Ali Podrimja
Një i vdekur i zakonshëm
Një i vdekur i zakonshëm
Në këmbë mban një shtet
Vrapon shkallëve thyen dritare
Mbledh dhe pikën e fundit të ujit.
Mbi tryezë bie galuc
nën dritën e llampës
Një i vdekur i zakonshëm
Dhunues e vrasës bezdisës
I ndjekur e i vrarë vazhdimisht
Shpallet publikisht prishës rendi
Në ballkonin e hapur nga qielli
Një vashë e lakuriquar
Ngacmon moralin qytetar
Livadhit një dele shetit Njeriun
I lumtur se jeton thotë
I gjithëpushtetshmi
Një i vdekur i zakonshëm
(2000)
Maratoni nga Iliria
Është një engjull që na mbron
Se kujt Maratoni nga Iliria
Do ia kumtojë lajmin
se në Ulpianë
u gjet tërfili me katër fletë
(1999)
Litari i ankthit
E lirë Kosova dhe e pavarur
Me një litar rreth qafe
Kërkon degën më të lartë.
Si dele nuk i dilet në Pazar
Nëpër fjalë seç dridhet
Midis dy qytetërimeve e zën.
Në konferenca ndërkombëtare
Kallëzohet si përrallë
E s'e lëshon as e mban një litar.
(Ulpianë, 9.10.2000)
Hiri i shkëlqimit
Kep i lartë e i ndritshëm
Nën hijen e perëndive humbesh
Nuk i rrah krahët një shpend
qiellit tënd
Syzgurdulluar poshtelartë
i bie madhështisë së derdhur
Të gjej dot Itakën dhe ndiej
Nën këmbë si ma ha dheun
Miu i shkurrës
Fundekrye tek më mbulon hiri
i shkëlqimit
Data e shkrimit sipas materialit origjinal. Data e publikimit në internet nuk është konfirmuar.
Shiko faqen e vjetër