2:1?

Albin Kurti Tomislav Nikoliqi e vuri popullin serb para zgjedhjes: ose BE-ja, ose Kosova. Tomislav Nikoliqi i humbi zgjedhjet. Ai po bënte fushatë me zgjedhjen e tij (Kosovën) në kuadër të zgjedhjes që ai besonte se ndodhet para popullit serb (ose BE-ja, ose Kosova). Në pranverën e vitit 2008, zgjedhjet në Serbi i fitoi Boris Tadiq, i cili vazhdon të jetë kryetar i Serbisë. Mirëpo, pse fitoi Boris Tadiqi? Për shkak se ishte proevropian? Sepse, ndryshe prej Nikoliqit, ishte përcaktuar për BE-në? Aspak. Boris Tadiq fitoi meqë e refuzoi dilemën që e ngriti Nikoliq. Tadiq nuk e zgjodhi BE-në, për dallim nga Nikoliq që e zgjodhi Kosovën, por ai e zëvendësoi operatorin OSE me atë DHE. Nuk u përcaktua për BE-në në udhëkryqin e Nikoliqit ‘BE-ja OSE Kosova’, por e shpalli inekzistent atë udhëkryq, duke i marrur vetëm elementet e tij, të cilat i vendosi në një marrëdhënie komplemetare: ‘BE-ja DHE Kosova’.   Boris Tadiqi e kishte kuptuar mirë se Perëndimi nuk po i bënte trysni serioze Serbisë për ta pranuar Kosovën, ndërkohë që ia linte shtegun hapur asaj për në BE (sigurisht me me qëllimin që ta largojë Serbinë prej Rusisë). Tadiqi nuk e lëshoi shansën. Popullit serb i tha që Serbia mund ta ketë edhe BE-në, edhe Kosovën. Dhe, siç e dimë, Tadiqi fitoi. Vetëm për shkak se nuk e përjashtoi BE-në, anipse e donte Kosovën jo më pak se Nikoliqi, ai u bë kryetar i Serbisë. Pasoi mbivlerësimi i dytë kapital që Perëndimi ua bëri ndryshimeve në Serbi. Pas mbivlerësimit të zëvendësimit të Milosheviqit me Koshtunicën në tetor të vitit 2000, u mbivlerësua edhe zëvendësimi i Koshtunicës me Tadiqin. Të gjithëve na kujtohet Javier Solana kur s’përmbahej dot nga gëzimi që dëshironte ta ndante me të gjithë me rastin e fitores së Tadiqit.          Në Serbi realisht nuk ka parti të majta, kurse liberalët i marrin rregullisht vetëm pak përqind. Në Serbi nuk ka trashëgimtar të Dimitrije Tucoviqit e pothuajse as të Vladimir Jovanoviqit e Milan Piroqancit. E gjithë skena politike atje është e trashëgimisë së Nikola Pashiqit: orientim nacional-shovinist, i cili hegjemonisë serbe ia ndryshon vetëm petkun kohë pas kohe. Por, cili është petku më i ri i aspiratave të Serbisë? Cilat janë synimet konkrete të Serbisë së sotme, të Serbisë së Boris Tadiqit? Duke lexuar dhe analizuar deklaratat e tij dhe të zyrtarëve të tjerë të lartë serbë, duket që Serbia deri në vitin 2013 apo 2015 i ka tri qëllime kryesore politike që lidhen me Kosovën. Serbia dëshiron që: 1) Të mos detyrohet ta pranojë Republikën e Kosovës si shtet të pavarur; 2) Ta sajojë një entitet autonom serb brenda Kosovës të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje; 3) Të bëhet anëtare e BE-së (gjithsesi para Kosovës).   Kur i kemi parasysh edhe qëndrimet ndërkombëtare dhe rregullat e BE-së, nuk duket që është reale të pritet që Serbisë t’i përmbushen të trija këto objektiva afatmesme. Mirëpo, edhe nëse plotësohen cilatdo dy prej këtyre, kjo do të paraqesë fitore të madhe për Serbinë dhe lajm të keq për Kosovën.       Rreziku më i madh për Kosovën është nëse nga këto tri aspirata, Serbisë i plotësohen e dyta dhe e treta. Një situatë e këtillë pas katër a pesë vjetëve është shumë e mundur. Po qe se i kujtojmë deklaratat e nënpresidentit amerikan Joseph Biden (për ‘pavarësinë e pakthyeshme’ dhe atë tjetrën se ‘Kosova nuk do të ndahet’) si dhe zërat nga Brukseli për perspektivën evropiane të Serbisë, bëhet e qartë që përmbushja e objektivit dy dhe tre të Serbisë në lidhje me Kosovën paraqet kërcënim serioz. Pra, Serbia do të mund ta pranojë Kosovën e pavarur pas disa viteve, porse për shpërblim asaj mund t’i lejohet sajimi i një Republike Serbe brenda Kosovës dhe anëtarësimi në BE para Kosovës. Kombinimi i ‘pavarësisë së pakthyeshme’ (Biden) me tolerimin e Serbisë që hëpërhë të mos e njohë pavarësinë (sërish, Biden), rezulton me pavarësinë e pakthyeshme të Kosovës që Serbia e njeh më vonë. Ndërkaq, deklarata që ‘Kosova nuk do të ndahet’ tregon që Joseph Biden konsideron që Kosova sot nuk është e ndarë. Ashtu sikurse që për Bosnjen e ndarë përbrenda në dy entitete thonë se nuk do ta lejojnë ndarjen, ngjashëm po sillen edhe për rastin e Kosovës. Kemi të bëjmë me dy kute të ndryshme: gjersa për neve dallimi cilësor është ndërmjet Kosovës së ndarë në terren (siç e kemi tashmë), në njërën anë, dhe integrimit të veriut dhe enklavave, në anën tjetër, për ndërkombëtarët dallimi është ndërmjet ndarjes dhe ndarjes së brendshme – p.sh., në rastin e Bosnjes, ndërmjet shpartallimit të Bosnjes dhe Bosnjes së tillë çfarë është sot. Sëkëndejmi, për ndërkombëtarët një autonomi territoriale serbe brenda Kosovës me të drejtë vetoje ende nuk paraqet një Kosovë të ndarë.   Serbia sigurisht do që Republika Serbe në Bosnje t’i bashkohet asaj, mirëpo edhe kontrolli i tërë Bosnjes nëpërmjet elementit serb atje është mjaft i volitshëm për Serbinë. Fundja, pasojat e kësaj po i ndjen edhe Kosova: mosnjohja e pavarësisë nga Bosnja e deri te pengesat në qarkullim të njerëzve e tregti të mallrave janë pasojë e vetos së Republikës Serbe atje. E njëta gjë do të mund të përsëritej edhe në Kosovë nëse vazhdohet me këtë nonshalancë të institucioneve të Kosovës – edhe në Kosovë Serbia do ta zëvendësojë ndarjen e Kosovës me ndarjen e brendshme të Kosovës, gjë që i ofron Serbisë kontroll mbi Kosovën nëpërmjet vetos së serbëve lokalë.               Për më keq se kaq, me qëllim që e gjithë kjo t’i shitet popullit sa më kollaj, fitorja 2:1 për Serbinë do të mund të tempohej asisoj që të tre golat të ngjajnë brenda një periudhe të shkurtër. Pra, Serbia e sajon entitetin autonom territorial brenda Kosovës, por në të njejtën kohë e njeh Kosovën e pavarur e cila bëhet anëtare në OKB, porse Serbia hyn edhe në BE. Në këtë mënyrë Serbia do të mund ta kushtëzonte Kosovën edhe nga lart, edhe nga poshtë: me veton e autonomisë së serbëve në Kosovë (sikurse Bosnjen me veton e Republikës Serbe atje), dhe me veton e saj nga lartësia e vendit anëtar të BE-së (sikurse Sllovenia që ia bën Kroacisë e Greqia Maqedonisë).      Megjithëkëtë, pse duket që Boris Tadiqi thuajse nuk po i jep aq zor krijimit të Republikës Serbe në Kosovë? Sepse, aktualisht, po i jep zor decentralizimit Sadri Ferati, ky ministri ynë që thotë ‘unë vetëm po e zbatoj ligjin’. Boris Tadiqi, gjersa vazhdon t’i financojë strukturat e Serbisë në Kosovë, po pret që njëherë Sadri Ferati t’ia zbatojë decentralizimin, në mënyrë që ky pastaj ta bëjë vetëm edhe një mbindërtim të vockël në formën e kantonizimit të Kosovës dhe, asisoj, Republika Srpska 2 në Ballkan do të jetë gati. Gjithsesi, më mirë është të mos na njohë fare Serbia e të mos kemi ulëse në OKB, por as të mos kemi ndarje të brendshme në Kosovë, sesa anasjelltas.        Nuk është thelbësore se kur do të nisin shtetet e mbetura të Ballkanit perëndimor të integrohen në BE, por çfarë do të ngjajë para integrimit e përgjatë rrugës drejt integrimit. Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës, duhet t’ia bëjnë të qartë faktorëve ndërkombëtarë që integrimi duhet të jetë i njëkohshëm dhe se nuk janë dakord me hyrjen e Serbisë në BE para Shqipërisë dhe Kosovës. Për fillim, meqë Serbia nuk e njeh Kosovën dhe në kushtetutën e saj thuhet që Kosova është pjesë e Serbisë, Kosova (por edhe Shqipëria) do të mund të kalonin në kuvendet e tyre nga një rezolutë përmes së cilës e sqarojnë se nuk e njohin Republikën e Serbisë (përkatësisht e tërheqin njohjen e saj).          Kopenhagë, 18 qershor 2009             Albin Kurti