Aurel Dasareti, 2010-03-21, Sydney, Australia
Deklarata jote: « Shqiptarët e Maqedonisë kanë status shtet-formues dhe kanë realizuar ndryshime rrënjësore në Kushtetutën e Maqedonisë » është rrenë e kulluar. Bëhu burrë dhe tërhiqe prapa këtë deklaratë të pistë. Është kjo për të mirën e të shtypurve të cilët ti i “përfaqëson” dhe të Kombit në përgjithësi, por është edhe për të mirën personale tënden dhe BDI-së. Deklarata jote skandaloze është tradhti ndaj Atdheut dhe legjitimim i pushtetit diskriminues fashist sllavo – ortodoks mbi popullatën shqiptare të FYROM-it.Të kishte qenë Menduh Thaçi nuk do të kisha reaguar, është ai antishqiptar i përbetuar. Më vjen shumë inat pse bash ti i tha këto fjalë; si simpatizues i yti dhe UÇK-së gjatë vitit 2001 dhe idesë për >>Liri Kombëtare<< të cilën shumica prej nesh mendonim se ti përfaqësoje, na ke dëshpëruar rënd. As në ti nuk paska mbetur atdhedashuri e burrëri. Kohët e fundit të kemi kritikuar ashpër, por besonim pak se do të përmirësohesh. Tash ne turpërohemi për ty. Turpërohemi pse të kemi mbrojtur kur Menduh Thaçi dhe PDSH-ja nuk respektuan rezultatin e votës së “lirë” të shqiptarëve dhe hynë shërbëtorë në qeverinë e okupatorëve në vend të BDI-së të cilës i përkiste ky “nder”.
Në vitin 2001 ishe ti që udhëhoqe luftën, pas teje u lidhën pjesa më e pastër e rinisë të cilët me pushkë në dorë respektuan urdhrat tua dhe me gjakun e tyre të derdhur kudo, me trimëri shembullore dhe nderin luftarak, mbrojtën fuqishëm tokën e stërgjyshërve tonë. Shumë prej tyre rranë dëshmor, për të mos vdekur kurrë. Shumë prej tyre u gjymtuan për jetë dhe mbetën rrugëve pa minimumin elementar të mbijetesës. Shumë prej tyre mbijetuan tmerrin por askush nuk u kujdes për ta pas luftës që t`ju mundësoj shkollimin, kualifikimin dhe punësimin. Vetëm një pjesë e vogël prej tyre mundi të kapërcen krizën në vendlindje, pjesa tjetër emigroi jashtë. Një pakicë, i hyri me seriozitet “politikës” dhe janë pasuruar së tepërmi nga korrupsioni etj; të tillët paskan luftuar për karrierë.
Përmirëso gabimet, distancohu nga deklarata...është shumë vonë, por më mirë vonë se asnjëherë.
Mos e pyet veten: “A janë të drejtë karakteri dhe qëndrimi im ndaj jetës?” sepse nuk ka përgjigje për këtë, çdo karakter është po aq i drejtë sa çdo tjetër, secili është një copëz jete. Por ti duhet të pyesësh: “Përderisa unë jam i tillë, dhe kam këto kërkesa e probleme me veten, ç`duhet të bëj për të përballuar jetën e mundësitë për të bërë diçka të bukur për mua dhe Atdheun?” Dhe nëse do të dëgjosh vërtet zërin e vetvetes përgjigja pak a shumë do jetë kjo: Meqë ti je kështu në një krizë shpirtërore, s`duhet të lëshosh pe para okupatorit, s`duhet të përbuzësh dhe të kesh zili të tjerët pse janë të ndryshëm, as duhet të pyesësh për qëndrimin e drejtë të vetvetes, por duhet të pranosh shpirtin tënd dhe kërkesat e tij ashtu siç pranon trupin, emrin e prejardhjen tënde ilire – shqiptare, si diçka të dhuruar, të pashmangshme, dhe për të cilat duhet luftuar edhe sikur të kesh tërë botën kundër.
/20 Mar 2010/A.D. në www.lajmet.com