Agimi (70) e pret autobusin urban çdo ditë në të njëjtin stacion. Për metro nuk ka dëgjuar asnjëherë, madje as nuk e di se çfarë është. Të riut që po i fliste për këtë çudë, ai ia zgurgulloi sytë.

“Sot gjithçka u dalë”, thotë ai, duke mos e ditur se çfarë të mirash sjell ky sistem transporti. 

Aksidente më pak, krijim i kapacitetit në transportin publik, e kursimi 20 për qind të energjisë në krahasim me transportin rrugor, janë vetëm disa prej të mirave që do i sillte kryeqytetit një metro. 
  
Por, ndonëse udhëtimi me sistemin e metros është i dobishëm, një sistem i tillë transporti është thuajse i parealizueshëm në kryeqytet, qoftë për shkak të kostos së ndërtimit, qoftë për sipërfaqen ku do të ndërtohet. 
  
Kështu vlerëson edhe kyeshefi i Infraksosit, Agron Thaçi. 
  
Thaçi deklaron se në rast se ndërtohet një metro në Prishtinë do të ketë shumë përfitime, por më kryesoret sipas tij janë rritja e mobilitetit, krijimi i kapacitetit në transportin publik, zvogëlimi i numrit të aksidenteve dhe kursimi i 20% të energjisë, në krahasim me transportin rrugor. 
  
Por, thotë ai, studimet e kanë eliminuar këtë lloj të transportit për Prishtinën. Për prishtinasit, autobusi vazhdon të mbetet opsioni kryesor i trasnportit. 
  
“Studimet e mëparshme që janë bërë në këtë drejtim e kanë eliminuar këtë lloj të transportit, duke i dhënë prioritet sistemit të transportit publik me autobus”, ka thënë Thaçi. 
  
Një mundësi e tillë e ndërtimit teknikisht është e mundur në 2/3 e qytetit, mirëpo duhet bërë analiza cost/benifit, dhe një studim i detajuar, që sipas Thaçit ky sistem të mos ketë gjatësi më pak se 30 km. 
Por, në qoftë se një sistem i tillë transporti do të ndërtohej në kryeqytet, sipas Thaçit duhet të ketë dy linja. 
  
“E para: Xhamia e Llapit- Banka e Lubjanes- hotel Grand- Fakulteti Filozofik- Rrethrrotullimi- Spitali- Rruga B- Banesat e bardha; ndërsa linja e dytë nga Xhamia e Llapit- Rruga Agim Ramadani- Menza e studenteve- Komviktet- Furra e Qerimit- Xhambazët – Banesat e bardha”, ka thënë ai. 
  
Në anën tjetër, për shkak të konfiguracionit dhe sipërfaqes brenda territorit të kryqytetit, Shaban Buza, profesor në fakultetin e inxhinierisë, mendon se është i vështirë ndërtimi i metros në Prishtinë. 
  
Ai e anashkalon mundësinë brenda kryeqytetit, duke e marrë parasysh mundësinë që ky sistem të krijohet në bashkësi komunash. 
  
“Nëse e marrim si bashkësi komunash me Fushë – Kosovën, Obiliqin e Lipjanin, atëherë mund të konsiderohet si mundësi me shumë vështirësi, kur dihet se dy lumenj janë të mbuluar”, ka thënë ai. 
  
Sa i përket kostos, sipas tij, duhet bërë një hulumtim i detajuar dhe gjithëpërshirës. 
Nëse llogaritet një ndërtim i sistemit të metros, kosotja do të prekte shifrën afërsisht katër miliard euro, pasi që Prishtinës i duhet sistem prej 30 kilometrave me 25 stacione ndalesë, dh kështu do t’a përfshinte gjithë qytetin. 
Krahas ndërtimit të një metroje, në disa zona të qytetit, në pamundësi të shtrirjes së rrjetit të metros, si shkak i ndërtimeve të ngjeshura, opsion mbetët hapja e tuneleve, kostoja e të cilit për kilometër mund të jetë 100 milion euro. 

Mirëpo, se a ka buxhet Komuna e Prishtinës të krijojë një sistem së paku 30 kilometërsh, është një pikëpyetje, duke e ditur se rritja e buxhetit nga viti në vit nuk është shumë e madhe. Buxheti i Prishtinës për vitin 2018 është nëntë milionë euro më shumë se ai i vitit të kaluar. 
  
Për këtë vit, komuna e Prishtinës ka 71 milionë euro, prej të cilave ka ndarë 25 milionë euro për investime/ndërtime kapitale në krahasim me vitin 2017 që ka pasur 62 milionë euro. 

Edhe pse, në shumë qytete, e njejta gjatësi kilometrash, ka kushtuar shumëfish. 
Njëri nga këto qytete, Singapori është duke e ndërtuar metron 30 kilometra, çmimi i së cilit arrin në 18 miliard dollar, duke shpenzuar kështu 600 milionë dollar për kilometër. 

Në anën tjetër, qyteti i Nottinghamit të Anglisë disponon sistem të tramvajve me 32 kilometra. Para se të ndërtohet, projekti ishte i ndarë në dy faza, fillimisht në fazën e parë janë ndërtuar 14 km me 23 stacione ndalesë, me një kosto prej 282 milion euro. Ndërsa për fazën e dytë të ndërtimit të projektit ishin shpenzuar 437 milion euro, duke e funksionalizuar kështu rrjetin e tramvajve prej 32 km me 34 stacione ndalesë. 

Ndryshe, komunikacioni rrugor në Prishtinë ballafaqohet me probleme të theksuara ndër të cilat janë: numri i madh i atutomjeteve të udhëtarëve, rrjeti rrugor i pamjaftueshëm për të përballuar kërkesat, rrugët e ngushta, numri i madh i kalimtarëve, pamundësia për zgjerimin e rrjetit rrugor. 
  
Kjo gjendje ndikon që veturat e udhëtarëvë(individual) të jenë si mjet primar për transport brenda zonave urbane. Por, numri i madh i tyre krijon një kaos dhe vetëm sa rrit nivelin e ndotjes së ambientit. Kjo dukuri është parë në dimrin e vitit 2017, nga publikimi i të dhënave të Indeksit të Kualitetit të Ajrit (AQI – Air Quality Index) nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë. Për ditë me radhë, gjatë muajve nëntor, dhjetor dhe janar, AQI tregoi nivele të larta të ndotjes së ajrit në Prishtinë, deri në pikën ku indeksi shkonte më lart se 500. 
  
Premtime për ndërtimin e një metroje ka pasur që nga viti 2013, nga kandidati i atëhershëm për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës. 
  
Sipas planit për Prishtinën, kjo parti kishte planifikuar që qendrën e Prishtinës ta zhvillojë në atë mënyrë që trafiku urban me autobusë të zëvendësohet nga trenat dhe tramvajet dhe do ta lidhte qendrën e Prishtinës me hekurudhën dhe autostradën. 

Edhe pse, si duket, sipas kryetarit të tanishëm të LDK-së kushtet për ndërtimin e metros kanë ekzistuar para pesë viteve. Problemi i vetëm në atë kohë për kandidatin Mustafa ka qenë komplikimi i unazës në qendër. Mirëpo, Mustafa nuk arriti ta fitojë garën për të parin e kryeqytetit, kështu që plani i tij nuk arriti të realizohej. 
  
Por, një ndërtim i tillë nuk u përjashtua as nga programi i partisë që fitoi Prishtinën për herë të parë, Lëvizjes Vetëvendosje. Shpend Ahmeti, kryetar i atëhershëm nga VV, në vitin 2014, deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që Prishtina të ketë tramvaj. 
Ahmeti, përfundoi mandatin e tij të parë në vitin 2017, dhe një gjë e tillë nuk ndodhi. 
  
Megjithatë, në zgjedhjet e fundit lokale, Arban Abrashi kandidati i LDK-së për Prishtinën, në mesin e 12 projekteve, kishte futur edhe planin për të cilin do të punohej gjatë mandatit katërvjeçar, realizimin e metros përmes formave të partneritetit publik-privat.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/metroja-e-dobishme-por-e-parealizueshme-per-kryeqytetin-576204/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

%d bloggers like this: