Anti-artikull: Tentativë për një hartë kognitive

Albin Kurti Kosova i ngjan një teatri. Prandaj njerëzit nuk shkojnë aq në teatër. Qytetarëve nuk iu mungon teatri por realiteti. Nëse teatri qëndron në opozitë me realitetin, atëherë e vërteta ndodhet në anën e teatrit. Rolet, detyrat dhe funksionet e njëmendta i kuptojmë nga teatri. Në vijim janë dhënë disa prej tyre. Mbase më kryesoret.  Sado të shtypur, njerëzit mbesin pasivë kur struktura e padrejtësisë është e ndërlikuar. Teatri është fantazia që zbërthen realitetin.        Ky nuk është pllakat që fton për shfaqje teatrale. Është afishe për të dalur prej shfaqjes.     Kosova – krizë e menaxhuar (Shfaqet për çdo ditë. Vazhdimisht. Edhe atëherë kur flini.)   Regjisor i shfaqjes: Pieter Feith Audicioni, trajnimi dhe kastingu për aktorët: Tina Kaidanow Producent dhe skenari i adaptuar: Javier Solana Ndihmës-skenarist: Martti Ahtisaari Producent ekzekutiv: Yves de Kermabon Rrëfimi origjinal: Richard Holbrook Aktorët: Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, ministrat dhe krerët e partive kryesore opozitare Aktorë të tjerë profesionistë: politikanët që u bënë biznesmenë Aktorë të tjerë amatorë: biznesmenët që u bënë politikanë Aktorë nga një teatër dhe regjisor tjetër: strukturat paralele të Serbisë Mysafirë specialë në skenë: Joseph Biden e Martti Ahtisaari Statistë: ish të burgosurit politikë dhe ish ushtarët e UÇK-së Suflerët e aktorëve: konsulentët e USAID-it, Arie Rabfogel, këshilltarët dhe analistët vendorë Inxhinierë të zërimit të aktorëve: EULEX-i Skenografia: ‘Think tanks’ të ndryshëm (si p.sh. ICG-ja) Koreografia: Olli Rehn Muzika: “Road to Nowhere” – Talking Heads Dritat: Mediat, të cilat ndriçojnë aktorë të caktuar  Kostumet dhe grimi: Agjencitë e marketingut (si p.sh. Saatchi&Saatchi) Drejtor i teatrit: KFOR-i Kryetare e bordit të teatrit: Hilary Clinton Drejtor kreativ i teatrit: Ban Ki-moon Audienca në sallë: deputetë të Kuvendit të Kosovës Rregullator i zërit të audiencës në sallë: Jakup Krasniqi  Disenjator i skenës: UNMIK-u Mbikëqyrës në zhveshtore: OSBE-ja, KQZ-ja dhe Agjencioni Anti-korrupcion Shpërndarësit e fletushkave njoftuese në hyrje të sallës: disa OJQ Call boy: UNDP me Early Warning Report Rojtarë te porta e teatrit: Policia e Kosovës Mbikëqyrës të rojeve të teatrit: EULEX-i Audienca para ekraneve televizive: qytetarët e Kosovës   Sponzor financiar: Buxheti i Kosovës, donatorët e huaj   Prishtinë, 2 korrik 2009 Albin Kurti