Me 81 vota “për” dhe asnjë kundër, Kuvendi i Maqedonisë, votoi ndryshimet kushtetuese, duke kurorëzuar kështu procesin e Marrëveshjes së Prespës. Tashmë emri zyrtar i shtetit është Republika e Maqedonisë së Veriut.

Me 81 vota “për” dhe asnjë kundër, Kuvendi i Maqedonisë, votoi ndryshimet kushtetuese, duke kurorëzuar kështu procesin e Marrëveshjes së Prespës. Tashmë emri zyrtar i shtetit është Republika e Maqedonisë së Veriut.

Deputetët e opozitës maqedonase VMRO-DPMNE nuk ishin të pranishëm në seancë, sipas tyre ata nuk donin t’i jepnin asnjë lloj legjitimiteti ndryshimit të Kushtetutës së vendit, qoftë edhe me prezencë. Paraprakisht shumica e deputetëve votuan kundër amendamentit të deputetes Elizabeta Kançeska Milevska, e cila kishte kërkuar që, termi “Republika e Maqedonisë Veriore” të përdoret vetëm për përdorim të jashtëm-ndërkombëtar, ndërsa në përdorim të brendshëm, në të gjitha dokumentet, të mbetej emri i deritanishëm,  “Republika e Maqedonisë”.

Ndryshimet kushtetuese u miratuan pas negociatave të gjata me opozitën shqiptare që kishin të bënin me disa amendamente të saj për pozitën e shqiptarëve në Kushtetutë. Si përfundim u pranuan amendamentet e partive opozitare shqiptare nga Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët. 

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami,  janë marrë vesh që kërkesat e opozitës shqiptare të realizohen përmes ligjit kushtetues dhe jo përmes amendamenteve plotësuese.

Sipas kësaj marrëveshjeje çështja e shtetësisë në dokumentet personale për maqedonasit do të jetë sipas formulimit /maqedonase/ qytetar i Maqedonisë së Veriut, ndërsa për shqiptarët e Maqedonisë/ qytetar i Maqedonisë së Veriut. Opozita e kishte kontestuar variantin e parë pasi sipas saj predikonte përkatësinë etnike të shqiptarëve si maqedonas.

Zaevi i lehtësuar 

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, e ka vlerësuar vendimin e Kuvendit si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Maqedonisë, pasi ai mbyll kështu grindjen 27-vjeçare me Greqinë për çështjen e emrit që ka mbajtur për aq kohë të bllokuar edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Kuvendi i Maqedonisë që nga pavarësia ka sjellë vendime të shumta, por vendimi i sotëm është ndër më të rëndësishmit. Është vendim i rëndë, por është vendimi më i mirë i mundshëm me Greqinë për të ardhmen e vendit. Edhe VMRO DPMNE-ja e di se vendim më të mirë nuk mund të arrihej. Ajo gjithashtu e di se pa një marrëveshje me Greqinë nuk mund të ketë as NATO e as BE”, ka deklaruar kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Urime nga  shumë anë

Mbas votimit aktorët politikë në Maqedoni kanë marrë shumë urime nga politikanë të ndryshëm brenda dhe jashtë vendit. Ministri gjerman i shtetit për Europën, Michael Roth, e uroi  kryeministrin Zaev dhe për këtë “hap të madh në drejtim të BE-së”. Roth nuk i kurseu edhe fjalët lavdëruese për kryeministrin Zaev: “Lidershipi i mirë është kyç!” tha ai. Kjo është diçka e mirë për maqedonasit, grekët dhe rajonin dhe Europën. Urime! Përfundon mesazhin politikani gjerman.

Edhe komisioneri i BE-së përgjegjës për zgjerimin, Johannes Hahn, i uroi aktorët e politikës dhe qytetarët për këtë votë: “Shpresoj që ky vendim historik do të krijojë një dinamikë pozitive për pajtim në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shkroi Hahn në një status në Tweeter. 


Urime i kanë shprehur shtetit fqinj edhe krerët e politikës nga Kosova dhe Shqipëria. Ndër mesazhet e përfolura më shumë në mediat e Tiranës ishte ai i ministrit të Jashtëm ende në detyrë Ditmir Bushati, shkarkimi i të cilit po refuzohet nga presidenti Ilir Meta. Bushati në mesazhin e tij urues vuri në dukje ndër të tjera edhe rolin “pozitiv të shqiptarëve” në këtë vendim.

Protesta para Kuvendit

Ndërsa 81 deputetët votonin emrin e ri, VMRO-DPMNE-ja protestonte para Kuvendit, duke e kritikuar marrëveshjen si “kapitulluese për kombin, identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase”. Nga VMRO DPMNE-ja gjithashtu kanë akuzuar qeverinë se ka përdorur forma të ndryshme kërcënimesh ndaj deputetëve dhe cilitdo që kishte kundërshtuar marrëveshjen në një farë mënyre. 

“Në lojë janë para, premtime për lirim nga përndjekja politike me kusht që të mbështesin ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit kushtetues të Republikës së Maqedonisë. Maqedonia po bëhet shtet i okupuar”, ka deklaruar zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoillkovski.

VMRO-DPMNE-ja iu bashkua kështu kësaj radhe grupit pro-rus dhe kundër NATO-s “Maqedonia Bllokon”, që po protestonte kundër Marrëveshjes së Prespës. “E ftojmë popullin maqedonas që të dalë dhe të mos lejojë që të na ndërrojnë emrin. Do të ngelemi në këtë të ftohtë dhe do të kryejmë trysni derisa nuk heqim dorë nga ndryshimi i emrit ”ka thënë Dragan Ugrinovski” nga “Maqedonia bllokon”.

Me ndryshimin e Kushtetutës zbatohet Marrëveshja e Prespës për emrin me Greqinë, e cila u arrit më 17 qershor 2018. Që të jetë e plotfuqishme, Marrëveshja për emrin duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti i Greqisë. Marrëveshja e arritur i jep fund bllokadës së Greqisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe nisjen e negociatave të saj me BE-në, gjë që pritet të vendoset në samitin e BE-së në fund të qershorit.

%d bloggers like this: