Enciklopedia maqedonase i zgjoi nga gjumi shqiptarët
Afrim Morina
Elitën politike shqiptare në Maqedoni, por edhe jashtë saj, sikur e zgjoi nga gjumi botimi i Enciklopedisë! Po kjo Enciklopedi e zgjoi nga gjumi edhe një pjesë të akademikëve shqiptarë, të cilët gati pothuaj nuk bënë asgjë, si kolektivitet, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kur vet nuk bënë platforma për ardhmërinë e kombit, bëjnë të tjerët sipas kutit të tyre. Kur vetë nuk përpiqesh për të nxjerrë Enciklopedinë, këtë e bëjnë të tjerët sipas kutit të tyre. Kur vet mohon të kaluarën tënde, siç thonë për inat të resë më vdektë djali, dikush e përvetëson atë, për krekosje qoftë pozitive apo negative. Kur ti të kaluarën tënde e shikon nëpërmjet prizmit të individualitetit apo tasterit të partisë, dikush këtë njëmendësi tënden e shfrytëzon dhe e trajton sipas nevojës për çështje kombëtare. Sepse kjo Enciklopedi nuk është përgatitur dhe botuar ilegalisht për të zënë në befasi, të paktën partinë e cila është në pushtet, aq më tepër kur në Akademinë e Shkencave të Maqedonisë ka edhe shqiptarë.
Për të parë këtë politikë që përdorin sllavo-maqedonasit kundër shqiptarëve, duhet analizuar dy momente historike që ndodhën për këtë pjesë të atdheut të pushtuar. Duhet referuar Helsinkut (1972-1975) për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Atë botë Shqipëria nuk deshi t’i nënshkruajë kufijtë me Greqinë dhe Jugosllavin, sepse territoret shqiptare në këto dy shtete pushteti i atëhershëm i konsideronte si territore të okupuara. Me ndryshimin e rrethanave politike, në fillim të viteve nëntëdhjeta, qasja e këtij problemi nga elita politike shqiptare ndryshoi. Për interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike Maqedonia u shpall si shtet i pavarur, e Shqipëria ishte ndër të parat që e pranoi pavarësinë e Saj, por bashkë me te ishte gjithë elita politike e kohës, pa analizuar shumë faktorë, duke menduar se po u ikte treni për në Evropë! Kjo bëri që shqiptarët atje të përballeshin me robërinë klasike dhe poshtëruese.
Duhet hulumtuar se pse ka ardhur gjer te nëpërkëmbja e shqiptarëve nga sllavo maqedonasit, edhe pas një lufte të përgjakshme dhe ku marrin guxim maqedonasit për të hyrë në një aventurë të re?! Kanë sinjale nga akëcili për një provokim kaq të guximshëm apo mos na kanë marrë erë në qafë, siç thotë një fjalë e urtë popullore. Si duket qëndrojnë të dyja. E para, sjell gjakderdhje dhe nuk u intereson për vrasje e djegëse për interesa po gjeopolitike e gjeostrategjike, atyre që përgatisin skenarë, për të na zënë në gjumë. E dyta sepse shqiptarët edhe pas një lufte të përgjakshme për të drejta të ligjshme për bashkim kombëtarë, se edhe vet Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte këtë mision, që me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, edhe pse kjo Marrëveshje nuk ishte e përafërt me luftën që u bë, nuk gjeti zbatim në jetën institucionale. Kjo, jo me fajin e maqedonasve, por me vetë fajin e shqiptarëve, të cilët ishin dhe janë më zëdhënës dhe më këmbëngulës për forcimin dhe integrimin e saj në strukturat euro- atlantike.
Secili liderth shqiptar, nga të gjitha anët ku jetojnë shqiptarët, trumbeton bashkëjetesë dhe integrim të pa kushtëzuar për Maqedoninë në të gjitha strukturat Euro-atlantike. Për këtë është thënë edhe herëve tjerat, se pse shqiptarët lejojnë të nëpërkëmbët historia dhe gjaku i derdhur. Athua shqiptarët edhe në shekullin njëzetë e një duhet luftuar për të drejta elementare shkollim, punësim, pjesëmarrje në institucione?! Këto ishin hapat e parë të sllavo maqedonasve, pas mbarimit të luftës, për të prekur pulsin se gjer ku mund të shkohet në nëpërkëmbjen e dinjitetit të shqiptarëve. Kësaj i kontribuuan e gjithë elita politike kombëtare shqiptare dhe derdhën para e djersë për të gjetur miq për maqedonasit, duke nëpërkëmbur luftën e bërë, duke nëpërkëmbur gjakun e dëshmorëve për të treguar se janë kozmopolitë një e pjesë, e tjetra për poste e para.
Shumë gjëra provokuese bënë sllavo maqedonasit, në koordinim me Serbinë, ndërsa shqiptarët, për të mos ua prishur qejfin, i merrnin si të tejkaluara. U bë provokim për Skënderbeun, për Nënë Terezën, me ngritjen e kishave sllave me përmasa marramendëse provokuese, me improvizime të terrorizmit, me vrasje e burgosje, e çka nuk bënë?! Shqiptarët gjithnjë të përkulur para këtyre politikave, si të ishin nën faj dhe duhet bartur gurin e mëkatit mbi supe, heshtën. Deri kur duhet luajtur rrolin e këpucëlëpirësit?
Se po i tejkalojnë edhe caqet e një provokimi, kjo u pa edhe në Parlament, ku ishte thirr Kryetari i Qeverisë për të dhënë sqarime. Ai nuk e pa të arsyeshme, e të mos flasim për moral, të distancohej publikisht nga ajo që ishte shkruar në Enciklopedi. Pajtoi se duhet bërë disa ndryshime kozmetike, jo për të lëshuar pe ndaj shqiptarëve, por për shkak të reagimit të anglo-amerikanëve. Por edhe kryeredaktori i saj nuk pranoi se ishin fyer shqiptarët, e le më të pranonte se ajo tokë, afro gjysma, është shqiptare, sepse në fund të fundit për hartimin e saj ishin angazhuar një ekip prej afro dyqind e pesëdhjetë “ekspertëve”, te cilët me punën e tyre “shkencore” kishin vënë në pah të kaluarën e vet historike. Pra kjo punë e tyre “shkencore” nuk duhet mohuar.
Po këtij Kryeministri, shqiptarët ia dhanë votën. Po me këtë kryeministër Ali Ahmeti e dikur Menduh Thaçi, hyri në koalicion për të krijuar Qeverinë dhe për të forcuar Maqedoninë për prosperitet dhe integrime, se edhe subjekti i Tij mban emrin Integrim me maqedonasit për tu integruar në Evropë.
Zërat që u ngritën nga shqiptarët, nuk bënë që pala maqedonase të tërhiqet nga pozicioni i vet. Ata nuk u pajtuan se Enciklopedia do të tërhiqet nga tregu, por në ribotim do të bëhen disa përmirësime. Dihet se kjo Enciklopedi do të zë vend në të gjitha bibliotekat e shteteve të ndryshme si dhuratë, por do të dërgohet edhe në arkivat ndërkombëtare. Kjo do t’i tejkalojë të gjitha këto zhurma që bëhen dhe do të mbijetojë për të rënë në duart e “ekspertëve” e “studiuesve” pak më vonë, për të parë të vërtetën “shkencore” mbi “kombin” dhe shtetin “sllavo-Maqedoni”.
Pas gjithë kësaj çfarë u mbetët shqiptarëve për të bërë?
E Para, duhet këmbëngulur që të gjitha kopjet e kësaj Enciklopedie të tubohen. Të merren edhe të gjitha CD dhe materiali në paust dhe të formohet një komision i përzier edhe me amerikanë e anglezë dhe të digjet publikisht. Pra që të humbin të gjitha gjurmët e rezistimit të një dokumenti të tillë përçmues e poshtërues
E dyta, duhet tërhequr të gjithë shqiptarët nga Qeveria dhe Parlamenti, sepse që të dyja janë të përfshira, e para me dhënien e parave, që nga fillimi i punës gjer në botim, që zyrtarisht thuhet se janë harxhuar njëqind pesëdhjetë mijë euro, ndërsa e dyta mbron atë që është thënë brenda ballinave të Enciklopedisë, për t’ua bërë me dije se mjaft është investuar për ndërgjegjësimin e tyre, por sëmundjen patologjike maqedonase kundër shqiptarëve më nuk mund ta durojnë.
E treta, të këmbëngulin për shtetformim, pra si njësi e barabartë konfederate me të drejtë shkëputje. Nëse kjo nuk do të lejohet, parlamentarët shqiptarë kanë të drejtën e votës së elektoratit dhe të drejtën morale për të shpallur shkëputjen dhe bashkëngjitjen me Shqipërinë, por edhe Shqipëria e shqiptarët duhet të jenë të gatshëm.
Nëse nuk veprohet kështu, por vazhdon bashkëjetesa me të vjetrën, do të kemi në një të ardhme jo shumë të largët, provokime edhe më të mëdha. Do të kemi edhe ndërmarrje tjera kundër “terroristëve” shqiptarë me inskenime, të cilat u përsëritën herë pas here në fshatrat shqiptare sipas modelit të Lazar Mojsovit, që bëri dikur në kreun ne Jugosllavisë së Titos.
Prishtinë, 25.09.2009