RTVZIK · NOSTALGJIFaqja e sotmeModeli i parĂ«200920102012HumorArgëtimFoto

RTV Zëri i Kosovës · Arkivi historik
-...................
RTV Zëri i Kosovës · Arkivi historik
........-..............
RTV Zëri i Kosovës · Arkivi historik
...................
RTV Zëri i Kosovës · Arkivi historik
....

Google | Yahoo | MSN
Politike | Analizë | Lajme | Aktualitete Dk | Intervista | Sport | Arkiva
Përjetime | Texte-melodi-logo për SMS | SMS-DK | MISS bota 2003 | Miss Kosova | Top modelet Kosovare | Fokusi shqipëtar
Aforizma | Letersi | Tregime | Dosje | Histori | Ditarë lufte | Fjalore Anglisht-Shqip
Gazeta ditore | Revista | TV | Radio onlin | Faqe Shqipëtare | Faqe personale | Te ndryshme
Radio-ZIK | TV-ZIK | Historiku | Stafi | Kënget-Top 10 | Foto albumi | Skema programore
Rtvzik-muzikë | Muzikë1 | Muzikë2 | Muzikë3 | Muzikë4 | Muzikë5 | Muzikë6
RTVZIK-CHAT | Albachat | Shkupichat | Kosovachat | Shqipëriachat | Dashuriachat | Paltalk
subglobal8 link | subglobal8 link | subglobal8 link | subglobal8 link | subglobal8 link | subglobal8 link | subglobal8 link
RTV  ZIK
RTV Zëri i Kosovës · Arkivi historik
RTV  ZIK
Shefki Ollomani-Nga roberia ne liri dhe nga roberia ne roberi.(Komente historise sone politike)
Gezim Mekuli-Demilitarizimi, decentralizimi, dekombëtarizimi dhe "demokratizimi" i popullit shqiptar!
Beqir Elshani-Saturni serb i ha femijet shqiptare
Abaz Pllana-Mitrovica e ndarë apo...?
Beqir Elshani-Ditelindja dhe perkujtimi
Xhevat Bislimi- Konference per gazetare-Dega e PDK-se-Viti

AKTUALITETE -EXLUSIVE PËR RTVZIK

POLITIKË

XHEVAT BISLIMI

Letër e hapur kolonelit Cimerman

I nderuari kolonel, Në gazetën "Zëri", të datës 05 prill 2004, lexova intervistën tuaj të gjatë për ngjarjet e 17 dhe 18 marsit në Viti. Intervistën me ju e kishin bërë gazetarët Përparim Isufi dhe Xheladin Rexhepi. Sipas këtyre gazetarëve ju jeni komandant i "Task Force Bayonette". Që në fillim dua të dalë me kostatimin se "analizat" dhe komentet tuaja për ngjarjet e 17 dhe 18 marsit janë tërësisht të pasakta. Më mban shpresa se mendimet tuaja për këto ngjarje nuk janë përkthyer dhe interpretuar drejt. Ndoshta faji është te gazetarët dhe përkthyesi, sepse një ushtarak (kolonel), i cili thotë se ka qenë edhe vetë i pranishëm në ngjarjet e 17 dhe 18 marsit, nuk mund të jep vlerësime dhe "kualifikime" të tilla skajshmërisht të anëshme dhe të papeshuara. Zoti kolonel, letra (polemika), që po shkruaj është krejt në kundërshtim me dëshirën time.

Është hera e parë që po polemizoj me një ushtarak. Unë jam prej atyre që mendojnë se ushtarakët dhe ushtria duhet të udhëhiqen nga politika dhe nga pushteti civil, i zgjedhur. Me sa di unë kështu është edhe në vendin tuaj, miken tonë të çmuar, SHBA-në dhe në vende të tjera normale, me sisteme demokratike. Vlerësimin dhe kualifikimin e ngjarjeve të 17 dhe 18 marsit e ka bërë Qeveria e SHBA-së nëpërmjet përfaqësuesit të saj në Këshillin e Sigurimit dhe nëpërmjet zotit Grosman (nënkryetar i Degës së shtetit për çështje politike) në Prishtinë. Megjthatë, po e filloj nga e para, sipas asaj që është botuar në gazetë. Revolta e qytetarëve nuk ka qenë e organizuar, siç thoni ju, as ditën e parë as të dytën, pos nëse keni menduar se ajo është organizuar nga ngjarjet në Mitrovicë dhe nga rrjeti televiziv. Protestë të organizuar prej Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së ka pasur më 16 mars, por ajo ishte krejt e qetë dhe nuk ndodhi asnjë problem, asnjë. Më tej ju thoni se "në demonstratë kanë marrë pjesë 1400 veta"! Ndoshta ju i keni numruar, por ne mund të themi se në protestën e 18 marsit kanë qenë rreth 10 mijë qytetarë. Protestë më të madhe në Viti nuk ka pasur pas Luftës. "Ishin vetëm disa qindra njerëz, të cilët tentonin të vënin zjarr dhe të gjuajnë me gurë ose të rrahin njerëzit" , thoni ju.

Disa qindra njerëz i bie gati njëmijë, kurse ju thoni se në protestë ishin gjithësejt 1400! Jo zoti kolonel. Ata, që janë përpjekur të djegin ndonjë shtëpi ose që kanë hedhur ndonjë gurë kanë qenë vetëm disa individë (për hatrin tënd po themi dhjetra individë). E dini ju, por e dimë edhe ne, se në Viti, fatmirësisht, nuk ka pasur dëme të mëdha: nuk është djegur asnjë objekt fetar, nuk është sulmuar asnjë fshat serb, nuk është shkrepur asnjë armë dhe nuk kishte as të vrarë dhe as të plagosurë. Më tej ju thoni se "unë në konsultim me kryetarin e komunës kemi hequr karantinën në këtë qytet. Unë asnjëherë nuk kam bërë konsultime me PDK-në, siç është thënë në raporte të gazetave." Unë ju siguroj zoti kolonel se në asnjë gazetë dhe në asnjë shkrim timin nuk është thënë se PDK-ja është konsultuar ose ju ka kontaktuar juve për heqjen e karantinës. Ju e dini mirë me kend ka kontaktuar grupi i këshilltarëve të PDK-së dhe kjo nuk ka asnjë të keqe, sepse edhe ne jemi njerëz me mandat (të zgjedhur) dhe kemi të drejtë dhe detyrim të interesohemi për komunën dhe qytetarët tanë.

Nuk dua të komentoj më shumë. Në intervistën tuaj keni nxjerr edhe këto përfundime të pasakta dhe keni bërë pyetje të drejtpërdrejta: "E di se kryetari i komunës Musa Misini dhe zëvendësi i tij Jakup Jahiri kanë bërë përpjekje dhe lutje për të ndalur trazirat, por unë dua të di se çka kanë bërë liderët tjerë të komunës në atë kohë. Unë nuk kam parë asnjë zyrtar tjetër, apo lider tjetër të partive që ka tentuar ta ndal dhunën. Si lider, unë kisha pasur dëshirë të di se ku kanë qenë ata gjatë trazirave". Gaboheni zoti kolonel (nëse janë fjalët tuaja në gazetë). Kryetari i komunës nuk ka qenë fare në Viti gjatë protestave.

Nuk dua të merrem me supozime: do të ndërhynte a s'do të ndërhynte, do të bënte thirrje a s'do të bënte thirrje për qetësimin e gjendjes, do t'u dilte protestuesve përpara a s'do t'u dilte kryetari. Për ty dhe për qytetarët jashtë Vitie, sepse qytetarët e Vitisë e dinë mirë kush ku ka qenë, kush çka ka thënë dhe kush çka ka bërë, po deklarohem pa modesti se jam unë i pari dhe i vetmi që, në momentin kur kishte zëra për të sulmuar policinë dhe gjykatën, ia kam marrë megafonin policit dhe i jam drejtuar protestuesve (çfarë kam thënë e dinë të gjithë). Jam unë, që me megafon në dorë kam vrapuar pas një grupi të vogël, që përpiqej të digjte a dëmtonte ndonjë shtëpi dhe i kam penguar. Këtë e dinë i gjithë qyteti, sepse më kanë parë dhe më kanë dëgjuar duke bërë thirrje me megafon dhe duke u dal përpara të rinjve të revoltuar. Për t'i qetësuar dhe shpërndarë protestuesit e kam marrë fjalën edhe në qendër të Vitisë. Vetëm pas meje e ka marrë fjalën J. Jahiri, i cili është pritur me fishkëllima nga protestuesit, që nuk donin ta dëgjonin (ndikimi i tij për qetësimin e gjendjes ishte zero). Pas tij e ka marrë fjalën kryetari i Degës së SHVLUÇK-së, Jakup Hajrizi, pastaj kryetari i Degës së SHFD-së, Qemal Rexhepi dhe Ismet Ilazi nga AAK-ja. Në ballë të përpjekjeve për të penguar shkatërrimet dhe djegiet në komunën tone dhe për t'i mbrojtur objektet publike ka qenë edhe kryetari i Degës së PDK-së dhe e tërë Kryesia e kësaj Dege. Tash unë ju pyes juve: ku ishte policia e UNMIK-ut, që ju nuk e përmendni fare, e që është përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike dhe paguhet për atë punë me rrogë të majme? Sipas asaj që keni thënë më duket se edhe ju keni munguar. Ju zoti kolonel keni thënë se "nuk ke parë asnjë nga organizatorët e demonstratave të përpiqen që t'i ndalin ato". Në pyetjen e gazetarit se kush janë organizatorët ju jeni përgjegjur: "Nuk i di personalisht, nuk i di emrat e tyre. Unë nuk involvohem aq shumë në politikën e komunës". Zoti kolonel: ju demantoni vetëveten. Ju nuk jeni involvuar në politikën e komunës, por më keq, në politikë partiake. Ju keni parë se asnjëri nga organizatorët nuk përpiqej t' i ndalte protestuesit, por ju nuk i njihni ata! No koment! "Gjatë trazirave ushtarët e mi ishin absolutisht në rrezik"-konstatoni ju. Unë personalisht nuk mund të pajtohem me këtë konstatim tuajin. Qytetarët e Vitisë dhe të mbarë Kosovës ushtarët tuaj i konsiderojnë aleatë të luftës dhe të paqesë. Nuk ka asnjë rast të vetëm që dikush të ketë drejtuar armën kah ushatrët tuaj dhe as të ketë sulmuar ushtarët amerikanë. Në rrëmujë e sipër ndoshta ka qëlluar dikush me gurë, por jam i bindur se caqe të sulmit nuk kanë qenë ushtarët amerikanë. Më të rrezikuar kanë qenë policët tanë, të cilët nuk kishin as përgaditjen, as veshmbathjen dhe as teknikën e nevojshme për thyerjen e protestave të tilla. Kishin vetëm "guximin moral". Të rrezikuar, sidomos ditën e dytë, kemi qenë ne "liderët", që u përballëm edhe fizikisht me ata individë, që përpiqeshin të digjnin dhe dëmtonin ndonjë shtëpi. Ju thoni se nuk na keni parë! Si duket njeriu po shikoka vetëm ata që dëshiron t'i shohë, edhe atëherë kur ata mungojnë, nuk janë aty. Ju keni dëshiruar t' i shikoni dhe i keni parë ata, që nuk kanë qenë fare aty dhe as nuk u janë drejtuar qytetarëve të pakënaqur. Më 18 mars, zotëri kolonel, qytetarëve të revoltuar u është drejtuar fillimisht Hafir Hoxha, pastaj Zaide Uka, Hajriz Jakupi, Qemal Rexhepi dhe pas tyre edhe unë, por jo Jakup Jahiri, kurse Musa Misini nuk ishte në Viti.

Midis grupit, që përpiqej të digjte shtëpi dhe ushtarëve tuaj kemi qenë ne "liderët", që ju nuk i paskeni parë: unë, Xhevat Bislimi (kryetar i grupit të këshilltarëve të PDK-së), Skënderbe Hebibi, kryetar i Degës së AAK-së, Halim Halili, anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së, Visar Demiri, kryetar i ARK-së, Qemal Rexhepi, kryetar i Degës së SHFD-së, Hajriz Jakupi dhe veprimtarë të tjerë, por nuk ishin ata që i keni "parë" ju zoti kolonel. Këta njerëz, bashkë me policinë tonë, për gati një orë u përballën me ata, që pakënaqësinë e tyre kërkonin ta shprehnin me mënyra dhe metoda të dhunshme. Edhe këtu, në rrugën 11 Marsi, unë gjatë gjithë kohës kam bër thirrje me një megafon të policisë për t'u shpërndarë, për të mos djegur dhe për të mos u konfrontuar me policinë e SHPK-së dhe me ushtarët amerikanë. Vetëm ju nuk na paskeni parë dhe nuk na paskeni dëgjuar. Çudi! Të gjitha këto nuk po i them as për t'u rrëfyer dhe as për t'u krenuar. Në ato çaste asnjërit prej nesh nuk i ka shkuar mendja a do të na sheh koloneli a jo, a do të marrim lëvdata a do të ndëshkohemi? Ne kemi vepruar të shtyrë nga ndërgjegjia jonë kombëtare, qytetare dhe politike. Ne kemi vepruar duke rrezikuar veten tonë të shtyrë edhe nga përgjegjësia jonë si njerëz të zgjedhur, me mandat.

Ju zoti kolonel duhet ta keni të qartë se me revolta dhe protesta janë forcatë e rendit dhe të sigurisë ato që duhet të përballen e jo "liderët" politikë. Ne nuk kishim asnjë detyrim ligjor, që të merremi me atë punë. Por, ne rrezikuam, ne patëm "guximin moral", duke e kuptuar pozitën e "veçantë" të Kosovës e jo për të marrë lëvdata nga dikush, ndërsa "liderët" tuaj ose u fshehën ose fërkonin duart dhe përgadisnin shpifje dhe akuza për drejtuesit e opozitës. Në përfundim të intervistës suaj për kryetarin dhe nënkryetarin e komunës (LDK-së) keni bërë edhe vlerësimin e "lartë", duke përfunduar se "këta janë liderët për të cilët Kosova ka nevojë. Këta janë liderët të cilët kanë guximin të shohin se çfarë duhet të jetë ardhmëria e Kosovës. Për fat të keq unë nuk kam parë ndonjë lider tjetër të komunës së Vitisë që foli gjatë kësaj kohe. Mendoj se njerëzit që nuk kanë guximin moral që ta bëjnë gjënë e drejtë, nëse janë liderë duhet të largohen. Guximi moral është ajo për çka ka nevojë Kosova". Me këtë ju ia keni zënë majën intervistës suaj, anlizës dhe komenteve tuaja për ngjarjet e 17 dhe 18 marsit!!! Ju merrni në mbrojtje Jakup Jahirin, njeriun e korruptuar dhe shpërdoruesin dhe uzurpatorin më të madh të ligjit dhe të pushtetit. Ju merrni në mbrojtje dhe u thurrni himne atyre, që janë përgjegjës për mospërmbushjen e shumë detyrimeve ligjore karshi komunës dhe qytetarëve tanë!

Ju merrni në mbrojtje ata, që komunën tonë e drejtojnë partiakisht! Kryetari dhe nënkryetari i komunës janë përgjegjës të drejtëpërdrejtë për moskrijimin e Komitetit të krizës. Me politikën e tyre partiake, ata kanë shkelur rregulloren për zgjedhjen kryetarëve të fshatrave, duke i emruar në ato poste militantët e partisë e jo njerëzit që do t'i zgjedhte fshati. Këta kryetarë fshatrash do të ishin një hallkë e rëndësishme e pushtetit. Pikërisht për fajin e atyre, që ju zoti kolonel i lavdroni, kjo hallkë e pushtetit nuk funksionon dhe nuk funksionoi as në ditët e protestave. Ju merrni në mbrojtje ata që shpërdorojnë për ditë buxhetin komunal, taksën e qytetarëve! Jakup Jahiri dhe kryetari i komunës nuk e mblodhën Këshillin komunal, organin legjitim, por morën masa ta "ruajnë" komunën me militantë të partisë së tyre? Ky organi më i lartë dhe legjitim i komunës nuk është mbledhur as sot e kësaj dite! Komuna e Vitisë është e vetmja komunë, që ka ndarë 85 mijë euro për blerjen e veturave për vitin 2004, ndërsa nuk kishte një megafon, mjeti elementar për raste krizash, për t'iu drejtuar protestuesve dhe për t'u bërë thirrje, që mos të bëjnë dëme. Ndoshta ju i lavdroni pse ata, me shpifjet e tyre, ju nxitën të shpallni orë policore (shtetrrethim) 24 orëshe në qytezën e Vitisë! Ndoshta janë "liderë" të mirë për ju pse me shpifjet e tyre ju nxitën t'i fusni edhe qentë në komunë për të kërkuar bombën e imagjinuar prej tyre dhe për të hequr Flamurin shqiptar! Ndoshta janë "liderë" të mirë pse drejtuan gishtin kah opozita, kah ata që dhanë maksimumin për të qetësuar gjendjen! Apo ndoshta janë "liderë" të mirë pse bënë thirrje pas qetësimit të gjendjes, si kofini pas të vjelave?! Por, këta nuk janë "liderët" që i duhen Kosovës zotëri dhe unë nuk do t'ia dëshiroja mikes tonë, SHBA-së, "liderët" e këtillë. Kosovës sonë I duhen "liderë" që relizojnë dhe garantojnë lirinë, sigurinë, zhvillimin, paqen dhe demokracinë e vendit tonë, liderë" që përfaqësojnë dhe mbrojnë nderin dhe dinjitetin e vendit dhe të institucioneve të vendit, "liderë" që bashkëpunojnë me praninë ndërkombëtare në Kosovë për interesin dhe të mirën e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Çfarë ndodhi në të vërtetë në Kosovë dhe në Viti? Kur lexon intervistën tuaj, kur dëgjon deklaratat e Solanës dhe të ndonjë tjetri të krijohet përshtypja se revolta e Kosovës e solli botën buzë greminës! Zotërinj, protesta, demonstrata, revolta kanë ndodhë, ndodhin dhe do të ndodhin në gjithë botën përderisa do të ketë probleme të pazgjidhura kombëtare, ekonomike, politike, sociale e të tjera. Unë mendoj se gjëja më e lehtë është të dënohen ngjarjet e 17 dhe 18 marsit në Kosovë. Më e vështira është të shpjegohen ato ngjarje, të hulumtohen shkaqet, që quan në shpërthimin e asaj revolte herë-herë të papërmbajtur. Për mua ngjarjet e marsit janë pasojë e një politike të gabuar të UNMIK-ut-Bashkësisë Ndërkombëtare. Këtë fakt po e thonë gati pa përjashtim analistët, politikanët dhe diplomatët seriozë. As ju zoti kolonel dhe askush në botë nuk mund ta justifikojë faktin që Kosova edhe pas pesë vitesh është nën regjim ushtarak, asnjë qytetar i Kosovës nuk mund të ndjehet i qetë dhe i lumtur me faktin se edhe pas pesë vjetësh ndalohet, bastiset e ndonjëherë edhe burgoset nga ushtarët dhe ushtarakët. Ushtria në të gjitha vendet demokratike mbronë kufijt dhe vendin nga rreziqet dhe kërcënimet e jashtme dhe rrinë në kazerma.

Kush është fajtor që pesë vjet pas lufte Kosova nuk ka Ministrinë e saj të rendit, nuk i ka forcat e specializuara për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë publike? Kush është fajtor, që Kosova dhe qytetarët e saj edhe pesë vjet pas lufte bien në gjumë dhe gdhihen me frikën dhe pasigurinë për të ardhmen e tyre? Kush është fajtor për ndarjen e Mitrovicës dhe të Veriut si dhe për enklavizimin e Kosovës? Kush i vrau dhe plagosi qytetarët e Kosovës gjatë revoltës së 17 dhe 18 marsit? Kush janë ata që vazhdojnë t'i ndjekin luftëtarët e lirisë dhe atdhetarët e dëshmuar të këtij vendi me "fakte" të mbledhura nga shërbimet sekrete serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë, ndërsa nuk është ndaluar dhe dërguar në Gjykatën e Hagës asnjë serb i Kosovës? A thua kush i vrau, masakroi dhe dogji për së gjalli ata 11 mijë e sa shqiptarë në Kosovë? Kush është fajtor për moskthimin e kufomave të shqiptarëve të vrarë dhe të varrosur në varrezat masive në Serbi? Kush është fajtor për terrin pesëvjeçar në Kosovë, për shkatërrimin e ekonomisë së Kosovës dhe për papunësinë gati të përgjithshme? Kush, kush?.Të rinjtë shqiptarë edhe sot vazhdojnë të kërkojnë shpëtim, të kërkojnë jetën jashtë Kosove! Shqiptarët dhe qytetarët e tjerë të Kosovës nuk kanë asnjë pikë faji. Faji i vetëm i tyre është se nuk janë më të përkushtuar dhe më të vendosur për zgjidhjen e çështjes së tyre. Faji i tyre mund të jetë edhe ai se u besojnë lehtë "liderëve" të tipit që ju i lavdëroni. Në intervistën tuaj del edhe argumenti forcës dhe paralajmërimi për të gjithë ata, që do të guxonin të sulmonin ushtarët e KFOR-it. Shumë e drejtë. Por, zoti kolonel a mos do të ishte më mirë për Bashkësinë Ndërkombëtare, për Kosovën dhe për të gjithë rajonin, që të gjendej zgjidhje politike për këtë vendin tonë. Pesë vjet regjim ushtarak mjaftojnë e teprojnë. Është koha që për Kosovën Bashkësia Ndërkombëtare dhe veçmas mikja jonë, SHBA-ja, të plotësojë një standard, që do të hapte rrugën për plotësimin e tetë standardeve të tjera nga ana jonë: të pranohet Kosova si shtet i pavarur dhe t'i njihet e drejta për vetëvendosje popullit të saj. Besoj se e kuptoni edhe ju ushtarakët se Kosova me këmbë e duar lidhur nuk mund t'i plotësojë standardet, që nuk i kanë plotësuar as vendet e lira. Në fund dua të theksoj se ju ushtarakët e keni në dorë argumentin e forcës, kurse ne politikanët vetëm forcën e argumentit. Prandaj, edhe unë me këtë forcë (të argumentit) u përpoqa të sqaroj opinionin me të vërtetën për ngjarjet e 17 dhe 18 marsit në Viti e më gjerë. Kjo letër, zoti kolonel, është shkruar duke u mbështetur në intervistën e botuar te "Zëri". Nëse mendimet, vlerësimet dhe komentet e bëra janë shtrembëruar nga përkthyesi ose gazetarët, kërkoj falje. Dega e PDK-së dhe grupi i këshilltarëve të saj në Këshillin komunal janë të hapur për trajtimin e të gjitha çështjeve. Ndoshta ka qenë mirë që paraprakisht të merrnit edhe mendimin tonë e pastaj të dilnit me ato vlerësime e komente, që i lexuam në gazetë. P.S. Citatet janë shkruar siç ishin në gazetë

. Xhevat Bislimi

Për ne | Site Map | Privacy Policy | Na Kontaktoni | ©2002 adi@rtvzik.com