NDËRGJEGJJA HUMANITARE NË FUNKSION TË ÇËSHTJES KOMBËTARE

(Hysen Ibrahimi, KOSOVA në zemrën e mërgatës në Suedi, Prishtinë 2009, 289,f.) Popullit e atdheut mund ti ndihmojmë ne tri mënyra: Me dituri, me pasuri dhe me trimëri (me jetë), duke sakrifikuar jetën për të. Në muajt e fundvitit 2009, doli nga shtypi libri i autorit dhe veprimtarit, Hysen Ibrahimit, pjesëtar i mërgatës shqiptare në Suedi, me titull: ”KOSOVA në zemrën e mërgatës ne Suedi”, ku spikaten mënyrat e format e veprimtarisë së kësaj mërgate gjatë viteve 1988-2009, ku vihet në spikamë, përveç aktiviteteve kulturore në këtë diasporë edhe ndërgjegjja humanitare në fuksion të çështjes kombëtare. Mirëpo, para se të bëjë një vështrim më të hollësishëm për veprën në fjalë, po veçoj rastin e kontaktit të parë me autorin e veprës në fjalë dhe njohjen e drejtpërdrejtë me veprën. -Rasti thonë është mbret i botës-. Unë duke qenë në shoqëri me shokët e mi: Prof. dr.Shefki Sejdiun, dr.Mehmet Rukiqin dhe dr. Jusuf Osmanin,rastësisht u takuam me autorin e veprës për te cilën e kemi fjalën, i cili gjithashtu kishte qenë në shoqëri me axhën e vet, Ali Ibrahimi, me z.Mursel Ibrahimi, ish kryetar I Komunës së Mitrovicës, një burrë i urtë dhe i qetë, me sjellje modeste, i cilli erdhi më vonë në këtë shoqëri me dy kusherinj të tjerë të Hysenit, të cilëve nuk u’a mësova emrat. Ndonëse, u takuam rastësisht, ne do të mbetemi miq përjtësisht. Sepse përveç ndenjës sonë e bisedës sonë të përbashkët, për një kohë të shkurtër krijuam raporte shoqërore e ndërvëllazërore sikur të ishim njohur kaherë. Mirëpo, lidhjen tonë më të fortë e bëri libri me titull: ”KOSOVA në zemrën e mërgatës në Suedi”, të cilën atë ditë të lumtur na e dhuroi autori i saj z.Hysen Ibrahimi, sepse libri është përmendore e përmendoreve. Ai me këtë vepër, jo vetëm që na nderoi, por edhe na gëzoi dhe na afroi duke krijuar raporte afrimi e bashkimi rreth një synimi e qëllimi të përbashkët kombëtar. Sepse, njerëzit e një gjaku, të një gjuhe, të një trualli e historie, është atdheu, është KOSOVA ajo, që i bashkon, është bukuria e shija, është aroma e atdheut, janë vuajtjet e gëzimet, janë përipetitë e kujtimet, janë synimet e qëllimet, idealet e përpjekjet e përbashkëta për çlirim e bashkim kombëtar, që e afrojnë çdo shqiptar njërin me tjetrin. Dhe sa më të afërt, sa më të thjeshtë e më kokulur që të jenë shqiptarët ndaj njëri-tjetrit, aq me ballëlartë e më krenar do të jetë atdheu ynë para botës së qytetëruar duke na lakmuar për dashurinë dhe harmoninë ndërvëllazërore dhe unitetin tonë kombëtar. Vetëm kështu ne e nderojmë popullin e atdheun tonë të dashur e të shtrenjtë – KOSOVËN MARTIRE. Dhurata më e mirë dhe dëshmia më konkrete e nderimet që na bëri z.Hysen Ibrahimi, është dhurimi i veprës në fjalë. Ndaj, le të më lejohet që në emrin tim e të shokëve të mi në shenjë mirënjohjeje e falënderimi shoqëror e vëllazëror, të them disa fjalë miradie dhe afirmative për veprën: ”KOSOVA në zemrën e mërgatës në Suedi”, për autorin e saj, për shokët e tij veprimtarë, për rolin e mërgatës në diasporën shqiptare në Suedi dhe për ndërgjegjen e tyre humanitare në funksion të çështjes kombëtare, dedikuar kryesisht Kosovës martire. Çdo pjesëtar i mërgatës sonë në diasporë, është një përfaqësues, që prezenton jo vetëm veten si individ, familjen e kabilen, lagjen e fshatin apo më gjerë edhe trevën, prej nga e heq ai zanafillën, nga njëra anë, por ai është një përfaqësues tipik dhe i drejtë i popullit dhe kombit shqiptar, është një ”plis-dheu” i humanizuar i vendlindjes dhe atdheut të vet, i cili kudo që të shkojë në koordinata e meridiane të rruzullit tokësor, ai përveç mallit e nostalgjisë, respektit dhe dashurisë ndaj atdheut, bart me vete edhe mikpritjen e bujarinë, sinqeritetin e fisnikërinë, besën e zemërgjerësinë, virtyte këto që e shquajnë dhe e stolisin si pjesëtar të denjë të një populli me kulturë të lashtë autoktone, banor i tërthoreve të Ballkanit dhe Evropës, nga ana tjetër. Ky është identiteti i tij kombëtar, kudo që gjendet ai. Me një fjalë, pjesëtari i mërgatës shqiptare në diasporë është si një ambasador tipik e origjinal që në mënyrën më të denjë manifeston cilësitë dhe tiparet e kombit dhe shtetit tonë. Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, shtet i pavarur dhe sovran, çdo shqiptari të Kosovës, përveç përgjegjësisë personale e kombëtare, i shtohet edhe përgjegjësia shtetërore. Ai tani është edhe pjesëtar e qytetar i shtetit të Kosovës. ”Madhështia e një kombi nuk matet me fuqinë e tij, por me mençurinë dhe besimin. Nëse dimë të udhëhiqemi nga këto virtyte të larta njerëzore, nuk kemi pse të frikësohemi për atdheun që do t’ua lëmë trashëgim brezave tanë të ardhshëm ”(Citat, marrë nga fjalimi i Presidentit SEJDIU në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, me rastin e ditës së Pavarësisë Bota sot, e enjte 18 shkurt 2010, f.12). Prandaj, Mërgata jonë, kudo qoftë ajo, nuk jeton më vetëm me hallet e dertet e veta personale e familjare, por ajo është vetëdijësuar, ndërgjëgjësuar e humanizuar, duke jetuar edhe me hallet e dertet, synimet e qëllimet, idealet shtetërore që veprojnë e frymojnë bashkë me problemet e Kosovës për ta bërë Kosovën shtet e për ta ndërtuar e mbajtur si shtet ballëlartë e krenar. Mërgata shqiptare si kudo gjetkë, ashtu edhe në Suedi, nuk përfaqëson më një turmë njerëzish të paorganizuar si punëtorë krahu fizik e analfabetë, por ajo paraqet një shoqëri të organizuar e të vetëdijësuar e të ndërgjegjësuar nëpër klube e shoqata kulturore e humanitare në raste lufte edhe në kontigjente të mobilizuara ushtarake, që jeton e vepron shqip, që fiton e krijon, që sillet e frymon kudo që gjendet si shqiptar, që e flet, e ruan dhe e kultivon gjuhën tonë të bukur amtare shqipe, duke u nisur nga familja e shoqëria e organizuar nëpër klube e shoqata, ajo me veprat e veta krijon dhe e kultivon kulturën e vet gjuhësore e kombëtare. Duke e nderuar dhe respektuar kështu Kosovën tonë të dashur e të shtrenjtë, shtet të pavarur e sovran, shtetin më të ri në botë, i cili jeton me krenari e dashuri edhe në zemrën e mërgatës sonë në Suedi. Këtë në mënyrë të denjë, reale dhe faktike e dëshmon libri i veprimtarit tonë të zellshëm e aktiv me një ushtri veprimtarësh të tjerë e atdhetarësh humanistë me titull: ”KOSOVA NË ZEMRËN E MËRGATES NË SUEDI”. Populli thotë: ”Meshkujt e mirë qofshin për dynja”. Kosova mburret e krenohet me Ju. Për të gjitha veprat tuaja në sherbim dhe në interes të popullit e atdheut, që Ju i keni kontribuar e ndihmuar me dituri, me pasuri e me sakrifica edhe jetësore, neve jo vetëm na nderojnë e respektojnë, por na bëjnë edhe më ballëlartë e më krenar para botës së qytetëruar, e posaçërisht para shoqërisë së shtetit të Suedisë, ku Ju jetoni e veproni dhe ku Ju gëzoni të drejtat njerëzore e kombëtare ta zhvilloni e përparoni gjuhën (sepse gjuha ruhet atje ku shkruhet), letërsinë e kulturën tonë kombëtare, shqiptare. Ndaj të jeni mirënjohës ndaj tyre, sepse duke qenë mirënjohës, ju shtoni numrin e miqve shqiptarë ne Suedi, e miqtë janë krahët e shtyllat e forta të një shteti të ri, siç është KOSOVA. Sepse thuhet: ”Më mirë një mik se një çifllik”, dhe se “miku i vërtetë nuk blihet me kuletë”, ndaj meritë juaja në Suedi është të bëni sa më tepër miq. Me këtë vepër Ju dëshmoni edhe kulturen tuaj ndaj miqve tanë, me ndihmen e të cilëve synimi historik i popullit të Kosovës u realizua. Endrra jonë shekullore u bë realitet, më 17 shkurt 2008. Duke Ju përgëzuar për këtë vepër, ku manifestohet veprimtaria e ndërgjegjja juaj humanitare në funksion të çështjes kombëtare, urojmë edhe për vepra të tjera në shërbim të popullit e të atdheut të Kosovës, gjuhës, letërsisë e kulturës kombëtare shqiptare! Në emër të grupit: Prof. dr.Shefki Sejdiu, Prof. dr.Mehmet Rukiqin, Prof. dr. Mehmet Halimi dhe Dr. Jusuf Osmani, Prishtinë, më 18 shkurt 2010 Prof.dr.Mehmet HALIMI, Këshilltar Shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.