Pa protokoll

Albin Kurti Për zyrtarët e lartë të BE-së në Bruksel është e pakuptueshme se si Qeveria e Kosovës e ka pranuar EULEX-in që nuk e pranon pavarësinë, e ka pranuar EULEX-in që nuk i jep llogari asnjë institucioni kosovar për punën e tij, e ka pranuar EULEX-in me fuqi ekzekutive mbi institucionet e vendit, e ka pranuar EULEX-in i cili nga 24 nëntori 2008 u fut nën sqetullën e UNMIK-ut, e ka pranuar EULEX-in pjesëtarët e të cilit bashkë me familjet e tyre kanë imunitet nga ligji në Kosovë, e ka pranuar EULEX-in me shef Yves de Kermabonin përkundër skandalit që ai bëri kur e solli gjeneralin serb Dragan Paskash në Prishtinë, dhe tash, po kjo Qeveri e ngrit bishtin kundër këtij protokolli. Zyrtarët e Brukselit, në mënyrë të natyrshme, pas gjithë këtyre lëshimeve kapitale të Qeverisë së Kosovës, presin që ajo ta bëjë edhe një lëshim të radhës që është më pak kapital, apo jo?   Por pse Thaçi po kundërshton atëherë? A mos ka ndryshuar ai tash? Ndoshta është vetëdijësuar për koncesionet e dëmshme që ka bërë dhe ka ndërruar kursin? Aspak dhe kurrsesi. Është sërish ajo loja e tij e JO-ve deklarative e verbale, e JO-ve të buta dhe gjithnjë e më të buta. Kur Hashim Thaçi thotë JO ai është ose tërësisht i zbehur ose është duke qeshur. Në secilin variant ai veçse kërkon më shumë trysni mbi të. Hashim Thaçi është kolaboracionist në trysninë që i bëhet. Ai është bashkëpunëtor në shtypjen që e përjeton. Deri atëherë kur do të lëshojë pe nën asistimin e këshilltarëve postmodernë që i ka, e të cilët vetëm sa e rëndojnë situatën. Për postmodernistët nuk ka JO. Ka PO dhe sidomos NDOSHTA. Ama jo edhe JO. Ata i mbyllin sytë para antagonizmave, para kundërthënieve të papajtueshme, në mënyrë që të shohin diferenca, që të shohin shumësi të pambarim nuancash (me ngjyra mundësisht).      Se Thaçi nuk e ka seorizisht as kësaj radhe tregon ai vetë. “Autoritetet mbështetëse ndërkombëtare do të duhet ta luajnë rolin e vet këshillues, por vendimmarrës janë vetëm institucionet e Kosovës”, ka theksuar ai. Këtu nuk bëhet fjalë për ëndrra. Ky është halucinacion i pastër. EULEX-i nuk mund të luajnë rol këshillues në Kosovë ashtu siç kërkojnë krerët politikë të Kosovës. Sepse EULEX-i ka fuqi ekzekutive, madje, të pakufizuar në kompetenca dhe në kohë. EULEX-i mbase edhe i ka ‘këshilluar’ ndonjëherë politikanët e Kosovës, mirëpo kjo ka qenë përpjekje e tij që të mos ketë nevojë t’i përdor fuqitë ekzekutive. EULEX-i u ka kërkuar politikanëve që të përshtaten paraprakisht që të mos detyrohet t’i thyej ata mandej.   Prandaj, të thuash se nuk do të pranohet protokolli i EULEX-it me MPB-në e Serbisë, siç bëri Thaçi, është saktësisht përsëritje e situatës para 6 Pikëshit. Edhe atëherë Thaçi e Sejdiu thanë se nuk do ta pranojnë 6 Pikëshin, por ata e pranonin UNMIK-un dhe EULEX-in që u rikonfiguruan në bazë të 6 Pikëshit dhe nisën ta zbatojnë atë. Nuk është çështja që Protokolli të mos pranohet deklarativisht, por që të mos pranohet EULEX-i i cili po e sjell këtë protokoll. Politikanë por edhe analistë të ndryshëm i kanë mbushur mediat këto ditë duke thënë e shkruar se si EULEX-i s’duhet ta bëjë këtë e duhet ta bëjë atë. I janë bërë EULEX-it këshilltarë pa pagesë. Në fakt, kjo është orvatja e tyre që EULEX-it t’ia kontestojnë veprimet e veçanta dhe jo qenien e thelbin. Po qe se ata i lexojnë me kujdes dokumentet bazë të EULEX-it, pra Veprimin e Përbashkët të Këshillit të BE-së dhe 6 Pikëshin, atëherë do të pushonin me këso analizash. Ata nuk do të vetëdijësoheshin më nga pasojat materiale të dokumenteve por nga leximi i tyre.       Mund të thuhet që Plani i Ahtisaarit i referohet disi EULEX-it duke paraparë në Kosovë mision të Politikës Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PESM), por EULEX-i nuk i referohet Planit të Ahtisaarit. Po ashtu, EULEX-i nuk bazohet në letrën e Fatmir Sejdiut dhe nuk ndodhet në Kosovë në bazë të kësaj letre. Referimi te kjo letër mund të jetë i dobishëm për EULEX-in që ta amortizojë ca pakënaqësinë e qytetarëve, apo, më saktë, që ta orientojë atë tek Sejdiu e jo tek Solana. Por, është dokumenti i Veprimit të Përbashkët të Këshillit të BE-së i datës 4 shkurt 2008 që e themelon EULEX-in dhe 6 Pikëshi i Ban Ki-moon-it që i shtohet përcaktimit të funksionimit të tij. Dhe, të mos harrojmë që as EULEX-i e as Javier Solana nuk e njohin Fatmir Sejdiun si President të Republikës së Kosovës, sepse ata nuk e njohin pikësëpari Republikën e Kosovës. Letra e Fatmir Sejdiut ishte një letër tejet dashamirëse, turpërisht servile.   Qysh para tri viteve, kur ende nuk e dinim se si do të quhej misioni i BE-së në Kosovë por e dinim se do të jetë i përbërë veçse prej policëve e gjykatësve me imunitet ndaj ligjit që do ta zbatojnë mbi neve, pra qysh atëherë kur nisëm ta kundërshtonim atë që e quanim EUMIK, politikanë e analistë na kritikonin neve të VETËVENDOSJE!-s për kritikat tona ndaj këtij formacioni që sot njihet si EULEX. Fillonin duke thënë se këta janë evropianë dhe nuk do të jenë sikurse UNMIK-u, e deri tek ajo që EULEX-i do të na i luftojë peshqit e mëdhenj të politikës që janë pasuruar shpejt e shumë si askush tjetër para tyre. Zaten, as naiviteti s’ka fund. Të gjithë këta që na kritikonin nuk arrinin ta kuptonin që, EULEX-i i cili po përgatitej të zbarkonte në Kosovë, ishte mishërim i Konceptit për Menaxhimin e Krizave të inauguruar nga Javier Solana në vitin 2006. Jo për zbatimin e drejtësisë apo zhvillimin ekonomik. Për menaxhimin e krizës, i cili fjalë të parë dhe të fundit të politikës e bën stabilitetin.                 Dy muaj më parë, rreth 20 studentë nga Universiteti i Konstanz-ës, bashkë me profesorin e tyre, na patën vizituar në zyren tonë në Prishtinë. Në titullin e programit të tyre për master figuronte shprehja ‘conflict management’. Vazhdimisht na vizitojnë grupe studentësh. Edhe para katër viteve e më herët. Mirëpo, atëherë përdorej një shprehje tjetër: ‘conflict resolution’. ‘Zgjidhja’ tashmë është zëvendësuar me ‘menaxhimin’ edhe nëpër universitete. Plotësisht në përputhje me politikën e Solanës, fëmijë i të cilit është EULEX-i. Ky mision thotë se kujdeset për sundimin e ligjit në Kosovë, mirëpo në fokus të tij është vendosja e pengesave ndaj sfidimit të sundimit të ligjit brenda BE-së. Kjo i intereson BE-së dhe vetëm kaq. Luftimi i krimit të organizuar, kontrabandës dhe trafikimit me qenie njerëzore, drogë dhe armë. Kjo është politika e jashme dhe e sigurisë e BE-së. Atyre nuk iu intereson që Policia e Serbisë është përplot kriminelë lufte që tash drejtohen nga ministri Daçiq, ish zëdhënës i partisë së Milosheviqit gjatë sundimit të këtij të fundit. Atyre nuk iu interesojnë krimet e kriminelëve serbë gjatë luftës. Sepse kriminelët serbë nuk kanë vrarë evropianë të BE-së, por shqiptarë të Kosovës. Na kanë vrarë neve. Jo ata. Prandaj, pa kurrfarë sikleti, EULEX-i me Serbinë do të shkëmbejnë informata operacionale, gjithnjë sipas këtij protokolli, dhe do të zhvillojnë takime të rregullta në nivel stacionesh, rajonesh si dhe në nivelin qendror. Pra, EULEX-i do t’i jep informata Serbisë nga pozita e të qenit ‘neutral’ ndaj statusit dhe pa e pasur të kaluarën e hidhur me të.     Pardje, Karin Limdal, zëdhënësja e EULEX-it, tha: “Ky protokoll operativ do të nënshkruhet nga EULEX-i meqenëse ka të bëjë me bashkëpunimin ku EULEX-i ka mandat, njashtu siç kemi bërë në të kaluarën me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë”. Natyrisht që kjo deklaratë nuk i bind as injorantët më të mëdhenj, porse ajo është e vlefshme për shkak të idesë rregullative që qëndron prapa saj. Të gjitha këto shtete që i përmend Limdal, politika e jashtme dhe e sigurisë së BE-së i konsideron vende që janë buzë perandorisë dhe që duhen menaxhuar para se eventualisht të përfshihen në perandori. Misioni i BE-së në Kosovë është shprehje e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së si një perandori në ngritje që menaxhon kriza. Machiavelli me të drejtë dikur shkruante që zgjerimi i perandorisë i ka rrënjët te trajektorja e brendshme e konflikteve që është menduar se do t’i zgjidhë. Prandaj, Bosnja dhe Kosova si protektorate të BE-së, apo jo? Jo vetëm kaq. Qysh në origjinë BE-ja është krijuar për shkaqe të sigurisë. Ka nisur me bashkëpunimin për qymyr e çelik, të cilat ishin të domosdoshme për luftërat. Pra, BE-ja ka nisur me synimin që të mos ketë më luftëra në truallin e Evropës së dërrmuar nga dy luftërat botërore. Në Bosnje dhe Kosovë ajo e ka eksportuar aspiratën themelore të saj dhe atë në mënyrë paternaliste. Sot BE-ja është integruar kryesisht në aspektin ekonomik (tregu i përbashkët) e financiar (Banka Qendrore Evropiane dhe valuta euro). Në njësimin politik BE-ja tash për tash ka dështuar për shkak të refuzimit të Kushtetutës nga Franca e Holanda dhe të Traktatit të Lisbonës nga Irlanda në referendumet e mbajtura në këto tri vende. Duket që BE-ja ka plane që ta sajojë edhe një ushtri dhe polici të veten, dhe të dëshmojë se mund të menaxhojë konflikte. SFOR-i dhe EULEX-i janë uvertura eksperimentuese.   “Vendosim ne”, ishte titulli që gazeta Express i kishte vënë artikullit mbi kundërshtimin e Thaçit. Simptomë e qartë se çështja konsiston esencialisht te vetëvendosja e cila na mungon edhe pas shpalljes së pavarësisë. Gjithsesi do ta kemi shumë vështirë. Përderisa udhëhiqemi nga këso politikanësh të cilët vlerësimet dhe lavdërimet nuk i kërkojnë në mesin e kombit të vet dhe tek ai, por tek zyret e perandorive.     Prishtinë, 20 gusht 2009 Albin Kurti