Duke theksuar mungesën e Ligjit për UÇK-në, njohësit e mirë të rrethanave në Maqedoni vlerësojnë se pas konfliktit të vitit 2001, rrugët e ish-ushtarëve të UÇK-së u ndanë në tri drejtime: i pari drejt politikës, i dyti drejt burgut dhe i treti drejt ekzekutimit
Blerina SALIU
Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandant Hoxha, thotë se është vetëm njëri nga viktimat e proceseve të montuara kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Që nga viti 2007 është strehuar në fshatin Tanushë, aty ku në vitin 2001 e filloi konfliktin e armatosur në Maqedoni, për të shpëtuar nga burgosja që i kanoset për shkak të fletarrestit të lëshuar me akuzën për rrëmbim.
“Unë kam të njëjtin fat me shumë komandantë nga viti 2001”, thotë Hoxha teksa aludon në rastin e Sopotit, Brodecit dhe burgosjeve të pjesëtarëve tjerë të UÇK-së.
“Jam këtu si pasojë e proceseve të montuara dhe si rezultat i pafuqisë së politikës shqiptare për ta bindë palën maqedonase se kemi nevojë për një shtet ku funksionon ligji dhe atë për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë”, thekson Hoxha.
Duke theksuar mungesën e Ligjit për UÇK-në, njohësit e mirë të rrethanave në Maqedoni vlerësojnë se pas konfliktit të vitit 2001, rrugët e ish-ushtarëve të UÇK-së u ndanë në tri drejtime: i pari drejt politikës, i dyti drejt burgut dhe i treti drejt ekzekutimit.
Risocializimi i ish-komandantëve dhe ish ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare akoma ka mbetur mision i pa përmbushur. Disa prej ish-komandantëve akoma gjenden nëpër burgjet e Maqedonisë, disa të tjerë ndiqen penalisht për procese të montuara, siç është rasti me Xhezair Shaqirin – Hoxha, dhe disa të tjerë likuidohen ashtu siç ndodhi me Harun Aliun. Deri sa “branitelat” mbeten të siguruar me ligj dhe gëzojnë beneficione të ndryshme, statusi i ish ushtarëve të UÇK-së, akoma mbetet i pazgjidhur. Analistët politik pajtohen që në Maqedoni, jo vetëm që nuk është kontribuar fare për risocializimin e ish ushtarëve të UÇK-së, por përkundrazi të njëjtit në vazhdimësi kanë qenë të përfshirë nëpër procese të montuara, e disa të tjerë edhe janë likuiduar. Eksperti për çështje juridike Osman Kadriu tha se ligji për ish-ushtarët e UÇK -së nga pala maqedonase ka mbetur i pazbërthyer dhe në këtë mënyrë ai është duke u manifestuar në statusin e ish-ushtarëve.
“Statusi i ish-ushtarëve ka pika të përbashkëta me statusin e të gjitha familjeve të tyre dhe invalidëve të luftës. Pala maqedonase për ushtarët e saj jo vetëm që ka sjell ligj me shumë beneficione të ndryshme por i njëjti është plotësuar, duke u shtuar kështu ndihma dhe beneficione tjera”, theksoi Kadriu. Sipas tij, për risocializimin e ish-ushtarëve akoma nuk ka rezultate konkrete edhe pse nga ana e të gjitha partive politike shqiptare ka pasur tendenca dhe qasje pozitive që të tejkalohet ky problem.
“Që të jetë situata më e tmerrshme kundër ish-ushtarëve të UÇK-së kemi raste të procedurave të montuara të ndryshme, ku e gjithë kjo bëhet vetëm që në një mënyrë t’i njollosin dhe të vë në pyetje dinjitetin e ish ushtarëve”, ka thënë Kadriu.
Sipas tij, obligim i subjektit politik shqiptar është të ndërmjetësojë te blloku maqedonas dhe në organet ekzekutive dhe ligjdhënëse që të zbërthehet kjo çështje pasi që në këtë mënyrë si veprohet tani, këto çështje me karakter të rëndësishëm munden vetëm t’i keqësojnë marrëdhëniet ndëretnike. Ish-politikani dhe ekspert i çështjeve juridike, Naser Zyberi vlerësoi se jo vetëm që nuk është bërë gati se asgjë për risocializimin e ish-ushtarëve të UÇK-së por se ndaj tyre është ushtruar dhunë e vazhdueshme, me ç’rast disa edhe janë ekzekutuar.
“Risocializim ka vetëm për palën maqedonase të konfliktit, për të cilët është sjellë ligj i veçantë që u mundëson familjeve të tyre të akomodohen nëpër banesa, për fëmijët e tyre shpërndahen bursa dhe kanë shkollim falas. Ndërsa për ish-ushtarët e UÇK-së nuk është bërë asgjë, por përkundrazi në mënyrë të konsiderueshme shumica e tyre ndiqen penalisht disa prej tyre janë nëpër burgje, disa në procedurë të ndjekjes ndërsa fatkeqësisht disa prej ish-komandantëve në rrethana të panjohura janë ekzekutuar, siç ishte rasti me ish-komandantin Harun Aliu”, theksoi Ziberi.
Dinjiteti njerëzor
“Që të jetë situata më e tmerrshme kundër ish-ushtarëve të UÇK-së kemi raste të procedurave të montuara të ndryshme, ku e gjithë kjo bëhet vetëm që në një mënyrë t’i njollosin dhe të vë në pyetje dinjitetin e ish ushtarëve”, ka thënë Kadriu.