Rufi Osmani: Enciklopedia zhgënjeu dhe irritoi shqiptarët
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Rufi Osmani ka reaguar ndaj të pavërtetave në enciklopedinë e Akademisë së Shkencave dhe Artëve të Maqedonisë“Dalja në dritë e Enciklopedisë së Maqedonisë publikim i realizuar me mjete të popullit të Maqedonisë, e ku me një përqindje të madhe kontribuon popullata shqiptare e vendit, më shumë na zhgënjeu dhe na irritoi si shqiptarë se sa na befasoi”, thotë Osmani. Sipas tij kjo enciklopedi mbase është inspiruar nga elaboratet e Vasa Çubrilloviqit dhe bashkëmendimtarëve të tij. “Mos të harrojmë, se bëhet fjalë për institucion i cili me dekada ka qenë i rezervuar ekskluzivisht për maqedonasit. E kemi të freskët angazhimin e kësaj akademie në përgatitjen e hartave për ndarje të territoreve të Maqedonisë. Prandaj sihariqet e radhës në këtë enciklopedi (nëse mund të quhet si e tillë), për ne janë çështje déja vu. Ndonëse kemi mundur të presim marrëzira dhe provokime të këtij lloji në këtë enciklopedi, si duket të njëjtit, ia nxorën fundin”, thotë Osmani. Që e keqja të jetë më e madhe, Osmani deklaron se ata që e hartuan të njëjtën, pas reagimit të strukturave politike, organizatave të ndryshme nga vendi e nga jashtë, sikur nuk çajnë kokë dhe vazhdojnë me injorancë të theksuar me mbrojtjen e qëndrimeve të tyre denigruese antishqiptare. “Me gojë plotë në këtë enciklopedi shqiptarët i kategorizojnë si fise ardhacakë tash së pari në Maqedoni, se janë faktor destabilizues, i emërtojnë me emërtime poshtëruese, si “shiptari” (malësorë) terroristë, popull pa histori, “zbulojnë” data të reja historike për formimin e shtetit shqiptar, për prejardhjen joshqiptare të personaliteteve eminente shqiptare etj”, shton ai.
Osmani vlerëson se është obligim i ASHASH dhe ASHAK të hartojë enciklopedi për historinë shqiptare ku do të dilnin në shesh të vërtetat e pakontestueshme shkencore të qarqeve relevante botërore si pandam i të pavërtetave të plasuara nga akademikët maqedonas.
“Ajo që mundemi ne si shqiptarë ta bëjmë është që pas këtyre provokimeve nuk na ngel gjë tjetër përveç të kërkojmë që hartuesit e enciklopedisë :
- të mos publikojnë marrëzira çifti i kësaj enciklopedie duke u bërë gazi i botës,
- të konsultojnë literaturë relevante të pranuar në qarqet akademike-shkencore botërore,
- të shkarkohen nga shovinizmi i verbër dhe ta kryejnë punën e tyre duke u mbështetur në faktet historike të pranuara për botërisht nga qarqet shkencore-akademike si dhe të konsultohen me akademikët dhe punëtorët shkencor shqiptar nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria,
- të punojnë më shumë në gjetjen e modaliteteve për definimin e identitetit të kontestuar maqedonas para opinionit ndërkombëtar qoftë atij politik dhe atij shkencor”, thuhet në reagimin e kreut të komunës së Gostivarit.
"Provokimet e këtilla shkojnë në dëm të shtetit të Maqedonisë, marrëdhënieve ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe shërbejnë si mollë sherri në mes tyre. Krijimi i armiqësive me shqiptarët, amerikanët, anglezët e të tjerët, me siguri se nuk u shërben interesave maqedonase", vlerëson Osmani. (Kasam Selimi/INA)