Arsim SINANI
Ne, Komuniteti shqiptar vazhdimisht jemi të pakënaqur nga pozita e shqiptarëve në institucionet e Republikës së Maqedonisë, dhe vërtetë është për tu shqetësuar sepse numri nuk është proporcional në këto institucione me realitetin e krijuar pas vitit 2001. Do të trajtoj dy aspekte sipas meje shumë të rëndësishme lidhur me fenomenin “administratorët e përgjumur”, përgjegjësia jonë dhe përgjegjësi e institucioneve tona. Më ka trishtuar fakti se të rinjtë tanë pranojnë të rrinë në shtëpi dhe rrogat ti marrin pa kryer kurrfarë pune. Është një situatë vërtetë e palakmueshme për të gjithë ne shpresoj që ky shqetësim i njëjtë të jetë edhe për politikbërësit shqiptar në Republikën e Maqedonisë. Fenomeni i administratorëve të përgjumur është një problematikë që duhet të trajtohet me shumë kujdes dhe duhen parë efektet direkte dhe indirekte mbi shoqërinë shqiptare në këto hapësira. Në këtë rast nuk kemi pse e kritikojmë establishmentin politik maqedonas sepse fajet rëndojnë mbi supet tona. Pastaj pozicioni tejet i dobët i faktorit politik shqiptar karshi atij maqedonas është një çështje tjetër, gjë për të cilën duhet një debat i mirëfilltë se pse kemi ardhur në pozita të padëshiruara karshi faktorit politik maqedonas.
Vlerësoj se mos prezenca e administratorëve shqiptarë në vendet e tyre të punës lë hapësirë për shumë dyshime për prapaskenat e kësaj çështjeje. E para pse këta njerëz pranohen në punë në mënyrë spektakulare dhe fotografohen nga garnitura të ndryshme politike shqiptare, pozita e djeshme, opozitë e sotshme apo anasjelltas. E dyta se kuptoj politikën se pse mbeten të përgjumurit në shtëpi dhe kujt i konvenon kjo situatë paradoksale, sepse komunitetit shqiptar nuk u konvenon që të rrinë në shtëpi administratorët. E treta më çudit fakti se pse trumbetohet aq shumë mbi përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucione të Republikës së Maqedonisë dhe në përmirësimin e numrit të tyre kur situata reale është vërtetë shqetësuese. E katërta a thua e kanë lexuar shumica e politikanëve tanë marrëveshjen e Ohrit. E pesta si do të integrohemi në Bashkimin Evropian kur problemet nuk janë zgjidhur dhe rëndojnë çdo ditë e më shumë mbi supet e qytetarëve.
E gjashta deri kur do të pranojmë që Brenda institucioneve të RM-së të jemi dekor që shfrytëzohet për të arsyetuar multietnicitetin e vendit në kurriz të shqiptarëve.
E shtata pse partitë politike shqiptare nuk bashkëveprojnë kur janë në pyetje interesat e shqiptarëve, kush duhet të vijë që të ndodh kjo.
Është vërtetë turp për të gjithë ne që i mësojmë të rinjtë tonë të bëhen dembelë, pa perspektivë, pa moral dhe pa kredibilitet dhe të mësohen gati duke mos punuar asgjë të marrin paga.
Duhet ta dimë të gjithë ne se këto pasoja do i shohim më vonë dhe do na ndodh fenomeni i degradimit në një diferencë kohore jo shumë larg. E teta Marrëveshja e Ohrit si dokument valid me garanci ndërkombëtare shqiptarëve u garanton kuota në institucione të sistemit, por kush është ai që i mbikëqyr këto procese që mos të degradohen dhe të respektohen në tërësi. Në këtë vijë të mendimit mendoj se kemi shumë mangësi si komunitet i rëndësishëm në Maqedoni dhe se kjo situatë e degjeneruar kërkon një mbikëqyrje permanente ndërkombëtare, sepse ne nuk jemi në gjendje ti dalim zot kësaj pune.
S’do mend se përgjegjësi në rastin e administratorëve të përgjumur mbajnë garniturat politike shqiptare që me neglizhencën e tyre kanë krijuar një kastë njerëzish që marrin rroga dhe janë joproduktiv për komunitetin në përgjithësi, kjo mënyrë e qasjes ndaj problemeve do prodhojë me gjasë edhe situate të tjera si ajo e Kumanovës.
Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare te “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” më del para syve sa herë që bisedohet për çështjen e administratorëve shqiptar, ndoshta vërtetë edhe ata nuk kanë faj sepse janë krijuar rrethanat që ata kanë mbetur jashtë institucioneve prej ku edhe i marrin pagat. Por pallati i ëndrrave mbetet vërtetë një ëndërr e bukur për administratorët shqiptar të cilët janë pranuar po nuk kanë mundësinë dhe shansin që të japin kontributin e vetë në ndërtimin e demokracisë në RM.
Fenomeni i administratorëve të përgjumur shqiptar s’do mend se i shkon në favor kastës politike maqedonase e cila pajtohet me këtë formë të punës sepse më mirë shqiptari të merr rrogë dhe të rrijë në shtëpi, sesa të jetë aktiv në vendimmarrje në institucionet e sistemit. Kjo logjikë që i takon mentalitetit jugosllav po zbatohet me përpikëri dhe shqiptarët kështu e humbin të drejtën e vetë për të qenë pjesë e institucioneve në Republikën e Maqedonisë. E kuptoj mirë këtë mesazh nga faktori politik maqedonas por nuk e kuptoj se si faktori politik shqiptar lejon që kështu lehtë të përdhunohen të drejtat të cilat janë arritur me shumë sakrifica në 2001. Nuk mendoj se duhet të fillojmë të qajmë se punët nuk na shkojnë mirë, por mendoj se duhet problemet ti ngremë me argumente dhe fakte sepse askush nuk ka të drejtë që perspektivat evropiane dhe euroatlantike t’ua humb shqiptarëve. Fundja kemi dhënë garanci se jemi seriozisht të interesuar që ta çojmë para procesin në integrimin e Ballkanit perëndimor por na nevojitet më së pari ndihma nga faktori politik shqiptar në kuptimin që ti kryejë detyrat e shtëpisë, ku nuk mund ti kryejë të tregojë, pastaj faktori ndërkombëtar i instaluar në Maqedoni dhe së treti tua bëjmë me dija qarqeve të caktuar që hezitojnë në këtë drejtim se ne nuk do ë heqim dorë nga të drejtat që na takojnë. Uroj që administratorët e përgjumur shqiptar të zgjohen nga gjumi dhe të instalohen aty ku e kanë vendin në institucionet e Republikës së Maqedonisë. Si duket nevojitet më shumë dialog , bisedime dhe insistim për ti çuar punët para. John F.Kennedy ka një thënie të famshme” Kurrë të mos negociojmë pa pasur frikë, por kurrë të mos kemi frikë për të negociuar” veçanërisht kur behet fjalë për të drejtat tona.
(autori është kryetar i Akademisë Diplomatike Shqiptare në RM )