Takimi i parë i drejtpërdrejt i kryeministrit maqedonas dhe atij grek rezultoi me iniciativa të drejtpërdrejta për përmirësimin e klimës në marrëdhëniet dhe forcimin e besimit para depërtimit të pritur të negociatave për zgjidhje përfundimtare të kontestit shumëvjeçar rreth emrit. Përveç ngritjes së nivelit të procesit negociator, në të cilin në vend të Naumovskit dhe Vasilakisit, me ndërmjetësin Nimic drejtpërdrejt do të komunikojnë shefat e diplomacive, dy kryeministrat vendosën që të ndërmarrin hapa me të cilët do ta tregojnë vullnetin e mirë për zgjidhjen e kontestit.

Me qëllim që të tregojmë konkretisht se jemi të përkushtuar në procesin e gjetjes së zgjidhjes, paralajmëroj se Qeveria do ta ndërrojë emrin e aeroportit dhe të autostradës. Autostrada do të quhet “Miqësi”. Kjo është dëshmi për faktin se nuk kemi aspirata territoriale ndaj fqinjit tonë – deklaroi Zoran Zaev, kryeministër i RM-së.

Si kundërpërgjigje, Qeveria e Greqisë, siç paralajmëroi Ciprasi, menjëherë do të mbështesë anëtarësimin e Maqedonisë në Iniciativën e Adriatikut dhe Jonit, ndërsa Parlamenti grek do të japë dritë jeshile për kalimin në fazën e dytë nga Marrëveshja për Asocim-Stabilizim, e cila është e bllokuar që nga viti 2009. Ciprasi theksoi se ekziston vullnet për zgjidhjen e emrit edhe atë në mënyrë pragmatike, me ndjenjë të përgjegjësisë duke mposhtur iredentizmin në të gjitha format e tij.

Duhet doemos të gjejmë zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura, me qëllim që të realizohet ajo që e dëshiron fqinji jonë, asocim në BE dhe anëtarësim në NATO. Prandaj, duhet doemos të gjejmë zgjidhje të përbashkët të pranueshme erga omnes. Prandaj, vendosëm të intensifikojmë procesin negociator i cili është duke u zhvilluar nën patronazhin e OKB-së dhe të gjejmë zgjidhje për emrin – tha Aleksis Cipras, kryeministër i Greqisë.

Dy kryeministrat konsiderojnë se ka ardhur koha të hapet një kapitull i ri në marrëdhënies jo vetëm mes Greqisë dhe Maqedonisë dhe në fokus të jetë agjenda e miqësisë dhe bashkëpunimit, duke u dhënë fund tensioneve dhe nacionalizmave që e rëndonin rajonin në të kaluarën. Greqia, siç paralajmëroi kryeministri grek dëshiron të jetë lider rajonal, që do të ndihmojë stabilizimin, sigurinë, prosperitetin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ndryshe, tashmë është paralajmëruar se deri në fund të muajit në Shkup dhe në Athinë vjen ndërmjetësi Nimic, i cili do të duhej t’i konsolidojë perceptimet fillestare të pakos së ideve që i propozoi në takimin e fundit në Nju-Jork.

Alsat-M

Shpërndaje në