← Arkivi 1998–2002

Ditari i luftës — Rrustem Hyseni

10 mars – 5 prill 1999

Pjesë të shkëputura nga ditari në dorëshkrim i dëshmorit Rrustem Hyseni

(Historiani)

10.3.'99-21 e 30

Në luftë ndodh gjithçka, madje dhe vdekja. Këtë llogaris edhe për veten

time. Andaj e lë ,,amanet" që ky ditar t'u bie në dorë shoqërisë së

studimeve. Përmes këtij ditari, edhe i vdekur, të bisedoj, në një fare

mënyre, me shoqërinë. Tung! Tung!

1.4'99, ora 11:00

Derisa po shënoja ngjarjet e ditës së djeshme, në drejtim të pozicioneve

tona ranë 3 granata të njëpasnjëshme.

Këto granata erdhën si rezultat i sulmit të dy ushtarëve tanë që kishin

kryer në Stantërg.

2.4.'99

Në ora 10 e 50 përmbi Bare, gjegjësisht kazermë, fluturoi një aeroplan

ushtarak i shkieve. Unë me disa shokë ishim në postë. Personalisht isha duke

shkruar një poezi për dëshmorin Selim Bislimi.

Menjëherë dolëm te disa shtëpi të djegura. Unë u ndava prej shokëve dhe

zbrita para fabrike. Derisa rrinim me Jahirin e Behën, erdhi Hasani nga

Bajgora dhe na njoftoi se nga aeroplani ishte vrarë Adem Trepça. Me kaq dhe

ai u kthye për Brigadë( 12:00).

Më vonë u mor vesh se është vrarë edhe një vajzë dhe një burrë nga

Stantërgu.

Ora 3 e 45. Tani sa u kthyem nga rruga. Ishim në mbrojtje të shokëve të

cilët shkuan për t'i sulmuar shkiet në shkollë të Tunelit. Ne ishim 5 veta

me minahedhës 60mm dhe Pekate në Rashan (Kozirogë). Erdhëm para tyre pasi që

nuk pati nevojë për ndihmën tonë. Dhe, sipas marrëveshjes, ne në kohën e

caktuar mund të ecnim.

3.4.'99

Në ora 9:00 u zgjova. Menjëherë u interesova nëse kishin ardhur shokët nga

aksioni. Ata kishin ardhur dhe ishin në gjumë, andaj nuk bisedova me ta.

Sot është ditë e vranët, me mjegull dhe po bie ngapak shi. Sa i përket

luftës ende është qetë.

Më vonë shokët e aksionit u zgjuan. Ata kishin kaluar shumë mirë dhe kishin

kryer aksionin me sukses. Rreth orës 13:00 shkiet për më tepër se gjysmë ore

granatuan pozicionet tona dhe të Melenicës. Ne nuk ua kthyem. Në mbrëmje,

pas orës 19:00, komandanti na radhiti dy skuadrat e para dhe në këmbë shkuam

në Bajgorë, përkatësisht në shkollën e bombarduar nga aeroplani serb. Në

fillim ushtruam marrjen e objektit dhe më pas që të gjithë hymë dhe pamë

masakrën që kishte bërë aeroplani. Xhamat ishin thyer. Në shumë vende ishte

pllaka e shpuar. Ajo që më së shumti më tronditi ishte gjaku i të ndjerit

Adem Trepça. Granata kishte shpuar murin afër tokës dhe kishte goditur atë

mbi tavolinë, ashtu siç ishin sfungjerat. Plagën e kishte marrë në kokë.

Edhe në dhomën tjetër shihej gjaku dhe vendi i plumbit të mitrolozit që kish

goditur një vajzë nga Stantërgu. Ajo plagën e kishte marrë në zemër.

Përjetimet direkte të këtij rasti na i rrëfenin Leka, Luli dhe.të cilët

kishin qenë po aty, por që kishin shpëtuar pa plagë. Me kaq ne u kthyem në

kazermë, kurse komandanti shkoi për në shtab.

POROSI

Duhet të më dërgohet në shtëpi ky ditar.

5.4.'99

Rrustem Hyseni

(vazhdon)


Data e shkrimit sipas materialit origjinal. Data e publikimit në internet nuk është konfirmuar.

Shiko faqen e vjetër