Ministri i Mbrojtjes i SHBA James Mattis në Shkup: “Referendumi që do të mbahet më 30 shtator në Maqedoni është vota më e rëndësishme në historinë e vendit”

“Bashkohuni me një Aleancë që angazhohet në zbatimin e standardeve për integritetin territorial dhe lirinë nga detyrimi i atyre që përpiqen të ulin këto vlera nga Siria deri në Ukrainë”, kështu u shpreh ministri i Mbrojtjes i SHBA James Mattis gjatë qëndrimit në Shkup. Sipas tijë referendumi që do të mbahet më 30 shtator në Maqedoni është vota më e rëndësishme në historinë e vendit.

“Të citoj kancelaren Merkel, përderisa votoni në referendum për anëtarësim në NATO, ju jepni votën më të rëndësishme në historinë e kombit tuaj. Ne e njohim procesin e zgjidhjes politike që qëndron para kombit tuaj. Ju mbështesim juve dhe miqtë tanë maqedonas në përgjegjësinë tuaj demokratike për të votuar”, ka deklaruar Mattis.

E njohim procesin kompleks politik, i cili qëndron përpara dhe j’u përkrahim  në realizimin e votës tuaj demokratike dhe përgjegjësinë të votoni, ka thënë Mattis.

“Jemi të gatshëm që t’ju dëshirojmë mirëseardhje si anëtare e 30-të në aleancë. Vota në referendum është vota më e rëndësishme historike e vendit tuaj”, ka theksuar Mattis, duke shtuar se këtë porosi do t’ia përcjell edhe kryetarit të shtetit Gjorgje Ivanov. Ai tha se anëtarësimi në NATO sjell siguri dhe zhvillim ekonomik më të fuqishëm për Maqedoninë.

“Duke iu bashkangjitur NATO-s, ju do të rrisni sigurinë e shtetit tuaj dhe kjo do të sjellë ekonomi dhe siguri më të lartë. Ashtu siç u rritën investimet në Mal të Zi, të njëjtat do të rriten edhe në Maqedoni”, ka thënë sekretari amerikan.

Marrëdhëniet në fushën e mbrojtjes midis Maqedonisë dhe SHBA-së, Mattis i vlerësoi të fuqishme dhe tha se SHBA e njeh udhëheqjen e vendit si fuqi të rëndësishme stablizuese në Ballkan dhe më gjerë. Maqedonia ka dëshmuar të jetë partnere i përgjegjshme dhe kontribuese e rëndësishme për paqen globale dhe sigurinë.

Zaev: Ballkani Perëndimor po integrohet në familjen evropiane

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha, se sekretari amerikan i Mbrojtjes vjen në Maqedoni në një periudhë të jashtëzakonshme kur qytetarët janë duke u përgatitur për të dhënë votën e tyre për pranimin e marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor të integruar në familjen euro-atlantike janë një garanci për një parandalim të qëndrueshëm të përfshirjes së palëve të treta këtu në rajon. Vazhdimisht i inkurajojmë liderët tonë rajonal të bashkohen në arritjen e objektivave të përbashkët, paqe të qëndrueshme, bashkëpunim rajonal, zhvillim ekonomik dhe integrim të kombeve në familjen euro-atlantike”, është shpreh  Zaev.

Rusia dhe çështja e referendumit

Ministri i Mbrojtjes i SHBA Mattis, para ardhjes në Shkup paralajmëroi se do të vizitojë Maqedoninë për të shprehur mbështetje të qartë për referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit, por edhe shqetësimin për shkak të involvimit të mundshëm të Moskës në proces. Ai ka dënuar përpjekjet e Rusisë duke përdorur paratë dhe ndikimin e saj për të forcuar palën opozitare ndaj referendumit në Maqedoni, që hap rrugën për anëtarësimin e vendit në NATO, një veprim që Moska e kundërshton.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se nuk ka informacione mbi ndikimet ruse në Maqedoni, por ka theksuar se Moska qartë ka bërë të ditur, që është kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, por jo edhe në Bashkimin Evropian.

“Nuk ka dëshmi për ndonjë ndikim rus. Federata Ruse është mike e Maqedonisë dhe ajo nuk ka asgjë kundër integrimit të Maqedonisë në BE, por është kundër anëtarësimit në NATO. Ketë e thonë shumë qartë. Ne po tentojmë të sqarojmë se për ne nuk ekziston alternativë, përveç integrimit të tërësishëm në NATO dhe BE. Duam të ndërtojmë miqësi me të gjitha vendet, edhe me Federatën Ruse. Mbetemi në këtë përcaktim”, ka deklaruar kryeministri Zaev. Ai këto komente i bëri një konferencë ndërkombëtare të organizuar nga BE-ja lidhur me lirinë e mediave në rajon.

Shpërndaje në