Një hulumtim nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka matur qëndrimet e burrave lidhur me barazinë gjinore në Kosovë, dhe ka konstatuar se 40% e tyre pohojnë se gratë e meritojnë të rrihen.

67.9% e të anketuarve në këtë hulumtim kanë pohuar se gratë nuk duhet të heshtin karshi dhunës, madje edhe nëse është fjala që të mbajnë familjen e bashkuar, shkruan Gazeta ‘Fokus’.

Rezultatet e dala nga ky hulumtim kanë treguar se pjesa më e madhe e  të anketuarve mendojnë se gratë nuk e kanë të nevojshëm seksin sa e kanë burrat. Sipas disa të anketuarve, madje, disa burrave duhet t’u vijë turp nëse nuk janë në gjendje të kenë ereksion gjatë marrëdhënies seksuale.

Kështu janë shprehur 24.4% të burrave pjesëmarrës në hulumtimin e OSBE-së, ndërkohë që, 30.4 % pajtohen pjesërisht.

Ky hulumtim ka treguar se 70% e të anketuarve mendojnë se ndërrimi i pelenave, larja e fëmijëve dhe ushqyerja e fëmijëve janë përgjegjësi e gruas. Sipas tyre, roli më i rëndësishëm i gruas është të kujdeset për shtëpinë dhe të gatuajë për familjen.

Po ashtu, 55.1% janë shprehur se nuk do të pranonin asnjëherë një homoseksual për shok, ndërkohë që, 17%  pajtohen pjesërisht me këtë pohim.

Shpërndaje në