Nepotizimi s’ka të ndalur në funksionet publike. Alsat sjell detaje për punësimet që dyshohet që janë bërë me intervenim të pushtetarëve. Vajza e Krye parlamentarit Talat Xhaferi, Besiana e punësuar si Referente përgjegjëse për përgatitjen e dokumentacionit për tenderët ndërkombëtarë në Sektorin për Zhvillim dhe Investime të ELEM-it, merr pagë mujore 35,863 denarë.

Nga tre personat që kanë aplikuar për pozicionin e punës Inxhinier për aplikimin e teknologjive të reja në Sektorin për zhvillim dhe investime në SH.A. ELEM, drejtori i përgjithshëm zgjodhi djalin e deputetes së LSDM, Mira Stojçevska, Viktorin, i cili merr pagë prej 35,864 denarëve. Nga ELEM u konfirmua edhe punësimi i dajës së tij, Cele Velevski, para dy ditësh si bravandreqës në “Rek Bitola”.

Nga VMRO-DPMNE thonë se pikërisht më 11 Shkurt, deputetja Stojçevska ka punësuar edhe bashkëshortin e saj Ilço si komandant i policisë së pyjeve në Dellçevë. Ata nxjerrin edhe raste të reja të punësimeve familjare të LSDM-së në funksionet shtetërore.

Në bazë të çfarë kritereve është punësuar djali i deputetes së LSDM-së nga Radovishi, e nderuara Mileva -Gjorgjieva. Djali i saj quhet Stojçe Gjorgjiev, i punësuar si inspektor i sigurisë publike në MPB pa shpallje publike? Ne duhet të theksojmë dhe të informojmë publikun se Stojçe është paraqitur në këtë pozicion me shkollë të mesëm profesionale. Imagjinoni një teknik farmaceutik si inspektor i sigurisë publike.”  – theksoi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së

Edhe kryetari i degës së LSDM-së në Gostivar, Zoran Angelov, para disa ditësh gjeti punë në HEC “Mavrova” të ELEM-it, si inxhinier për mirëmbajtjen e makinerive. Siç mëson Alsat, në Fabrikën për pajisje dhe pjesë “FOD dooel-Novaci”, që është në kuadër të ELEM-it, prej kohësh është i punësuar edhe vjehrri i sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.

Edhe Hidajete Alili, motra e Ministrit Asaf Ademi, është e punësuar në Departamentin e Çështjeve

Ligjore në Zyrën e Degës së HEC Mavrovë-Gostivar, me një pagë prej 33.643 denarëve.

Ndërkaq, në Kompaninë shtetërore MEPSO kolege me Vlorën, motrën e Ministrit Kreshnik Bekteshi, së fundmi është bërë edhe Fitore Bejta-Akiku, vajza e nënkryetarit të BDI-së Nevzat Bejta.

Nga ELEM thonë se gjatë vitit 2018 janë realizuar gjithsej 117 punësime në kohë të pacaktuar, nga të cilët 10 në HEC Drini Zi, 67 në REK Bitola dhe 40 të punësuar në Drejtorinë e kompanisë. Sipas ELEM në të njëjtën kohë, për arsye të ndryshme janë larguar 178 të punësuar. Deri më 12.2.2019, për një periudhë të pacaktuar kohore janë punësuar 72 persona. Kurse, përmes Agjencisë për Punësim të Përkohshëm gjatë vitit 2018, janë angazhuar 321 persona.

Paga neto mesatare në ELEM në këtë fillim vit arrin 35.548 denarë. Paga më e ulët është 16.988 denarë, kurse më e larta arrin shifrën e 56.356 denarëve. Nga drejtoria e ELEM-it thonë se nuk janë në dijeni se të punësuarit janë të afërm me funksionarët e pushtetit të kaluar apo atij aktual.

Shpërndaje në