Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thanë se kanë biseduar me telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, Wess Mitchell, për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton VOA.

Presidenti Thaçi, tha se me zotin Mitchell janë pajtuar që të shtohen përpjekjet për të arritur një marrëveshje, “e cila njëherë e përgjithmonë do t’i mbyllë armiqësitë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Ai tha se ndihmës sekretari Mitchell është zotuar se Kosova do ta ketë mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara në këtë proces.

Presidenti i Serbisë, tha se Shtetet e Bashkuara i japin mbështetje të plotë procesit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe shpresojnë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.

Në një njoftim të zyrës së tij, thuhet se presidenti serb i ka thënë zotit Mitchell se “do të jetë shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje”, por ai do të bëjë gjitha çfarë është e mundur për qëndrueshmërinë afatgjate ne Ballkanin Perëndimor.

As njëri dhe as tjetri nuk i përmendën idetë e tyre për normalizimin e marrëdhënieve ndonëse gjatë ditëve të shkuara kanë kërkuar mbështetje për një marrëveshje që do të përfshinte edhe ndryshimin e kufijve, nënvizon VOA.

Gjatë ditës, presidenti Thaçi takoi edhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie dhe ambasadorin amerikan në Serbi, Kyle Scott, për të diskutuar procesin aktual politik me Serbinë.

Presidenti Thaçi po përballet në shtëpi më kundërshtimin e idesë së tij për “korrigjimin e kufirit”.Partitë opozitare synojnë që më 4 shtator të mbajnë një seancë të jashtëzakonshme të parlamentit ku do të hidhet për miratim një rezolutë që, siç thuhet “i ndalon presidentit dhe kujtdo tjetër të negociojë për tërësinë territoriale të Kosovës”.

Presidenti Thaçi gjatë të enjten takoi në dy raste drejtuesit e institucioneve të Kosovës për të diskutuar këto çështje.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha pas takimit të parë se procesi i bisedimeve nuk nënkupton diskutim të territorit as të kufijve të Kosovës.

“Edhe presidenti shprehu pozicionin e tij se respekton jo vetëm territorin dhe integritetin e sovranitetin e vendit por vetëm i ushtron funksionet e veta kushtetuese dhe nuk pranon që të diskutohet territori i vendit”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai tha se institucionet e vendit duhet të dalin me qëndrim të përbashkët kundër përfshirjes së kufijve në bisedime.

“Ajo që është shumë me rëndësi është që të qartësohen pozicionet institucionale pra që të kemi qëndrim të qartë institucional që territori dhe kufijtë nuk diskutohen, pra nuk janë çështje për diskutim në kuadër të dialogut. Mendoj që kjo është rëndësia pastaj po është shumë me rëndësi që opozita e të gjithë të jemi pjesë e bisedimeve”, tha kryeministri Haradinaj.

Shpërndaje në