EULEX: U ime naroda (në emër të popullit)

Në emër të cilit popull: italian, spanjoll, grek..., sepse, sipas jush, në Kosovë nuk ka popull, por ”komunitete”! Prandaj, herën tjetër, Vitor Hugo Pardal është mirë ta saktësoj se në emër të cilit popull po i bie këto “aktvendime”! Objekti i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Viti, i cili ndodhet në oborrin e Qendrës së Arsimit të Mesëm, është bërë çështje mbi të gjitha çështjet tjera për EULEX-in dhe për njëfarë “gjyqtari” të këtij misioni, Vitor Hugo Pardal. Më është mbushur mendja, duke parë dhe lexuar “aktvendimet” dhe “urdhërat” e tij, se ky Pardali duhet të jetë i të njëjtit zanat, si Shefi i tij, oficer ushtarak në rroba civile, ose “politikan” me ndonjë “mision” tjetër, por jo gjyqtar, jo njeri që ka për qëllim të ndihmojë sistemin e drejtësisë te ne! Është i vjetër debati midis atyre që thonë se përsëritet historia dhe atyre që nuk pranojnë se historia edhe mund të përsëritet... Unë për vete nuk do të përfshihesha në këtë “debat”, sepse nuk është qëllim i këtij shkrimi, por, më duket se në Kosovë dikush po përpiqet të riprodhojë “kapituj” të caktuar të historisë... EULEX-i, nëpërmjet një “gjyqtari” të tij, Vitor Hugo Pardal, që nga ardhja e tij në Viti, po merret vetëm me objektin e Drejtorisë Komunale të Arsimit. Me këtë rast dhe me rastin e Albin Kurtit, EULEX-i po përpiqet ta mbulojë dhe arsyetojë DËSHTIMIN e tij të madh në mbështetjen dhe përkrahjen e institucioneve për vendosjen e rendit dhe sundimin e ligjit në tërë territorin e Kosovës, që është shpallur si mision i tij. Se më për Veri mos të flasim! Ose, prapa misionit të deklaruar botërisht, ka një “mision” të padeklaruar, që mund të jetë “misioni” i tij i vërtetë... Në Gjykatën komunale të Vitisë janë mbi njëmijë e pesëqindë lëndë penale të pazgjidhura, të pa shqyrtuara! Në gjithë Kosovën janë mbi dyqindëmijë lëndë të pazgjidhura! Në Komunën e Vitisë janë uzurpuar, përvetësuar, me dokumente të falsifikuara, dhe trafikuar e kontrabanduar qindra prona (toka) dhe objekte komunale ose shoqërore (“drushtvena svojina”), siç janë quajtur në sistemin socialist jugosllav. Asnjë rast deri më sot as nuk është hetuar, as nuk është gjykuar dhe as nuk është dënuar!! Pse? Sepse, EULEX-i nuk paska mision të ndihmojë fuqizimin e rendit dhe të ligjit, të ndihmojë për luftimin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, por zbatimin e një PROJEKTI politik në dëm të Kosovës, i cili, sipas të gjitha parashenjave, për qëllim përfundimtar ka “federalizimin” ose kantonizimin e Kosovës!! Për ta përmbushur këtë mision “civilizues” dhe “human” në Kosovë nuk duhet të sundojnë rendi e ligji, por korrupsioni dhe krimi i organizuar. Natyrisht që kjo nuk thuhet, por kështu veprohet, duke e lejuar, edhe “stimuluar”, korrupsionin dhe krimin e organizuar në Kosovë! Kështu do të kishim, siç e kemi një Kosovë me institucione të dobëta, me sa më shumë parti politike, me sa më shumë rryma fetare e ideologjike, që kanë për rezultat një popull të përçarë dhe të pafuqishëm përballë misioneve “legale” e jo legale. I keni parë dhe i keni dëgjuar: “Askush mbi ligjin”, thonë ata, shefat e këtyre misioneve, duke lënë të kuptohet: PËRVEÇ NESH!! UNMIK-EULEX-i e bënë ligjin në Kosovë, e interpreton atë dhe e zbaton atë, duke qenë vetë mbi ligjin!! Madje, edhe rastet si ky me Drejtorinë Komunale të Arsimit në Viti, dëshmojnë se objektiv i tyre është të qenit Zot ose gjandar në Kosovë! Edhe aty ku nuk e kanë vendin e fusin hundën! Ua merr mendja, për këtë faj kanë institucionet qendrore të Kosovës, se kanë të drejtë të menaxhojnë edhe me pronat e Komunës dhe të këtij vendi, besojnë dhe përpiqen t’i sundojnë komunat dhe institucionet qendrore, sepse gjejnë gjykata, gjejnë politikanë e zyrtarë të lartë (Sadri Ferata) qeveritarë që kërkojnë “ndihmën” e tyre për t’i realizuar interesat e tyre në dëm të vendit, sepse gjejnë një AKP-AKM që kërkon “ndihmën” e tyre për ta dëmtuar dhe rrënuar interesin publik e shtetëror të Kosovës dhe të popullit të saj!! Me këtë klasë politike dhe institucionale del një Vitor Hugo Pardal nga Hululuja dhe e bënë “rrotë” Komunën e Vitisë, e poshtëron një Komunë të tërë dhe qytetarët e saj, e poshtëron Shkollën shqipe, duke sjell “aktvendime” U IME NARODA (në emër të popullit, me të cilat kërkon që në oborrin e shkollave të mesme të rikthehen gjahtarët e “Jellenit” me pushkë e me zagarë!! Gjykatës si ky Vitor Hugo Pardali turpërojnë të drejtën dhe drejtësinë evropiane, turpërojnë edhe popujt e tyre liridashës, turpërojnë edhe demokracinë dhe civilizimin evropian! Gjykatës si ky Vitor Hugo Pardal janë faqja e zezë e vendit të tyre dhe e Evropës! Ky gjykatës është i padëshiruar në territorin e Komunës së Vitisë, sepse me “aktvendimet” e tij “u ime naroda” ka provokuar dhe prodhuar tensione, pasiguri dhe destabilitet në Komunën e Vitisë. Ky gjykatës me “aktvendimet” dhe “urdhërat” e tij për vendosjen e gjahëtarëve me pushkë e me zagarë në oborrin e shkollës ka fyer dinjitetin dhe integritetin e Shkollës shqipe dhe të çdo qytetari të Komunës sonë. Prandaj, ai duhet të largohet menjëherë nga Vitia. Ata që kanë bërë padinë dhe avokatët e tyre do të duhej urgjentisht ta tërhiqnin atë dhe ta shpëtonin nderin dhe dinjitetin e tyre. Ata nuk do të duhej të lejonin të bëheshin “mashë” e politikave të Pardalëve, nuk do të duhej të pranonin të bëheshin mollë sherri në Komunën e tyre, nuk do të duhej të përdoreshin nga EULEX-i dhe Pardali për poshtërimin e Shkollës shqipe... Policia e Kosovës, djemtë e saj, nuk do të duhej kurrë të pranonin t’i zbatonin “urdhërat” e Pardalit kundër Shkollës ku kanë mësuar ABC-në dhe kundër mësuesve të tyre dhe mësuesëve të fëmijëve të tyre, kundër bashkëkombasëve të tyre. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj qendrore duhet urgjentisht të dëshmojnë se janë Zot në këtë vend ose, nëse nuk mund të bëhen Zot të këtij vendi, siç e kanë marrë mandatin nga ky popull, le të shkojnë... Xhevat Bislimi