehmi, Kosova po rrezikohet edhe fort, por nuk ka këtu kurrëfarë
ripërtritje të inskenimit. Ka vetëm vazhdim të realizimit të
(Mos)Marrëveshjes Rambuje-Paris dhe të Rezolutës 1244 që është një derivat
politik i asaj të pares.Tre nga nënshkruesit e (Mos)Marrëveshjes së
Rambuje-Parisit janë anëtarë të Forumit, kurse i katërti anëtar i Forumit të
porsagoditur, në momentin e nënshkrimit të atij dokumenti ka qëndruar prapa
shpinës së nënshkruesësve.Sa i takon asaj që po thoni të “vetemëruar”, kam
frikë se jeni në lajthitje sepse ata që patën shkuar në Rambuje, vërtet kanë
qenë të përzgjedhur e të emëruar nga Grupi Ndërkombëtar i Kontaktit, mirëpo
sot,tre prej atyre nënshkruesëve “historik”, në zgjedhjet e fundit vendore,
ndonëse me lista të mbyllura,kanë marrë votat e pothuajse gjysmës së
zgjedhësve të Kosovës!

Kadire Berisha: I nderuari baca Adem, me kurreshtje po i lexoj përgjigjet
Tuaja në të përditshmen “Kosova Sot”. Pse ia kthyet shqelmat “Epokes së
Re”? A do të thotë kjo se gazeta me të cilën bashkëpunoni ju është më e
përshtatshme për vizionin tuaj politik apo ku është problemi?
A.D.- Fort e nderuara Kadire, gazetën “EPOKA E RE” e respektoj dhe e çmoj
fort, por ishin vetëm disa çështje thjeshtë teknike që u bënë shkak që të
kaloja me botimin e përgjigjeve të mia në “KOSOVËN SOT”.

Krenar Salihu: Kam dëshirë të di se a është i ftuar Adem Demaçi në seancën
solemne të Kuvendit të Kosovës ku do të paraqitet zonja Ollbrajt, apo
ndoshta ka vendosur që të jetë aty edhe pa u ftuar fare. Nëse po çka pret
nga fjalimi i zonjës amerikane?
A.D.-I ndruari Krenar, nuk jam i ftusr dhe nuk besoj se edhe do të ftohem
sepse nuk e “rrokë kalemi” një gjë të tillë. As nuk kam ndërmend që të shkoj
i paftuar, sepse edhe më hiç nuk do ta “rrokte kalemi” një gjë të tillë.Do
ta shikoj e do ta dëgjoj zonjën e nderuar Ollbrajt përmes
ekranit.Përndryshe, nga fjalimi i zonjës Ollbrajt, nuk pres asgjë më shumë
se sa po dëgjoj nga zyrtarët në pushtet amerikanë.Por, mos të harrojmë se
edhe në politikë ndodhin befasitë.Inshall-llah, për ne të këndëshme!

Ismet Bajrami: Si e vlerësoni Ju, z. Demaçi, vizitën e Drashkoviqit në
Kosovë. A kishin të drejtë përfaqësuesit e institucioneve tona që nuk e
kundërshtuan këtë vizitë duke deklaruar se ajo ishte vetëm një vizitë
private?
A.D.- Ah, o vëlla Ismet, vizitën e Drashkoviqit e vlerësoj gati sikur kur
hyn ujku ( ai edhe e ka emërin original Vuk-Ujk) në vathën e deleve. Po mos
të ishin ata djelmoshat e vashat e “Vetëvendosjes” që e “përshëndetën”
Vuk-Ujkun me ato pak vezë ku do të na mbetej fytyra?! E, sa i përket asaj
pyetjes Suaj të dytë, ja përgjegjja:Kush i pyet institucionet tona, o lum
Ismet vëllai?! Paj, edhe për vizitat private, nëse je zoti i shtëpisë,
merret leje. o burrë i botës!

Pranvera Gashi: Në mesin e shumë protestuesve që morën shqelma nga SHPK-ja
isha edhe unë. Sa ishte e arësyeshme një ndërhyrje kaq brutale e policëve
kosovarë për shuarjen e protestës së aktivistëve të KAN-it në ditën e
vizitës së ministrit serb në selin e UNMIK-ut?
A.D.- Ju, o goca kosovare e ju, o djema kosovarë, paçi faqen e bardhë që
keni hangër shqelma duke mbrojtur token e nderin e popullit tuaj! Ndërkaq,
paçin faqen e galme ata që çuan këmbët e duart e veta kundër liridashësve të
popullit të vet!
Behxhet Hasimi: Si e sheh Demaçi zhvillimin ekonomik të Kosovës në një të
ardhme të afërt? Cili mund të jetë çelsi më i mirë për dalje nga kjo krizë
që ka kapluar vendin?

A.D.- Zotëri Behxhet, çelësi që po kërkoni Ju është – SHKOLLIMI E EDUKIMI
INTENSIV, BUJQËSIA E BLEGËTORIA INTENSIVE, INDUSTRIA ME FJALËN E FUNDIT TË
TË ARRITURA TEKNIKO-SHKENCORE E TEKNOLOGJIKE dhe TURIZMI ATRAKTIV MASIV. Për
t’i arritur të gjitha këto duhet t’i kthehemi prodhimit. Duhet t’i kthehemi
kapitalit tonë që me shekuj e lamë me gjak e kjo është toka jonë. Duhet t’u
kthehemi të gjitha degëve e nëndegëve të bujqësisë e blegëtorisë. Duhet të
zhvillojmë një bujqësi e blegëtori superintensive e moderne. Nga prodhimet
bujqësore e blegëtorale do të sigurojmë ushqimin për vete dhe për turistët
që do të vijnë. Do të sigurohen lëndët e para për shumë degë të industriesë
së lehtë. Do të sigurohet një akumulim i kapitalit për zhvillimin e disa
degëve industriale që kanë perspektivë dhe prodhimet e të cilave mund të
plasohen në botën e jashtme. Bashkëpunimi me Zvicrën, Finlandën, Suedinë dhe
me Shtatëshen e shteteve më të zhvilluara industriale të botës do të duhet
të ketë përparësi të palëkundëshme. Në zhvillimin tonë ekonomik duhet të
kihet parasysh ruajtja fanatike e pastërtisë së ajrit, ujit dhe të tokës.
Paralel me shkollimin masiv duhet të zhvillojmë asi sistemi të edukimit i
cili do t’u jepte përparësi e përkrahje të parezervë talentëve tanë numri i
të cilëve është shumë më i madh se sa që mendohet e llogaritet. Por, para të
gjithave dhe mbi të gjitha, në politikë do të duhet të ndodhin kthesa
rrënjësore duke u rreshtuar prapa vlerave të vërteta dhe pas ideve të mëdha
e humane.

Arkiv për lexim. Datat janë datat e postimit në forumin origjinal. Titujt mund të jenë të shkurtuar nga sistemi i vjetër. Adresat elektronike dhe IP-të janë fshehur.