Xhelozia, buron nga dashuria apo paralajmëron fundin e saj?Shumë prej nesh, kush më shumë e kush më pak, është ndier xheloz për partnerin kur ka kuptuar se ai ka kërkuar të krijojë një marrëdhënie, i është përgjigjur :’’ngacmimit’’ të dikujt tjetër ose është larguar prej nesh për të patur një lidhje të re. Kur e dëshiron shumë një person nuk do që ta humbasësh : dëshiron të jetë pranë teje përgjithmonë. Për ta mbajtur pranë, për ta mbrojtur marrëdhënien kontrollon sjelljen e partnerit, bëhesh xheloze. Në disa raste xhelozia mund të jetë e bazuar në ‘’fakte’’ në raste të tjera ne mund të jemi shkaku i saj.

Xhelozia nuk është e njëanshme: Jo vetëm femra por edhe mashkulli është xheloz… Shpesh neve na është thënë ose kemi dëgjuar t’i thuhet dikujt ….Nuk më pëlqeu mënyra sesi të pa ai tipi… Mos e kthesh kokën as majtas as djathtas… Je veshur kështu që të biesh në sy: paske ndonjë variant sot… Duhet të qëndrosh në shtëpi dhe të merresh me fëmijët… Nuk më pëlqen të punosh aty sepse ka shumë meshkuj madje edhe …. Do të të vras nëse marr vesh gjë…. E vrava sepse më tradhtonte…

Përse mashkulli është xheloz në marrëdhënien me partneren?

Nëse partneri nuk është i sigurt në marrëdhënien e tij me partneren ka shumë mundësi që të ndihet i kërcënuar nga prania e meshkujve të tjerë në jetën e saj. Pasiguria për të ardhmen e lidhjes shkakton xhelozinë. Kjo formë e xhelozisë mund të jetë një ndër treguesit e periudhës së vështirë që kalon marrëdhënia. Në këto kushte xhelozia mjegullon pamjen dhe nuk të lejon të kuptosh atë që po ngjet realisht me të dy partnerët.

Xhelozia dhe përkushtimi i partneres

Nëse përkushtimi ndaj partnerit është në nivele të ulëta, ka shumë mundësi që ai të reagojë ndaj saj me xhelozi. Partneri cili merr pak vëmendje dhe dashuri do të vihet në kërkim të shkaqeve: përse ajo nuk më do si më parë? Përse ka ndryshuar? Dhe në fakt mendja shkon për keq: Mund të jetë dikush tjetër është në jetën e saj. Një mendim i tillë mund të mjaftojë për të ‘’minuar’’ paqen shpirtërore dhe për t’i dhënë goditjen e parë lidhjes.

Xhelozia dhe tiparet e partneres

Nëse partnerja është miqësore, hyn shpejt në komunikim, tërheq vëmendjen e meshkujëve, partneri do të ndihet i kërcënuar. Ai e interpreton sjelljen e partneres si provokim dhe i sheh meshkujt e tjerë si rivalë të mundshëm të cilët mund të paraqesin interes për partneren e tij. Për shkak të frikës dhe inferioritetit, ai shfaq xhelozi për partneren në marrëdhëniet që ajo krijon dhe do të fitojë sa më shumë nga vëmendja e saj.

Xhelozia dhe historitë e mëparshme të partneres

Nëse partnerja nuk ka qënë e qëndrueshme në lidhjet e mëparshme, partneri priret të mendojë se ajo mund të jetë e paqëndrueshme edhe me të dhe mund ta lerë për dikë që mund t’i përgjigjet më mirë shijeve të saj.

Xhelozia dhe historitë e mëparshme të partnerit

Nëse edhe në marrëdhëniet e mëparshme mashkulli ka qënë xheloz ai do të vazhdojë të shfaqë xhelozi edhe në lidhjen në vazhdim. Në disa raste xhelozia mund të shkaktohet nga sjellja e partneres ose nga shkaqe të jashtme ndërsa në raste të tjera ajo është tipar i mashkullit dhe ka nevojë të trajtohet.

Xhelozia dhe dëshira për kontroll

Nëse partneri kërkon të ketë kontroll në jetën e partneres dhe ajo ka thënë “po” për çdo vendim që ai ka marrë për të. Ai do të tregohet xheloz nëse ai ka pak mundësi të kontrollojë atë që partnerja bën. Ai do të bëhet xheloz për shkak të mungesës së kontrollit.

Xhelozia dhe modelet në familje

Nëse partneri është rritur në një familje, ku babai ka reagur me xhelozi ndaj nënës dhe ai do të priret të imitojë modelin e babait në marrëdhënien e tij me partneren. Ndikimi i modelit prindëror vazhdon të jetë i pranishëm në jetën tonë edhe kur nuk jemi më fëmijë. Gjithashtu edhe modelet e shokëve apo të të afërmëve të tjerë ndikojnë në sjelljen tonë. Nëse miqtë e partnerit priren të jenë xhelozë me partneret e tyre kjo do të jetë një arsye më shumë që ai të jetë xheloz me partneren e tij.

Xhelozia dhe përfundimi i lidhjes

Nëse lidhja po shkon drejt fundit dhe partnerët nuk kanë forcën e duhur për t’i thënë gjërat në sy, për të qenë sa më të hapur dhe të drejtpërdrejtë ai do të nisë t’i nxijë jetën partneres me skena xhelozie, derisa ajo ose ai të thotë fjalën e fundit.

Ti dhe xhelozia: Si mund ta zbutësh xhelozinë?

-Mbrojtja më e mirë kundra xhelozisë është një ruajtja e marrëdhënies. Nëse dashuria mbahet gjallë, nëse partnerët janë të përkushtuar ndaj njëri-tjetrit, nëse e kanë njëri-tjetrin në qendër të vëmendjes në lidhjen e tyre nuk ka vend për xhelozinë e sëmurë.

-Kontrollo mendimet dhe imagjinatën: me kë është ai? Çfarë është duke bërë? Ti mund të kuptosh që në disa raste disa “lojëra” mund të luhen nga partneri për të të bërë xheloze, që partneri mund të jetë shumë i dhënë pas vetes dhe në disa raste mund të mos tregojë ndaj teje kujdesin e duhur. Një episod, një mendim i vetëm mund të bëhet shkak për një “telenovelë” të një jete të dyfishtë të partnerit. Në këtë mënyrë ti i hedh benzinë zjarrit, shqetëson veten dhe partnerin.

-Mos e “përdorni” xhelozinë si tregues të dashurisë. Xhelozia e vazhdueshme nuk nënkupton dashuri të vazhdueshme. Xhelozia reflekton nevojat e tua, dëshirën për të ruajtur atë që ti e dëshiron për momentin dhe kërkesat për atë që do të sjellë e ardhmja. Xhelozia reflekton interesat personale dhe dashurinë për veten sesa dashurinë reciproke.

-Hidh një shikim pas në marrëdhëniet e tua: ke qënë xheloze edhe në marrëdhëniet e mëparshme apo vetëm në këtë marrëdhënie. Nëse për çdo partner je ndier xheloze duhet të jesh më e kujdesshmë për akuzat që bën: je ti që e paragjyon parnerin, je ti që sheh në sjelljen e tij e tij atë që pret të shohësh duke mos i dhënë rëndësinë e duhur aspekteve të tjera të sjelljes së tij.

-Mos u hidh në sulm nëse e sheh që partneri yt është duke flirtuar me dikë: Tregoi sesi u ndieve, tregoi sesa i rëndësishëm është ai për ty dhe që dëshiron të vazhdosh marrëdhënien në kohë. Mos u bë qaramane. Jo të gjithë meshkujt janë në gjendje t’i bëjnë ballë gruas në një situatë të tillë. Dhe si vetëmbrojtje zgjedhin “ngritjen e zërit” ose i kujtojnë asaj një histori të “vjetër”. Nëse ju nuk sulmoni do ta keni më të lehtë të komunikoni me partnerin tuaj. Ndërshmëria shpesh është mënyra më e mirë për të përballuar xhelozinë.

Të rinjtë dhe xhelozia

Cfarë është xhelozia për ju?

Aulona

Xhelozia është si tenxhere ku përzihen të gjitha ndjenjat: pasioni i tepërt jep më shumë zjarr dhe i djeg të gjitha.

Enkeli

Xhelozia është mungesë tolerance, moskomunikim, dyshim, dashuri, urrejtje, frikë, lumë që gryen mendimet, zjarr që djeg përbrenda dhe nuk shuhet. Xhelozia është njerëzore.

Fleura

Xhelozia është humbje kohe dhe energjie. Të bën të vuash, të torturon, të turbullon mendimet dhe ndjenjat dhe shpirtin.

Suela

Xhelozia: ndjenjë që herë ngjall dhe here e vdes dashurinë tek çdo njeri; që herë të bën të vuash dhe herë të bën të duash, që edhe kur je i lodhur nuk të lë të vdesësh.

Serxho

Xhelozia është sëmundje psikike.

Anisa

Xhelozia nuk është as mirë as e keqe kur nuk kalohet masa. Në disa raste kam nevojë për pak xhelozi “të ëmbël”.

Xhelozia e sëmurë

Partneri i prekur nga xhelozia e sëmurë beson se partnerja është e pabesë dhe se e tradhton. Përse kjo xhelozi quhet e sëmurë? Sepse partneri dyshues nuk ka fakte reale për të mbështetur dyshimin e tij. Në fakt kjo xhelozi e ka burimin tek imagjinata e pakontrolluar: partneri fantazon rreth tradhtive të partneres, kontrollon sjelljen e tij dhe dyshon për çdo person të cilin ai e sheh si rival të mundshëm. Ai vendos se çfarë mund dhe nuk mund të bëjë partneri, se me cilat persona ai mund ose jo të shoqërohet. Xhelozia e sëmurë në disa raste mund ta shtyjë partnerin drejt vrasjes së partneres, të fëmijës, atësinë e së cilit ai e dyshon apo të burrit me të cilin partnerja ka marrëdhënie.

 

Shpërndaje në